Home | Opinion | Shqyrtime filozofike

Shqyrtime filozofike

image
Po e nis këtë ese me mendimin e filozofit austriak Ludwig Wittgenstein, i cili në veprën e tij shkruan: "Filozofia, pikërisht i nxjerr të gjitha gjërat para nesh dhe ajo nuk shpjegon dhe nuk nxjerr përfundime. – Meqenëse për pamjen është e hapur gjithçka, nuk ka asgjë për t'u shpjeguar. Ngaqë ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson".

      Nga Bujar Plloshtani

 



         Po e nis këtë ese me mendimin e filozofit austriak Ludwig Wittgenstein, i cili në veprën e tij shkruan: "Filozofia, pikërisht i nxjerr të gjitha gjërat para nesh dhe ajo nuk shpjegon dhe nuk nxjerr përfundime. – Meqenëse për pamjen është e hapur gjithçka, nuk ka asgjë për t'u shpjeguar. Ngaqë ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson".[1] Për kundër mendimit të Wittgenstein, që filozofia nuk shpjegon dhe nuk nxjerr përfundime, mendoj se filozofia mund të arrijë të merret me problemet e përgjithshme, që kryesisht trajton çështje të ndryshme si ekzistenca, njohja, koncepti mbi botën, mbi të vërtetën, të bukurën, sistemin e të menduarit. Filozofia mund të na shpie në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ekzistenciale, duke u bazuar në shqyrtime kritike e argumente të arsyeshme, dhe ndërkohë mund të na orientojë drejt njohjeve të sigurta mbi përvojën e ekzistencës sonë. Ekzistenca jonë duket qartë se është një mister, një gjë që duket, që lundron me ne, por që nuk mund ta provojmë drejt paqes së përhershme, drejt një realiteti që s’e ka njohur gjermë tash asnjë veti e moralit apo çfarëdo shkence. Ekzistenca, dhe ajo që është e fshehtë realisht janë dy koncepte që na zgjojnë interes për t’i njohur, por si pasojë paraqitet një segment që na kufizon njohjen. Me ekzistencën lundrojmë bashkërisht, ndërsa me atë që është e fshehtë na ndanë një qiell. Nuk ekziston asgjë e ngjashme me ekzistencën që të të stimulojë të rrëfesh diçka për të fshehtën. Janë dy gjëra krejt të panjohura, dhe ndërkohë dy gjëra krejt të ndryshme në pikëpamje. Filozofia nxjerr aplikim logjik të mendjes së arsyeshme për gjësendin, substancën, materien dhe fenomenet bazuar nga kritika e arsyes. Duke vazhduar mëtej se edhe "pamja", "ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson", për faktin se edhe për një pamje të fshehur ekziston mendimi, arsyeja. Tek çdo pamje e dukshme dhe e padukshme duhet me çdo kusht të na interesojë, sepse interesimi lidhet me dëshirën për hulumtimin dhe meditimin mbi të vërtetën e duhur. Fundja, dhe Zoti është Krijues i padukshëm, por falë arsyes kritike për të menduar mbi aktin absolut, arrijmë ta kuptojmë ekzistencën e tij duke medituar në krijimin e universit, lëvizjen e natyrës fizike, si dhe pikëpamjet e prijësve për orientimin e shoqërisë drejt të vërtetës. Edhe gjësendi që është i fshehtë, pra që nuk duket, në fakt ekziston në ndonjë vend të panjohur për ne, por kuptimi i mendjes së njeriut është tejet i kufizuar për ta njohur apo shquar pamjen e fshehtë, që realisht është e panjohur për gjykimin e arsyes njerëzore. Çdo send i fshehtë apo i padukshëm për arsyen njerëzore, në njëfarë forme ekziston domosdoshmërisht, por ne nuk mund të arrijmë ta perceptojmë apo njohim.

