Home | Opinion | Si nuk u bë Kosova anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Si nuk u bë Kosova anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

image
 Gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm shefja e diplomacisë i befason të gjithë me një koment, që dukej sikur të ishte shpoti, se tash Kosova do të aspirojë që ta ketë ulësen në Këshillin e Sigurimit, që i takon, sipas rotacionit, Evropës Lindore.

 

 

 

Veton Surroi 

 

 

 

 

 

 

 

1.

 Në vjeshtë të vitit 2007 populli i Kosovës dhe klasa e vet politike e kupton se i ka ardhur një shans që nuk përsëritet më: të mbajë zgjedhje demokratike dhe njëkohësisht të përfundojë negociatat për pavarësinë e vendit.

 

 Në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, që mbahen bashkërisht, evidencohet vetëm një rast i sulmit ndaj votës së lirë, të një komisioneri që fshehu në cigare një stilolaps të vogël, me të cilin dëmtoi një fletëvotim. U zu kur donte të dëmtonte fletëvotimet e tjera.

 

 Kosova zgjedh një Kuvend të përgjegjshëm. Kuvendi i përgjegjshëm zgjedh një president me integritet, i cili ia jep mandatin qeverisës një kryeministri të ndershëm e me vizion.

 

 2.

 Një javë para se ta shpallnin pavarësinë e vendit, presidenti me integritet dhe kryeministri i ndershëm thërrasin kryetarët e partive opozitare në takimin që do të hyjë në histori si “takimi i flamurit”. Aty, pas një debati të gjatë, emocional dhe ndonjëherë të mundimshëm, përzgjedhin, nga lista e ngushtë e aplikacioneve për flamurin e shtetit të Kosovës atë që thuhet se përfaqëson me shqiponjën e argjendtë aspiratën e një vendi krenar, ndërsa fushën e kaltër në të cilën gjendet aspiratën e të gjithë popujve për liri. Në qiellin e përbashkët evropian.

 

 Të nesërmen, në takimin me katër ambasadorë perëndimorë, presidenti me integritet dhe kryeministri i ndershëm e vizionar e shpalosin flamurin e përzgjedhur, duke hedhur poshtë çfarëdo mundësie që të përzgjidhet një alternativë tjetër. (Deri në atë moment qarkullon në gazetën e afërme me njërën prej partive të dala nga lufta, një version i flamurit, i cili ngjason me firmën e derivateve të kësaj partie, apo siç filloi të quhej në opinion, “opsioni Kosovapetrol”).

 

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë një historian arti nxjerr ngjasimin që ka flamuri i Kosovës me atë të Lekë Dukagjinit.

 

 3.

 Në rezidencën amerikane dhe atë franceze mbahen dy takime që do të hyjnë në histori si “Operacioni kufiri”. Presidenti me integritet dhe kryeministri i ndershëm dhe me vizion kërkojnë në këto dy takime të gjata dhe diskrete, ku janë të pranishëm ushtarakë të të dy ambasadave nikoqire, që në ditën e shpalljes së pavarësisë të gjitha kalimet kufitare të vendit të jenë të siguruara nga KFOR-i në perimetrin e vet të jashtëm. Në perimetrin e brendshëm, u dakorduan, do të ishte një prani lehtë e policisë së Kosovës dhe e Shërbimit Doganor të Kosovës.

 

 Nuk ka marrëveshje për ngritjen e flamurit. Ambasadorët dhe ushtarakët e NATO-s thanë që nuk është punë e tyre. Kryetari me integritet dhe kryeministri i ndershëm e me vizion dhanë urdhër që në çdo pikë kufitare të ngrihet flamuri i Kosovës.

 

 4.

 Ditën e shpalljes së pavarësisë kryetari me integritet dhe kryeministri i ndershëm e me vizion mbajtën fjalime që hynë në anale të oratorisë.

 

 Presidenti me integritet do të mbahet në mend për fjalinë: “E fituam lirinë e atyre që nuk janë më dhe të atyre që do të vijnë; e fituam ne, të bekuarit e kësaj kohe”.

 

Kryeministri i ndershëm dhe me vizion do të mbahet mend për “shtëpinë, kulmin e së cilës e vumë, për të na mbrojtur të gjithëve, për herë të parë në histori. Të gjithëve, pa dallim feje, kombi, gjinie a mendimi politik”.

 

Figura të njohura ndërkombëtare, që kishin përkrahur Kosovën prej vitesh, zihen nga kamerat televizive në lozhën e mysafirëve të Kuvendit të Kosovës, të emocionuar me një ngjarje epokale.

