Home | Opinion | “Muratori” mjeshtër, që lartëson muret e “bllokimit”

“Muratori” mjeshtër, që lartëson muret e “bllokimit”

image
“Shigjetat” europiane për të “prishur” murin ndarës në klasën politike shqiptare, përsa i përket gjetjes së gjuhës së përbashkët, të gjitha bien në vesh të shurdhër. Gjatë qënies së tij në pushtet, ai ka ndërtuar një “mur” të pakapërcyeshëm ndarës, midis të majtës e të djathtës. Është ky njeri që nxit sherrnajat, që ka “betonuar” murin, midis “armiqve” dhe miqve të të njëjtit gjak

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi

 

 

 

 

 

 

 

Ka mbi njëzet e ca vjet që ndërton mure bllokimi, jo vetëm me Europën, por edhe me fqinjët, bile edhe midis vetë midis shoqërisë, midis vetë shqiptarëve, për t’i ndarë ata nga njëri tjetri. Është bërë “mjeshtër” për të ndërtuar “mure” e për të na izoluar nga bota, e tash që është në moshën e tretë, çirret natë e ditë për të shembur “murin e bllokimit”!. “Ne, që shembëm “murin e Bashkisë”, do të shembim edhe muret e bllokimit, ulërin “ulërimsi” Kryeministër. Ky “paqësor” nuk duron dot jo vetëm “mure bllokimi”, por as pengesat më të vogla! Është shëmbëlltyra më e mirë e atyre, që të vrasin natën e të qajnë ditën dhe kurdoherë, “dobiçin” duhet t’ja lërë në derë të tjerëve. Ca nga pleqëria e ca nga lajthitja, e kompletojnë figurën e këtij aventurieri, që tromaksi edhe kalamajtë me ulërimat e tij. Kjo është dëshmia më e mirë e asaj që sot, më tepër se kurrë, e ndjen humbjen e pushtetit. E ndjen vehten e tij të larë, që Shqipëria për të tretën herë radhazi e humbi “trenin” e statusit Kandidat për në BE. Për këtë, duke mos ndier asnjë farë përgjegjësie për veten e tij dhe shurrën që drejton, kërkon t’ja faturojë opozitës, sikur “ajo është shkaktare, e cila duke mos votuar tre ligjet që kërkoheshin, Shqipëria e humbi shansin për të qenë vend kandidat”!. Është mëse e vërtetë, që mosvotimi i tre ligjeve është një “mur qerpiçi” pa themel, përpara atyre dhjetra “mureve prej betoni”, që ka ndërtuar ky “murator” për të na ndarë nga pjesa tjetër e Europës. Nga analiza e thjeshtë e fakteve gjatë periudhës që ai është në pushtet, del se ky është i pandreqshëm për të hequr dorë nga ndërtimi i “mureve të bllokimit” dhe izolimit të vendit. Ta zëmë se opozita është fajtore, që nëpërmjet mosvotimit të tre ligjeve, Shqipëria nuk mori statusin si vend kandidat. Por, me Europën nuk na ndan vetëm kjo, por na ndajnë shumë “mure” të tjerë, që Europa vazhdimisht i ka thënë, i ka përsëritur e stërpërsëritur. “Muri” i parë është ai, që kjo mazhorancë, e ky kryetar i kësaj mazhorance, nuk po gjejnë gjuhën e dialogut e të tolerancës me opozitën. Është ky “murator” që ka ndërtuar “murin” e gjuhës së ashpër, “murin” e urrejtjes deri në “palcë” për kundërshtarët politikë. Qysh në fjalorin rrugaçëror që përdor, prezantohet se çfarë “marke” është. Kundërshtarët politikë, ai i shikon si “armiq”, që kërkojnë t’i rrëmbejnë pushtetin dhe para kësaj, ai nuk njeh rrugë tjetër, përveç asaj të dhunës, deri edhe përdorimin e armëve të zjarrit!. Ky është “muri” i parë që ka ndërtuar ky “mjeshtër “murator”!

