Home | Opinion | Kronikë mbi ekzistencën

Kronikë mbi ekzistencën

image
Ekzistenca jonë është një topth paradoksal ku bindjet e llojit duelojnë në arenë të hapur pa përfunduar kurrë. Ndërsa njeriu është harku, triumfi vetë jeta. 


Nga Bujar Plloshtani

 


 

Jeta jonë pothuaj kalon nëpër një topth paradoksal, ku të gjithë ne kotemi pas saj. Edhe pse jeta jonë zhvillohet si pasojë e një vullneti për pushtet, ajo në të vërtetë mbetet në thelb një paraqitje që të çon drejt këtij topthi paradoksal. Me topth paradoksal nënkuptoj një veprim simbolik ku jeta e njeriut kalon përditë nga e zakonshmja deri te e madhërishmja dhe anasjelltas. Në vazhdën e kësaj udhe njeriu mund të përjetojë çështje apo fenomene nga më të ndryshmet; duke e ditur rrezikun që mund të mbartë ky topth paradoksal, njeriut i është dashur të gëzojë autoritetin e arsyes, pasi ai gjithmonë ka tendencë dhe vullnet për të qenë një "luftëtar" ndaj përcaktimit të domosdoshëm. Mund të jenë dy gjëra kaq të rëndësishme për ekzistencën tonë: liria dhe vullneti për ta jetuar ekzistencën sipas bindjeve personale. Liria të mundëson të jesh vetja duke u bazuar në fuqinë intelektuale, ndërsa bindjet vetjake e plotësojnë kushtin e ekzistencës sonë. Filozofi i njohur spanjoll në një prej eseve të tij shkruan: "Të jetosh do të thotë ta ndjesh veten fatalisht të detyruar të ushtrosh lirinë tënde e të vendosësh se çfarë kërkon të jesh në këtë botë".[1]  Ky përcaktim, nëse do të mund ta quanim kështu, paraqet një sfidë për ekzistencën e njeriut, duke na mundësuar përmes përvojës të zgjedhim me kusht lirinë shpirtërore për të zotëruar një të mirë, e cila njëkohësisht do të shërbente edhe për të mirën e vetes. Ligjet e natyrës të cilët po i përjetojmë me ekzistencën tonë e kanë aftësuar njeriun të ketë guxim ndaj bindjeve të veta me synimin për të përfituar të mirën e tij, edhe përkundër bindjeve që burojnë nga ekzistenca. Pra, natyra i ka dhënë njeriut autoritetin e arsyes për të menduar dhe zgjedhur më të mirën e tij, madje vullnetin dhe ndërgjegjen si paraqitje për t'u vetëkontrolluar sadopak ndaj çdo ndikimi të jashtëm që mund të sjell fajin dhe të keqen.

Jeta sipas paraqitjes reale duket gjithnjë e më qartë se ka një thelb negativ, pavarësisht që ne nuk mund ta vërejmë atë në hollësi. Të gjitha detyrimet që dalin nga kjo ekzistencë mund të vijnë deri te pasoja e ndikimit të jashtëm që mund të jetë e keqja e domosdoshme. Padyshim se ekzistenca jonë është një topth paradoksal ku bindjet e llojit duelojnë në arenë të hapur pa përfunduar kurrë. Ndërsa njeriu është harku, triumfi vetë jeta. Ndryshe, ekzistenca jonë ndodhet fatalisht para një kushti të përcaktuar domosdoshmërisht.

E keqja dominon krahas të mirës. E keqja që ndodhet brenda kësaj ekzistence e ka prodhuar të drejtën si kundërvlerë të së keqes. Si pasojë e të keqes, e drejta ka zbritur për ta sanksionuar sjelljen. E keqja brenda ekzistencës duket se është më tepër se një provë drejt bindjeve.

Meqë jeta është transite, atëherë kushti ynë është ta përzgjedhim atë sipas bindjeve humane e njerëzore, që t'i shmangemi afërsisht provokimeve të ndjeshme. Ta përdorim më logjikë autoritetin e arsyes, dhe të kemi kujdes ndaj instinkteve që  mund eventualisht të na shpien në humnerë. Si kusht i vetëm i kësaj, ekzistenca dhe njeriu mbeten dy paraqitje brenda një sfide të (pa)përgjegjshme në raport me veten.

Jashtë nocionit të së keqes nuk ekziston asnjë vullnet për ta zbrapsur përjetimin e një momenti real që në thelb mund të jetë i hidhur. Përmbi ne është e keqja, që është vetvetja. Ka ardhur "koha" e Mersos, ku sot dielli mund të të verbojë përgjithmonë. Ky absurditet i shpërfilljes në këtë kohë ngjan më tepër me shenjat e smirës, sesa vlerave humane e njerëzore. Sot është absurd të premtosh, të ngresh lart një kullë, absurd ta rrënosh! Kjo që po na ndodh është një dënim i shkruar, si kusht befasues.

Sidomos, edhe kritika ka humbur ndriçimin e duhur për t’i vërejtur mangësitë që burojnë nga e përditshmja. Padrejtësitë po rrjepin surrate njerëzish, dhe hipokrizia po i orienton drejt qëllimit të përfitimit vetjak. Drejtësia nuk është koherente me veprimet e jashtëligjshme të një grupi njerëzish që kanë forcë e pushtet, dhe, ndërkohë mban qëndrim të njëanshëm mbi interesin e atyre që e bëjnë drejtësinë të jetë mjet i padrejtë. Edhe njerëzillëku po na zvenitet ngado, ngase nuk mbizotëron një moral në shërbim të së mirës së përgjithshme. Pushteti shtetëror duket se është më shumë një qeverisje e interesit vetjak, sesa drejt të mirës universale. Individi dhe kolektivi ndodhen në një arenë ku bindjet e tyre po shpërfillen ose menjanohen nga pushteti i cili përmes bindjeve hermetike po na kthen në tejngopje. Çdo përpjekje morale që është ndryshe nga bindjet hermetike po kthehet në diktat. Kjo kronikë mbi ekzistencën duket se është më shumë një arenë transite për t'u provuar nga idetë dhe bindjet, sesa një ftesë drejt paqes së domosdoshme.

 



[1] Gasset, Jose Ortega y. Revolta e turmave, Plejad, 2003, fq. 100.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00