Home | Opinion | Për idetë, botën dhe Zotin

Për idetë, botën dhe Zotin

image
Të dish do të thotë të kuptosh. Ndërkaq, të kuptuarit është arsyeja e lartë njerëzore që të çon deri te njohja e vërtetë e gjësendit. Përgjatë njohjes, te njeriu, lind kohëzgjatja e mishërimit të intelektit për t’i zbërthyer joshjet e të panjohurës.

Nga Bujar Plloshtani

 

Idetë paraqesin mendimin dhe stadin e pjekurisë psikike të njeriut. Përmes mendimit mund të paraqesim vullnetin apo aktin psikik të njeriut, cilësitë e Zotit dhe konceptin e ndërtimit të botës. Mendimi është shprehësi psikike, e cila nxjerr në dritë qëndrimet tona logjike për një veprimtari apo punë të caktuar. Kjo para së gjithash aludon në mendimin si vlerë krijuese që burimin e vet e ka nga ndriçimi i një Zoti. Pra, mendimi është veprim psikik i aftë për të arsyetuar me vlerë logjike gjësendin në natyrë. "Filozofët iluministë, përgjithësisht, e pranonin këtë përbuzje për ndjenjat dhe afeksionin. Për ta mendimi ishte motorri i vetëm që të çonte drejt përparimit dhe arsyeja duhej kërkuar vetëm te mendimi".[1] Mendimi racional mund ta orientojë njeriun drejt të vërtetës së pashmangshme, ndërsa psikika ndihmon t’i orientojë në lëvizje aktive veprimet e ndryshme. Idetë nuk i kemi të lindura, sepse njeriu lind tabula rasa, por i përfitojmë me anë të përvojës empirike. Idetë në thelb janë pasive, por psikika i udhëheq në orientimin e sistemit mendor.

Koncepti i botës është paraqitje e ekzistencës së njeriut nëpërmjet Zotit. Principet e njohjes së botës mund të jenë gjykim ndaj vullnetit të njeriut karshi Providencës hyjnore. Bota që ndodhet përballë nesh, varësisht veprimeve tona mund të na kthejë qëndrimin drejt nocionit të lumturisë, ose do të na sprovojë drejt një "dueli" që sjell sfidë dhe përgjegjësi të ndryshme ekzistenciale. Bota sot është bërë gjithnjë e më ndryshe, një paraqitje më pak e sigurt për ekzistencën. Një sfidë që sjell hamendjet, moskujdesin dhe pasigurinë e jetës, duke u përballur me brishtësinë e kohës. Çdo ditë duket se është një e ardhme më e pasigurt për ekzistencën e njeriut në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi. Bota sot është kthyer pre e konflikteve të vazhdueshme edhe atë midis sekteve fetare, e konflikteve të identitetit, e konflikteve midis llojit dhe dominimit, e konflikteve të ndryshme që rrezikojnë mirëqenien dhe sigurinë e jetës. Njeriut i nevojitet pak vullnet që të mbrohet nga ndikimi i jashtëm, i cili, rrjedhimisht është i padukshëm për sistemin mendor, pra i panjohur. Ndikimi i jashtëm mund të jetë sjellja e natyrës që mund t’i imponohet krijesës njerëzore ndaj kalimeve të zakonshme. Ndikimi i jashtëm mund të konceptohet shpesh si proces që përshkon ekzistencën njerëzore, duke paraqitur brenda kushteve të ndryshme një bashkëjetesë transite.

