Home | Opinion | "La Vita è Bella"

"La Vita è Bella"

image Photo: Bardhok Ndoji
Derisa të mos ndodhë kjo, shqiptarët në të dyja anët e kufirit do të vazhdojnë të kremtojnë jubile me shumë zhurmë, zbulime lapidarësh e përmendoresh dhe me shtirjen se jetë më të mirë nuk ka... Sikur bënte Roberto Benigni në filmin e tij “La Vita e Bella”. 
“Jeta është bukur”. Varet për kë. 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

Nuk e di a e keni pasur edhe ju përshtypjen e njëjtë, thuajse java që e lamë pas të ishte e fundit për këtë vit: disi të gjithë ishin krejt në pritje që të vijë dita. Të gjithë (pos hajnave) e kanë lëshuar në ler, krejt qytetet janë mbushur me flamuj e zbukurime; pjesa dërrmuese e administratës publike ka shpresuar se do të pushonte madje pesë ditë për këtë festë (si për Vitin e Ri, kur mblidhen ditët para dhe pas 31-shit)... duket thuajse kush nuk po mërzitet për asgjë, pos për fishekzjarrët e asaj dite e nate dhe eventualisht për koncertin e zhurmshëm që do të mbahet në rrugën kryesore të Prishtinës që përnjëherë është shndërruar në tri sheshe.

 

Shikuar realisht – njerëzit nuk kanë pse të mos gëzohen. Javën që vjen do të bëhet një shekull nga shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptar – atij shteti që nuk mundi, apo edhe nuk diti t’i bashkonte të gjithë shqiptarët në një vend. Por edhe të atij shteti që dëshmoi të jetë tepër i qëndrueshëm dhe se i rezistoi vetëshkatërrimit disa herë gjatë historisë. E edhe të atij shteti që e ka potencialin për t’u bërë i fortë dhe stabil – me kusht që ta eliminojë kastën e korruptuar në pushtet dhe atë që e synon pushtetin.

 

Natyrisht, kjo e fundit është shumë më e lehtë të thuhet sesa të realizohet dhe në këtë drejtim, ndërmjet shtetit që bëhet njëshekullor dhe shtetit që do ta mbushë një gjysmë dekade, nuk ka kurrfarë dallimi. Sepse prej kësaj që kemi parë prej vitesh dhe që po e shohim për çdo ditë, njësoj po vidheshka si në toskërisht ashtu edhe në gegnisht.  

 

Sido që të jetë – për brezin tonë kjo do të jetë e vetmja ditëlindje e 100-të e shtetit që do ta përjetojmë. Dhe do të ishte mirë që ta festojmë me dinjitet e me masë... edhe pse pas gjithë atyre përmendoreve që u përuruan, pas gjithë përdorimit grotesk që iu bë edhe flamurit (e keni parë një reklamë të pashije për humbje peshe, ku tulat përcillen me valimin ritmik të flamurit kuqezi) dhe himnit të flamurit (kënduar para audiencës së çmuar bagëtish), më duket se tashmë kemi marrë supermbidozë të 28-shit, sikurse u bën vaki shumicës së konsumuesve të bakllavasë për Bajram.

 

Dhe ani që krejt çka flitet këto ditë lidhet për flamurin kuqezi, megjithatë ai nuk po është aq i madh sa për t’i mbuluar marret e vjedhjeve dhe dallavereve që po ndodhin në Kosovë. Seriali i Natali Velijajt ka hyrë në fazën e përpunimit të episodeve të reja dhe të komunikimit ekskluziv nëpërmjet zëdhënësit të saj, përkatësisht avokatit të saj, i cili vazhdon ta akuzojë prokurorinë se nuk do që të kuptojë se ku në të vërtetë shkuan paratë, duke refuzuar t’ia pranojë klientes së tij statusin e dëshmitares bashkëpunuese. Prokurori i shtetit thotë se e dyshuara nuk i plotëson kushtet ligjore për një status të këtillë, përderisa avokati shkon edhe një hap më larg dhe në emër të saj deklaron publikisht se “ministri i Brendshëm nuk ka pasur ide për transaksionet që kishin ndodhur”... hëëëmmm, ka diçka edhe më shumë të turbullt në këtë muhabet seç kishte javën e shkuar: pse e veçon tash avokati Ministrin?

