Arsyeja në filozofi
Idiosinkrazi, të cilën mund ta kuptojmë si perëndim i të shëmtuarës dhe smirës për hir të guximit sapere aude - (latin. guxo që të jesh i ditur) dhe arsyes bon sens.
Nga Bujar Plloshtani
Idiosinkrazi, të cilën mund ta kuptojmë si perëndim i të shëmtuarës dhe smirës për hir të guximit sapere aude - (latin. guxo që të jesh i ditur) dhe arsyes bon sens. Idiosinkrazia te filozofët nuk është një idhull tashmë i perënduar, por një sens kundrejt urrejtjes njerëzore që lidhet me vlefshmërinë dhe kuptimin e njohjes mbi të vërtetën. Dhe ndërkohë, arsyeja në filozofi shërben për të mirën e përgjithshme të shoqërisë, duke ua ndërgjegjësuar bindjet për të kuptuar apo njohur në një dukje paksa më ndryshe konceptin e botës. Arsyeja te filozofët mund të jetë shkëputja nga ndijimet, që mund të të hamendësojnë bindjet; madje kur dihet realisht se ideja e një mendimtari është pothuaj relative krahas idesë apo të vërtetës absolute, ndërsa pikëpamja e tij qëndron në relacion për ta kthjelluar turmën dhe politikanin e rastit nga iluzionet e mpira dhe miope që e kanë tendosur atë. Ndërkaq më e rëndësishmja për të është që të ketë në shqyrtim të vërtetën, të cilën duhet ta paraqesë si një të mirë sublime që shërben për të gjithë njësoj. Ky moral, (që në thelb shërben për qeverisjen e mirë të qenies njerëzore), na shkëput nga shndërrimi për nevojën e pushtetit si përfitim vetjak; nga iluzioni i dëshirave për shtytje drejt çështjes materiale dhe hipokrizia e shpifur e karakterit për shpërdorimin e moralit kudoqoftë në jetën shoqërore. Ndërkaq, arsyeja në filozofi është një vlerë autentike mbi njohjen e dukshme dhe të padukshme karshi perëndimit të shëmtuarës dhe smirës. Pra, është perëndimi i të shëmtuarës dhe smirës që të çon drejt ngritjes së mendimit intuitiv karshi mendimit meskin.
Një grup individësh që janë kyçur në politikë, sot kanë tendencë më shumë drejt pushtetit, sesa drejt zgjidhjeve të problemeve të ndryshme që ka shoqëria. Ky grup individësh duket se është më shumë i prirur drejt pushtetit për të përfituar nga çështja vetjake, sesa të krijojë sensin kundrejt urrejtjes ndaj të ligës dhe të keqes. Siç shkruante Monteskie "një përvojë e përjetshme tregon se çdo njeri që ka pushtet është i prirur që ta shpërdorojë; ai shkon derisa gjen disa kufij... Që të mos shpërdërohet pushteti duhet që... pushteti të ndalojë pushtetin".[1] Prandaj, duke u bazuar nga ajo se çfarë shkruante Monteskie, duket qartë se pushteti sjell dhe rreziqet e mundshme në përfshirje eventuale të korrupsionit dhe nepotizmit. Pushteti nuk është për individ që zhyten në ekstazë nga përfitimet që dalin nga pushteti, por për individ që janë bindshëm të prirur për vlera njerëzore. Idiosinkrazia e filozofëve tenton të paraqesë konceptin sublim mbi të mirën e përhershme, duke e perënduar të shëmtuarën brenda llojit. Duhet të jetë më tepër një guxim drejt njohjes, pra një ens realissimum – (latin. qenie më reale) për të njohur të vërtetën nga e pavërteta; të bukurën nga e shëmtuara; të dukshmen nga e padukshmja; të njohurën nga e panjohura. Arsyeja si një veprim bindës dhe ndriçues ndaj joshjeve të panjohura ngre proces mbi gjësendet dhe lëndët e natyrës, që fundja t'i njohë apo shquajë të gjitha veprimet e dukshme me sensin e logjikës. Arsyeja jonë është reale, aspak fiktive, prandaj dukjet e ndryshme në natyrë mund t'i shohim krejt natyrshëm si pasojë e veprimit psikik të njeriut. Iluzionet janë ato që na ndikojnë t’i perceptojmë gjërat ndryshe nga realiteti, pra të na duken si joreale. Arsyeja në filozofi është sugjerim i arsyeshëm ndaj fantazmagorisë; e cila të shkëput nga loja e sforcuar e ndijimeve dhe të kthjellon drejt të vërtetës dhe origjinalitetit të mendjes ekzistuese.




del.icio.us
Digg

Post your comment