Mbi etikën
Që të kemi pikëpamje reale dhe të arsyeshme në politikë, në radhë të parë duhet të kemi veprim moral të arsyeshëm, dhe kod të praktikave të sjelljes humane që jetën ta lëvizim si pasojë e veprimit të arsyeshëm, duke u shmangur nga ide apo pikëpamje dogmatike. Veprimi i arsyeshëm në politikë mund të kuptohet edhe si njohje reale me qeverisjen e shtetit.
Nga Bujar Plloshtani
Etika, ndryshe filozofia e moralit është shkencë mbi moralin që llogaritet si disiplinë ndër më të vjetrat në filozofi, e cila kryesisht merret me studimin e të mirës dhe të keqes, dhe detyrimet që dalin nga parimet e vlerave morale. Para së gjithash kjo disiplinë merret me tërësinë e normave apo sjelljeve të njeriut dhe shoqërisë të qeverisura nga refleksionet që burojnë nga etika. Duke u nisur nga këto teori rreth etikës vijmë në mendimin se etika është botëkuptim filozofik që kryesisht ka për synim parimet e vlerave njerëzore, dhe bindjeve shpirtërore që dalin nga kodi i praktikave morale. Çështjet etike si: e mira, e keqja, e lejueshmja, e palejueshmja, e drejta, e padrejta, e vërteta, e pavërteta kryesisht janë çështje morale të lidhura ngushtë me njohjen dhe vlerësimin e sjelljes së njeriut me rregullin e natyrës, pasi njeriu, përpos dëshirës për të njohur të vërtetën e duhur, dhe përcaktimin e sjelljes në shoqëri, ai shpreh synimin për vlerësimin e njohjes, për ta përvetësuar brenda tij si vlerë intelektuale. Prandaj, etika na mundëson të pavarësojmë autoritetin e arsyes nga veprime që janë jo të arsyeshme. "Çdo gjë reale është e arsyeshme, çdo gjë e arsyeshme është reale"[1]. Pikëpamjen substanciale të trajtimit të etikës në këtë teori moraliste të Hegelit mund ta nënkuptojmë se veprimi moral duhet të jetë në përputhje të qëndrueshme me praktikat e moralshmërisë, domethënë për bazë të shqyrtimit e ka nevojën e çdo veprimi moral për t’u vërtetuar në do të jetë i arsyeshëm. Ky veprim i arsyeshëm është edhe real, pasi lidhet nga baza e fortë e mendimit racional mbi sjelljen e mirë të njeriut. Duhet kuptuar se çdo gjë e arsyeshme është edhe reale, andaj, ky rregull inteligjent mund të të çojë drejt qëllimit të nevojshëm. Megjithëse në kohët e sotme morali është veçse një shprehje, që politikani i rastit të marrë përgjegjësi publike, duke u përpjekur të kthejë bindjet politike drejt gjendjes reale dhe të arsyeshme, mirëpo, që të mund ta shquajë realitetin, i cili në thelb duhet të jetë i arsyeshëm, duhet një individ të jetë i pajisur me përgjegjësi e ndërgjegje morale, që më pas çdo gjë reale ta kthejë në të arsyeshme, dhe njëkohësisht çdo gjë të arsyeshme ta kthejë në reale. Mirëpo, sot turma dhe partitë politike më së shumti janë të prirura ta përdorin moralin të bashkërenditur me politikën për ta çuar parakushtin e çështjes gjer në përfitimin vetjak nga ana e pushtetit, dhe si rezultat i kësaj partitë politike e shfrytëzojnë autoritetin e moralit për nevojat e tyre të ngushta.
