Home | Opinion | Çka mund të presë Kosova nga Qeveria e re gjermane?

Çka mund të presë Kosova nga Qeveria e re gjermane?

image
Në lidhje me Kosovën një rol të rëndësishëm në Qeverinë gjermane do të luajë ministrja e re e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Gjermania vazhdon të mbajë në Kosovë kontingjentin më të madh të trupave të KFOR-it.

 

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

 

Kush është kush në Qeverinë e re të Gjermanisë dhe cilët ministra do të jenë vendimmarrës në raport me Ballkanin dhe në veçanti me Kosovën...

 

Për herë të tretë pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania do të qeveriset nga një koalicion i ashtuquajtur i madh, i cili përbëhet nga Unioni Kristiandemokrat (CDU/CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD). Zgjedhjet parlamentare në këtë vend janë mbajtur më 22 shtator. Negociatat e filluara pastaj mes dy grupimeve politike për të lidhur koalicionin qeveritar për katër vjetët e ardhshëm kanë zgjatur me javë të tëra, aq gjatë këto parti, në fakt, nuk kanë negociuar asnjëherë. Socialdemokratët kanë arritur që në marrëveshjen e re të koalicionit të fusin disa nga premtimet e tyre elektorale për përmirësimin e mirëqenies së shtresave shoqërore të paprivilegjuara. Kristiandemokratët, ndërkaq, janë përpjekur që të ruajnë kursin e kursimit të parasë publike kudo ku është e mundshme. Marrëveshja e koalicionit është voluminoze dhe rregullon shumë fusha, madje edhe tatimin në vlerën e shtuar për audio-libra. Si e tillë kjo marrëveshje tregon se sa seriozisht e marrin partitë politike në Gjermani punën e qeverisjes në krahasim me partitë dhe ndërmarrjet politike në Ballkan. Angela Merkel sot ka arsye të gëzohet: Parlamenti gjerman do ta zgjedhë atë për të tretën herë në postin e kancelares. 

 

Loja e dyfishtë

 

 

 

Sa i përket Ballkanit, e veçanërisht Kosovës dhe Shqipërisë, është me rëndësi të shihet se cilët ministra të kabinetit të ri do të jenë vendimmarrës kur të diskutohet, ta zëmë, çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës apo kur të shtrohet çështja e integrimit të mëtejmë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kancelarja Angela Merkel viteve të fundit është bërë e popullarizuar në Kosovë për shkak të qëndrimit të saj më të ashpër ndaj Serbisë për dallim nga shumë qeveri të vendeve të tjera të BE-së, të cilat shpesh janë të gatshme të mbyllin njërin sy dhe t’ia hapin portat Beogradit për anëtarësim në BE, ndonëse qeveria serbe vazhdon të luajë një lojë të dyfishtë ndaj Kosovës – një lojë që oscilon mes premtimeve për zgjidhje të problemeve dhe sabotimit të çdo përparimi në Kosovë. Kjo është një lojë e njohur qe së paku 100 vjet: edhe në prag të vrasjes së arqidukës austro-hungarez, Franz Ferdinandit, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, autoritetet e atëhershme të Beogradit kishin mbështetur atentatorët, por pas krimit ngulnin këmbë dhe përbetoheshin se nuk kishin pasur asnjë njohuri se çfarë po përgatitej. Gjatë luftës së fundit në Bosnjë (1992-1995) regjimi i Slobodan Milosheviqit përherë deklaronte se nuk kishte luajtur asnjë rol në nxitjen e konfliktit dhe në mbështetjen e trupave të serbëve të Bosnjës në fushatat e tyre shfarosëse ndaj myslimanëve dhe kroatëve. Në fund ishte vetë Milosheviqi ai që në emër edhe të serbëve të Bosnjës nënshkroi Marrëveshjen e Daytonit për ndërprerjen e konfliktit në Bosnjë. Duket se Merkel dhe disa bashkëpartiakë të saj me përvojë në politikën e jashtme e kanë vërejtur këtë lojë të dyfishtë të Serbisë. Gjermania është pothuaj i vetmi vend brenda Bashkimit Europian që insiston në zbatimin e marrëveshjes edhe ashtu të keqe që është arritur mes Beogradit dhe Prishtinës. Duke qenë skeptike edhe ndaj zgjerimit të BE-së, Merkel do të përpiqet që edhe në katër vjetët e ardhshëm të ngadalësojë kudo ku është e mundshme integrimin e Serbisë në BE, por edhe të vendeve të tjera. Por, pozicioni i Gjermanisë mund të dobësohet nëse ky vend gjendet i rrethuar nga mbështetësit e Serbisë brenda BE-së.

