Home | Opinion | Për një shekull të sinqeritetit dhe të solidaritetit

Për një shekull të sinqeritetit dhe të solidaritetit

image
Në historinë e shqiptarëve më shumë vend zënë heronjtë e çastit sesa vizionarët dhe iluministët. Vitet në vijim duhet të sjellin një ndryshim të këtij modeli

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

1.

 

Kush lufton për të vërtetën, përherë ka qenë dhe do të jetë i vetmuar. Vetmia është fati i tij, rrugëtimi drejt të vërtetës caku i tij i vetëm. Nëpër këtë përvojë kanë kaluar shumë iluministë në shtetet evropiane, ato shtete që sot admirohen nga shqiptarët në Ballkan. Dhe secili shtet, secila shoqëri ka kaluar nëpër një përvojë të dhimbshme derisa janë krijuar kushtet për garë të barabartë politike brenda kornizës së demokracisë përfaqësuese. Lajtmotiv (edhe kjo një fjalë gjermane: Leitmotiv) ka qenë beteja e madhe për të vërtetën. Në kulmin e periudhës së iluminizmit publicisti dhe dramaturgu gjerman Gotthold Ephraim Lessing (1729-1781) ka shkruar definicionin mbase më madhështor për të vërtetën: “Jo e vërteta, të cilën e zotëron një filan njeri ose mendon se e zotëron, por përpjekja e sinqertë që ai ka bërë për të depërtuar te e vërteta e përbën vlerën e njeriut. Sepse jo përmes zotërimit, por përmes hulumtimit të së vërtetës zgjerohen fuqitë e njeriut, prej të cilave përbëhet përsosmëria e tij në rritje. Zotërimi të bën të qetë, të plogët, krenar. Sikur Zoti në dorën e tij të djathtë të mbante të mbyllur të vërtetën e plotë dhe në të majtën instinktin ende të gjallë për të kërkuar të vërtetën dhe me gjithë rrezikun që unë mund të gaboj përherë dhe përjetësisht dhe sikur Zoti të më thoshte: zgjidh! Do të përulesha në shenjë nderimi para dorës së tij të majtë dhe do të thosha: Ati Ynë, jepma mundësinë për të kërkuar të vërtetën! E vërteta e plotë është vetëm për ty!”

 

2.

 

Mbi dy shekuj kanë kaluar prejse janë thënë e shkruar këto fjalë. Sot, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ky mendim i Lessingut duhet të jetë burim inspirimi për çdo shqiptar në Ballkan e diasporë. Në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria feston ekzistencën e saj, por jo edhe të arritura të tjera të veçanta. Vetë ekzistenca nuk është ndonjë e arritur për t’u shënuar me shkronja të arta në librat e historisë. Ekzistenca e Shqipërisë fillon në rrëmujë, ku s’e di qeni të zotin – dhe këtë e ka ilustruar mjaft mirë Ismail Kadare në romanin “Viti i mbrapshtë”. Vazhdon me betejën e ashpër mes kampeve politike: nga njëra anë përfaqësuesit e bejlerëve (kryeministrat Sulejman Bej Delvina, Ilaz Bej Vrioni, Shefqet Bej Vërlaci, i cili vdiq në Zürich më 1946]), në anën tjetër: masa e bujqve, e cila simpatizonte Peshkopin Fan Noli. I kthyer nga Amerika kapitaliste, Noli propagandonte ide socialiste në një vend që s’kishte klasë të mirëfilltë punëtore. Për shkak të simpative të tij për socializmin e tipit sovjetik, ai ngjalli shqetësime në Perëndim. Një kohë i afërt me Nolin ishte edhe Mbreti i mëvonshëm Ahmet Zogu, por ai ndërkohë u afrua me Shefqet Bej Vërlacin, pasi u fejua me vajzën e tij Fatimen, e cila, sipas disa burimeve, atëbotë ishte vetëm 15-vjeçare. Këtë fejesë Zogu e prishi shpejt, ëndërr e tij ishte të merrte për grua një italiane nga shtresa fisnike. Kjo ëndërr s’iu plotësua, u martua me një hungareze. I njohur në Evropë si sinonim i despotit oriental, i cili tymoste deri në 240 cigare në ditë dhe imitonte kultin e personit ngjashëm si diktatori italian Benito Mussolini, Zogu zor se mund të shërbejë si model për të ardhmen e shqiptarëve – me gjithë përpjekjet e fundit groteske në Tiranë për ta himnizuar. Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1939, Zogu brodhi andej-këndej dhe jo aq rastësisht në vitin 1946 iku në Egjipt, ku sundonte Mbreti Faruk, i cili kishte origjinë shqiptare. Zogun dhe Farukun i lidhte mendësia orientale dhe mujshare e sundimit dhe stilit të jetës. Publicisti amerikan Michael Stern në biografinë që ka shkruar për Mbretin Faruk nënvizon se kur ai i afrohej ndonjë qyteti a fshati, vetura e tij kuiste si një qen i shkelur; në mëngjes i hante nga 12 vezë përnjëherë; kur luante bixhoz, së pari i hidhte në tavolinë 25 mijë dollarë, ishte i pangopshëm në ushqim dhe në femra (sipas vlerësimit të autorit amerikan Stern, gjatë jetës së tij të shkurtër - jetoi vetëm 45 vjet - Faruku pati rreth pesë mijë femra). Zogu, ndërkaq, në Egjipt shpërndante pasaporta të Mbretërisë shqiptare për pjesëtarë të familjeve mbretërore evropiane, që për arsye të ndryshme kishin mbetur pa dokumente.