Të dish do të thotë të kuptosh. Ndërkaq, të kuptuarit është arsyeja e lartë njerëzore që të çon deri te njohja e vërtetë e gjësendit. Përgjatë njohjes, te njeriu, lind kohëzgjatja e mishërimit të intelektit për t’i zbërthyer joshjet e të panjohurës. Udha deri te njohja është përpjekje e vazhdueshme e intelektit drejt përsosjes së ideve për një mendim progresiv. Në këtë ekzistencë gjithçka rrjedh si pasojë e shkakut drejt qëllimit. Edhe e keqja edhe e mira rrjedhin si proces i vazhdueshëm dhe realizohen në marrëdhënie me ekzistencën e njeriut. Në botë gjithçka është e sistematizuar të qeveriset sipas një rregulli të përkryer, madje ku vullneti i njeriut për të ekzistuar është një realitet i vendosur brenda konceptit dhe sistematizimit të këtij rregulli të përkryer. E keqja dhe e mira janë pjesë aktive e ndërveprimit brenda llojit njerëzor, gjithnjë ndërveprojnë si dy elemente bazike të pandashme sipas një shkaku të domosdoshëm. Prandaj, ekzistenca e njeriut rrjedh dhe sistemohet me ligjet e natyrës sipas një rregulli të përkryer të diktuar nga Qenia e përjetshme. Njeriu mund të gjendet shpeshherë në ndonjë ndikim të jashtëm, që mund të ngjajë t’i krijojë një zbrazëtirë që e vështirëson mundësinë e realizimit të planit të tij, por njëherazi, ai do të përpiqet ta forcojë veten duke i dhënë qëllim ose ambicie që të udhëhiqet drejt të vërtetës dhe të mirës së tij. Ky tundim i jashtëm që rezulton më shumë kah pesimizmi vjen deri te pasiguria për jetën, duke e detyruar atë të fitojë bindje apo qëndrim të errët ndaj zhvillimit të ekzistencës. Njeriu ndodhet në udhë të vështirë, sa e ndërlikuar po aq dhe e lehtë, pasi kalon në më të fshehtat shkallë të mendimit. Ky shfrenim te disa karaktere njerëzish mund të shihet edhe si ambicie për ta ndryshuar sistemin tek vetja, por edhe si mbyllje hermetike ndaj realitetit. 

Njeriu dhe psikika e tij mund të thuhet se janë natyrë e ndikueshme nga faktorë të ndryshëm. Rënia brenda pesimizmit shpirtëror duhet të jetë i prirur më shumë nga një vullnet i jashtëm, i panjohur për ne. Edhe për kundër vullnetit tonë, të gjithë rrjedhjet në proces kanë efektin e duhur, pavarësisht se ne nuk e ndiejmë apo kuptojmë thelbësisht sjelljen e natyrës drejt ekzistencës sonë. Ne s’e dimë për tek cila udhë absurde duhet të kalojmë, madje dhe në të vërtetë se çfarë është Zoti, bota dhe njeriu. Realisht nuk dimë se ç’na kanë shtyrë të drejtat dhe detyrimet e ligjeve të natyrës të përshtatemi me llojin njerëzor dhe me veten njëkohësisht. I gjithë ky kalim yni transit duket qartë se përbën një sfidë të pashmangshme për ekzistencën njerëzore, që duhet me çdo kusht ta kapërcejmë në bazë të një morali të domosdoshëm me ngarkesën e të qenit i përgjegjshëm ndaj çdo akt veprimi. Edhe mund të jetë e sigurt se kemi mungesë të njohjes reale mbi Zotin dhe botën, prandaj, njohja jonë kërkon përpjekje që të qëndrojë në këtë arenë si pasojë e arsyes së kulluar, e cila të çon deri te përgjegjësia shpirtërore, pasi Zoti dhe bota mund të jenë dy koncepte të pamundshme gjer në thelbin e arsyes kritike. Kështu si nuk dimë esencën e sekretit të botës apo vullnetin e përshtatur midis nesh dhe botës, nuk dimë as ku qëndron thelbi ynë që ndodhemi në këtë udhë të vështirë; por dimë vetëm që duke e lënë këtë botë të mjerë kemi për të rënë në duart e një Zoti, por gjithmonë pa e ditur se ku dhe si do të përfundojë fati ynë i squllët.

 



[1] Fromm, Erich. Misioni i Zigmund Frojdit (Analiza e personalitetit dhe ndikimit të tij), Dituria, Tiranë, 2003, f. 9.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00