 

 

Pa asnjë skrupull

 

 

Mbetet të shihet nëse më shumë mirëkuptim ndaj Serbisë do të tregojë ministri i ri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili vjen nga Partia Socialdemokrate dhe në Qeverinë e parakaluar (2005-2009) ka qenë po ashtu shef i diplomacisë gjermane. Steinmeier e ka ndërtuar karrierën politike falë mbështetjes së ish-kancelarit Gerhard Schröder, i cili nuk ka ndonjë skrupull për t’iu afruar liderëve me deficite demokratike, siç është Vladimir Putini. Më 2009 Schröder falë lidhjeve me Putinin u bë këshilltar i ndërmarrjes së madhe ruse Gazprom. Schröder është po ashtu këshilltar i ndërmarrjes mediale zvicerane “Ringier”, e cila është pjesërisht pronare e gazetës serbe “Blic”. Këtu Schröder nuk dallon nga Tony Blair, i cili nuk ngurron të këshillojë për para të majme regjimin e Nursulltan Nazarbajevit, i cili sundon Kazakistanin për më shumë se dy dekada. Steinmeier e ka kundërshtuar ashpër politikën e jashtme të kancelares Merkel, të cilën e akuzon për “rigorozitet moral”, “refuzim dialogu”, “zemërim pa efekt”, rrëshqitje në “një qark djallëzor të mendjeshitjes dhe izolimit të palës përballë”. Ai angazhohet për dialog me fuqitë në ngjitje në Lindje dhe fjalën e ka për Rusinë dhe Kinën. Nga ky dialog, sipas Steinmeierit, Gjermania nuk duhet të tërhiqet edhe nëse në këto vende shënohet regres në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Gazeta e përjavshme “Die Zeit” së fundi e ka quajtur Steinmeierin kandidat të papërshtatshëm për postin e ministrit të Jashtëm edhe për shkak të kursit të tij tepër të butë, madje përqafues ndaj Rusisë së Vladimir Putinit dhe Sirisë së Bashar al-Asadit kur Steinmeier ishte ministër i Jashtëm. Efekti i kësaj politike “të dialogut” ndërkohë shihet qartë: Rusia po shndërrohet në një vend gjithnjë e më represiv, ndërsa Asadi tashmë është shndërruar në vrasës masiv të popullit të tij.

 

 

Kërcënimi nga Berlini

 

 

Për të ardhmen e Ballkanit dhe veçanërisht të Kosovës me rëndësi do të jetë edhe qëndrimi i ministrit të ri të Brendshëm Thomas de Maizière, i cili deri më tani ka qenë ministër i Mbrojtjes. Në këtë funksion ai para pak ditësh vizitoi Kosovën, ku takoi ushtarët gjermanë, por jo edhe ndonjë politikan të Kosovës. 

