Home | Opinion | Rrëfimi për skifterët

Rrëfimi për skifterët

image
Varësia e politikanëve kosovarë nga vendimet e të huajve që “e dinë se çfarë është mirë për ne” është njëkohësisht edhe alibi, e edhe dëshmi se kjo garniturë e ka kohën të shkojë, sado e dhimbshme të jetë kjo për ta. Ky do të jetë hapi i parë drejt shpëtimit të këtij vendi

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

 

 Para pak më shumë se njëzet vjetësh, Kryesia e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut na kishte caktuar, dikur korrespondentin e luftës në Liban, Nehat Islamin dhe mua, që t’i mbronim pozicionet politike të shqiptarëve të Kosovës në punimet e Nënkomisionit të OKB-së për të drejtat e njeriut, që organizohej për çdo vit dhe zgjaste gjashtë javë.

 

Atë do ta mbaj mend si njërin nga episodet më të rënda që kam përjetuar ndonjëherë e që përshkruante të gjithë mjerimin e shqiptarëve të vegjël që jetonin në Kosovën që askush s’donte as ta njihte, në kohën kur u shkeleshin ama bash të gjitha të drejtat e njeriut, duke nisur nga ajo për jetën. Do ta mbaj mend si episodin e dytë që personalisht kisha përjetuar (e që do të pasohej edhe nga dy të tjerë në muajt në vijim) të injorimit që i bëhej të vetmit organizëm që kishte arritur të siguronte besueshmëri të qëndrueshme për nga informatat që i plasonte jashtë kufijve të Kosovës – KMDLNJ-së, nga ajo që njihej si Presidenca e Kosovës. Kjo e fundit përbehej nga një grup njerëzish të mbledhur përreth figurës së Ibrahim Rugovës, që e luanin rolin e anëtarëve të oborrit mbretëror, me shumë para në dispozicion dhe jo me shumë interesim për t’u kacafytur me problemet reale, e posaçërisht që po paraqiteshin në formë rezolutash e përkrahjesh ndërkombëtare në OKB për Serbinë dhe përpjekjet e saj “që ta mbronte rendin e saj kushtetues”. 

 

Pasi që tashmë më 1991 kishin dështuar përpjekjet e disa delegacioneve kosovare që kishin shkuar në Konferencën e Hagës për ish-Jugosllavinë për ta animuar bashkësinë ndërkombëtare që të merrej edhe me Kosovën pas suspendimit të autonomisë, periodikisht diplomatët e akredituar në Beograd e këshillonin lëvizjen kosovare që të përpiqej për të drejtat e veta elementare civile në forumet e OKB-së. Aty, ku nuk mund të paraqitej as si shtet, as si entitet, as si OJQ... aty ku mund të hynte vetëm nëpërmjet të akreditimit që do të sigurohej nëpërmjet ndonjë OJQ-je ndërkombëtare, siç ishte FIDH-ja franceze për KMDLNJ-në. 

 

Të huajt i kishin futur veshët në lesh – ishin ngopur Kroaci, përderisa lufta në Bosnje vetëm sa nuk kishte krisur (kjo do të ndodhte dy muaj më vonë), dhe nuk donin të dëgjonin për asnjërin argument që mund ta jepnim cilido nga ne që kishim dëshmi me bollëk se Kosova po i nënshtrohej një terrori që kishte potencialin e përshkallëzimit në diçka të keqe, me të cilën ata do të detyroheshin të merreshin më vonë. Nuk donin të dëgjonin për argumentet juridike, për fuqinë e elementit konstitutiv që kishte pasur Kosova, për mundësinë që edhe Kosova të shndërrohej edhe në një republikë të asaj që më nuk ishte Jugosllavi, që të pavarësohej dhe ta orientonte jetën e vet nga kahu që populli i vet do të përzgjidhte. Të huajt na thoshin “ju s’jeni popull”, “ju s’jeni njësoj sikur këta të tjerët”, “autonomia duhet t’ju mjaftojë”, “ju mund të argumentoni shkelje të të drejtave civile, por mos kërkoni asgjë përtej kësaj”...

 

Së bashku me Nehatin i kaluam gjashtë javë, nga pesë ditë në javë, e nga tetë orë në ditë, duke u përpjekur t’i bindnim delegacionet e të gjitha shteteve anëtare të OKB-së se Kosova meritonte shumë më shumë sesa një autonomi në kuadër të Serbisë dhe se puna e Kosovës e tejkalonte çështjen e të drejtave të njeriut. Meqë i kishim ndarë shtetet gjeografikisht sipas gjuhës dominuese (Nehatit i kishin rënë hise të gjithë arabfolësit dhe frankofonët, kurse mua latinoamerikanët dhe anglishtfolësit), mua më mbeti detyra aspak e lehtë që ta zija diku nëpër korridore ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut dhe çështje humanitare, Richard Schifter, për t’i treguar se autonomia e Kosovës nën Serbi, siç e sugjeronte Rezoluta e vitit 1992, do të sillte vetëm më shumë telashe, kur e gjithë puna mund të kryhej lehtë po qe se do të ndërronte qëndrimi i Komisionit të Badinterit, dhe që edhe Kosovës t’i njihej e drejta për shtetësi. 