 

3.

 

Siç shihet prej politikanëve drejtues të Shqipërisë të periudhës mes dy luftërave botërore, pothuaj asnjëri nuk është i përshtatshëm për të qenë model për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ata mund të kenë bërë ndonjë vepër të mirë të çastit, por nuk kanë pasur as program, as vullnet politik, as vizion për të modernizuar vendin dhe shoqërinë. Edhe Mbreti Zog lejoi aq modernizim sa të mos i rrezikohej pushteti. Sot si meritë përmenden disa ura e rrugë që ka shtruar, por pothuaj askush s’flet për dështimet dhe krimet e tij. Shqiptarët nuk kanë pasur dorë të mbarë me udhëheqësit e tyre. Prej Zogut, të cilin Noli e kishte tallur si hallvaxhi, Shqipëria ra në duart gjakatare të Enver Hoxhës, i cili u përpoq të shartonte shqiptarin e ri, të zhveshur nga dinjiteti personal dhe mendimi kritik. Rezultatin e shohim në këta 20 vjetët e fundit: shqiptarit të zakonshëm s’i ha palla për shtetin, madje është në gjendje të manipulohet keq (shih sistemin piramidal që u shemb më 1997) dhe pastaj t’ua vërë flakën institucioneve dhe t’i linçojë publikisht përfaqësuesit e burokracisë. Shteti respektohet vetëm nëse prej tij përfitohet diçka; fundja pse të mendohet ndryshe, kur klasa politike për çdo ditë e demonstron mendësinë grabitqare. A ka sot një shqiptar që me ndërgjegje të qetë mund të thotë se Sali Berisha, Fatos Nano apo Ilir Meta janë politikanë demokratë me duar të pastra? T’i lëmë anash militantët, ata që s’mund apo s’duan të veprojnë e mendojnë si individë, por vetëm në kuadër të kopesë. E vërteta është: qe 20 vjet Shqipëria s’organizon zgjedhje të lira, qe 20 vjet në mediumet e Tiranës më shumë qarkullojnë emrat e kriminelëve të lidhur me politikën sesa, ta zëmë, të shkrimtarëve, artistëve, ekonomistëve, fabrikantëve, humanistëve, disidentëve të vërtetë, qe 20 vjet flitet për integrimin në Evropë, por përtej llafeve nuk ka vepra. Sa i përket Enver Hoxhës, duhet nënvizuar se ai jo vetëm që eliminoi pothuaj secilin bashkëpunëtor të afërt dhe ndërtoi një sistem për konsolidimin e kultit të tij, por ndikoi që edhe figura e Skënderbeut të montohet në kuadër të propagandës komuniste. Pasi e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë më 1967, Enver Hoxha dhe regjimi i tij një vit më vonë, më 1968, në 500-vjetorin e vdekjes, e prezantuan Skënderbeun me shumë bujë si afetar dhe udhëheqës të masave popullore që u bënte ballë armiqve, të cilët e kishin rrethuar Shqipërinë mesjetare – tamam sikur Shqipërinë e Enver Hoxhës. Kështu krijohej përshtypja se Skënderbeu po ashtu do të kishte ndërtuar bunkerë sikur në atë kohë të kishte pasur beton. Historiani dhe albanologu i njohur italian Giuseppe Valentini, e kishte quajtur interpretimin e figurës së Skënderbeut nga komunizmi “një koncept nacionalist... me tipare raciste”.