 

“Shigjetat” europiane për të “prishur” murin ndarës në klasën politike shqiptare, përsa i përket gjetjes së gjuhës së përbashkët, të gjitha bien në vesh të shurdhër. Gjatë qënies së tij në pushtet, ai ka ndërtuar një “mur” të pakapërcyeshëm ndarës, midis të majtës e të djathtës. Është ky njeri që nxit sherrnajat, që ka “betonuar” murin, midis “armiqve” dhe miqve të të njëjtit gjak. Është ky njeri, që mbasi “bashkoi” shqiptarët brenda vendit, tund kartën e nacionalizmit për t’i “bashkuar” ata kudo që jetojnë... Tund kartën e nacionalizmit, si i papuni që tund derën. Mbasi i ka vënë në vijë problemet brenda vendit, “shqetësohet” për ato jashtë kufijve. “Shqetësohet” për ngjarjet në Preshevë, e për heqjen e memorialit nga serbët. Mirë bën që shqetësohet, po kush? “Shqetësohet ky Kryeministër, që i ka “flakur” me kohë, ata që e shkruan me gjak e me penë historinë e këtij vendi. “Shqetësohet” ky që i ka flakur në “koshin e plehrave” monumentet e tyre, që nga ai i heronjve të Vigut në veri, e deri tek ata të vëllezërve Frashëri në jug. E quan veten Kryeministër vetëm të të djathtëve, kurse të majtët i quan “fundërrina që ndërtojnë mure bllokimi, e që do të përfundojnë në Lanë”! Kush janë “fundërrinat” sipas tij? Kush janë “kriminelët” që sipas tij kërkonin të përmbysnin pushtetin me dhunë? “Kriminelë” janë ata që ngrihen për të drejtat e tyre legjitime, për të drejtën për të jetuar si njerëz, për të jetuar jo në pasuri siç jetojnë “oborrtarët” e tij por për një minimum jetik. “Kriminelë” dhe “të droguar” sipas tij, janë shumica e popullit, që kërkojnë t’i marrin pushtetin këtij karagjozi politik. Ata që protestojnë për të drejtat e tyre ekonomike i quan “puçistë” e “aventurierë”, i quan “kriminelë”... Një njeri normal nuk shprehet, se “Opozita është në ditët e saj më të vështira”! Aq më mirë do të ishte, sikur të ishte kështu, që ky të përfitonte nga kjo, e të qëndronte në pushtet, por i paralajmëron ata që të marrin masa... I qan hallin opozitës ky “bamirës”, mbasi gjendjen në “gërmadhën” e tij e ka të “shkëlqyer”! I është errur arsyeja dhe flet përçart, duke i “qarë” hallin kundërshtarëve. Aq sa “i fortë” është për të ndërtuar mure bllokimi, po aq “i fortë” është edhe për të shkatërruar mure, kur ato kanë të bëjnë me interesat e pushtetit të tij...

 

Ka filluar të shkatërrojë këta mure, qysh nga ai i embargos që vendosi OKB-ja, për makinën luftarake serbe e deri në ditët e sotme... Një “mur” edhe më i fortë dhe i pakapërcyeshëm,që ky mjeshtër ka kohë që e ndërton, është ai i korrupsionit. E bëri lëmsh pasurinë e popullit, sikur të ishte pasuria e tij dhe me këtë ai kënaqi vetëm ata të oborrit të vet, duke lënë në mjerim shumicën e qytetarëve. Është ndërtuar një mur i pakapërcyeshëm, midis një pakice miliarderësh dhe shumicës së popullit që vuan për bukën e gojës, që vuajnë për një kasolle ku të futin kokën, që vuajnë për ujë, për drita e për rrugë. Një pakicë e vogël luajnë me paratë e qytetarëve, ndërtojnë vila e hotele dhe shumica mbushin listat e borxhlinjve nëpër dyqanet ushqimore. Dhe si hipokrit që është, propagandon se jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në Europë!