 

Mbase avokati do të duhej të heshtte dhe të mos deklaronte asgjë përderisa hetimet po zhvillohen, sepse do të mund të kuptoheshin edhe si obstruksion apo lajthitje e qëllimshme. Duke mos ditur se çfarë është duke e këshilluar klienten e tij, mbase do të duhej treguar asaj se është në interes të të gjithëve që provat të ruhen e besa edhe të dorëzohen, ashtu që të sqarohet çështja e ryshfetit në Ministrinë e Brendshme – pavarësisht se kush është i përzier në këtë aferë. Për shkak se ai e di më mirë se ne që nuk merremi me gjyqësi, se bashkëpunimi i kësaj natyre mund të merret si rrethanë lehtësuese në procedurë për të akuzuarën. Ani që kësaj të fundit i shtohet tashmë edhe dyshimi tjetër se nuk e ka paguar doganën për pasaportat e importuara nga Austria dhe se ato i ka paraqitur si fletushka, për të cilat e paskësh paguar TVSH-në... Nëse krejt këto hajni, dallavere e mashtrime qenkan bërë në këtë rast të vetëm nga vetë kjo—s’mbetet tjetër pos për t’i thënë “qenke shumë e aftë”, dhe për ta pyetur “...ku i mësove gjithë këto ‘muçka’?”

 

Po ku mbeti dhe çka bën ai, i cili do të duhej të jepte dorëheqjen si akt moral, për të gjitha skandalet që ndodhin në dikasterin tij? Ministri Rexhepi vazhdon të mbrohet duke thënë se po e lufton korrupsionin nga kolltuku i ministrit, përderisa gjatë javës u detyrua të dilte në Mitrovicë nga e nisi ROSU-n edhe një herë, dhe ku ROSU-ja sërish u kthye prapa nga KFOR-i pa kryer punë. Shkak kësaj radhe ishte ndërprerja e punës në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në “Kroin e Vitakut”, të cilën e kishin iniciuar zyrtarët UNMIK-ut të përkrahur nga serbë të armatosur në tesha civile. Doli krejt hëz, u bërtiti i hidhëruar gazetarëve, e bëri një xhiro andej nga mëhalla e tij dhe u kthye në Prishtinë, së bashku me shefin e Policisë, Maxhunin. Duke na lënë të kuptojmë se kjo Qeveri nuk ka as fuqi e as ndërmend s’e ka ta marrë nën kontroll situatën në veri – dhe se nuk do ta ketë përderisa do të jetë në proces të bisedimeve politike me Serbinë. Po në ato bisedime politike të cilat kryeministri i kishte mohuar në intervistë REL-it para ca muajsh: “Diçka e tillë nuk është në tavolinat e kryeqyteteve tona, as në Prishtinë, as në vendet e BE-së, as në SHBA, por gjithë bota e mbështet ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë dhe ndonjë marrëveshje të përbashkët për njohje reciproke”.

 

Lëre që është në tavolinë dhe mbi tavolinë, por është larg, shumë larg arritjes së pretendimit të tij se Serbia do të na e njohë shtetësinë shpejt duke iu falënderuar takimeve që po i ka me kryeministrin serb, e posaçërisht duke iu falënderuar lojës së tenisit që e luan me Daçiqin duke i kthyer përgjigje njëri-tjetrit, posa po përfundon seanca te baronesha Ashton. Vërtet njeriu duhet të jetë shumë i verbër për të mos parë se Serbia po luan hajgare me të gjithë dhe Daçiqi po e shfrytëzon secilin rast për ta thumbuar Thaçin me cinizmin që aq shumë e karakterizon në deklaratat publike. Ndoshta emërimi i Blerim Shalës për koordinator të bisedimeve (nuk po e dimë kë do ta koordinojë, meqë nuk dihet qartë as përshkrimi i detyrave të tij) do t’ia shpëtojë lëkurën... duket se tash e ka gjetur zëvendësimin për Edita Tahirin në procesin negociator.