 

 5.

 Në gazetën e një dite më pas shënohen tre tituj me rëndësi:

 

 - Pavarësi,

 

 - Shkruan Nelson Mandela: i dhatë fund aparteidit, tash fitoni tolerancën,

 

 - NATO-ja hap zjarr kundër përpjekjes së ekstremistëve serbë për të sulmuar kalimet kufitare në portat 1 dhe 31.

 

 Në foton e faqes së parë shihet ngritja e flamurit të Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak, në kufi me Serbinë.

 

 6.

 Presidenti me integritet i shkruan kolegut të tij, Boris Tadiq, një letër personale. 

 

 Shpjegon shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe gatishmërinë e tij që këtë ta bëjë personalisht, në takim me të, si dhe duke iu adresuar Parlamentit të Serbisë, atëherë kur këtë ta shohë të arsyeshme.

 

 Kryeministri i ndershëm dhe me vizion, në marrëveshje me partnerët e koalicionit, heq resorin e komuniteteve pakicë dhe e ngre Ministrinë e re për të zhdukurit dhe pajtim. Kjo bëhet ministria e dymbëdhjetë në Qeveri.

 

 Shefja e diplomacisë së Kosovës ditën e marrjes së detyrës jep dorëheqje nga obligimet si profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare. Brenda javës së parë të detyrës mban takimin me drejtorët politikë të ministrive të jashtme të Amerikës Latine në San Jose de Costa Rica, ata të Azisë Juglindore në Kuala-Lumpur të Malajzisë dhe me zyrtarët e lartë të ministrive të jashtme të vendeve arabe në Aman të Jordanisë.

 

 7.

 Në letrën dërguar sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, lidhur me propozimin e tij gjashtëpikësh për kompromis me Serbinë lidhur me zbarkimin e EULEX-it, shefja e diplomacisë cek se OKB-ja, në bazë të Rezolutës 1244 të KS-së në të cilën thirret, nuk ka të drejtë të kërkojë që brenda territorit të Kosovës të lejohet ushtrimi i çfarëdo forme të sovranitetit të Serbisë.

 

“Aq më pak sot, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, bazuar në Planin gjithëpërfshirës të të dërguarit tuaj të veçantë, presidentit Ahtisaari, Plan të cilin ju patët mirësinë ta përkrahni”.

 

Presidenti me integritet dhe kryeministri i ndershëm dhe me vizion përkrahin plotësisht qëndrimin e shefes së diplomacisë, me të cilin EULEX-i nuk ka nevojë të kërkojë leje prej Serbisë për t’u vendosur në territorin e Kosovës.

 

 Britaniku M.Jackson, shef i EULEX-it, niset personalisht në Zveçan për ta hapur zyrën e misionit evropian. Në Zveçan, në Prishtinë dhe në Skenderaj, gjatë asaj jave, deklaron se “nëse shefi i EULEX-it duhet të frikohet nga vendosja e sundimit të ligjit, atëherë çfarë duhet t’u ndodhë qytetarëve të cilëve u është mohuar sundimi i ligjit prej kohësh?”

 

8.

 Kryeministri i ndershëm dhe me vizion deklaron në shtator se në fund të mandatit të tij Kosova do të prodhojë energjinë elektrike për nevojat e veta. 

 

 Deklaratën e bën me rastin e nënshkrimit të kontratës së parë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, për ndërtimin e termocentralit “Kosova C”, me kapacitet prej 950 megavatesh. 

 

 Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë tërhequr vërejtjen se një investim i këtillë, pa kredi ndërkombëtare, mund të rrezikojë qëndrueshmërinë fiskale të vendit të ri.

 

“Një miliard euro shpenzimesh për tre vjetët e ardhshëm mund të lëkundin ekonominë edhe ashtu të brishtë të vendit”, tha në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i FMN-së.

 

 Shefi i opozitës, kryetari i PDK-së, deklaroi se me një miliard euro do të ishte më mirë të ndërtohej autorruga për në Shqipëri. “Në vend të investimeve në qymyr, një teknologji e së kaluarës, ne kemi nevojë për investime në lidhje me botën, në ardhmërinë e autorrugës”.

