Home | Opinion | Abortet e “nënave” parti

Abortet e “nënave” parti

image
 Dalim triumfatorë... jo, jo ne; të jemi transparentë: shefi ose mjelësi ynë se këtu mbaron misioni ynë. Vazhdimi i serialit na gjen atje ku na la fillimi i tij.

 

 

 

Nga Petraq Floku 

 

 

 

 

 

Materniteti që na lindi gjithë këto nëna parti, natyrisht me reaksion zinxhir, tashmë ka nisur nëpërmjet klonimit, prodhimin e aksesorëve dhe pjesëve të ndërrimit. Kjo për t’ju zgjatur jetën me riparime (operacione) të pjesshme apo andrime (transplante), jo vetëm nënave parti që lindën prematurë, por dhe atyre që patën një lindje thuajse normale. Sepse nga shumëkush partitë sot konsiderohen si ato lopët mallteze apo ato të racës “Xhersej”, që duhen mjelë sa t’u thahen gjinjtë. Natyrisht kjo kërkon një farë eksperience, ndonëse mësohet pa vështirësi, mjafton të ushtrohesh pak dhe ja merr dorën shpejt; pastaj s’të zë gjumi natën po nuk vole, more po qoftë edhe një pikë të vetme. Akoma më i fituar po të kesh eksperiencë në vite si “mjelës” dhe të dish t’ua shtrydhësh gjinjtë mirë, të sigurojnë punë, shkollë, poste, tendera, pasuri, kapitale e të ardhura marramendëse. Dhe kjo ka një shpjegim fare të thjeshtë e të qartë për tu kuptuar për deri sa jemi në ekonominë e tregut: Bie prodhimi i qumështit, duhen gjetur rrugë të reja që ai të mos shterojë, njëherësh duhen ndërruar edhe taktikat e riorganizimit, të militimit e sigurisht dhe të shitjes së tij.

 

Po me bazën poshtë ç’ndodh, domethënë me ne? Kuptohet, ne na rreshtojnë dhe ne ashtu optimistë e të lumtur për çmimin e bukës e të gjizës, të kungullit e të kastravecit, të naftës, të energjisë, të gazit e të qirinjve, të ujit që “pihet” dhe atij që “të lan”, të telefonit fiks dhe atij celular, rreshtohemi e vullnetarisht, se ndryshe na heqin nga puna, shajmë me dëshirë që të jemi prapë në punë, çirremi e ngjiremi, zhvatemi e rropatemi që të tërheqim sa më shumë vëmendjen e shefit e ti pëlqejmë atij, hamë dhe ndonjë shkop brinjëve a ndonjë çokane kokës. Dalim triumfatorë... jo, jo ne; të jemi transparentë: shefi ose mjelësi ynë se këtu mbaron misioni ynë. Vazhdimi i serialit na gjen atje ku na la fillimi i tij.

 

Pastaj ne në fis, ata rinisin krushqitë; kush do jetë dhëndëri e cila nusja, kush mblesi e cili dollibashi, kush do ta hedhi e kush do ta presi, cili do marri e cili do japi, kur do vihet kurora e ku do shkëmbehen nishanet, ku do celebrohen e kush merr mushtullukun, kush e kush e kush... Pastaj nisin dilemat e valojnë analizat: dale të shohim kush ngeli shtatzanë dhe me kë e ka, kujt i janë vonuar e s’i kanë ardhur akoma, kujt i erdhën para kohe dhe pse, cili e ka djalë e cila vajzë, gjuan më të majtën apo me të djathtën, dale të miqësohemi pa të tenderohemi dhe pastaj të divorcohemi; kujt t’i afrohemi e kujt t’i largohemi, cilit t’i ankohemi; kujt do t’i ngjajë, ne apo atyre, do jetë me sy blu apo sylarush, i pëlqen e kuqja apo kaltëroshja, do shikojë nga lindja apo nga perëndimi. Nejse do ta shohim e do vendosim, jo tani, pasi të na lindi... Arriti një pikë, që ky virus dhe kjo epidemi u përhap rrufeshëm si ethet e gushtit, duke u kthyer në një lloj “sporti” modern, pa dallim moshe, gjinie, arsimi, race, feje, kombësie apo dinjiteti. Aq e vërtetë është kjo dukuri sa dhe një fëmije kur e takon e i jep dorën, në prezantimin e parë ai pyetjen “me cilën parti je ti xhaxhi?” e ka të parafabrikuar. Dhe s’kanë faj. Mjafton t’ja fusësh shokut, të jesh pehlivan, i paskrupullt e pa principe, të jesh oreks-madh e i babëzitur, (me diplomë oferte të tipit “paguaj një dhe merr dy”, ose e mira e të mirave pa shkollë fare se të prish punë).