 

Diplomati gati 70 vjeç atëherë më shikoi me buzëqeshje dhe më tha: “E di emrin tim? I bie si skifter në shqip... ta merr mendja se do të veproja ashtu që t’u bëja zarar shqiponjave?”. Më përshëndeti dhe u largua. Unë isha tejet e vogël për atë kalibër diplomati dhe fare e pafuqishme për t’i dëshmuar se Badinteri e kishte pasur keq dhe se Kosova kishte mundur të ishte republikë që nga viti 1991. Rezoluta kaloi të nesërmen, me Kosovën nën Serbi, me kërkesë për rikthimin e të drejtave të mohuara pakicës kombëtare shqiptare. Si e tillë do të replikohej me ca ndryshime deri më 1998, kur krisi lufta në Kosovë. Pjesën tjetër të rrëfimit tanimë e dimë të gjithë.

 

Kështu, ky rrëfim filloi të më sillej ndërmend që nga dita kur mora ftesën për të drekuar me dy diplomatë të akredituar në Kosovë, të cilët kishin marrë detyrën për të ma shpërlarë trurin dhe për të më bindur sesi unë, përkatësisht mediumet që i udhëheq, do të duhej të dilnim në përkrahje të marrëveshjes me Beogradin – “sepse ne nuk do të insistonim në diçka që s‘është e mirë për Kosovën”. Posaçërisht meqë ishin përfaqësues të shteteve që kishin bërë, njëri më shumë, e tjetri më pak, për Kosovën e pasluftës. Natyrisht se kishim diskrepancë mendimesh – ngase e ktheja kokën prapa te ditët kur kishte nisur “dialogu teknik” me Beogradin, “i cili kurrë nuk do të bëhej politik”, dhe i cili nisi ende pa ia dhënë përkrahjen Kuvendi, të cilit duhet raportuar. E ktheva te situata kur Kosova u bë me fusnotë; kur u dorëzuan dokumentet origjinale të kadastrave dhe të regjistrit civil... e deri te dita kur u nënshkrua “marrëveshja historike”, që përcillet nga një plan i veprimit, i cili ka diskrepancë serioze gjuhësore në versionet e veta shqip, anglisht dhe serbisht, e që do të prodhojë pasoja serioze juridike në terren.

 

E para pasojë e kësaj marrëveshjeje është Ligji i famshëm i amnistisë i cili kaloi javën e shkuar me gjithë përmbajtjen amnistuese për hajnat dhe kriminelët që nuk kanë lidhje me “rezistencën në veri”, e që nuk janë serbë që i kanë bërë zarar buxhetit të Kosovës, e që do t’ia shohin hairin presionit të paparë të diplomatëve të huaj të akredituar në Kosovë, që heshtazi apo në formë implicite janë pajtuar me deklaratën skandaloze të zyrtarit amerikan Reeker, i cili na tha të gjithë neve që e kundërshtonim Ligjin për amnisti me këtë përmbajtje se ishim “kundër Amerikës”..., për shkak se Reeker, ani që nuk e ka emrin si skifteri, nuk do t’u bënte zarar shqiponjave të pazë, e të pakurriz, ngase ai e di çka është më së miri për ne, që pajtohemi që të na ofendojnë edhe atëherë kur e dimë se ai tjetri nuk e ka mirë.

 

E dyta pasojë ka të bëjë me një apostrof, që ma kujtoi atë rrëfimin për gomarin dhe presën (zgjidheni cila po ju pëlqen më shumë “Bir mëso, si baba gomar mos u bë” apo “Bir mëso si baba, gomar mos u bë”), e që në fakt e përcakton dallimin ndërmjet kërkesës së serbëve për themelimin e gjykatave në veri (e kështu e përcakton plani i veprimit në anglishte, e edhe serbishte) dhe insistimit të shqiptarëve se mund të themelohen vetëm ekspozitura të institucioneve gjyqësore, gjykata e prokurori (siç e thotë plani i veprimit në gjuhën shqipe, që në formë evidente është përkthyer keq, ngase dokumenti mbizotërues është versioni në gjuhën angleze). Esenca në fund mbetet, se gjykatat në veri do të jenë etnike dhe do të jenë diskriminuese ndaj secilës palë joserbe që të jetë në kontest me ndonjë serb – dhe kjo pa dyshim, sipas kësaj marrëveshjeje, do të ndodhë në shkallën e dytë të procedurës.

