Shkëlqimi dhe rënia e… “Selam Alekym”!
Tani, ai mund të kandidojë i qetë dhe në rast se nuk fiton, Amerika atje është, nuk ikën. Ka edhe të tjerë, që thonë e Edi vjen në PD, që t’i japi asaj një frymëmarrje të re, që ta bëjë atë më “perëndimore.
Nga Pandeli Bardhi
Sa herë që vjen fushata zgjedhore, afrohet edhe Eduard Selami për të tatuar pulsin, nëse është momenti i përshtatshëm për t’u bërë pjesë e politikës shqiptare apo jo. Edhe herë të tjera ai ka ardhur nga larg, në prag fushatash, por nuk e ka parë të arsyeshme që të qëndrojë gjatë. Qëndrimi gjatë, i kësaj rradhe, është se ai shfrytëzoi rastin për të festuar 85 vjetorin e babait të tij, por ja që rastisi edhe fushata zgjedhore dhe pse të mos kandidojë, nëqoftëse Partia Demokratike, ja fron këtë mundësi!? Nuk është ashtu si thotë Edi se “Nuk është se në çdo fushatë që vjen, unë mezi pres të afrohem”.
Të jetë vallë kaq e thjeshtë ajo, që meqë i ra rruga, pse të mos bëjë një rrugë e dy punë, e të festojë dy gëzime në një ditë? Këtë radhë, Edi ishte më i qeshur dhe më entuziast. Atë e thirri ish bashkëpunëtori dhe shefi i tij i dikurshëm, që Edi vrapoi me “symbyllut”!. Atë e thirri ustai i vjetër për të ndrequr sadopak imazhin e partisë së tij, tashmë të degraduar. Dhe kur “sofra” është plot, të gjithë vrapojnë. Por, a do të jetë në gjendje Edi, ish “rrugaçi” i dikurshëm që nesër të mbajë mbi kurriz edhe “zullumet” e shumta të ish ustait të tij? Ajo që ka rëndësi, Edi në intervistën e tij u përpoq që të na mbushi mendjen, se Shqipëria, “ka bërë përparime të mëdha dhe i është afruar shumë perëndimit”. Ju deshën tetëmbëdhjetë vjet, që ai të kuptonte se “Shqipëria e ka përballuar me sukses krizën ekonomike me qeverinë Berisha, më mirë se me çdo qeveri tjetër”. dhe “PD-ja, ka dhënë kontributet më të mëdha, që e solli Shqipërinë në rrugën e progresit, në rrugën e perëndimit, në fillimet e saj, si forca që shembi komunizmin...”
Edit i ka mbetur “ora” në vitin ‘95-së dhe më tej, nuk di ose i di por kështu i ka thënë shefi i tij, që të thotë. Dhe nuk ka shumë faj për këtë. Edi, që e ka parë Shqipërinë me “syzet” amerikane, i duket, sikur Shqipëria nuk ka asnjë dallim nga Amerika! Nuk e kishte këtë mendim në kohën kur ishte kryetar i kësaj partie, për të cilën nuk mund të themi se nuk bëri përpjekje, që “Shqipëria të bëhej si Europa”. Nuk mund të themi gjithashtu, se nuk ishte i ekuilibruar dhe tolerant, por që ky qëndrim nuk i pëlqente shefit të tij “të çatallosur”. Më kot ky thotë se “ne ishim një grup rrugaçësh pa Berishën”! Edi nuk kishte natyrën e Berishës, që të merrte “nga dy sërë” dhe nuk kishin mosmarrëveshje vetëm për Kushtetutën që nuk u shtrua në Parlament, por shumë të tjera, që atë e detyruan që të largohet. Ata kishin mosmarrëveshje më të thella, por ja që puna e do që të bashkohen... Por... nejse, të shkuara të harruara! Nuk ka se si Edi të mos ja dijë për nder Partisë Demokratike, e cila për 18 vjet e ka mbajtur atë anëtar të këshillit Kombëtar. Për këtë, ai ka dhënë një kontribut “ta çmuar” duke qenë me mendje në Shqipëri e me trup në Amerikë! Por nuk është as i pari, e as i vetmi sepse njerëzit “e shquar” kurdoherë kanë dhënë këshilla, vetëm duke qëndruar sa më larg problemeve dhe halleve të popullit. Partia Demokratike, edhe pjesën tjetër të Këshillit Kombëtar, megjithëse kanë qenë brenda vendit, nuk janë mbledhur qysh kur ishte Edi sekretar i përgjithshëm dhe për këtë, Edi nuk ka faj kur thotë se “në mënyrën time, e kam ushtruar mirë këtë detyrë” dhe mund të themi se ai, këtë detyrë e ka kryer më mirë nga ata që kanë qenë këtu.
