Po shkojmë ku ishim...
Njeriu për njeriun bëhet ujk, dhe mbijetesa është objektivi i vetëm e i pambërritshëm për të gjithë.
Nga Shinasi A. RAMA
(Përsiatje mbi gjendjen në shtetin shqiptar 20 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit)
Një ndër kontributet më thelbësore e më me influencë të Immanuel Kant, filozofit gjerman të shekullit të 18-të, ka qenë argumenti se njerëzit mund të jenë të këqij, por institucionet i bëjnë ato që të sillen ndryshe. Status naturalis, thotë Kant, është gjendja e luftës. Por institucionet e shtetit (ai ka këmbëngulur se e vetmja formë institucionale që çon në vendosjen e paqes së përhershme është republika tregtare) e ndryshojnë këtë gjendje.
Ajo që duhet shtuar këtu është se institucionet e ato që i drejtojnë ato mund ta marrin dhe e marrin një popull në qafë duke e kthyer në gjendjen fillestare të natyrës. Ka edhe forma regjimi që i shtyjnë popujt e tyre të bëhen edhe më bishë se barbarët dhe njerëzit fillojnë të hanë edhe njëri-tjetrin, mirëpo edhe në këto raste njerëzit mund të rebelohen dhe e gjejnë rrugën e duhur. Ato përdorin sisteme të caktuara vlerash për ti rezistuar shtetit të kontrolluar e të instrumentalizuar nga paria sunduese dhe shoqëria vjen në ekuilibrin e nevojshëm.
Por, forma më e pakëndshme e ndikimit institucional mbi sjelljen e njerëzve ndodh kur tre faktorë të rëndësishëm konvergojnë së bashku.
Së pari, institucionet janë pro forma, por vetëm formalisht ama, ashtu si duhet të jenë, në ligj e në letër.
Së dyti, paria sunduese i kontrollon ato institucione pa skrupujt e nevojshëm të shërbyesit publik dhe i instrumentalizon për qëllimet e veta arriviste, të ngushta e të përfitimit.
Së treti, kur shoqëria pajtohet me këtë gjendje dhe hyn në hullinë e sjelljes që dëshiron paria sunduese, ose ngaqë nuk di të gjejë rrugën e duhur për të dalë nga ky qerthull, ose ngaqë interesat e përditshme dhe veset njerëzore e bëjnë bashkëpunimin e saj me parinë të dëshirueshëm e thuajse të pashmangshëm. Në këto raste shoqëria e shndërron veten në shëmbëlltyrën e parisë.
Në ato kushte kur këto tre faktorë konvergojnë, ajo shoqëri është e destinuar pashmangshmërisht të transformohet në një shoqëri të kriminalizuar, thellësisht të përçarë, lehtësisht të manipulueshme, ku gjithçka e secili e ka një çmim, ku individi jeton pa vlera, pa moral, pa nder, e pa shpresë për të ardhmen. Njeriu për njeriun bëhet ujk, dhe mbijetesa është objektivi i vetëm e i pambërritshëm për të gjithë. Askush nuk ka siguri për çka ka, askush nuk e di se çka sjell e nesërmja, askush nuk mund të jetojë ndryshe veçse dita me ditë, më mirë të thuhet duke shtyrë ditën me ditë, askush nuk mund t’i gëzohet të qenurit njerëz, nuk munden, edhe po të duan për të qenë, për t’u bërë njerëz. Sistemi ku jeton të detyron të sillesh si bishë vetëm e vetëm sepse bindja është se vetëm bishat e predatorët mund të mbijetojnë.
Gjendja e natyrës nuk është vetëm lufta e hapur midis njerëzve e vrasja e njeri-tjetrit për përfitim material, smirë apo kënaqësi perverse. Gjendja e natyrës është edhe atëherë kur gjithkush jeton me frikën se ajo vrasje (edhe heqja e bukës së gojës është vrasje) mund të ndodhë në çdo kohë në çdo moment dhe kur je i pazoti të përballesh me atë gjendje. Nuk i dihet as nga të vjen, as nga e pret, dhe paaftësia për të vepruar kur duhet është thelbi i tragjedisë njerëzore. E ndërkohë, paria sunduese që si të gjitha paritë, gjithkund e në çdo kohë, e di mirë se çfarë duhet thithur nga gjaku e shpirti i shoqërisë. Mirëpo, edhe pse e di se kur vdes njeriu nga kanceri, me të vdes edhe kanceri vetë, paria shpreson e jeton për të vdekur një ditë më vonë se gjithë ne të tjerët.