 

E treta pasojë është se i gjithë implementimi i përshpejtuar i kësaj marrëveshjeje dhe këtij plani ka krijuar një sërë shkeljesh të vetëdijshme të Rregullores së Kuvendit, me ç’gjë krijohet precedenca shumë e rrezikshme që të mos kemi nevojë më të respektojmë kurrë procedurë për asgjë... pra edhe nëse kryetarja e kthen ligjin në Kuvend, për shkak se vlerëson se 12 mijë e kusur nënshkrime nuk janë për t’u neglizhuar, dikush që nuk do të na bënte zarar, sepse e di se çfarë është më së miri për ne, do të mund të thoshte se bën të shkelet procedura e që edhe kthimi prapa të hidhet poshtë si i pabazuar, sepse edhe ashtu bën. Dhe sërish, sikurse edhe në rastin e ligjeve të Pakos, kur ishin kaluar madje 100 për më pak se 40 ditë, edhe pardje u kalua pakoja e ligjeve, që jam më se e sigurt, se ndoshta jo më shumë se 10% e anëtarëve të Kuvendit do t’i kenë lexuar. Natyrisht, pasojat do t’i bartim ne, të cilët nuk e dimë se çka na bën zarar e çka jo.

 

Pasojat do të jenë të mëdha nëse veprohet me hëzin të cilin janë duke e shtyrë kryesisht evropianët, për një arsye shumë të thjeshtë për ta, e që janë zgjedhjet evropiane që do të mbahen më 2014, dhe kur logjikisht do të ndryshojë edhe “qeveria” evropiane dhe kur disa nga fytyrat që do të lavdërohen me Kosovën si suksesin më të madh politik do të largohen nga detyra, ose do të duan ta sigurojnë rizgjedhjen.

 

Dhe përderisa takimet teknike e që janë politike vazhdojnë në Bruksel, në Kosovë ka nisur me të madhe fushata parazgjedhore dhe pozicionimi shumë i qartë i disa subjekteve politike që vazhdojnë ta kultivojnë dëshirën për t’u bërë me pushtet. Kryeministri ka nisur fushatën e themelimit të komunave të reja, me të cilat do t’i rrisë shpenzimet administrative – sepse decentralizimi kushton para, dhe në formën në të cilën funksionon te ne, nuk është se ua lehtëson shumë jetën qytetarëve. Krahas kësaj, ka nisur edhe fushatën për ndërtimin e rrugës së re në drejtim të Shkupit sipas avazit të vjetër – pa e dhënë as indicin më të vogël për atë se sa do të kushtojë kjo rrugë. E vetmja gjë që na është thënë është se kjo rrugë do të financohet me kredi – thuajse atë kredi do ta kthejë dikush i huaji. 

 

Ndërkohë, AAK-ja ka nisur të dërgojë porosi shumë të shpeshta koketuese në drejtim të PDK-së. Shefi i saj së pari tha se Ligji për amnisti nuk ka pasur alternativë dhe se është bërë mirë që është miratuar i tillë çfarë ishte. Më pas e lavdëroi edhe portretizimin, sado vështirë të kapshëm si të vërtetë, të kryeministrit në New York Times. Ndërkohë, nuk e lë pa përsëritur se ai është njeriu i vizionit dhe se me të në krye të Qeverisë së Kosovës, shteti do të ecte para. Pra, në situatën kur reformën zgjedhore nuk e kanë miratuar me qëllim tri partitë (PDK, LDK dhe AAK), shihet qartazi se njëri nga planet do të jetë arritja e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, ashtu që kryeministri i tashëm do të bëhej kryetari i ardhshëm, ngase Kushtetuta nuk ka pësuar ndryshime.

 

Do të thoni si, kur zonja Jahjaga në pranverën që vjen, kur mbase do të mund të mbaheshin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të hyjë në vitin e katërt të mandatit. Lehtë: skifterët do të vendosnin diçka që nuk do të na bënte zarar – do të na zgjidhnin Qeverinë e re dhe kryetarin e ri, ashtu që zonja Jahjaga do të tërhiqej “për të siguruar stabilitetin në shtet” dhe “për t’iu kontribuuar proceseve demokratike”. Natyrisht, duke toleruar mbase dhe një vjedhje industriale votash, që do të kamuflohej më mirë kësaj radhe, sërish në interes të stabilitetit... duke e lënë LDK-në në “opozitë”, për shkak të performancës katastrofale që ka treguar në këtë legjislaturë dhe duke vazhduar se anatemuari “Vetëvendosjen” që, nëse asgjë, ka treguar konsistencë të jashtëzakonshme në komunikimin e ideve të veta në Kuvend dhe në konferenca për shtyp (çështja e veprimeve në terren, që lë shumë për të diskutuar, nuk përfshihet këtu). 

 

Prej këshillës së skifterit të parë e deri te pavarësia e Kosovës kaluan plot 17 vjet, gjatë të cilave përjetuam dhe mbijetuam një jetë shumë të shëmtuar... po dua të besoj se nuk do të na duhet të presim edhe 17 të tjera për të kuptuar se shumë gjëra duhet t’i bëjmë vetë, si për shembull të bëjmë që kjo garniturë politike të shkojë, sado e dhimbshme të jetë kjo për ta. Ky do të jetë hapi i parë drejt shpëtimit të këtij vendi.

Kohaditore.com

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0