Home | Opinion | Davos 2014...

Davos 2014...

image
Fjalimet e shumicës së politikanëve në Davos kanë një synim të qartë: ato bëjnë publicitet për investime në vendin e tyre dhe duan ta paraqesin vendin nga vijnë si vend të bukur.

 

 

 

Andreas Becker

 

 

 

 

Fjalimet e shumicës së politikanëve në Davos kanë një synim të qartë: ato bëjnë publicitet për investime në vendin e tyre dhe duan ta paraqesin vendin nga vijnë si vend të bukur. Po të kemi parasysh këtë, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, u përmbajt mjaft. Mesazhi i përfaqësuesit më të lartë të qeverisë gjermane në Davos ishte: vazhdimësi.

 

Për sa i përket politikës financiare gjermane, në një kohë të parashikueshme ajo nuk do të ndryshojë. “Ne do të vazhdojmë politikën financiare me borxh zero”, tha Schäuble të premten (24.01.2014) në bisedë me Peter Limbourg, drejtor i Përgjithshëm i Deutsche Welle-s.

 

“Në këtë kuadër dhe vetëm në këtë kuadër ne do të zbatojmë gradualisht atë që kemi premtuar në fushatën tonë elektorale”, tha Schäuble. Në marrëveshjen e koalicionit, qeveria gjermane ra ndër të tjera dakord për shpenzime shtesë në politikën e pensioneve.

 

Tepër të suksesshëm?

 

Schäuble i hodhi poshtë kritikat, sipas të cilave sukseset gjermane në eksporte do ta rrezikonin ekuilibrin ndërkombëtar. “Në Eurozonë ne nuk kemi ndonjë suficit në bilancin e pagesave”, tha ministri. Përkundrazi, teprica në eksporte ka me vendet jashtë Bashkimit Europian.

 

Nga kjo përfitojnë sipas Schäubles edhe shtetet e tjera të BE, sepse në produktet gjermane të eksportit “ka shumë kontribute të partnerëve tanë europianë. Pa ne, recesioni në Eurozonë do të kishte qenë shumë më i fortë, kjo është pjesë e përgjegjësisë sonë për Europën”.

 

Atmosferë më e mirë

 

Stabiliteti i ekonomisë gjermane është në këtë kuadër një shkak për shëndoshjen aktuale graduale të shteteve të eurozonës. Si shenjë të çlodhjes Schäuble quajti uljen e interesave bankare për huat  shtetërore nga Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Spanja.

 

Megjithatë ka ende shumë për të bërë. “Ne nuk e kemi kaluar plotësisht lumin, por gjithsesi jemi në lartësinë e Davosit,” u shpreh Schäuble. Megjithatë, gjendja ekonomike në Europë nuk jep shkas të madh për t’u shqetësuar, si para një viti. Ky ndryshim atmosferik ishte diçka “që mund ta prekje me dorë” edhe në takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në takimet e nivelit të lartë të G20-s.

 

Para së gjithash gjendja është përmirësuar në Greqi. “Gota greke ishte thuajse bosh dy vjet më parë, tani ajo është e mbushur përgjysmë”. Schäuble shprehu respekt të madh për përpjekjet greke për reforma. “Nuk do të kisha dëshiruar që të më duhej t’i zbatoja reforma të tilla në Gjermani”.

 

Pak para Schäubles në Davos foli Kryeministri britanik, David Cameron, duke e quajtur “energjinë e lirë” si parakusht për një ekonomi të aftë për konkurrencën. Cameroni foli edhe pro metodës Fracking, të diskutueshme në Europë, me anë të së cilës duke përdorur produkte kimike të forta është bërë e mundur të shfrytëzohen rezerva, deri tani të pashfrytëzueshme, nafte dhe gazi. Kjo metodë ka bërë në SHBA që të bjerë në mënyrë drastike çmimi i gazit. Por mbrojtësit e ambientit paralajmërojnë për dëme të mëdha mbi natyrën.

 

Ndërsa qeveria gjermane i përmbahet kthesës së planifikuar energjetike, pra kalimit nga bartësit fosilë dhe bërthamorë të energjisë në burime të ripërtëritshme si era dhe fuqia solare.

 

Para së gjithash shoqata ekonomike druhen se në këtë mënyrë do të shkaktohen shpenzime energjetike.

 

Lëvdata për Francën

 

Aftësia për konkurrencë është një temë e vazhdueshme në Davos, edhe këtë vit. “Ka disa vende, të cilat për momentin nuk e arrijnë aftësinë për konkurrencë”, tha Schäuble. I pyetur për deklarimin e presidentit francez, Francois Hollande, se do ta rigjallërojë ekonominë e ngecur në vend përmes lehtësimeve në tatime për sipërmarrjet, Schäuble tha se “jam shumë i bindur se Franca do të forcohet më tej në këtë mënyrë”.

 

Jashtë nga BE?

 

Në Britaninë e Madhe, e cila nuk është pjesë e bashkimit monetar, por anëtare e BE, atmosfera ndaj Europës aktualisht është refuzuese. Sipas një sondazhi, partia kritike ndaj Europës dhe me drejtim të djathtë United Kingdom Independence Party (UKIP) mund të bëhet në zgjedhje partia më e fortë, me rreth 30 për qind të votave, përballë 20 për qind për partinë e Kryeministrit Cameron.

 

Megjithatë, Cameroni mendon se do t’i bindë bashkëkombësit e tij që të qëndrojnë në BE, para referendumit të planifikuar – me kusht që përpara të kryhen reforma.

 

Schäuble beson se Mbretëria e Bashkuar “do të mbetet në Europë dhe një ditë do të marrë pjesë më fort edhe Zvicra”. Një reformë e institucioneve europiane është vërtet e vështirë, por urgjentisht e domosdoshme. “Ne nuk do ta arrijmë integrimin europian pa një ndryshim të strukturës”.

 

 

Kriza e euros nuk është kapërcyer, por optimizmi është kthyer në Europë. Ky është mesazhi i ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, në Forumin Ekonomik në Davos. Ai është atje politikani më i lartë gjerman. DW

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0