Home | Opinion | Politikë e mbrapshtë

Politikë e mbrapshtë

image
Zhurma politike na ka shurdhuar. Politika duhet të punojë për vendin, për popullin e vet. Deri në këto momente ajo nuk e ka këtë devizë madhore.

 

 

 

Nga Nebi Dragoti

 

 

 

 

Flitet për politikë konstruktive,efektive, me objektiv të qartë për frytshmëri duke rrokur tërë sferat e jetës sociale, duke u qëndruar në korrent gjithë problemeve për përmirësimin e tyre,për t’i përsosur ato në nivele sa më të kënaqshme. Në fakt flitet,por kjo po mbetet veç ëndërr. Në aparencë është kërkesa sa më normale e politikës shqiptare,por… sa është në këtë parametër të domosdoshëm, kjo politikë ende është shumë larg. Mungon politika e emancipuar, vizionare, parimore, e kulturuar. Është një politikë grindavece, që “pjell” sherre, kundërshti me vend e pavend. Ka kundërshtime të pabazuara në realitet, që bëhen me një logjikë të sëmurë e cmirzezë për ta denigruar kundërshtarin edhe kur ai ka të drejtë dhe është në rrugë të mbarë për kombin. Kjo është sëmundja aktuale pozitë-opozitë. Dhe në këtë sens mbahet qëndrimi më i pamoralshëm,qëndrim i cili dëmton në mënyrën më të shëmtuar përparimin e vendit në aspektin ekonomik dhe social. Me këtë marrëdhënie politike kemi ardhur këtu dhe këtë e dimë vetë si kemi ardhur. Ka krime politike që ende nuk janë zbuluar autorët për t’i ulur në bankën e akuzës.

 

Ka krime ekonomike, ka korrupsion lart dhe poshtë, për të cilët nuk veprohet për ta ndalur këtë livadhisje, që është bërë gangrenë për shoqërinë. Gjithë kjo panoramë politike dhe ky qëndrim i mbajtur prej pushtetmbajtësve, për këdo është i papranueshëm dhe i padëshirueshëm. Pozita ka detyrën e vet për të kryer e përmbushur premtimet dhe besimin që i ka dhënë elektorati i shumtë nëpërmjet mbështetjes me votë. Në pikëpamjen ideologjike, në sistemin e pluripartizmit, kjo duhet respektuar në maksimum në çdo rrotacion qeveritar që bëhet. Gjithashtu edhe opozita kërkohet që të jetë në pozicionin e vet sa më bindës në atë që kërkon e thotë përpara publikut në lidhje me punën që kryen pozita. Në këtë aspekt opozita  le shumë për të dëshiruar. Më e keqja e saj është, se pa filluar punë Qeveria e Re e Rilindjes, opozita kërkon ta rrëzojë si të paaftë etj, etj,  me qëllim që të vijë në pushtet se, gjoja,vendi do të katandiset keq e më keq nga të majtët, së cilës shumica i ka besuar drejtimin e vendit. Politika duhet të flasë me gjuhën e realitetit dhe me pjekuri. Këtu injorohet edhe vota e shumicës për të cilën askush nuk del mbi të edhe ligjërisht. Ky është budallallëku më i madh dhe gabimi më trashanik që reflektohet në politikën aktuale.

 

Kësaj i thonë që të bësh zhurmë kot, pa fituar gjë veç tërheqjes së vëmendjes. Ky qëndrim është tejet i papranueshëm dhe aspak demokratik. Opozita e shëndosh korrigjon, orienton duke u bazuar në ligjshmëri,sqaron me argumente bindëse pse është keq dhe pse vetë kjo e bën më mirë. Hedhja e shashkave tymuese është pavlerë. Në këtë qëndrim që mbahet, është shumë lehtë të dallosh, se ke të bësh me një politikë të djallëzuar ,që edhe të bardhën e bën të zezë. Dhe kjo kuptohet nga kushdo. Të gjitha këto anë negative vijnë se nuk kemi të bëjmë me një politikë të pastër dhe të ndershme. Pra,me një fjalë, duhet kërkuar që edhe figura e politikanit duhet të jetë e konsoliduar me virtytet më të mira të karakterit njerëzor. Figura e politikanit të sotëm nuk është pa cene dhe ka në përbërje shumë anë të errëta për të qenë politikan i këtij populli. Qëndron ky mendim i shprehur, sepse kjo  është pasqyruar tek politikanë të mbarsur me qëndrime interesash të ngushta personale, të cilët i kanë në vetvete, që jo vetëm nuk të  ndihmojnë të punosh me konstruktivitetin si opozitë, por nuk të lenë edhe të punosh. Dhe aq më keq, kur këta politikanë(duket ashiqare) mbrojnë duke bërë zhurmë atë që aspak nuk është e vërteta.

 

Kjo dukuri është parë edhe brenda pozitës dhe opozitës. Për politikën kjo nuk është e hijshme dhe një politikan i tillë nuk duhet të qëndrojë në politikë. Ka politikanë që anojnë duke kaluar sa majtas,sa djathtas. Këtu e kam fjalën edhe për alternativat partiake bishtlëvizura. Dhe janë të tilla,kur nuk e argumentojnë bindshëm para publikut kalimin djathtas ose majtas,ku arsyetimet janë bajate dhe nuk i ha kush. Kur lëvizjet bëhen të studiuara për mirë, këtu, edhe shumica të jep të drejtë. Ndryshe, lëvizje  të tilla, që bëhen për interesa të ngushta për karrige marrin karakter qesharak. Shihet fare qartë, një qëndrim tepër negativ mbahet me oponencën brenda alternativës. Për mendimin tim oponenca duhet të vlerësohet së tepërmi,kur është për lëvizje progresive,kur ajo është e zhveshur nga mendimet e liga denigruese brenda grupit ku bën pjesë.

 

Ndaj kësaj pakice që ngre krye, në kuptimin e mirë të fjalës, është mbajtur qëndrim tepër i keq, derisa edhe janë përjashtuar nga alternativa ku bëjnë pjesë. Politika shqiptare,në këtë drejtim, ka shembuj të shumtë për ilustrim. Oponenca e shfaqur në alternativë kërkon vëmendje dhe analizë të shëndosh pse u shfaq. Kjo duhet të bëhet në mënyrën sa më demokratike dhe jo të bëhet me largime harbutçe. Atëherë ,kur oponenca krijon shumicën, ka të drejtën të drejtojë alternativën nga e cila doli. Janë të palejueshme konfliktet brenda alternativës. Duhet frymë demokratike, fryma e mirëkuptimit dhe urtësia. Politika duke pasur këto dukuri të shëmtuara,prandaj nuk është në lartësinë ku duhet të jetë dhe ku e kërkon shoqëria e jonë demokratike. Në gjithë këto që shpreha,do të jetë dukuria më pozitive pranimi i zhvillimit të procesit të meritokracisë në gjirin e çdo alternative partiake. Kjo duhet të gjejë shtrirje në mbarë vendin. Një arritje e tillë e sinqertë dhe reale do të jetë suksesi më i madh i politikës shqiptare. Kjo do ta bëjë politikën më solide,më të qëndrueshme,më të suksesshme. Zhurma politike na ka shurdhuar. Politika duhet të punojë për vendin, për popullin e vet. Deri në këto momente ajo nuk e ka këtë devizë madhore.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0