Home | Opinion | Nën pushtetin e gjendjes, paria e Tiranës dhe eksperimenti i shqiptar

Nën pushtetin e gjendjes, paria e Tiranës dhe eksperimenti i shqiptar

image
Në burgun imagjinar ndodhën rebelime dhe kundërvënia e gardianëve ishte e furishme. Ata që u bënë gardianë u bënë sadistë e të pamëshirshëm, të dhunshëm dhe abuzivë. Disa të burgosur u bënë hafije dhe të tjerët filluan të kishin ankthe. Ata që ishin të burgosur filluan të humbnin mendjen dhe demonstronin shenja të një stresi të jashtëzakonshëm. Mbas gjashtë ditësh ky eksperiment u ndërpre.

 

Nga Shenasi Rama 

 

 

 

 

 

 

Pushteti i gjendjes në të cilën ndodhet, është i jashtëzakonshëm mbi gjendjen mendore të individit dhe të gjithë shoqërisë. Literatura është e mbushur me raste kur njerëz sidokudo janë vënë në pozicione kyçe dhe janë sjellë sikur të ishin të lindur për atë punë. Vishe hajnin polic dhe bëhet më i ligjshëm dhe më i ndershëm se të tjerët. Fute tjetrin në burg dhe siç është njeriu më normal, e humbet krejt dinjitetin. Pushteti i gjendjes ku ndodhet mbi sjelljen e individëve të ndryshëm është i frikshëm. Individët tjetërsohen, e humbin nderin e dinjitetin dhe shfaqin sjellje që në shoqëritë normale janë patologjike. Në shoqëri që janë të izoluara, siç kemi qenë ne gjatë kohës së sundimit të Enver Hoxhës, dhe krejtësisht të mashtruar dhe të manipuluar, siç jemi tani nën sundimin e jeniçerëve, bashibozukëve dhe martallozëve të Enver Hoxhës, këto patologji bëhen karakteristikat themelore që përcaktojnë fatin e gjithë shoqërisë. Për ta kuptuar më mirë gjendjen dhe pushtetin e gjendjes mbi psikikën e mendësinë e individëve dhe të shoqërisë do të krahasoj Eksperimentin e Burgut të Stanfordit me Eksperimentin e Marrëzisë Kolektive që është luajtur e që luhet pa ndërprerje mbi shqiptarët qysh nga viti 1944 e veçanërisht gjatë tranzicionit. Sepse, në mos tjetër, tani jemi në një pikë kritike dhe nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime.

 

Eksperimenti i Burgut të Stanfordit

 

Eksperimenti u zhvillua nga disa profesorë të Universitetit të Stanfordit, të drejtuar nga profesor Zimbardo. Ky eksperiment njihet në literaturë si Eksperimenti i Burgut të Stanfordit. Për ata që duan ta ndjekin si u zhvillua, lidhja është këtu: http://www.prisonexp.org/. Duke i marrë studentët dhe duke i lënë që të zgjidhnin vullnetarisht ose rolin e të burgosurit, ose atë të gardianit, dhe duke u bërë vetë drejtori i burgut, profesor Zimbardo dhe të tjerët shpresonin që të studionin ndryshimin e sjelljes në varësi të roleve që merr individi. Pyetja që i bënë vetes profesorët ishte se çka ndodh kur i merr njerëzit e mirë e normalë dhe i vë në një gjendje të keqe dhe anormale?