Etika, duke u nisur nga koncepti i ideologut Machiaveli, është e ndarë nga politika, mirëpo realisht etika në konceptin e politikës përbën esencën e ndryshimit dhe zhvillimit të saj për të mirën universale të shoqërisë dhe shtetit. Por, përkundrazi është politikani i rastit ai që moralin në politikë e kthen në praktikën e qeverisjes së çështjes vetjake. Ndërkohë, etika dhe politika janë trajtuar si botëkuptime të ndryshme ndërmjet vedi, edhe pse realisht etika dhe politika e plotësojnë njëra-tjetrën. Politika ushtron veprimtaritë publike me përgjegjësi intelektuale, ndërsa etika përmbushë individin ose shoqërinë me gjykime dhe veprime morale të arsyeshme. Etika është e arsyeshme dhe njëkohësisht reale, sepse është në përligjje të plotë me veprimin moral të arsyeshëm, e cila është e orientuar drejt sjelljeve të mira; ndërkaq, politika nismën e vet e ka në ushtrimin dhe kontrollin e pushtetit me të gjitha mjetet e mundshme për t’ia arritur qëllimit të caktuar në një periudhë të caktuar kohore.
Çdo gjë reale është e arsyeshme, vetëm për disa individ që e kuptojnë tërësinë e sjelljeve të mira ndaj konceptit të botës dhe të qeverisjes së përgjegjshme të shtetit. Por, kohëve të fundit po vërehet në mënyrë të konsiderueshme se çdo gjë po humb ndriçimin e meritueshëm të veprimeve të arsyeshme, ngase turma dhe politikani i rastit është duke u marrë më shumë me çështjen, sesa me fenomenet e përgjithshme. Pikëpamjet e turmës dhe politikanit të rastit janë duke u shërbyer me logjikën e përfitimit të çështjes vetjake, ku ndërgjegjja dhe morali i tyre në politikë është krejt joreale. Turma dhe politikani i rastit janë të shkëputur nga morali i përgjegjësisë mbi vlerat shpirtërore, dhe për këtë shkak ndërgjegja dhe morali i tyre janë shndërruar në gjendje joreale; ndaj dhe çdo gjendje joreale është edhe jo e arsyeshme. Sot, fatkeqësisht çdo kush tenton të provojë të shkelë mbi virtytin e tjetrit, për t’u ngritur vetë me çdo kusht. Megjithatë, ky lloj njerëzor është i aftë për të përfituar në kohë reale, pavarësisht se kthehen në dënues të vetvetes, pa e ditur e ndier thelbësisht se ky dënim mund të shkaktojë dhembje morale e shpirtërore për të gjithë.
Përfitimi vetjak në kurrizin e tjetrit është dukuri negative, e cila mund të rrezikojë paqen dhe bashkërenditjen shoqërore; konceptuar nga mendimi se kënaqësia e prodhuar nga ky përfitim është një ide fikse që shumë shpejtë mund të ndodhë përmbytja e shpirtit. Realisht, ky vështrim duket qartë se turma apo politikani i rastit që merret me politikë nuk identifikohet me një moral të arsyeshëm që në thelb të jetë edhe real, por më së tepërmi përcaktojnë fatin e egoizmit për t’u prirë çështjeve që u sjell lumturi e të mira materiale për një ekzistencë më solide. Megjithëkëtë, ky grup i caktuar individësh me interesa të vogla politike nuk janë aspak të realtë dhe të arsyeshëm me realitetin, por janë në kontradiktë me të gjitha vetitë e brendshme njerëzore vetëm se pretendim parësor të tyre kanë pushtetin dhe dobitë që sjell ky i fundit.
Që të kemi pikëpamje reale dhe të arsyeshme në politikë, në radhë të parë duhet të kemi veprim moral të arsyeshëm, dhe kod të praktikave të sjelljes humane që jetën ta lëvizim si pasojë e veprimit të arsyeshëm, duke u shmangur nga ide apo pikëpamje dogmatike. Veprimi i arsyeshëm në politikë mund të kuptohet edhe si njohje reale me qeverisjen e shtetit. Pra, etika mund të vlerësohet si tërësi sjelljesh me vlerë humane që i përcakton shoqërisë të qeveriset me konceptin e të mirës për ngritje shpirtërore, dhe për ta shkëputur njëherë e përgjithmonë nga iluzionet e pakuptimta që mund ta tundojnë e përmbysin atë me çdo kusht.
*Ese e shkëputur nga libri në proces "Etikë dhe Politikë"




del.icio.us
Digg

Post your comment