Ende në kohë për shmangur përplasjen
-Njëri ngre zërin ta dëgjojë Europa e tjetri gishtin ta shohë Amerika. Njëri në emër të Kosovës së vockël e tjetri në emër të Shqipërisë së Madhe. I pari si “patriot, i dyti si “nacionalist krenar”. Të dy në emër të “drejtës e dinjitetit shqiptar”. Pse bërtet prijësi i Kosovës? Që të trembë Europën apo që ta dëgjojë Amerika?
Xhovalin Delia/Piktor, Itali
-Njëri ngre zërin ta dëgjojë Evropa e tjetri gishtin ta shohë Amerika. Njëri në emër të Kosovës së vockël e tjetri në emër të Shqipërisë së Madhe. I pari si “patriot, i dyti si “nacionalist krenar”. Të dy në emër të “drejtës e dinjitetit shqiptar”. Pse bërtet prijësi i Kosovës? Që të trembë Evropën apo që ta dëgjojë Amerika? Po prijësi jonë pse mburret si nacionalist me gishtin përpjetë? Këto pyetje që të vinë vetiu kur dëgjon e shikon prijësit tanë Batman, dhe një bisedë e lirë e miqësore me një diplomat historian perëndimor,(për “huqet” e Ballkanit e “trimëritë” shqiptare), më bënë të reflektoj në këto pak rreshta.
Nuk më rezulton që ne shqiptarët të jemi shquar ndonjëherë për nacionalizëm e nuk di të kemi sot ndonjë motiv më shumë për të qenë të tillë. “Hallall” ca individëve, magari edhe një partie që “i qan shpirti për Shqipërinë e madhe” po prijësit tanë ç’zor i shtynë të ngrihen si patriotë e të krenohen si nacionalistë? Uroj të gaboj, por zëri “rebel”ndaj Evropës, e gishti ngritur ndaj Amerikës, më duken po aq “ patriot e nacionalistë” sa ç’ishte shekullin e kaluar, zëri e grushti përpjetë i “luanit komunist” shqiptar kundër Kremlinit revizionist. Nuk e dimë me ekzaktësi qëllimin e atëhershëm të “rebelit komunist”, por të gjithë jemi dëshmitar se “trimi më yll të kuq në ballë” u vetë shpall sulltan i Shqipërisë e shqiptarët u lëshuan plotësisht në duart e tij. Nuk besoj se barijtë tanë ëndërrojnë të bëhen Sulltanë, por çuditërisht jehona e imazhi i tyre projektojnë të njëjtin bulmet e të njëjtin stan.
Nisur nga ato çka shoh e dëgjoj, jam i detyruar të kujtoj kryedemokratin tonë se demokracia shqiptare e ka në krye të listës emrin e tij, por kjo nuk i jep kryedemokratit të drejtën për ta privatizuar Demokracinë e kurrsesi për ta përdhunuar Atë! Nuk jam kurioz të di nëse prijësi aktual di apo nuk e di kuptimin e fjalëve “demokraci” e “nacionalizëm” dhe as, sa demokrat e sa nacionalist ndjehet o shtiret ai. Nisur nga fakti se nacionalizmi e demokracia janë dy “substanca” krejt të ndryshme që nuk mund të bashkëjetojnë në një “enë”, prijësi jonë duhet të zgjedhë për çfarë duhet të krenohet: si demokrat apo si nacionalist?
Përndryshe, krenaria e tij e deklaruar publikisht nga foltorja e kuvendit na bën të besojmë pa pikën e dyshimit se ai është aq nacionalist sa çka qenë dje komunist e sa ç’është sot demokrat. Atëherë pse mburret ky burrë për atë ç’ka nuk është? Mbase është thjeshtë një maskë “Nastradin nacionaliste” për të fshehur makthin real të liderit Batman, tashmë rrethuar me tension nga brenda e vëzhgim të rreptë nga jashtë? Firma e tij është e para në listën e autorëve të krizës politike ekonomike që ka mbërthyer gjithë vendin. Të gjithë janë të vetëdijshëm për atë çka e pret Shqipërinë në stinët që vijnë. Të vetmit që shtiren o që nuk duan t’ia dinë janë politikanët e verbuar nga 23 Qershori. Revanshi propagandistik pervers elektoral që ka filluar është paralajmërimi për verën e nxehtë që na pret.
Madje, cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, polarizimi politik e krahinor, gjithnjë në rritje, paralajmëron për një vjeshtë akoma më të nxehtë e cila ka gjasa të shpërthejë në një konflikt të madh social-politik. Falë luftës tashmë të shpallur, cilido qoftë fituesi më 23 Qershor, zor se do të njihet nga humbësi. Rrezik më të madh paralajmëron humbja e mundshme e të djathtës. Kjo sepse në “dollapët” e pushtetarëve janë shtuar “skeletët”. Megjithatë, koha nuk është shumë e gjatë, por e mjaftueshme për ta ndryshuar rrjedhën e këtij vazhdimi të mbrapshtë.




del.icio.us
Digg

Post your comment