Home | Opinion | Mëshirë për emigrantët

Mëshirë për emigrantët

image
Si ka nisur 2014-a, botës i duhen linja më të qarta të përgjegjësisë së shmangies së tragjedive të tjera. Si bashkësi ndërkombëtare ua kemi borxh emigrantëve dhe refugjatëve t’u tregojmë më shumë dhembshuri. Përndryshe, ne do të vazhdojmë të zgjohemi, shpeshherë, dhe të gjejmë varreza të reja në brigjet tona...

 

 

Kofi Annan

 

 

 

 

Gjenevë - Fati tragjik i qindra afrikanëve, të cilët ishin fundosur në ishullin italian të Lampedusas në tetor, ishte bërë kryelajm i medieve më të mëdha botërore, duke shkaktuar një moment të rrallë keqardhjeje dhe reflektimi për rreziqet me të cilat po përballeshin shumë emigrantë. Por aspekti i vetëm përjashtues i kësaj tragjedie ishte shifra e të vdekurve. Për banorët e Lampedusas, kapja e emigrantëve nëpër anije të vjetra e të stërngarkuara është një gjë e përditshme: një javë më vonë, një anije që po bartte refugjatë sirianë dhe palestinezë kishte ngecur, duke lënë të vdekur së paku 30 persona.Viti i kaluar ka demonstruar se sikur në çdo rast tjetër, këto katastrofa nuk janë kufizuar vetëm në brigjet evropiane ose në Detin Mesdhe. Në nëntor pothuajse 30 haitianë ishin zhdukur kur barka e tyre kishte ngelur derisa po kalonin kufirin bregdetar drejt Shteteve të Bashkuara – rasti i tretë në Karaibe që nga tetori. Me dërgimin e forcave shtesë në zonën kufitare ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës, njerëzve u kanë mbetur rrugë më të vështira dhe më të rrezikshme për të kaluar në tokën e shpresës. Në rajonin e Paqësorit Aziatik qindra emigrantë dhe refugjatë janë fundosur sivjet në Gjirin e Bengalit ose derisa po mundoheshin të kalonin në Australi.

 

Shtetet dhe rajonet e pasura përballen me dilemën e dizajnimit të kontrolleve kufitare që reflektojnë jo vetëm nevojat dhe kërkesat e popujve të tyre, por edhe përgjegjësinë ndaj atyre që kërkojnë në territorin e tyre. Kurrgjë këtu nuk është e re: qëkur ishin shpikur kufijtë kombëtarë, njerëzit kanë kaluar nëpër ta, pavarësisht se a e bënin zyrtarisht apo ilegalisht. Pavarësisht se e kishin bërë një gjë të tillë për të kërkuar mundësi më të mira ekonomike apo për të shpëtuar prej dhunës apo fatkeqësive natyrore, vendet nikoqire kanë reaguar me një përzierje mirëseardhjeje dhe shqetësimi.

 

Shtetet që kishin shtrënguar kufijtë kishin inkurajuar njerëzit e dëshpëruar, të keqpërdorur prej trafikantëve dhe kontrabandistëve, duke marrë përsipër rreziqe të mëdha duke i kaluar kufijtë. Sikur ka vlerësuar edhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim menjëherë pas tragjedisë së Lampedusas, zbatimi i kontrolleve të avancuara kufitare “nuk ka pasur ndikim efikas ose nuk ka ulur numrin e të ardhurve në Evropën Jugore në planin afatgjatë. Përkundrazi, emigrantët nisën të eksploronin alternativa dhe kryesisht rrugë të rrezikshme me shkallën e të vdekurve në rritje në det”.

 

Afërmendsh, jo të gjithë emigrantët janë refugjatë ose kërkojnë mbrojtje. Në fakt, emigrantët në të njëjtën barkë mund të kenë motive të ndryshme - diçka që politikëbërësit e quajnë “migrim i përzier”. Por të përballura me një panoramë të ndërlikuar, shtetet janë munduar të adresojnë valën e emigrantëve me qasjen e padëshirueshme që mund të krahasohet me thënien: “Larg sysh, larg mendsh”. Kjo është veçanërisht e vërtetë në vendet ku ka një zemërim në rritje kundrejt emigrantëve, sidomos në shtetet që po përjetojnë kriza ekonomike. Kështu po ndodh në shumë rajone.

 

Fokusimi i vetëm në kufij - një trend jashtëzakonisht shqetësues në qasjen e sotme të shteteve kundrejt kontrollit të emigrantëve - ka prirje t’i cilësojë emigrantët si njerëz të padëshiruar, edhe pse statusi i tyre mund të përcaktohet, të drejtat mund t’u jepen ose mund t’u pranohen kontributet. Kjo gjithashtu mund t’i dekurajojë njerëzit që kanë prirje të ndihmojnë të tjerët në nevojë: ka raporte se ka nëndetëse private që në Mesdhe po i frikësojnë anijet e emigrantëve, me drojën se ata mund të riatdhesohen prej patrullave kufitare evropiane.

 

Ne duhet ta pranojmë zhgënjimin e atyre që ndërmarrin këto udhëtime. Prej miqve apo prej medieve, ata e dinë se çka i pret. Ata janë të njoftuar për rreziqet dhe kanë dëgjuar rrëfime të tmerrshme. Duke parë se mundësitë e kalimit të kufirit po ngushtohen, ata ua dorëzojnë veten trafikantëve të paskrupullt, shpeshherë me një çmim të lartë. Ata vendosen nëpër anije që nuk kanë kapacitet ta bartin barrën. Ata udhëtojnë natën, kur patrullat kufitare nuk mund të kryejnë asnjë operacion shpëtimi në mungesë të dritës.

 

Po aq e rëndësishme, qeveritë duhet të shikojnë migrimin si një dimension të lidhur detyrueshëm me përvojën njerëzore. Nëpërmjet migrimit qeniet njerëzore ndajnë mirëkuptimin për pikëllimin, shpresën dhe dashamirësinë. Në të vërtetë, ky mirëkuptim ka frymëzuar disa prej përbashkimeve më të mëdha ndërkombëtare të solidaritetit, si Konventa e refugjatëve e vitit 1951, që e përcakton se çdo person ka të drejtë të kërkojë strehim të sigurt përtej kufijve.

 

Rritja e vazhdueshme e numrit të vdekjeve të emigrantëve në transit përbën robus: derisa këta emigrantë të shtyhen drejt rrjeteve të trafikimit, ata do të thellohen edhe më shumë në ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare. Për shembull, policia kufitare e Bashkimit Evropian nuk ka udhëzues të qartë kërkimi dhe shpëtimi për anijet e humbura me emigrantë. Shtetet anëtare janë të ndara për mënyrën e adresimit, dhe diskutimet e fundit vetëm tani kanë nisur të shënojnë progres në Bruksel.

 

Qysh ka nisur 2014-a, botës i duhen linja më të qarta të përgjegjësisë së shmangies së tragjedive të tjera. Si bashkësi ndërkombëtare, ua kemi borxh emigrantëve dhe refugjatëve t’u tregojmë më shumë dhembshuri. Përndryshe, ne do të vazhdojmë të zgjohemi, shpeshherë, dhe të gjejmë varreza të reja në brigjet tona.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0