Home | Opinion | Sojlinjtë, sojsëzët, edepsëzët dhe myteberët ...

Sojlinjtë, sojsëzët, edepsëzët dhe myteberët ...

image
Jemi mësuar këto vitet e fundit që figura e diplomatëve tanë të njësohet me ata të drogaxhinjve, ku për të mos i përmendur, janë të shumta rastet e tilla. Korrierët dhe shoferët e diplomatëve tanë, edhe këta të afërm të oborrtarëve, janë shndërruar në korrierë hashashi dhe kokaine. Këto, janë fare të “parëndësishme” për diplomacinë tonë, dhe nuk e kanë ulur aspak imazhin e Shqipërisë!

 

 

Nga Pandeli Bardhi 

 

 

 

 

 

 

Arkeologu dhe “hibridi” politikan Neritan Ceka, më nxiti kureshtjen për të shfletuar Fjalorin e të gërmoj kuptimin e fjalëve, “Sojli”, “Sojzëz”, “edepsëz”, “Myteber dhe “Mytesarif”, etj. I hyra kësaj pune, mbasi mendova se Neritani, ka qenë njeri i ditur, jo vetëm se ishte një arkeolog i mirë, por edhe vinte nga një familje e mirë, domethënë ishte një sojli i mirë. Ishte sojli, por u bë “sojsëz” e më vonë edepsëz, kur u “shartua “Saliist”, pastaj “Nanoist”, pastaj “aleat demokratist” e përsëri “Saliist”! Kohët e fundit, si “hibrid” i “skaduar”, shkoi si ambasador pranë “Mytesarifit” Sali, të merrte pak “vlagë”, sa për të shkuar deri në shtetin fqinj si ambasador, vetëm e vetëm që të linte një tjetër mëkëmbës, mundësisht edhe këtë ambasador, qëllim të cilin e arriti me sukses. “Mytesarif” quhej Kryetari i administratës së një sanxhaku në kohën e Perandorisë Osmane, që edhe Saliu ynë, e ka kthyer Shqipërinë në një “sanxhak” të tij. “Myteberët” janë njerëz, që mbahen si të shquar dhe që janë mësuar t’u shkojë fjala kudo, siç bëjnë oborrtarët e “Mytesarifit”, të cilët, kur shkuan që të merrnin mendtë tek “Zoti”, ky i fundit, kishte vënë një “lajmërim”, ku shkruhej: “Ata persona që janë pranë “Mytesarifit”, të mos lodhen kot të vijnë deri këtu, mbasi të gjitha mendtë, i mori “Mytesarifi”, dhe të flasin vetëm me mendtë e tij e me gjuhën e tij, siç bëjnë Patozi, Bumçi, Noka, Mediu & Co. “Mytesarifi, gjatë rrugës, i humbi jo vetëm mendtë e tij, por edhe ato të shokëve, duke ecur si “allçak” prandaj dhe mori “të lashtin” Ceka si “ambasador”, por që ky i fundit, ja nxori edhe ato që kishte! Fillimisht, Ceka, duke mos ja ngrënë hakun, ishte “sojli” (njeri që vjen nga një fis i mirë dhe e fisme. Ishte “sojli”, por u bë “Sojsëz” ( njeri që i përket një familjeje të keqe), kur ai hyri në një qeveri “edepsëzësh” (njerëz të paturp), që kanë mohuar interesat e popullit, dhe kur Neritani, pa që ata mbushnin xhepat, tha: “Po pse unë budalla jam? Unë jam terxhuman i Mytesarifit dhe të mos përfitoj për veten time siç bëjnë të tjerët? Dhe kështu bëri. Ja ndjeu mirë lezetin punës dhe e mbylli ciklin e plotë të të gjithë të afërmve, bijve e bijave të oborrit në punën “mjaltë” të diplomacisë!