 

4.

 

Nga historia e shtetësisë njëqindvjeçare shqiptarët duhet të mësojnë. Jo vetëm ata në Shqipëri, por edhe në Kosovë e gjetiu. Nuk duhet të lejohet më që model të jenë heronjtë e çastit, por vizionarët, ata që me shembullin personal synojnë iluminizimin e shoqërisë, evropianizimin e saj, shëndoshjen e saj nga e kaluara e tmerrshme. Edhe në kremtimet aktuale për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë krimet dhe korrupsioni stolisen me trofetë e pafajësisë dhe patriotizmit të shpifur. Si është e mundur që në mesin e 48 personaliteteve që këto ditë i nderoi Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë të jetë vetëm një femër (Inva Mula), por jo Musine Kokalari, socialdemokratja e parë shqiptare e kalibrit evropian, shkrimtarja dhe intelektualja e arsimuar në Itali dhe pas Luftës së Dytë Botërore e vrarë dalëngadalë nga regjimi i Enver Hoxhës? U injoruan edhe shumë femra të tjera që e mbajtën shoqërinë shqiptare mbi supet e tyre në këta 100 vjetët e fundit. Si është e mundur që nuk u nderua as Nexhmije Pagarusha, një zë i paharrueshëm i kulturës muzikore shqiptare? Apo Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Fehmi Agani. Po Esad Mekuli e Anton Pashku? Kështu klasat politike shqiptare bëjnë politikë ditore dhe kështu jubiletë përdorën për interesa meskine.

 

5.

 

Përballë kësaj tabloje të mërzitshme mbërrijmë te pyetja: pse ende politikanët shqiptarë vendimet e tyre i marrin vetëm duke i pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme? A ka diçka më shumë që na bashkon? Për shembull ndonjë ideal. Ndonjë vlerë. Ndonjë synim i përbashkët. Po, politika na qenkësh një biznes i fëlliqur, madje e tillë është edhe në “Avrupa”, por a duhet të jetë aq e fëlliqur si në viset tona, saqë vjedhja e pasurisë publike dhe shtrembërimi i historisë të bëhen rregull, madje model orientimi, i cili mbyt çdo fije ndershmërie dhe stimulon atë mentalitetin e poshtër, sipas të cilit duhet të jesh i mirë ndaj të gjithëve, por i sinqertë me askënd. 

 

28 Nëntori i vitit 2012 do të duhej të ishte një datë që do të shërbente si fillim i shekullit të sinqeritetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve. Vetëm atëherë shqiptarët kanë shans ta zënë trenin drejt civilizimit të mirëfilltë. Këtë synim duhet ta propagandojmë me dashamirësi e vendosmëri sidomos në vitet në vijim, sepse çfarë vlente në fillim të këtij teksti, vlen tash e përgjithmonë: kush lufton për të vërtetën, përherë ka qenë dhe do të jetë i vetmuar. Por, ky fakt nuk është arsye për dëshpërim. Paraardhësit e shqiptarëve të tanishëm kanë qenë në situata më të pashpresa.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00