            Nëse "ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson", atëherë shmangim studimet e mundshme që kanë të bëjnë me pamjen e padukshme ku hyjnë: shpirti, mendja, Zoti, Universi e me radhë. Ky mosinteresim për të njohur më shumë mbi të panjohurën, pothuaj e shndërron sistemin kontemplativ të të menduarit në mosnjohje të sendit. Edhe e panjohura edhe e padukshmja ekzistojnë, por varet nga ne sa vullnet kemi ta shqyrtojmë dhe kuptojmë të vërtetën e gjësendit të fshehur. Edhe shpirti ose mendja janë të padukshëm për ne, mirëpo ekzistojnë. Në botë nuk është asgjë e padukshme, pos sendeve që janë jashtë perceptimeve tona mendore, por megjithëse, dhe këto të fundit që janë jashtë mendjes sonë gjejnë aplikim të duhur në praktikë a në një hapësirë tjetër larg arsyes njerëzore.

            Nisur nga këndvështrimi tjetër filozofik pajtohem me mendimin e filozofit Wittgenstein në lidhje me teorinë se - "ajo që është e fshehur edhe nuk na intereson", vetëm në kontekstin se e padukshmja, pra e fshehura nuk ekziston brenda ndërdijes sonë, ajo mund të arrihet të përfitohet si rezultat i meditimit dhe kërkimeve shkencore. Si koncept të fshehtën s’mund ta shquajmë esencialisht, por nëpërmjet përvojës empirike, metodave krahasuese mund të arrihet deri te zbërthimi real i të padukshmes. Jo çdo e fshehtë mund të njihet dhe kuptohet, andaj përpjekjet tona intelektuale ndalen së interesuari. Edhe e fshehta, edhe e padukshmja ekzistojnë, varësisht mosnjohjes dhe mosinteresit tonë, por kërkohet përvojë empirike për të mësuar mbi ekzistencën e tyre të vërtetë.

            Pavarësisht se ideja për ta kuptuar thelbësisht të padukshmen mbetet një nyje gordiane mbi kuptimin e vërtetë të saj, realisht në anën tjetër mbetet interesi ynë që të njohim sistematizimin e kësaj bote transite, e cila zgjon interes të pashmangshëm në njërën anë, ndërsa në tjetrën anë zgjon kureshtjen e arenës së individit dhe kolektivit përballë ekzistencës dhe ndikimit të saj. Njeriu dhe ekzistenca janë dy çështje të fshehta që na zgjojnë kureshtjen dhe interesin për t'i kuptuar thelbësisht, pavarësisht kushtetit befasues të ekzistencës sonë.

            Sendi i fshehtë ose i padukshëm, që ndryshe për njeriun mund të ketë një pamje të dukshme në ndonjë hapësirë të pa hulumtuar prej nesh, mirëpo arsyeja jonë është e mangët në shquarjen e kësaj dukurie, dhe si të thuash nuk ka një vullnet të mundshëm që t’i kapërcejë më të fshehtat shkallë të njohjes që të vijë deri tek njohja e vërtetë e sendit të fshehtë ose të padukshëm. Kjo dukuri e cila i ka preokupuar mendimtarët klasik dhe ato modern mund të lidhet me shqiset tona të kufizuara, ose me pikëpamjet e mangëta mistike të njeriut. Edhe shpirti është pamje e padukshme, por përmes shpirtit si akt ku e orienton apo e vë në lëvizje krejt ekzistencën tonë njerëzore. E padukshmja duhet të na interesojë, sepse shpeshherë mund të ndërlidhet me sistematizimin e Universit; dhe ndërkohë, procesi i të menduarit priret pas kërkimeve të sigurta për ta zbërthyer joshjen e të panjohurës drejt një përfundimi të arsyeshëm. Gjithçka që është përreth nesh ose jashtë nesh zgjon një interes, dhe një qëllim të përbashkët në të mirën e domosdoshme.

  



[1] Wittgenstein, Ludwig. Hulumtime filozofike I, Toena, Tiranë, 2002, f. 67.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00