 Nuk kishte më asnjë autoritet. Gjithkush ishte më vete. Mendimi ishte që studentët të rrinin në atë gjendje për nja dy javë. Dhe rezultati, edhe vetëm mbas tre ditësh e tmerroi profesorin që po bënte eksperimentin. Sepse ai vërejti që studentët i morën seriozisht rolet dhe duke luajtur rolet filluan të shfaqnin patologji sjelljesh, që e llahtarisën profesorin. Dy prej studentëve që nuk duronin dot më, e lanë eksperimentin që në ditën e dytë. Studentët filluan të silleshin në mënyrë irracionale, filluan të kishin ankthe e shqetësime mendore, dhe ata që ishin të burgosur e të pafuqishëm filluan të tjetërsohen komplet. Në burgun imagjinar ndodhën rebelime dhe kundërvënia e gardianëve ishte e furishme. Ata që u bënë gardianë u bënë sadistë e të pamëshirshëm, të dhunshëm dhe abuzivë. Disa të burgosur u bënë hafije dhe të tjerët filluan të kishin ankthe. Ata që ishin të burgosur filluan të humbnin mendjen dhe demonstronin shenja të një stresi të jashtëzakonshëm. Mbas gjashtë ditësh ky eksperiment u ndërpre. Por mësimi që u nxor prej këtij eksperimenti ishte shumë i thjeshtë. Gjendja në të cilën vendoset personi, përcakton edhe mënyrën e sjelljes së tij. Natyra njerëzore është shumë e formësueshme, lehtësisht e formësueshme dhe prandaj duhet bërë shumë kujdes që të mos krijohen gjendje që me lehtësi i deformojnë njerëzit dhe i bëjnë të sillen si të marrë ose si kriminelë.

 

Eksperimenti i Marrëzisë Kolektive

 

Nga viti 1944 e deri në vitin 1990, të gjithë ne ishim në burg. Edhe unë edhe shumë të tjerë që tani janë në politikë kemi lindur në një burg të tillë. Nuk kemi njohur tjetër, ai burg ka qenë shteti ynë, shoqëria e ynë. Në izolimin dhe në marrëzinë e një të çmenduri diabetik e diabolik si Enver Hoxha, të gjithë jemi tjetërsuar e deformuar. Të gjithë e kemi humbur të paktën një shkallë njerëzillëku e normaliteti. Nuk ka rëndësi se si e fshehim, por e kemi një plagë që nuk do të mbyllet asnjëherë sepse kemi qenë të përdoruar, të deformuar, të shformuar. Gardianët, Partia, Sigurimi, Blloku, së bashku me disa të burgosur, intelektualë, profesorë e doktorë, na abuzonin si donin. Këta na bindën se bota nuk funksiononte pa ne, se ishim fanari i socializmit, se bar do të hanim e parimet nuk do ti shkelnim, se patatja ishte edhe bukë edhe gjellë. Këta na kontrollonin ditë e natë. Këta na mbajtën skllevër, edhe kur vetë dilnin nga burgu e shkonin në Francë e vinin mbrapa, na tregonin se sa mirë ishim ne në burgun e marrëzisë kolektive. Katundari pinte ujë me sheqer e hapte kanalin. Punëtori hante bukë me djathë e hidhte betonin për bunker. Këta shkonin jashtë shtetit. Mësonin. Morën diploma. U bënë njerëz. Ne, skllevër se skllevër. Dhe ne e hëngrëm njeri tjetrin, e tani këta gardianët e të burgosurit që iu shërbenin atyre, na thonë se këta ishim ne, plehra që spiunuam e dënuam njëri tjetrin. Se këta, bijtë e zagarët e Bllokut, i kanë duart e lara. Se ne e hëngrëm njëri tjetrin për një kafshatë bukë e këta u tallën kaq keq me ne. Po çka kemi ditur ne? Çka di njeriu që është në burg, se ka diell e dritë?

 

Eksperimenti i Tranzicionit Shqiptar

 

Problemi është se në vitin 1990, kur burgu duhej të shpërthehej, dhe kur njerëzit u rebeluan, se vjen një kohë që thika të shkon në palcë, këta intelektualët e shquar, që në fund të fundit ishin vegla të tyre, të gardianëve të Bllokut, të jeniçerëve të Enver Hoxhës, por që vinin e rrinin “gju më gju” me ne, dhe formalisht ishin të burgosur si ne, na ndrynë me marifet edhe një herë në burgun ku ishim dhe na thanë: “Ne nuk jemi si ata!” E ardhmja juaj do të jetë e ndritur por hyni edhe një herë këtu e do ju nxjerrim ne, sa të bëhen punët mirë!

