Zotni kryeopozitar, rrëfehu para të dëshpëruarve ëndërrimtarë!
Megjithatë sforcohem të besoj se qëllimi i tij i largët është i mirë. Ajo ç’ka nuk më bind, janë mjetet “e këqija” që kryeopozitari ka përdor. Ajo që vë në dyshim është rrezja e këtij qëllimi virtual “të mirë”? Deri kur e deri ku mbërrin? Deri me 23 Qershor, brendashkruar partisë, unazës së ambicieve të tij, apo përtej farsave elektorale në dobi të Shqipërisë?
Nga Xhovalin Delia
Pse nuk i votoni tre ligjet që na kërkon Evropa? Që në Shqipëri “mungojnë, jo vetëm tre pushtete”, tashmë e dinë majtas e djathtas, diplomatë e ndërkombëtarë. Është e kuptueshme gjithashtu se duke votuar këto tre ligje sot, nesër gdhihemi evropianë, por mosvotimi i tyre është një fakt më shumë në dëm “të të pabindurve ballkaniko-shqiptarë” (siç na konsiderojnë evropianët qytetarë). Na e thuaj ti o kryetar, nëse rruga që ke zgjedhur ti, është e mbrapshtë apo e mbarë? Sido që të jetë, nuk besoj se tre ligjet e pavotuara do të mund të zëvendësojnë tre pushtetet e munguara. Ajo që dimë sot me siguri, është fakti se opozita nuk i ka votuar 3 ligjet “e kërkuara nga Evropa”. Për këtë “faj të rëndë”, pozita ka shpallur zyrtarisht “fajtor” kryeopozitarin. Dëmi është bërë, por ende nuk ka mbaruar. Nëse është vërtetë kështu, dëmtuesi do ndaluar e ndëshkuar, as më pak e as më shumë sesa dëmi që ka shkaktuar.
Nuk kam pikën e dyshimit se brenda kryeopozitarit “të vrazhdë, kabah e prepotent” gjendet një qytetar i ndjeshëm, shpirtërisht e mendërisht evropian. Ngurrimi “teknik – tekanjoz - taktik” i çetës së tij në kuvend, jo rrallë ma ka lëkundur këtë besim. Megjithatë sforcohem të besoj se qëllimi i tij i largët është i mirë. Ajo ç’ka nuk më bind, janë mjetet “e këqija” që kryeopozitari ka përdor. Ajo që vë në dyshim është rrezja e këtij qëllimi virtual “të mirë”? Deri kur e deri ku mbërrin? Deri me 23 Qershor, brendashkruar partisë, unazës së ambicieve të tij, apo përtej farsave elektorale në dobi të Shqipërisë?
Paradoksi shqiptar është se dy polet politike kanë në krye dy burra, të cilët po ti zhveshim nga politika e funksionet shtetërore, mbeten dy burra shumë të mirë, të mençur e intelektual të nivelit më të lartë shqiptar, (natyrisht, me një diferencë të ndjeshme nga niveli i intelektualit ndërkombëtar), por do të thoja me instrumentët e mjaftueshëm për të bërë një politikë modeste e një qeverisje të mbarë në Shqipëri. Çuditërisht, bash “më të mirët e parisë”, sapo veshin petkun politik, degradojnë në “më të këqinjtë” e shoqërisë. Të njëjtin njeri, kultura e vesh bukur dhe e prezanton “të kulluar”, ndërsa politika e zhvesh lakuriq e paraqet “të pisët"! Para një “fenomeni” të tillë shtrohet pyetja: është potenca e pamjaftueshme intelektuale shpirtërore e këtyre politikanëve që nuk qëndrojnë dot lart, apo pesha e rëndë e politikës që i tërheq ata poshtë? Në fakt, një arsye duhet ta kenë intelektualët e racës që refuzojnë “të zbresin” në politikë! Kjo nuk do të thotë se politika është “e rangut të ulët”, përkundrazi, mendoj se është nobile, kur atë e ushtrojnë njerëz fisnikë.