 

EULEX-i përfundoi hetimet ndaj shefit të prokurimit të energjisë elektrike në KEK dhe lënda iu dorëzua prokurorisë speciale për krim të organizuar. Shefi i prokurimit, në momentin e arrestimit, siç dyshohet, për blerje të energjisë me çmim shumëfish më të madh se të tregut, deklaroi se arrestimi i tij është politik, se po bëhet kundër vlerave të luftës dhe kundër tij personalisht, si kushëri i shefit të opozitës.

 

 9.

 Me kërkesë të ambasadorit amerikan në Tiranë, kryeministri në largim i dorëzon shefit të misionit të EULEX-it dosjen për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

 

 EULEX-i, në bazë të dosjes, një javë më pas ngre aktakuzë ndaj një anëtari të Kuvendit të Kosovës, si urdhërdhënës për vrasje.

 

 Presidenti me integritet dhe kryeministri i ndershëm dhe me vizion caktojnë “Grupin e sigurisë kombëtare”, i cili së bashku me përfaqësueset e katër agjencive perëndimore të zbulimit do të jenë përgjegjës për ndërtimin e infrastrukturës së një zone unike të sigurisë kombëtare në Kosovë.

 

 Shefi i deriatëhershëm i shërbimit informativ të PDK-së dorëzon materialin e grumbulluar prej vitesh, si pjesë e marrëveshjes së ardhshme për amnisti.

 

 Presidenti me integritet dhe kryeministri i ndershëm e me vizion, në bazë të sugjerimeve të “Grupit të sigurisë kombëtare” propozojnë Ligjin për amnistinë e SHIK-ut. Në ligj renditen të gjithë emrat e të amnistuarve dhe gjithashtu emri i atyre veprave dhe individëve që nuk amnistohen. Veprat që nuk amnistohen janë veprat e rrëmbimit, kërcënimit dhe vrasjes së kundërshtarëve politikë apo pjesëtarëve të minoriteteve.

 

 10.

 Kryeministri i ndershëm dhe me vizion gjatë vizitës në Berlin firmos marrëveshjen e bërë me iniciativë të tij me Deutsche Telekomin, për partneritet strategjik me PTK-në. Marrëveshja e vë PTK-në nën administrim të Deutsche Telekomit për një periudhë pesëvjeçare. Gjatë kësaj periudhe, pesëdhjetë për qind e dividendës do të vazhdojë t’i jepet Qeverisë së Kosovës. Pas periudhës pesëvjeçare, të ngritjes së kapaciteteve të PTK-së, Deutsche Telekom do ta përgatisë PTK-në për privatizim. Vendimi për formën e privatizimit (shitja e aksioneve në bursë, tender etj.) do të merret në fund të periudhës pesëvjeçare. Varësisht nga forma e privatizimi përcaktohet edhe përqindja e Deutsche Telekomit nga transformimi i pronës.

 

 Shefi i opozitës e kritikon këtë veprim, duke kërkuar që PTK-ja të shitet sa më shpejt. “Po t’i merrnim 300 milionë euro sot prej shitjes së PTK-së do të mund të ndërtonim 30 kilometra autostradë”.

 

11.

 Ministrja e jashtme e Kosovës u prin “Miqve të Hagës”, grupit të personave eminentë vendës dhe ndërkombëtarë që janë angazhuar nga MPJ-ja për t’iu kundërvënë ofensivës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë lidhur me mendimin këshillëdhënës që duhet të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

 Në shtator të vitit 2009 ministrja e Jashtme e Kosovës publikon në New York, para Klubit të Korrespondentëve të OKB-së Platformën “Një ditë pas Hagës”.

 

Në të Kosova e obligon veten që të respektojë në përpikëri vendimin, çfarëdo që të jetë ai, por këtë njëkohësisht e kërkon edhe nga tjerët.

 

 Gati gjatë 300 ditëve të ardhshme, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe fytyra eminente botërore që ndihmuan pavarësinë e Kosovës do ta shtrojnë këtë pyetje në OKB, në BE, tek pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën…

 

Miguel Angel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, deklaron para kamerave televizive se Spanja do ta respektojë mendimin. 

 

 - Nëse ai thotë se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë?

 

 - Atëherë duhet ta njohim këtë fakt… duhet ta njohim Kosovën.

 

 Inserti me Moratinosin bëhet pjesë e fushatës “Një ditë pas…” që qarkullon në televizionet botërore.

 

 Shefi i opozitës e kritikon këtë veprim. Thotë se “po e popullarizojmë Hagën kot”. Thotë se do të ishte më mirë ta bëjmë një fushatë të quajtur “New Europeans”. Thotë se e ka gjetur një firmë izraelite që do ta bënte këtë punë lirë, për shkak të simpatisë ndaj Kosovës.