 

Nisin puthjet lart, forcohen miqësitë poshtë. Nis lufta lart, plas revolta poshtë. Riputhen ata lart, vazhdojnë inatet poshtë. Ecin ata lart, rrokullisen këta poshtë. Lesh arapi kjo punë. Njeri polli, tjetri shtiu, një mbeti shterpë vetiu-thotë populli. Kur ata lartë “martohen”, ca nga këta poshtë qajnë se hiqen nga puna, të tjerë gëzojnë se u zënë vendin të parëve. Kur divorcohen, qindra turbullohen, aq shumë, sa as bukë, as ujë e as drita s’duan, veç pajtimi dhe përqafimi i atyre lart ua rikthen oreksin. Por si po shkojnë lindjet?! Sakrifiko me aborte, jep e merr me fekondim e deri tek metoda e mbjelljes, na u shtuan nënat parti e bashkë me to shpresojmë të na shtohet dhe punësimi. Sepse partia të heq njollën, partia të gjen punë, partia të jep shkollën, të bën me zyrë, siç të vë dhe hunë. Varet nga taktikat dhe koniukturat kohës, si dhe me ç’peshë ke dalë nga inkubatori.

 

Të edukuar që në vogëli me ëndrrën e ethshme të një tesere partie për ta patur mbrojtje dhe për ta përdorur si komerdare shpëtimi, sipas mentalitetit të dikurshëm, idesë së sotme dhe teorisë së të ardhmes, se futja në parti të shpëton nga hallet, nga papunësia dhe nga injoranca, rradhët e militantëve dita-ditës po na shtohen së bashku me numrin e nënave parti. Kuptohet jo militantë të ndonjë ideali. Jo, jo! Militantë se fusha e bukës e Drumbasë kalon andej afër, nga rruga që të çon tek partia. Është i njejti maternitet, janë të njejtat nëna (për baballarët zakonisht thuhet se s’janë të sigurt, sidomos në këto kohë të turbullta) nga kanë dalë e kanë lindur, sepse gjithkund ngjajnë, paçka ngjyrës së biberonëve, ninullave, kuisjes, veshjeve, flamurëve që tundin dhe mualibisë që hanë.

 

Natyrisht të fryrë dhe të pompuar nga një partitizëm i kultivuar në hershmëri së bashku me ushqimin dhe synimin për një strehëz të ngrohtë parazitësh të tipit “dhe në qofsh injorant që s’di asgjë, mjafton të dish të hysh në parti”, epideminë në fjalë s’ka antivirus dhe doktor që e ndal, që e përballon apo që i bën derman. Shtohen militantët, paksohen dhe s’ka më vende pune për teknokratët, se ju rezervohen vendet specialistëve të nënave parti të trajnuar për mitingje, ulërima, vota. Shtohen nënat parti, firojnë specialistët dhe shtohen parazitët se i thith dhe ju hap vende pune “ndërmarrja politike”. Prodhon materniteti parti, lindin dhe partiçka, militantë, devijatorë, tradhëtarë, rebelë, të pabindur, kundërshtarë, rivalë, llafollogë, demagogë, teoricienë, dështakë, të bardhë, të verdhë, të zinj e të kuq. Pastaj dikë që e zë gripi e s’i shkon klima në atë vend, ndërron veshjen bashkë me ngjyrën, (kuptohet ndërron edhe flamurët) dikush tjetër ndërron rrugën dhe kursin për më lart, tjetri ndërron fjalimet, zyrat, sekretaret, borderotë, biberonët, pelenat. Një tjetër ndërron atësinë, sigurisht duke e parë më të vështirë e gati të pamundur ndërrimin e mëmësisë, një më i shkathët kthehet tek i ati, madje i puth edhe dorën, tjetri tek njerku, një tjetër tek burri i nënës, dikush tek strehëza e vjetër, një tjetër kthehet tek divorci i parë. Shkurt: askush s’mbetet jetim, paçka në ç’prehër a ç’sofër ulet.

 

Dhe nënat parti pasi divorcohen, për të mirën tonë ribashkohen. Që ne të mos mbetemi pa to e të mos vuajmë për to, (pa nënat tona), pa të cilat jeta jonë s’do kishte asnjë kuptim, asnjë vlerë, asnjë bukuri dhe shije, asnjë perspektivë për karrierë. Ndaj përherë na shqetëson uniteti i tyre, aq sa e kemi shprehur nga thellësia e zemrës publikisht dhe me krenari shqiptari se: Nuk duam as ujë, as drita, more as bukë e as ajër, vetëm ju pajtohuni, miqësohuni, forconi partitë, unitetin, xhepin, puthuni e përqafohuni ju që të jetojmë të lumtur e të gëzuar ne, mes baltës e fukarallëkut, mes plehrave dhe skamjes, mes papunësisë dhe listave të borxheve, por ama pa divorce të nënave parti dhe baballarëve të tyre. Kaq duam ne, as më pak e as më shumë. Ndaj urojmë në prag “festash”: Lindshin sa më shumë nëna parti për të mirën e bijve të tyre, qofshin këta dhe prematurë, sepse dashuria për të milituar nën devizën “Bëmë baba ti ngjaj partisë” do mjaftonte ti transformonte nga prematurë në ultra superstrukurë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0