 

Në letrën e hapur, që ky i shkruan Ramës, midis të tjerave i thotë: “Si mund të mendoje se mund të vinte të provokonte e të raportonte për ty nipi i Petro Nini Luarasit, i Migjenit, i Hysen Cekës dhe i Neritan Cekës? Si mund të guxosh, të kapësh për veshi, historinë shqiptare?! Të më falni o ambasador, por edhe shumë faj, nuk paska patur “Mytesarifi” juaj, që e ka injoruar dhe përdhosur në mënyrën më të keqe jo vetëm historinë tonë, por edhe figurat e ndritura të saj, si Papa Kristo Negovanin, Koto Hoxhin, Çerçiz Topullin, Petro Nini Luarasin, etj., etj. E them këtë mbasi paskeni qenë ju ideatori, që ja keni servirur për t’i injoruar ata, sepse ai, as i ka lexuar e as i ka dëgjuar këto figura! Ti ke “hedhur gurin e ke fshehur dorën” dhe ne prisnim që ti të ngrije zërin, në mbrojtje të figurave tona historike, si “sojli” që ishit! Dhe kur “Mytesarifi” ka shtrembëruar historinë, duke e interpretuar atë sipas oreksit, ju keni duartrokitur, vetëm e vetëm që të bëheshit si soj, ambasadorë! Vaj Vatani e mjerë mileti! Tani që ju dogji, ngritët zërin, që “historia është kapur për veshi”, sepse kur historia është kapur për ‘fyti’, nga shefi juaj, nuk bëzani! A nuk ka njëmijë herë të drejtë, poeti i madh Arben Duka, kur shkruan:

Mburren, “vijm nga fise t’mira”

Shyqyr zotit që i kemi!

Kujt i plasi se nga vijnë

Po c’farë janë, është problemi!

 

Më duhet t’i kujtoj z. Ceka, se edhe shtetit, edhe diplomacisë shqiptare, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, i ka “plasur cipa” siç thotë populli dhe tashmë nuk i bëjnë më përshtypje bëmat, që ata bëjnë. Jemi mësuar këto vitet e fundit që figura e diplomatëve tanë të njësohet me ata të drogaxhinjve, ku për të mos i përmendur, janë të shumta rastet e tilla. Korrierët dhe shoferët e diplomatëve tanë, edhe këta të afërm të oborrtarëve, janë shndërruar në korrierë hashashi dhe kokaine. Këto, janë fare të “parëndësishme” për diplomacinë tonë, dhe nuk e kanë ulur aspak imazhin e Shqipërisë! Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Basha bëri një tortë të madhe disa tonëshe, që “Mytesarifi” tha se “do të hynim në librin e rekordeve Ginnes”. Në librin “Ginnes” torta hyri vërtet, por jo për madhësinë e saj, po për mënyrën se si u sulmua nga “Zhan Val Zhanët”! Kur shtypi i huaj shkruante se “shqiptarët, të uritur si njëqind vite më parë sulmojnë tortën”, kjo nuk e ul aspak “prestigjin” e “myteberëve” qeveritarë, që thonë se “për nga mirëqenia, Shqipëria ka lënë prapa shumë vende të botës”! Si u shpëtoi “edepsëzëve” të ngrenë një Komision Parlamentar, për prishjen kaq e kaq herë të imazhit të Shqipërisë? Ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar për atë që, Edi Rama i hoqi veshin djalit të Cekës, dhe që sipas “Mytesarifit” “ka prishur imazhin e Shqipërisë”, është sa e turpshme, aq edhe qesharake. Por nuk është e para herë që ky Parlament e ky “Mytesarif” bëhen “gazi” i botës! Të gjitha komisionet hetimore parlamentare, që kanë ngritur këta “inatçorë” parlamentarë, dihet se ku kanë përfunduar... Atje do të përfundojë edhe ky komision. Nuk thonë kot, që “qorri e gjen gropën vetë”! Edhe ky Parlament, nuk bën as më shumë e as më pak se ajo, që shpejton fundin e tij, mbasi nuk ka me çfarë të merret tjetër! Me anën e këtij komisioni, “myteberët” e “Mytesarifi”, kërkojnë të tërheqin vëmendjen nga “gropa” ku kanë rënë!

