Meritokracia, fytyra e vërtetë e administratës
Administrata është fytyra e shtetit dhe mbarësia duhet të nisë nga përzgjedhja reale e me ndershmëri e nëpunësve dhe kuadrove.
Nga Ramazan Sherja
Mbaruan zgjedhjet e 23 qershorit, dhe të gjithë kanë kthyer sytë e presin, se si do ta nisë punën e saj qeveria e re. Fillimi i mbarë është gjysma e punës –thotë populli. Dhe në këtë fillim të mbarë, një rol vendimtar do të luajë përzgjedhja sipas meritokracisë dhe eksperiencës së njerëzve që do të punojnë në administratë.Administrata është fytyra e vërtetë e shtetit, sepse ajo është në kontakt të përditshëm me qytetarët hallexhinj, është kryesorja në krijimin e një komunikimi efektiv e të kulturuar, në zbatimin e ligjeve dhe të kodit moral me ta. E majta në përgjithësi dhe PS në veçanti, kanë shumë potenciale intelektuale, disponojnë një gamë të gjerë eksperiencash të krijuara gjatë përpjekjeve për krijimin e një shtetit ligjor dhe demokracie funksionale gjatë kësaj periudhe të tejzgjatur tranzicioni, ndaj dhe ka shumë mundësi dhe hapsira për të bërë një përzgjedhje cilësore. Kjo pasuri e madhe intelektuale njerëzore, ka të mirën e saj, se në turrën e madhe të CV ke çfarë të zgjedhësh, por ka edhe vështirësinë tjetër se, duke qenë para presionit të mediokërve servilë e në emër të konkludimit shabllonist burokratik se, “nuk u plotësohet dëshira të gjithëve”, selektimi mund të bëhet edhe me spekulim, jo i ndershëm, duke rënë në formalizëm e nepotizëm. E djathta e kishte më të lehtë përzgjedhjen e kontigjentit, që i duhej për të punuar në administratë, për faktin se, jo vetëm PD kishte si parim të saj kryesor “mbrojtjen me çdo kusht të militantëve”, por kishte dhe ka realisht shumë më pak potenciale intelektuale në radhët e saj .
Kështu “laj-thaj”, atë pakicë kuadrosh të arsimuar që dispononte, ishte e detyruar ta ngrinte në përgjegjësi, edhe kur shkelej hapur meritokracia dhe profesionalizmi. Mazhoranca e re që ka si objektiv krijimin e një administrate me fytyrë të re e profesionale, duhet të bëjë një përzgjedhje me ndershmëri dhe institucionale të nëpunësit të administratës, jo vetëm duke patur në dorë CV e kandidatit, por edhe duke studiuar opinionin e përgjithshëm që ekziston për të në publik, si dhe kontributin e dhënë prej tij në funksion të demokracisë në këto 20 e ca vjet. Gjatë përzgjedhjes në radhë të parë duhet bërë dallimi midis nëpunësit të aftë, intelektualit të ndershëm dhe të përkushtuar, dhe atij mediokrit servil që “të ngjitet pas si rrodhe”, për të përfituar ç’të mundë, qoftë edhe kur nuk i takon asgjë. Kur shtrohet sofra, të gjithë e marrin nga një lugë në dorë, por më të madhe zakonisht e marrin lugën ata që, as kanë aftësinë dhe ndershmërinë e nevojshme dhe as që kanë asnjë lloj kontributi në CV e tyre. Intelektuali nëpunës, shpik, krijon, hap horizonte, kërkon me dinjitet vendin që i takon, pa pazare e ndërhyrje miqësore, ndërsa servili përdridhet, zvarritet, jargavitet, nuk i ndahet asnjë çast eprorit, në kafene e banjë, në shëtitje e në plazh, mundohet t’i gjejë anën e të fusë mikun, të hedhë ndonjë lekë, gjersa të përshtatet plotësisht, t’i hyjë në zemër titullarit e të ngjitet me të shpejtë deri në majë. E kështu, ky i “afti për pisllëqe”, si pa u ndjerë, bëhet një Rasputin i rrezikshëm, gjersa i ha kokën përfundimisht edhe atij që e ka punësuar. Largpamësia dhe ndershmëria e një eprori në përzgjedhjen e administratës, qëndron pikërisht në atë, se sa është i zoti të ngrihet mbi nepotizmin e servilizmin, t’i shmanget ryshfetit e presionit të tarafit, t’i bëjë transparentë njerëzit e “padukshëm”, që të bëjnë për vete, dhe me guxim profesional t’i hapë rrugë meritokracisë. Këto ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, pranë selive të dy partive kryesore të koalicionit, PS dhe LSI sheh fytyra të reja, ku secili mundohet si e si të demonstrojë “kontributin e tij të madh” në fushatën elektorale, të tregojë sasinë e votave, që paska dhënë rrethi i tij “i madh fisnor e shoqëror”, apo të shpalosë “aftësitë” e tij, që deri tani nuk ia paska njohur kush.