Në teori, një njeri i instruktuar, në kontakt me artin, kulturën, familjen, integruar në shoqëri , madje lider politik i një mase të madhe, i bie që energjia e tij si qenie shoqërore e pjesëz e universit, të ketë prekur nivelin superior racional, shpirtëror e mendor. Në praktikë jo gjithmonë ndodh kështu. Shpesh ky stad zhvillohet në nivel instrumental e përdoret si “një armë më shumë”, në luftën për ekzistuar e dominuar. Për pasojë, subjekti me këtë stad, në vend që ti nënshtrohet dritës së arsyes, erret para tundimeve dhe pasioneve. Arsyeja, që është edhe dashuria për të vërtetën e drejtësinë, në subjektin politik, nuk arrin të ndriçohet plotësisht. Madje reduktohet në një shërbëtore në dispozicion të arbitrit “vullnet” në favor të një force meskine në gjendje për të zhvilluar një dialektikë “triumfuese” në debate e konflikte politike për të “fituar”. Për rrjedhojë, “kultura” reduktohet në një erudicion e prestigj funksional në raport me të tjerët, deri në estetizëm në vetvete, duke humbur kështu funksionin e saj si nevojë intime e shpirtit dhe e mendjes, në shërbim të jetës së subjektit, dhe kur ai është në funksion publik, mbi të gjitha në shërbim të tjerëve.
Nga shoqëria jonë, as nga politika në përgjithësi e as nga kryeopozitari në veçanti, nuk pres “mrekullira” kulturore e as politikë. Nga politikanët e ditur e bujarë aktualë pretendoj pak, jo mend sa për të lidhur ushkurin e brekëve e tjetrën fat, por akoma më pak, pakëz urtësi e një çikë vullnet për të zbatuar atë çka për të mirën tonë kërkohet dhe, rezistencë deri në vetësakrifikim ndaj të keqes, që shqiptarët e Shqipërinë kërcënon!
Nisur nga konsiderata pozitive për kryeopozitarin, tashmë i pjekur e me eksperiencë në politikë, në ngurrimin e gjatë para pragut evropian, jam përpjekur të gjej një motiv politik o kombëtar të arsyeshëm e të qëndrueshëm. Këtë pozitivizëm dëshiror, për të katërtën herë, (kam parasysh, ndryshimin famëkeq kushtetuese PS -PD, kandidimit për të IV –ën herë për kryebashkiak, papërgjegjshmëria e tij politike me 21 janar), kandidati i radhës për kryeministër ma shkërmoqi me një cicërimë në tëiter: “Tre ligjet do ti votojmë po të dëgjohet zëri i jonë”. Po për çfarë “zëri” bëhet fjalë dhe sa vlen ky “zë”mor bilbilgjyzar?
Megjithë respektin për këtë pjestar të familjes tonë e kryetar të asaj socialiste, sado i rëndësishëm e me vlerë do të ishte “zëri i partisë” e “cicërima” e bilbilit të saj, nuk besoj se janë të barasvlefshëm me zërin e popullit, me ëndrrën e gjithë Shqipërisë në të cilën bën pjesë ai e partia e tij.Nuk kam asnjë instrument për të konfirmuar nëse kryeopozitari, me apo pa të drejtë kërkon të vërë në vend të drejtën e humbur apo “të vjedhur”, por kur ai publikisht refuzon fletëhyrjen për në Evropë, me o pa dashje ka përmbushur një padrejtësi tjetër, më të madhe akoma, po në kurriz të Shqipërisë.
Zotni kryetaropozitar: bojkoti i gjatë sa legjislatura e vonesa për në Evropë, nuk penalizojnë pozitën e as kryetarin e saj. Përkundrazi, këshilltari më i zoti i polit kundërshtar, këto që ke bërë ti, që kur je bëre kryetar, do të kishte rekomanduar si këshillë të parë.
Të dallosh të mirë nga e liga nuk është e thjeshtë, sidomos kur je rrethuar me servilë mediokër, por jo edhe aq e vështirë po të rrish me njerëz të mençur e t’iu dëgjosh këshillën e mirë. Edhe kjo është “e drejta” jote zotni kryetar, por detyra që i ke dalë për zot është një tjetër e nuk të fal. Ka një limit për gabimet, (si kodi PIN në celular), edhe kur ato bëhen për një qëllim të mirë. E drejta dhe e vërteta kanë kohën e rrugën e tyre. Nuk mund të lypen vend e pa vend, kurdo, kujtdo e as me çdo çmim e as me pahir, pasi e humbasin vlerën, madje kthehet në padrejtësi e gënjeshtra, të cilat, ndonëse të modës në politikë, dhe “tendencë” në fushata elektorale, në një vend civil normal demokratik, dënohen me votën e lirë. Në Shqipëri çdo gjë e hiçgjë bën vaki (?!?)




del.icio.us
Digg

Post your comment