 

Ky Komision dëshmon edhe njëherë fundin e kësaj epoke “qesharakësh”, që kërkojnë të “pastrojnë” “pyllin” e kalbur, duke i hequr vetëm një “gjethe”! U vranë 26 njerëz të pafajshëm, u plagosën qindra të tjerë e u shkatërruan qindra shtëpi, por një Komision Hetimor, nuk u ngrit! U vranë katër qytetarë të pafajshëm në bulevard, por as Komision Hetimor nuk u ngrit e as përgjegjësia nuk doli. U ngrit një “Halimkomision”, që është akoma në fuqi, por jo për shkaktarët e vrasjes, por për të vërtetuar që ajo protestë ishte puç, që desh të rrëzonte me dhunë “Mytesarifin”! Mbetet ambasada jonë në Ëashington në “ditë të hallit”, pa asnjë qindarkë dhe kurrkush nuk e vë ujin në zjarr. Sikur të ishim ndonjë vend i varfër, nuk do të na qeshte bota, por të jemi një ndër ekonomitë “më të fuqishme në Planet”, dhe të mos i japim asnjë qindarkë ambasadës tonë në Amerikë, kjo nuk na falet! Të gjitha këto janë hiç, përpara shumë të tjerave dhe pastaj nuk kemi të drejtë të themi se “myteberëve” tanë u ka “plasur cipa” dhe nuk u bëjnë përshtypje? Ç’janë të gjitha këto përpara asaj që Edi Rama i hoqi veshin Eginit të Cekës dhe akoma pa ardhur Edi Rama në Shqipëri, fap u ngrit “Kadillkomisioni” hetimor parlamentar! Nuk mund të themi se kjo e nderon diplomacinë tonë, por pse nuk e thotë “Mytesarifi”, që Egini shkoi atje si provokator, për të diskredituar opozitën? “Myteberët” e “Mytesarifit” janë mësuar të “hedhin gurin e të fshehin dorën” dhe kjo ndodhi, edhe në këtë rast, sepse nuk kanë se ku të kapen për të justifikuar humbjen e tyre të pashmangshme.

Më e pakta që duhet të bënin “myteberët” qeveritarë, të bënin siç kanë bërë edhe me rastet e tjera; të ulnin kokën! Nuk do të flasim për atë që armët e fishekët e “hordhive” të Imamit kanë shkuar kudo ku ka vatra luftrash, por as kjo nuk e ka “ulur” imazhin e Shqipërisë! Por, le të kthehemi tek historia dhe figurat e saj, që na kujton ambasadori Neritan... A e dini ju Neritan, bashkë me shumë të tjerë, që “Mytesarifi” juaj ka mohuar edhe datën e Çlirimit? A e dini ju se këta “Myteberë” qeveritarë, ku edhe ju u bëtë “copë” për të marrë një “cikë” post, i kanë vënë kazmën “Kartës së identitetit” të Kombit. Mos më thuaj që ti nuk je fajtor, mbasi më mirë se kushdo, ju e dini që ashtu si çdo qytetar që ka një “kartë identiteti”, edhe Kombi, ka një histori, se prej nga e ka prejardhjen. Më mirë se kushdo tjetër, ju e dini se jemi populli më i lashtë e më i vjetër në Ballkan, që e kemi prejardhjen nga Pellazgët. Për këtë, edhe ju keni kontribut, por atëhere kur ishit “sojli”, kurse tani, që edhe ti u bëre “sojsëz”, e mohon. Them e mohon, mbasi nuk mbeti asnjë dëshmi, asnjë muze, asnjë objekt me vlera historike e kulturore, që të huajt të vijnë e të binden për këtë. Edhe juve Neritan, u shkoi mundimi kot duke gërmuar, kur ishit “sojli”! Si do të sjellin këta “myteberë” Bumçë qeveritarë, katër vite të ardhshme (mos o zot, t’i kemi përsëri në pushtet), shtatë milionë turistë? Do t’i sjellin për të parë plehrat dhe ujrat e zeza e kioskat në bregdet, apo shkatërrimin e pyjeve, që nuk i lanë as ashtu si i bëri natyra?

 

Nuk është aspak për t’u çuditur. Sa më shumë afron dita e zgjedhjeve, aq më shumë humor do të shohim e do të dëgjojmë nga “myteberët” e “Mytesarifi”, sepse do të vijë koha që do të na marri malli, por që nuk do t’i gjejmë më.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0