Çudi, ku ishin deri dje, ky soj “kontribuesish”, kur jo vetëm që kishin frikë t’u afroheshin selive të këtyre partive, se “nuk përziheshin me politikë”, “shihnin hallin e tyre”, por ka edhe nga ata që dy gishtat e ngritur i mbanin në xhepa e bënin dua për fitoren e PD. Nëse respekton njeriun e ndershëm, njeriun e punës, intelektualin e vërtetë, personalitetin me kontribut, i gjen punës njeriun e duhur, askush nuk të përgojon, përkundrazi do të thonë “hallall e pastë votën tonë!” Elektorati i zgjuar dhe hallexhi, ka kohë që i ka kaluar në sitën e opinionit të tij, të gjithë kuadrot dhe intelektualët, të punësuar dhe të papunë, dhe për të pak rëndësi ka që tani, pas 20 e ca vjetësh tranzicion, të bëhen eksperimente “duke i vënë një herë në provë”. Pikërisht, këtu qëndron vështirësia më e madhe, në krijimin e një administrate të aftë e të ndershme, të përkushtuar e të kulturuar, nga ana e kësaj mazhorance të re, që ka marrë përsipër të qeverisë e të rilindë këtë vend të degraduar, në të cilin Berisha ngriti administratën më të korruptuar, më të skandalizuar e më të urryer, e paparë asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Dhe ata që kanë marrë përsipër të ngrenë strukturat e reja në administratën shtetërore, duhet të kenë parim udhëheqës sinjalin që dha Kryeministri Edi Rama, gjatë interesimit të tij për përzgjedhjen e atyre që do të punojnë në zyrën e tij të deputetit në Vlorë: “kush fut mik, humbet pikë”. Ky duhet të jetë parimi sintezë i gjithë atyre që do të merren me përzgjedhjen e kuadrit dhe duan të krijojnë një administratë që t’i zbardhë faqen e nxirë këtij shteti oborrtarësh. Konkurimi i kandidatëve, është një formë e mirë për të nxjerrë në pah potencialet më cilësore, e me pastërti profesionale, më të përkushtuara për të bërë shtet, nëse bëhen ndershmërisht. Por në shumicën e rasteve konkurset në qeveritë e mëparshme, kanë shërbyer si fasada për të mbuluar paaftësinë e kandidatit dhe për të fshehur nepotizmin e titullarëve. Prapa këtyre “konkurseve të kohës”, ka qëndruar gjithmonë dora e fshehtë e mikut, fisit, shokut, apo dora e squllët e mbushur me para. U organizua para ca vitesh një konkurs nga Ministria e Arsimit, për përzgjedhjen e kandidatëve që do të emëroheshin drejtorë të Drejtorive Arsimorë Rajonale të Qarqeve.
Në këtë konkurs, jo vetëm që fituan miqtë e shokët e ministrit, por nuk u respektuan fare rregullat e konkurrimit, qoftë edhe për një kandidaturë të vetme. Kjo u duk jo vetëm, kur u anulua konkursi për pesë qarqe, sepse nuk fitoi një kandidaturë e preferuar e ministrit, por më qesharakja qe, kur nuk u emërua asnjë kandidaturë fituese e vendit të parë, sepse sipas një udhëzimi që kishte nxjerrë po vetë ministri, “ishte e drejta e titullarit të zgjidhte njërin nga tri kandidaturat fituese”. Askush nga konkurruesit fitues, nuk e kuptoi, pse u organizua një konkurs i tillë, e pse u bënë shpenzime të kota, kur titullari, që është “vetë zot e vetë shkop”, i denigroi dhe u tall me aftësitë e kontributet e këtyre kandidatëve. Gjatë përzgjedhjes është e rëndësishme, jo vetëm shqyrtimi i CV së paraqitur, por edhe kontributi, eksperienca, figura morale e sjellja korrekte e kandidatit. Duhet bërë kombinim i eksperiencës së trashëguar me potencialet e reja me tituj e grada shkencore. Se ka plot që mundohen ta fshehin mungesën e karakterit e të aftësisë tyre, karrierizmin dhe dëshirën e tyre për sundim, të shesin deklarata politikani pa lexuar një libër, duke të rreshtuar diplomat e merituara apo të pamerituara, dëshmitë e gjuhëve të huaja që zotërojnë e të masterave të fituara brenda apo jashtë shtetit. Askush nuk është kundër kulturës së re kompjuterike e teknologjisë moderne, por ama duhet të jetë në qendër të vëmendjes, se punonjësi i administratës do të komunikojë me popullin, që më shumë i lipset aftësia që të mos e sorollasë dyerve të institucioneve, se sa titulli i masterit që ka zyrtari, i duhet komunikimi njerëzor dashamirës, se sa referencat filozofike e stilet “moderne” që mundohet të reklamojë ndonjë studiues i “kulturës” perëndimore, populli kërkon të shohë në administratë atë njeriun e ndershëm për të cilin ka votuar, dhe jo sharlatanë politikë të mbushur me dekorata e dëshmi dijesh mashtruese. Do të ishte perfekte sikur të kombinohej ndershmëria dhe eksperienca me kulturën e vërtetë dhe titujt shkencorë të fituar me meritë dhe populli votues do të mbetej i kënaqur. Kur më i paafti nëpërmjet rrugës së korrupsionit, e me mbështetjen e një “të madhi”, vihet në krye të një institucioni, mos prit që ai të emërojë vartës më të ditur, më të ndershëm e më korrektë se vetja.
Ndodh edhe kështu. E denoncuan para ca vitesh tek prefekti për korrupsion një shef finance të një komune. E kur po pritej që prefekti të merrte masat përkatëse konform ligjit, ky e merr të denoncuarin dhe e rrit në detyrë, duke e bërë drejtor në institucionin që drejtonte vetë. “Është e drejta ime të marr këtu cilin të dua, unë dua njerëz të më binden, jo të më hapin telashe”, iu përgjigj hapur prefekti denoncuesve. Administrata është fytyra e shtetit dhe mbarësia duhet të nisë nga përzgjedhja reale e me ndershmëri e nëpunësve dhe kuadrove. Kuadri i vërtetë dhe intelektualët janë një pasuri e madhe kombëtare, ndaj trajtimi i kujdesshëm i tyre, është shpresa e madhe për ta çuar në fund rrugëtimin e nisur. - See more at: http




del.icio.us
Digg

Post your comment