 

Një tjetër mur që ka projektuar dhe ngritur ky “mjeshtër”, është edhe ai i krimit të organizuar, që në shoqërinë tonë ka marrë të drejtën e “qytetarisë”. Është ky, që as që i zë në gojë, këta “mure bllokimi”, as që merr mundimin të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për përgjegjësinë që ai ka, që e ka katandisur popullin në këtë gjendje. Si hipokrit që është dhe që sytë i janë errur për pushtet, as vetë nuk e kupton se çfarë flet. “Ka një Shqipëri tjetër, thotë që është jashtë ekraneve e që nuk e njihni...”! Cila Shqipëri është more zotëri, ajo e shkollave pa dritare e pa xhama në mesin e dimrit, që ndërsa prindërit e dërgojnë fëmijën në shkollë për mësim, mësuesit i dërgojnë ata për dru në pyll? Juve, ju janë errur sytë për pushtet, por delni e shihni njëherë, me dhjetra e dhjetra shkolla, në fshatra e qytete, që nuk plotësojnë as kushtet minimale për mësim, që nuk kanë asnjë dallim nga ahuret e bagëtive! Me paturpësi, dilni e gënjeni sikur keni ndërtuar 1300 shkolla të reja!

 

Ekonomia e këtij vendi ka marrë tatëpjetën dhe po shkon drejt degradimit të plotë. I pëlqen Kryeministrit që të “zezës” t’i thotë “e bardhë”. Borxhi po kalon në shifra alarmante. Në bujqësi, po kthehen kënetat e dikurshme, si në fushën e Maliqit. Edhe rrugët, si ato që janë ndërtuar të reja, edhe ato të dikurshmet, janë kthyer në “origjinë”, në gropa! Edhe ajo pak industri që ishte, është kthyer në material për skrap, që po merr jetë njerëzish. Ethet e pushtetit, veçanërisht tani para zgjedhjeve e kanë shpërfytyruar tërësisht këtë aventurier, që ka ngritur mure bllokimi, jo vetëm brenda vendit, por edhe me ndërkombëtarët. Ky “murator” kërkon të vendosi një mur ndarës mes të djeshmes dhe të sotmes. Kërkon të errësojë gjithçka nga e kaluara dhe të mbivlerësojë kohën që kur ky “demon” ka ardhur në pushtet. Gjendja ekonomike, sidomos pas ardhjes së tij në pushtet në vitin 2005, kanë ardhur vetëm duke u përkeqësuar. Është i vetmi ky, që e bën këtë periudhë, si më të “lavdishmen”. “Në vitin 2004, thotë, se të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë, kurse sot ato janë 9000 dollarë për frymë”! Dhe më tej vazhdon: “Nga pesëqind mijë turistë në vitin 2004, kjo shifër arriti në 4.7 milionë vitin e kaluar”! Përveç shumë e shumë të tjerave, ky Kryeministër do të mbahet mënd që përveç të tjerave, ka bërë e dhe pulat për të qeshur...”! Të gjithëve na kujtohet, kur pak para zgjedhjeve të vitit 2009, dorëzoi kërkesën për vend kandidat në BE. Edhe vetë ky, ishte i bindur se ku do të përfundonte kjo kërkesë, por këtë e bëri për t’i “mbushur” mendjen qytetarëve që t’a votonin. Si “shpërblim” na solli një CEZ, që mbasi i rropi mirë shqiptarët, tani po përgatitet të na sjelli ndonjë “myteber” tjetër, vetëm e vetëm që t’i “bindi” votuesit, për një mandat të tretë! “Qimja” tre ligjet, që “pengojnë” integrimin e Shqipërisë në BE, nuk është asgjë përpara “gurit” të rëndë që ky i ka varur në qafë shqiptarëve, përpara mureve bllokuese, që ka ndërtuar ky “murator”, që shqiptarët janë më të vendosur se kurrë, për t’ja shkatërruar njëherë e mirë më 23 Qershor.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0