Home | Opinion | Lezeti institucional

Lezeti institucional

image
Kush e di edhe sa kohë do të kalojë derisa të mundemi të jetojmë në një vend ku nuk do të merremi ama bash çdo ditë me hajnitë dhe dallaveret e “institucionalistëve”... por deri atëherë, do ta kemi ngushëllimin e kapakëve dhe të gëzimit që mund të sjellë një veprim që bëhet me zemër...

 

 

 


Flaka Surroi

 

 

 

 

Të jesh pjesë e institucioneve është të jesh i papërgjegjshëm dhe të keqpërdorësh mjetet e buxhetit ashtu siç ia kënda atij që rri “ndër dardha”... është tallje me popullin, tallje me shtetin


Dje ka qenë një nga ditët më të lumtura që pata fatin të përjetoja në mesin e javëve të mbushura me rrëfime plot hajni, korrupsion, mashtrime, vrasje, kërcënime... Nisma sa kreative aq në kërkim të bujarisë dhe solidaritetit të njerëzve e një grupi studentësh për të mbledhur kapakë plastike, për të siguruar karroca për personat me aftësi të kufizuara u kurorëzua dje me paraqitjen e madje 50 karrocave në rrugën kryesore të Prishtinës.

Ndjenja se me vetëm pak kujdes dhe se me shumë pak gjë mund të japësh ndihmë të pamatshme, ka shtyrë kosovarët që nga mbledhja e kapakëve të bëjnë një ritual të thjeshtë e që nuk duhet kapërcyer e as harruar. Kanë bërë që pas katërmbëdhjetë vjetësh të ndihemi krenarë se mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin pa pasur kurrfarë interesi individual, pa pasur asnjë agjendë dytësore, pa e pasur qëllim të fshehur pasurimin duke ia ngulur tjetrit.

Një bravo e madhe shkon për ekipin e të rinjve të cilëve iu kujtua ta zbatonin idenë e mbledhjes së madje 250 kilogramë kapakësh për një karrocë. Një bravo po aq e madhe për të gjithë ata që nuk përtuan t’i mblidhnin e t’i transportonin te vendmbledhja, madje mbi gjashtë tonelata kapakë me të cilët u siguruan 25 karroca. Një faleminderit shkon për shtetin e Turqisë që i siguroi edhe 25 karrocat e tjera. Për ne në KOHA ka qenë kënaqësi e madhe të ishim pjesë e ekipit përkrahës që pos që mblidhte kapakë u përpoq të sensibilizonte opinionin për një veprim kaq të thjeshtë por kaq të efektshëm – me një porosi shumë të thjeshtë dhe po aq të efektshme që emitohej në KTV.

Kjo ngjarje e bukur rastisi të ndodhte po të njëjtën ditë kur edhe KTV-ja po e kremtonte 12-vjetorin e themelimit të vet. Me një atmosferë shumë festive, përderisa i gjithë ekipi po përgatiste materialet që u emituan dje gjatë gjithë ditës, nuk kisha si të mos ndihesha krenare me gjithë atë që sot paraqet KTV-ja në ambientin mediatik të Kosovës: pa dyshim, dhe këtu natyrisht se do të më mungojë modestia, mediumin elektronik më të pavarur dhe profesional që ka Kosova, me gjitha defektet që mund t’i ketë.

Më thonë për shkaqe burokratike, edhe pse shumë po e dyshoj që kjo të jetë e vërteta, ka shtatë vjet që KOHA pret që Komuna t’ia japë lejen e ndërtimit të objektit, i cili do t’ia zgjidhte KTV-së problemin e hapësirës. Ata që mbrëmë e kanë përcjellë “24 orë në KTV” kanë mundur të shihnin se është art i vërtetë të prodhohen 24 orë program aty. Duhet vërtet të kesh talent dhe shumë vullnet për të realizuar misionin e ofrimit të shërbimit publik; informimin e saktë, të paanshëm dhe profesional, si dhe argëtim e kulturë, ndër të tjera. Dhe më e veçanta në të gjithë këtë rrëfim është se KTV-ja e bën këtë me buxhet së paku pesëfish më të vogël se RTK-ja... dhe, me dallimin esencial se KTV-ja i realizon të hyrat e veta ekskluzivisht nga marketingu, kurse RTK-ja nga tatimpaguesit kosovarë (këtu RTK-së nuk po ia llogaris të hyrat nga marketingu, që për shkak se merr shumë punë për ta shpjeguar, po e kapërcej fare).