 Eh, unë e kam ditur dhe e kam thënë… unë dhe shokët e mi u kemi thënë se këta do ju skllavërojnë. Por shumë ju besuan dhe si ata dy studentët në eksperimentin e Stanfordit, ne ikëm vetë dhe ende na dhembin plagët nga gurët që na i kanë plasur kokës njerëzit që na urryen edhe pse i deshëm më shumë se jetën. Juve ju thanë se burgun do ta bëjnë parajsë. Dhe njerëzit ju besuan. Ju thanë njerëzve se do të kishte shpëtim e lumturi edhe për ata. Dhe ata ju besuan. U thanë njerëzve se do të hyjmë në Europë, se do të jenë të lumtur, se do të ju ruajnë nderin, pasurinë e jetën. E njerëzit iu besuan. Iu thanë njerëzve se do të shkojë haka tek i zoti. Se do të kishte edhe për të varfrit e të mjerët. Dhe njerëzit iu besuan. Edhe kur i zhdukën paratë e jetën e njerëzve si me piramidat, me pronat, me mërgimin, me 1997, me Gërdecin, me shitjen e pasurisë kombëtare, me vjedhjen, njerëzit prapë iu besuan. Edhe kur i lëshuan bandat e tyre mbi kurriz, njerëzit iu besuan. Deri kur më? Sepse dallimi midis Eksperimentit të Burgut të Stanfordit dhe Eksperimentit të Tranzicionit shqiptar është tek gjendja. Atje ishin pak njerëz. Ne jemi një komb. Atje ishin vullnetarë. Këta kriminelët e gjarpërinjtë tanë na kanë kapur për fyti. Atje e ndali dikush eksperimentin e këtu nuk ka kush. Edhe pse jemi vetëm një grusht njerëzish që e themi të vërtetën, ata që janë ndryrë në burg, në Rrethin e Ferrit Shqiptar, nuk duan të besojnë, nuk duan të dëgjojnë. Realiteti absurd ku jetojnë e ku i ka ndryrë ajo paria e vjetër, gardianët e burgut, së bashku me veglat e saj të dikurshme, tani pjesë e saj, intelektualët, i bind që ne flasim kot e nuk dimë se çfarë jemi duke thënë. Nga realiteti i marrëzisë kolektive dhe anormale shqiptare, ne jemi absurdi dhe marrëzia. Dhe këtë mesazh përcjellin ditë e natë të gjithë veglat e parisë sunduese të Tiranës, komentatorët, mendimtarët, spiunët e vjetër e të rinj, profesorët që shesin gjithçka… Këta kanë përdorur gjendjen, që po vetë e kanë krijuar për të na tjetërsuar, për të nxjerrë më të keqen nga fundi i shpirtit tonë dhe për të na bërë skllevërit modernë, të kohëve moderne të shpirtit të tyre prej gjarpërinjsh e të zinj si bloza.

 

Në vend të përfundimit

 

Për ata që kanë sy të shohin e të dëgjojnë, Pakti i 1 Prillit e ka treguar qartë edhe tani, 23 vjet më vonë, se shqiptarët janë në një burg gjigand. Gardianët e djeshëm janë pronarët e sotshëm. Si edhe e tregoi Pakti i 1 Prillit, këta ishin shërbëtorët e gardianëve të djeshëm dhe sot këta janë gardianët e rinj. Këta duan të na mbajnë skllevër e të burgosur. Nuk ka më asnjë iluzion. Paria e Tiranës ia ka arritur që të paralizojë shoqërinë deri në atë pikë sa reagimi popullor duket krejtësisht i pamundshëm. Nga çdo nivel që ta shohësh, shoqëria shqiptare duket sikur është e pajtuar me gjendjen dhe se ne që flasim se gjendja nuk është normale, jemi një pakicë e papërfillshme dhe një zë në shkretinë. Por ne jemi ata që dimë, sepse për ata që kanë shumë kuriozitet, edhe ne e kemi bërë shkollën e djallit, por për t’iu shërbyer njerëzve tanë e jo dreqit e të birit, gardianëve të djeshëm e të sotëm të burgut të Marrëzisë Kolektive shqiptare, tranzicionit shqiptar.

  

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0