Kjo po ndodh në shtetin shqiptar. Këto tre faktorë kanë konverguar dhe janë dukshëm duke e përcaktuar të ardhmen e shqiptarëve. Institucionet e vendosura formalisht janë republikane e demokratike. Në letër gjithçka është e shkëlqyeshme. Mirëpo asnjë strukturë institucionale nuk funksionon si duhet, thjesht sepse parisë së Tiranës, që e sundon atë pjesë të caktuar të trojeve shqiptare, i intereson që institucionet e të gjitha niveleve të mos funksionojnë ndryshe veçse si vegla të saj e në shërbim të interesave të saj. Ato institucione në të gjitha nivelet janë të kapura dhe të kontrolluara nga klanet e parisë së Tiranës, që mbasi u shanë e u rrahën para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve e më pas, tani e gjetën e do ta gjejnë shpejt gjuhën e përbashkët me njeri-tjetrin. Ky ekuilibër krimi iu shërben të gjitha palëve, prandaj do të vazhdojë të mbrohet e të zgjatet nga të gjitha palët.
Në shtetin shqiptar nuk ta të ardhme e nuk ka shpresë sepse shpresa që iu ofrohet shqiptarëve, integrimi europian, është një gënjeshtër e pastër dhe në të afërmen e afërt e të mesme, krejtësisht e pamundshme. Paria është e krimbur në paratë e vjedhura nga arka e shtetit, nga ryshfetet, nga grabitja e pronave, nga allishverishet më të ndyra, por edhe e krimbur moralisht në çdo drejtim e në çdo aspekt që mund të konsiderohet. Paria e Tiranës e ka treguar fytyrën e vet të vërtetë dhe për disa njerëz ajo është e zezë si nata e Ferrit. Ata që e kuptojnë, duan të ikin një orë e më parë, bile edhe shumë pjesëtarë të parisë vetë, duan të ikin një orë e më parë prej atje, sepse të gjithë e dinë se dikur, mirë a keq kjo gjendje do të ketë një fund. Mirëpo janë të mbajtur peng nga pronat, nga lidhjet, nga interesat dhe e gjejnë veten të detyruar të vazhdojnë lojën.
Zvetënimi i saj ka penetruar thellë në shtresa të tjera të shoqërisë dhe kriminalizimi i shoqërisë si dhe rezistenca e disa shtresave të caktuara është bërë më i dukshëm sot se kurrë më parë. Në sipërfaqe, askujt nuk i bën përshtypje asgjë që ndodh, dhe atje ndodh përditë një hata mbas tjetrës sepse gjithçka që mund të androhet edhe njeriu më i zi e më i ndyrë ka ndodhur e pritet të ndodhë. Shteti shqiptar duket si parajsa e qejfit, ku të gjithë hanë e pijnë, ku Tirana ka më shumë BMW se Berlini, ku ka më shumë mejhane, drogë e prostituta se gjithkund tjetër e ku shtëpitë e jetesa kushton më shumë se në Paris, Romë e Tokio. Me e keqja është se shumë janë të bindur se nuk ka rrugë tjetër, se nuk mund të ketë rrugë tjetër përveç kësaj. Po ashtu shumë të tjerë e ndjejnë thellë dhimbjen e plagëve që as janë mbyllur e as do të mbyllen por janë të pazotët të veprojnë.
E kështu shteti shqiptar gjendet, 20 vjet mbas Rënies së Murit të Berlinit, në një qorrsokak në të cilin nuk gjendet asnjë shtet tjetër që doli nga sistemi i mëparshëm. Me institucione të kapura, me një pari kriminale e me një shoqëri që është duke u kriminalizuar, me njerëz pa shumë besim e shpresë në të ardhmen, e natyrisht, kush nuk ka shpresë nuk ka të ardhme. Nëse nuk ndërrohet rrugë, shteti shqiptar mund të shohë të shkruar në mur, të ardhmen e vet. Më e pakta që mund të thuhet është se ajo e ardhme është e shkuara që po përsëritet në një formë tjetër, shumë të pakëndshme vetëm për t’u imagjinuar. E dhimbja shtohet edhe më shumë kur i sheh popujt e tjerë duke ecur me kurajo në rrugë të tjera ndërsa ne po endemi në rrugë pa rrugë që i kemi kaluar disa herë më parë. Për shqiptarët, edhe njëherë si 20 vjet më parë, kanë ardhur kohë të vështira. Po shkojmë ku ishim më parë, format ndërrojnë, por sistemi i parisë funksionon gjithnjë në shërbim të saj.




del.icio.us
Digg

Post your comment