Shpesh kam ngurruar të merrem me çështjen e RTK-së, ngase mund të më akuzojnë se kam konflikt interesi dhe se nuk do të mund të jem objektive në vlerësimin e mediumit publik. Mirëpo, ishte një email anonim që përmbante një sërë raportesh bankare në lidhje me shpenzimet programore të RTK-së, ajo që më bëri që megjithatë ta bëja digresionin paraprak. Leximi më i detajuar i shënimeve të paraqitura dëshmon për një shpenzim të pakontrolluar dhe madje edhe të paarsyeshëm të të hollave për blerje programi të jashtëm dhe, ndër të tjera, për një mori mëditjesh për udhëtime jashtë vendit. Objektivisht, shtrohet pyetja, nëse harxhohen gjithë ato para për të blerë program nga produksionet private, atëherë përse i duhen RTK-së mbi 500 të punësuar të rregullt e me honorarë si bashkëpunëtorë të jashtëm? Përgjigjet në këtë pyetje po ua lë lexuesve – se mund të jenë të llojllojta.

E megjithatë, te keqmenaxhimi financiar i këtyre dimensioneve fajin nuk duhet kërkuar vetëm te vetë RTK-ja. Në fakt, atë duhet kërkuar te Kuvendi dhe natyrisht te Qeveria, e cila çdo vit propozon sasinë e të hollave që ia fal këtij institucioni. Ja përse. Në reagimin e vet, në lidhje me pluhurin që u çua pas zbardhjes së emailit anonim, menaxhmenti i RTK-së tha, po parafrazoj, se institucioni i ishte nënshtruar si auditimit të brendshëm ashtu edhe atij të jashtëm të pavarur dhe aty nuk ishte konstatuar asgjë e dyshimtë. Pa paragjykuar se kush ka mundur ta auditonte institucionin (edhe pse jo gjithnjë bëhej fjalë për firmë ndërkombëtare auditimi), çështja është se nëse ajo që është paraqitur si raport financiar në Kuvend është ajo çfarë është audituar, atëherë normal se nuk ka mundur të gjendej asgjë e dyshimtë – raporti kishte qenë i pakuptueshëm n’daç në narrativë, n’daç në pjesën financiare. Pa dyshim, qëllimisht.

Problemi është se në Kuvend kurrë nuk u pyet menaxhmenti se përse televizionet private mund të prodhonin program përafërsisht të së njëjtës cilësi (nëse jo më të mirë) me më pak para dhe me më pak staf. Kuvendi kurrë nuk e pyeti RTK-në se përse duhej të blinte seriale kaq të shtrenjta e njëkohësisht t’i përdorte pajisjet e veta për prodhimin e tyre; kurrë nuk u pyet RTK-ja se përse stafi i RTK-së merrte mëditje kaq të mëdha për udhëtime zyrtare (nga 800 e kusur euro për të shkuar në Maqedoni e Shqipëri, p.sh.); kurrë nuk u pyet se përse bliheshin filma me çmime astronomike e më pas nuk emetoheshin... e shumë e shumë pyetje të tjera.

Për shumicën në Kuvend duket se ka qenë me rëndësi të sigurohet qasja dhe kontrolli mbi institucionin, i cili shërben si mjet i fuqishëm propagande në favor të rrymës politike në pushtet, përderisa e ka “gojën plot” pavarësi editoriale. Për shumicën në Kuvend ka qenë me rëndësi që të shkelet edhe Kushtetuta, duke e anashkaluar Komisionin e Pavarur të Mediave, e t’i lejohet RTK-së menaxhimi i reklamave në vlerë disamilionëshe, e që vlera e raportuar të jetë së paku trefish më e vogël... Nuk duhet të jesh matematikan për të kuptuar se “ka diç të qelbur në shtetin e Danimarkës” dhe se me kalimin sipërfaqësor mbi problemin RTK, i cili nuk është problem prej ditës kur doli porosia anonime në sipërfaqe, por ka shumë e shumë vjet pas -- Kuvendi dhe Qeveria këtu bëhen bashkëpjesëmarrës në keqpërdorimin e parasë publike.

Për Kosovën, ta kesh një shërbim publik të komprometuar në këtë formë është gjë shumë e rrezikshme. Ajo që ka dalë nga raporti anonim është se në të gjitha skemat e keqpërdorimeve eventuale, që do të duhej të vërtetoheshin nga autoritetet e hetuesisë, janë të përfshirë personat udhëheqës në të gjitha departamentet, përfshirë edhe programin informativ. Të kesh persona të shantazhueshëm në krye të departamenteve informative është atentat ndaj të së vërtetës dhe nënshtrim ndaj vullnetit të më të fortit që ta di sekretin dhe i cili mund të luajë me ty si të do, për interesin e vet personal. Kjo do të jetë arsyeja se përse nuk janë të pakët ata që RTK-në e quajnë televizion shtetëror... fakt, i cili është posaçërisht vështirë të mohohet, me sistemin e financimit që ia ka qëndisur Kuvendi i Kosovës.