 

Por t’i kthehemi situatës nga paragrafi pak më lart. Kur e analizon pak më ndryshe, ndalesh e thua - po si do ta kontrollojë kjo Qeveri situatën në veri, kur një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë zyrtarët politikë në mikrokozmoset e tyre – kur hajnia u ndodh para hundëve dhe askush nuk e sheh. Apo, nuk do që ta shohë. Si ta kontrollojnë situatën në veri kur pjesa më e madhe e kontrabandës ndodh mu atje dhe kur dihet fort mirë se ajo kontrabandë depërton edhe në jug dhe jo pikërisht për shkak të aktivitetit të serbëve, por për punën e zellshme të ortakëve të tyre shqiptarë. Si të presësh kontroll e rend në këtë shtet, kur Kuvendit nuk i bëhet vonë ta shqyrtojë situatën në veri – duke thënë se “... nuk bën të nxitojmë ta marrin ndonjë vendim që mund të ketë pasoja për vendin, madje edhe për rajonin”, thuajse ky Kuvend veçohet për nga respektimi i vendimeve të veta. Vetëm ndaluni e kujtoni sa prej vendimeve dhe rezolutave të veta ky Kuvend nuk i ka zbatuar ose për shkak se “deputetët nuk kanë ditur çfarë po votojnë”, ose pse “i kanë anuluar vendimet e veta” ose thjesht pse ashtu iu është tekur. Pra, edhe po të merrej ndonjë vendim, ky Kuvend nuk garanton se do ta zbatojë.

 

Është mjaft alarmuese që Kuvendi nuk do të dijë që UNMIK-u, prezencën e të cilit ia garanton Rezoluta 1244, të cilën e ka vulosur edhe më shumë fusnota editiane, e cila assesi të shkrihet, ende përzihet në vendimmarrje të nivelit lokal, e drejtë të cilën e sanksionon Kushtetuta si të drejtë sovrane të qytetarëve dhe përfaqësuesve të vet të zgjedhur, apo se edhe nuk do të dijë asgjë për defilimin skandaloz të “Mbrojtjes Civile” së uniformuar në qytetin e Mitrovicës. Përderisa e dyta nuk e ka “merituar” asnjë deklaratë të vetme nga Qeveria (ah, pos përgjigjes së ministrit të Brendshëm, i cili gazetarit tonë iu përgjigj me një “më keni lodhë, e bafshi ditën e mirë”), përzierja e UNMIK-ut nxiti një reagim të plogësht të kryeministrit në mbledhjen e Qeverisë të nesërmen pas ndërhyrjes – në stilin “do ta shohë UNMIK-u”. Por nuk po dimë se çfarë do të shohë.

 

Javën e ardhshme do të na e përurojnë shtegun e autostradës deri në Gjurgjicë (a Gjergjicë, si të doni); gati e gjithë Kosova do të shkojë në Vlorë e Tiranë; politikanët tanë do të vazhdojnë të krenohen me arritjet e mëdha, me progresin, me vizionin dhe ardhmërinë euroatlantike. Ndërkohë shumica do të vazhdojë të mendojë mos ndoshta 100-vjetorin e Shqipërisë shtet do të duhej ta kishim festuar në një situatë më të mirë ekonomike dhe në një copë shteti që ofron perspektivë për brezin e mendjeve brilante që do të na shkojnë jashtë, të gatshëm e të përpunuar, për shkak se këtu nuk vijnë në shprehje... E që me gjasë nuk do të vijnë në shprehje përderisa në Kosovë nuk ndodh ajo që ka ndodhur në Kroaci: që të gjykohet edhe një ish-kryeministër për hajni, për mashtrim, për pasurimin në kurriz të popullit të vet dhe që për këto vepra ta vuajë burgun e gjatë.

 

Derisa të mos ndodhë kjo, shqiptarët në të dyja anët e kufirit do të vazhdojnë të kremtojnë jubile me shumë zhurmë, zbulime lapidarësh e përmendoresh dhe me shtirjen se jetë më të mirë nuk ka... Sikur bënte Roberto Benigni në filmin e tij “La Vita e Bella”. 

 

“Jeta është bukur”. Varet për kë. 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0