 

Arsyeja e injorimit të krerëve politikë të Kosovës dhe sidomos të kryeministrit Hashim Thaçi nga ana e Thomas de Maizière duhet të kërkohet edhe në skandalin që e patën shkaktuar Thaçi me shokë në nëntor 2008 me arrestimin e panevojshëm të tre agjentëve gjermanë, ekspozimin e tyre në medie dhe poshtërimin publik të shtetit gjerman vetëm pak muaj pasi Kosova ishte bërë e pavarur. Në atë kohë, në nëntor 2008, de Maizière ka qenë shef i zyrës së kancelares Merkel dhe rrjedhimisht njëri prej zyrtarëve kryesorë qeveritarë. Burime gjermane bëjnë të ditur se atëbotë, në kulmin e skandalit me tre agjentët, de Maizière i kishte telefonuar Thaçit duke i përcjellë mesazhin e qartë se nëse agjentët gjermanë nuk lirohen deri të premten, më 28 nëntor 2008, Thaçi “do të ketë personalisht problem me Gjermaninë”. Thaçin dhe shokët e tij mbi tokë dhe nën tokë i kishte zënë paniku. Meqë 28 nëntori ishte ditë feste dhe gjykatat nuk punonin, ministri i atëhershëm i Brendshëm Zenun Pajaziti i kishte dërguar patrullat policore te shtëpitë e gjykatësve dhe prokurorëve për t’i sjellë me detyrim në punë, në mënyrë që “sa për sy e faqe” të shkruanin një vendim për lirimin e gjermanëve. Meqë kjo përpjekje dështoi, pak para skadimit të ultimatumit që de Maizière ia kishte dhënë Thaçit u gjend një gjykatës afrikan i UNMIK-ut, i cili urdhëroi lirimin nga burgu të tre spiunëve të shërbimit sekret gjerman BND. Pak para orës 24:00 nga aeroporti i Sllatinës fluturoi një avion i Qeverisë gjermane – në bord kishte tre agjentët që ishin arrestuar nga policia kosovare. Ndërkohë ministri i atëhershëm i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, i cili ishte ndër të vetmit zyrtarë racionalë në këtë skandal, kishte zënë vend në restorantin “Liburnia” në Prishtinë dhe nuk e fshihte lehtësimin për lirimin e gjermanëve, por as zemërimin ndaj atyre që i shkaktuan këtë dëm marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gjermanisë. Që nga kjo ngjarje e pakëndshme ka pasur mjaft supozime se cili ishte qëllimi i këtij arrestimi. A synonte Qeveria e Thaçit që tre gjermanëve t’ua vishte vrasjen e komandant Drinit në Prizren? (Në qarqet qeveritare të Kosovës atëbotë thuhej se njëri nga agjentët - “ai i madhi me mjekër, i cili më parë kishte punuar në KFOR” – kishte marrë pjesë në varrimin e komandant Drinit dhe kjo mjaftonte për të konstruktuar rrëfimin se gjoja ai kishte gisht në vrasjen e njërit prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gëzonte prestigj në mesin e trupave të KFOR-it). Në këtë kontekst duhet përmendur edhe një biçim-gazetar të afërt me strukturat legale dhe ilegale të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili atëbotë thoshte se këtë “agjentin me mjekër” e kishte parë në vendin ku ishte vrarë Xhemail Mustafa. Nëse qëllimi i arrestimit të tre agjentëve gjermanë ka qenë që atyre t’u vishet një numër i vrasjeve të pasluftës në Kosovës, atëherë rezultati është më shumë se qesharak. Disa gazetarë gjermanë arrestimin e patën quajtur edhe akt hakmarrës të Thaçit kundër një raporti të shërbimit sekret gjerman BND të datës 22 shkurt 2005, ku Thaçi akuzohet rëndë si “urdhërdhënës i vrasësit profesionist Afrimi”. Pa marrë parasysh nëse këto pretendime janë të vërteta apo jo, fakt është se politikanë gjermanë si Thomas de Maizière kanë aversion ndaj udhëheqësve politikë kosovarë të tipit të Thaçit dhe shokëve të tij. Si ministër i Brendshëm në katër vjetët e ardhshëm de Maizière do të jetë vendimmarrës sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

 