E tashmë ne e dimë se ky Kuvend i Kosovës nuk e kryen detyrën kushtetuese dhe nuk ushtron kurrfarë kontrolli mbi Qeverinë, që do të vazhdojë me skemat dhe planet e veta të privatizimit dhe të likuidimit të atyre pak ndërmarrjeve që kanë mbetur. Nuk mërzitet fort se përse regjistrimi i popullatës na qiti më pak sesa logjikisht do të duhej të ishim, marrë parasysh parametrat e lindjes, vdekjes, emigracionit dhe imigracionit – për shkak se kjo e dhënë do t’i shkojë për shtati kësaj Qeverie, sepse tash do të na japë kalkulime të tjera për GDP-në (tash do të dalë se përpjesëtimi i pasurisë për banor është më i madh); dhe me siguri kjo do t’ju japë frymëzim të na tregojnë se kemi rritje më të madhe ekonomike – ashtu siç e kishte paraparë plani i Bullgarisë... Është e trishtë të shohësh se si institucionet që të gjitha quhen demokratike dhe supozohet se janë formuar nga procesi zgjedhor i bazuar në ligj, e që madje të gjitha ose e shkelin ligjin ose nuk e përfillin fare.

Përderisa skandali i “Grandit” ende vazhdon dhe ngjall çudinë e të huajve që nuk e dinë se përse ka funksionarë politikë që nuk japin dorëheqjen, këta politikanë nisin me na tregu mesele prej Perëndimit atje, ku janë mbledhur në farë banketi, a dasme, a zhurke... ec e bjeri në fije. Javën që shkoi thuhet të jetë shkelur Ligji për Protokollin Shtetëror, i cili po parashikuaka se tre krerët e institucioneve nuk mund ta braktisin shtetin njëkohësisht e ta lënë atë pa udhëheqje. Neve na ndodhi që kryetarja e kryeministri (me 20 a 30 a 50 veta) të shkonin në New York dhe, thuhet, të jenë vendosur në njërin nga hotelet më të shtrenjta, kurse kryeparlamentari të shkonte në Egjipt, duke e lënë Kosovën pa udhëheqje, (që menduar më mirë, ndoshta edhe nuk është bash ide e keqe), por duke mos e pasur të qartë se kë, pos SHIK-ut, e kemi shef vendimmarrës aktualisht këndej pari.

Për fat të keq, grupit të institucioneve të papërgjegjshme, apo më mirë thënë të politizuara ose të ndikuara nga politika, i bashkohen edhe gjykatat. Kështu, për më pak se dy a tre muaj, gjykata vendosi ta shtynte ekzekutimin e dënimit të ish-kryetarit të Ferizajt, Bajrush Xhemajli, kinse për shkaqe shëndetësore. Në Kosovë nuk paska institucion që mund ta maste kapacitetin e rrahjes së zemrës së Xhemajlit, saqë ky detyrohet të shkojë në Tiranë, në një klinikë private, që nuk e di nëse është e listuar në listën e institucioneve që mund ta bëjnë ekspertizën mjekoligjore të pacientit, për të konstatuar se kushtet shëndetësore nuk lejojnë të shkojë në Dubravë.

Zbatimi selektiv i ligjit në këtë formë flet shumë keq për sistemin gjyqësor. Z. Xhemajli është dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për vrasjen e një të riu me ngasjen e rrezikshme me të cilën ka shkaktuar aksident të shumëfishtë automobilistik, ku kanë mbetur edhe ca të lënduar. Ndërkohë, z. Xhemajli shihet tek ecën rrugëve të Prishtinës duke biseduar me telefon celular (edhe ky më duket është dëmshëm, nëse jo për valët e zemrës, atëherë për ato të trurit – ashtu po thotë interneti) përderisa gëzon mbrojtje të veçantë “shëndetësore” që nuk e kanë ata që nuk janë anëtarë të një partie politike apo ata që kurrë nuk kanë qenë kryetarë komune.

Kjo do të jetë edhe arsyeja e kuptueshme ngarendja e të gjithëve për t’u bërë pjesë e listave zgjedhore kur iu vjen radha. Sepse e dinë që po hyrën në pushtet, nëpër institucione, s’ka kush u bën gjë as nëse i shpenzojnë 100 mijë euro mëditje për një udhëtim zyrtar të kotë në Amerikë; as atëherë kur televizionit publik ia ndajnë buxhetin më të madh se Ministrisë së Bujqësisë; e as atëherë kur dënohen për vrasje me vendim të plotfuqishëm. Sepse të jesh pjesë e institucionit është lezet... e lezeti është imunitet sui generis, që nuk e gjen në ligj, por në papërgjegjësi dhe arrogancë.

Kush e di edhe sa kohë do të kalojë derisa të mundemi të jetojmë në një vend ku nuk do të merremi ama bash çdo ditë me hajnitë dhe dallaveret e “institucionalistëve”... por deri atëherë, do ta kemi ngushëllimin e kapakëve dhe të gëzimit që mund të sjellë një veprim që bëhet me zemër, pa hile dhe për hir të një buzëqeshjeje të atij që i gëzohet një dhurate të këtillë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0