Jo vetëm në Partinë demokratike, që të gjitha strukturat e saj janë formale, por edhe të gjitha institucionet demokratike në Shqipëri janë formale. Mjafton të jetë “njëshi” dhe nuk ka nevojë, as për struktura e as për institucione! Pyetjes për vërejtjet dhe kritikat për PD-në, Edi nuk preferon t’i përgjigjet, sepse megjithëse “nuk e ka takuar” shefin e tij të dikurshëm, të paktën e di dhe e ka dëgjuar që atë e zë koka, kur është puna për të bërë autokritikë për gabimet dhe defektet e mazhorancës. Për atë, kur është puna për të meta e dobësi, ato i kanë të tjerët, i ka opozita. Vartësit, nuk ka se si të mos i ngjajnë eprorit. Ata duhet të flasin, vetëm me gjuhën e shefit. Edhe Edi që ka qenë 18 vjet i mërguar, ka dëgjuar vetëm “suksese”, vetëm “rritje të vrullshme ekonomike”! Përveç kësaj, Edi bën autokritikë për vehten e vet, që “acarimi i atëhershëm, (me Berishën) nuk ishte i nevojshëm. Ky atikomunizëm i ashpër, nuk ishte i drejtë. Mund të isha më i kujdesshëm”!
Tani që Edi, bën autokritikë të thellë, që është më i pjekur e që thellohet në problemet që do të përballojë, nuk ka se si ish shefi i tij të mos “mallëngjehet” e të mos e fali. Nuk është i pari Edi, që e “mallëngjen” shefin e tij me autokritikën që bën. Kështu, ai i ka falur edhe të tjerët, Imamin, dy Gencët e shumë të tjerë, me kusht që ata të mos guxojnë më të përsëritin gabimet e të kaluarës e t’i kundërvihen!... Tani Edi, një demokrat “perëndimor”, kritikon Edin e atëhershëm “çunak” dhe pa eksperiencë. I pyetur nga gazetari, se si do të bëjë, nëse nuk fiton kandidatura e tij, Edi i përgjigjet se do të vazhdojë jetën përsëri në Amerikë... Pra Edi nuk e sheh të arsyeshme që të luftojë këtu, pavarësisht nëse është apo jo në funksione partie apo shtetërore për arritjen e standardeve demokratike, por e quan të “tepërt” vetveten, përderisa ky vend ka “arritur” standardet më të mira të demokracive perëndimore. Vetëm duke qenë në funksione, mund të japi kontributin e tij Edi, përndryshe vazhdon atje ku është, përderisa ai “asnjëherë, nuk është larguar mendërisht nga Shqipëria”. Edi, edhe vetë e thotë se “u largua nga Shqipëria, për një program për një vit e gjysmë dhe duhej të kthehej në Shqipëri, por ndodhën ngjarjet e vitit ‘97-të. Ishte një pasiguri e skajshme. Familja ime nuk ishte e sigurtë. Ndaj u mor një vendim me miqtë e mi”. E si të vinte njeri, të jepte kontributin e tij në ditët më të errëta që kalonte populli i tij? Po sikur t’i rrezikohej jeta, pastaj çdo të mbetej? Kurrë nuk mund të ndodhte që të vinte në Shqipëri, ish Kryetari i Partisë, e të shihte shtetin se ku e çoi partia që ai themeloi... Ato ditë të zeza, Edi i shihte nga larg dhe bëhej “gjysmë njeriu” tek shihte që nga Amerika, që vendi i tij shkrumbohej e vëllezërit e motrat vriteshin rrugëve! Kështu i “pikonte” zëmra edhe Kadaresë, tek i shihte ato ngjarje nga Parisi dhe që “nuk e lejonin” të vinte në vendin e vet. Ishin shumë herë më të rëndësishme, ato që Edi mësoi në Amerikë, se “Amerika është kjo që është, për raportin që të jep në raport me shtetin e me qytetarët”. A mund të krahasohen këto “mësime” me kontributet, që ai mund të jepte që edhe Shqipëria të bëhej si Amerika?! Tani që “Shqipëria ka bërë progres, që është një shoqëri e hapur, që është në NATO dhe në KiE, dhe që ka ikur koha e zymtësisë”.
Edi është i sigurt të qëndrojë në Shqipëri pa patur frikë. Tani, ai mund të kandidojë i qetë dhe në rast se nuk fiton, Amerika atje është, nuk ikën. Ka edhe të tjerë, që thonë e Edi vjen në PD, që t’i japi asaj një frymëmarrje të re, që ta bëjë atë më “perëndimore. Edhe kjo mund të jetë, përderisa Edi po e sheh se ustait të tij të parë, po i bien edhe “potkonjtë” por edhe “dhëmbët”... Duke parë që PD-ja ka marrë tatëpjetën, Edi mendon se do t’i japi asaj një dimension të ri. Por edhe shumë nuk qëndron ky version, sepse në të kundërt do të ofendoheshin ata që janë më të “thekur” dhe që ja dinë më mirë “huqet” ustait të tyre, siç janë Basha, Jozefina, Ridvani... Vështirë është që të jenë dakord me këtë “perëndimor” vendasit, të cilët janë jo më pak të zgjuar se ai! Vështirë është të jetë dakord patrioti i tij, për t’i zënë vendin një njeri që vjen nga Amerika e na “shet mënd, sikur ka zënë qiellin me dorë”! Tafti bafti është kjo punë Edi. Po zuri, zuri, në të kundërt, bëj si di vetë, ti për lekë nuk ke nevojë... Edhe vetë e thua me gojën tënde, kur gazetari të pyet, se “a je i pasur, apo jo”, ju i përgjigjeni: “Ne amerikanët, nuk kemi qejf t’i diskutojmë këto gjëra...”! Nuk na mbetet gjë tjetër Edi, përveç asaj që të të themi “Selam Alekym”, o “amerikan” në Shqipëri.




del.icio.us
Digg

Post your comment