Në lidhje me Kosovën një rol të rëndësishëm në Qeverinë gjermane do të luajë ministrja e re e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Gjermania vazhdon të mbajë në Kosovë kontingjentin më të madh të trupave të KFOR-it. Pas ndarjes së brendshme të Kosovës përmes marrëveshjes së Thaçit me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, Franca mori vendim për t’i tërhequr trupat nga Kosova – me gjasë misioni francez në veri u krye. Tani barra për trupat gjermane në Kosovë do të jetë edhe më e rëndë, sidomos në veri. Që nga viti 1999 në Kosovë kanë shërbyer gati 100 mijë ushtarë gjermanë, 26 prej tyre kanë humbur jetën. Mbajtja e kontingjentit ushtarak në Kosovë i ka kushtuar Gjermanisë deri më tani 3.3 miliardë euro. Ne mediet gjermane është theksuar se interes primar i Gjermanisë është stabilizimi i Kosovës dhe tërheqja e trupave, të cilat kushtojnë shumë. 

 

Ursula von der Leyen duhet të dëshmohet si e suksesshme në postin e ministres së Mbrojtjes. Dhe suksesi arrihet edhe duke reduktuar shpenzimet e mëdha, fundja që nga viti 1992 të gjitha angazhimet ushtarake në botë Gjermanisë i kanë kushtuar mbi 17 miliardë euro. Von der Leyen, nënë e shtatë fëmijëve, mjeke me profesion, i përket rrethit të ngushtë të kancelares Merkel dhe në dy kabinetet e kaluara ka qenë së pari ministre për Familje dhe pastaj ministre për Punë dhe Çështje Sociale. Von der Leyen konsiderohet si pasardhëse e mundshme e kancelares Merkel. Ambicie për të trashëguar Angela Merkelin ka edhe Thomas de Maizière.

 

 

Një slloven flet qartë

 

Në vitet në vijim do të jemi dëshmitarë jo vetëm të rivalitetit mes këtyre dy politikanëve, por edhe të rrugës pa krye në të cilën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka futur vendin përmes marrëveshjes së dëmshme me Serbinë. Nga ky batak nuk do të mund ta nxjerrë Kosovën as Gjermania. Se në çfarë situate e ka sjellë vendin Thaçi më së miri e ilustron kjo analizë e diplomatit slloven Vojko Volk, i cili ka qenë ambasador në Kosovë dhe tani shërben si ambasador në Zagreb. Në gazetën kroate “Novi list” Volk para disa muajsh shkruante se përballë skepticizmit në BE ndaj anëtarësimit të vendeve të reja, Serbia përgatiti “një përgjigje të shkëlqyeshme dhe lidhi marrëveshje me Kosovën, me të cilën Kosova nuk fiton asgjë, ndërsa ajo (Serbia) fiton shumë. (...) Europa ende me zor e kupton botën e mendësisë mistike të Ballkanit. Nëse në Europë na duket e arritur e madhe kur politikanët nga Serbia dhe Kosova ulen në një tavolinë dhe nënshkruajnë njëfarë marrëveshjeje, atëherë në lidhje me këtë do të duhej të mendohej më thellë. Pothuaj njëkohësisht kryetari i Sudanit, al-Bashir, zhvilloi vizitën e parë historike në Juba, kryeqytetin e Sudanit Jugor, territorit të shkëputur të shtetit dikur të përbashkët, i cili tashmë dy vjet është anëtar i OKB-së. Në fjalimin e tij ai e përmendi luftën, e cila ishte tepër e gjatë dhe e panevojshme, e pastaj lidhi marrëveshje për bashkëpunim ekonomik. Athua Ballkani do ta mbërrijë Afrikën kur kryetari i Serbisë do të vizitojë Prishtinën dhe të mbajë fjalim të njëjtë dhe të nënshkruajë marrëveshje të njëjtë?” - Tani militantët digjitalë të Hashim Thaçit mund ta shpallin armik të Kosovës ambasadorin Vojko Volk, sepse nuk po e quan “sukses të madh” marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00