 

 12. 

 Kryeministri i ndershëm dhe me vizion shpall se të gjitha fondet që janë marrë nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore do të përdoren si garanci bankare për kredi zhvillimore.

 

 Shkalla e kamatës për kreditë për bujqësi dhe për ndërmarrjet e vogla e të mesme, sipas projeksionit të Ministrisë së Financave , mund të bien deri në 6 për qind.

 

 Shpallja bëhet në Londër, në selinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pas takimit në të cilin u hap një linjë kreditore për zhvillimin e ndërmarrësisë në Kosovë.

 

 Gjatë ditës bankat komerciale në Kosovë thonë se kamatat janë të larta për shkak se gjykatat nuk janë efikase.

 

 Në kthim në Prishtinë, në Aeroportin e Prishtinës, kryeministri i ndershëm dhe me vizion paralajmëron se nëse nuk ka interesim nga bankat për nxitje të zhvillimit, Qeveria është e gatshme ta hapë Bankën Postare, dhe t’i plasojë mjetet e veta aty.

 

 Kredia e parë me kamatë prej 7 për qind jepet një muaj pas shpalljes në Londër. Marrësi, një kultivues dredhëzash nga Gjakova, thotë se i falënderohet Bankës Komerciale, dhe Qeverisë, që më në fund po bëjnë diçka.

 

 Shefi i opozitës deklaron se e tëra kjo është një situatë e rrezikshme, ku paret e popullit po u jepen bankave. Ai thotë se kur ta marrë pushtetin do t’i grumbullojë të gjitha paratë publike në Qeveri dhe do t’i shpenzojë ato për ndërtimin e rrugëve, sepse kjo është çështja më urgjente.

 

 13.

 Kryeministri i ndershëm dhe me vizion, së bashku me presidentin me integritet, i shkruajnë përgjigjen ftesës së baroneshës Ashton për dialogun me Serbinë me një letër ku shfaqet gatishmëria e Kosovës për të hyrë në një proces negociator substancial, i cili do të normalizonte marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

 Kryenegociatore për këtë proces emërohet ministrja e Jashtme e Kosovës, e cila që në paraqitjen e saj të parë thotë se pret reciprocitet nga pala tjetër, pra që negociatat të ngrihen në nivel të shefave të diplomacive.

 

 Në letrën e parë baroneshës Ashton, shefja e diplomacisë kosovare kërkon sqarime lidhur me formatin e bisedimeve, kohëzgjatjen dhe përcaktimin e parimeve udhëheqëse.

 

 Beogradi zyrtar thotë se është i interesuar të zhvillojë “dialog me përfaqësuesit e pakicës shqiptare në krahinën serbe të Kosovës dhe Metohisë, në cilindo qytet të kësaj krahine, apo në ndonjë qytet të Serbisë qendrore, si për shembull Krushevci, siç kishte propozuar prej kohësh anëtari i Kuvendit të Kosovës e Metohisë, Behgjet Pacolli”.

 

14.

 Treshja e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian viziton Beogradin dhe Prishtinën për t’i bindur rreth fillimit të “dialogut”.

 

Në Prishtinë presidenti me integritet, kryeministri i ndershëm dhe me vizion dhe shefja e diplomacisë paraqesin draftin e formatit për bisedime rreth normalizimit.

 

 Drafti mbetet krejtësisht i panjohur për opinion publik.

 

 Në mediet e Beogradit përfliten fjalët e njërit prej anëtarëve të treshes se Prishtina ka dorëzuar një dokument të detajuar të vizionit të hapave konkretë që duhet të ndërmerret për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nga njëra anë dhe Prishtinës e Brukselit nga ana tjetër.

 

 Presidenti dhe kryeministri i Serbisë deklarojnë se nuk do të fillojnë, në asnjë mënyrë, dialog i cili mund ta ulë Serbinë e Kosovën në nivel të barabartë.

 

 Serbia shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

 

 15.

 EULEX-i shpall fitore në operacionin “Alo”. Në listën e të arrestuarve janë një ish- kryeministër, dy ish-ministra, aksionarët kyç të dy kompanive të teknologjisë informative, tre biznesmenë të njohur. Akuzohen për kurdisje të tenderit të telefonisë mobile. Ish-drejtori i ART-së, që mbrohet në liri, për shkak të statusit të tij diplomatik thotë se nuk di gjë për depozitën e 16.5 milionë eurove që duhej të arkëtoheshin në buxhetin e Kosovës. “Mund të ketë ndodhur diçka rrugës që unë nuk di, aty kanë qenë paratë herën e fundit kur ka pyetur”.

 

Sipas paralajmërimeve, pritet që hetimet të zgjerohen në shtetet e tjera.

 

 Në gazetë një burim i EULEX-it thotë se po zhvillohen hetime edhe për një mashtrim lidhur me themelimin e një kompanie telefonike në Shqipëri me para të PTK-së, në këmbim për hapjen e një televizioni lokal në Kosovë.

 

 Drejtuesi i televizionit lokal dha një koment të shkurtër në pyetjen se “a është ashtu?”: 

 

-    “Stukaka!”

 

16.

 Shefja e diplomacisë kosovare nuk niset për në takimin e parë në Bruksel. Thotë se këtë do ta bëjë kur ta marrë dokumentin me përgjigjet ndaj kërkesave të bëra për sqarim.

 

 Në Ministrinë e Jashtme gjermane, në Berlin, mbahet takimin i drejtorëve politikë të cilët merren me hartimin e draftit të parë të parimeve udhëheqëse për negociatat Kosovë-Serbi.

 

 Në Beograd formohet qeveria e re, me koalicionin mes ish-radikalëve të Sheshelit dhe ish-socialistëve të Milosheviqit. Deklarata e parë e Qeverisë së re rreth Kosovës është se “Serbia nuk ka bërë krime, prandaj jemi të gatshëm të takohemi kurdo dhe kudo me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës”.

 

17.

 Në hotelin “Adlon” në Berlin, në formë të paparalajmëruar nënshkruhet memorandumi i “normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës”. Në mediet e Beogradit dhe ato të Prishtinës del informata e njëjtë.

 

 Të dy palët njohin autoritetin e qeverive të zgjedhura në territoret e tyre përkatëse.

 

 Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Kosova nuk e njeh pavarësinë e Serbisë.

 

 Serbia njeh të drejtën që, në bazë të presedencës së Belarusit dhe Ukrainës, Kosova ta ketë vendin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, “deri në përcaktimin e statusit përfundimtar të saj”.

 

Serbia dhe Kosova dakordohen të hapin “përfaqësitë e interesave të tyre” në kryeqytetet respektive. 

 

 Në Beograd dhe Prishtinë, gjatë dy ditëve, zhvillohet një debat i ashpër, në të cilin partitë opozitare akuzojnë qeveritë për mungesë transparence.

 

 Shefi i opozitës në Prishtinë, gjatë fushatës për kryetarin e Skenderajt me moton “Për një Skenderaj evropian”, thotë Kosovës se me këtë marrëveshje i është cunguar perspektiva evropiane. “Kur ta marrim qeverisjen do ta nënshkruajmë një marrëveshje të re te zyra e baroneshës Ashton, se vetëm marrëveshjet në zyrën e saj janë valide për perspektivën evropiane të Kosovës”.

 

18.

 Gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit të Kosovës në OKB në prani të presidentit me integritet, kryeministrit të ndershëm me vizion dhe shefes së diplomacisë bllokohet trafiku në Avenynë e parë për shkak të pranisë së madhe, spontane të kosovarëve dhe shqiptarëve të tjerë që jetojnë në New York.

 

 Gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm shefja e diplomacisë i befason të gjithë me një koment, që dukej sikur të ishte shpoti, se tash Kosova do të aspirojë që ta ketë ulësen në Këshillin e Sigurimit, që i takon, sipas rotacionit, Evropës Lindore.

 

 Në mbrëmje, me urgjencë, në hotelin e delegacionit kosovar mbërrijnë ambasadorët e SHBA-së dhe ata të Britanisë së Madhe, për t’i shprehur shefes së diplomacisë kosovare kërkesën që të mos bëjë këso komentesh shpotitëse.

 

“Ka dy vjet që këtë vend e ka kërkuar Letonia. Kërkojmë prej jush ta respektoni rendin”.

 

19.

 Veton Surroit i duket se realiteti i këtij shkrimi është më i mirë se realiteti që nuk është në këtë shkrim.

 

 Dhe, meqë është kështu, uron që Viti i Ri t’u sjellë diçka prej të mirave që i mban të fshehura prej nesh ky realitet që nuk po e shohim e që dikur nuk ka qare pa ardhur. / Koha Ditore

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00