Home | Opinion | Fundi i mbikëqyrjes

Fundi i mbikëqyrjes

image
Duke synuar Europën Bashkuar, synojmë edhe fuqizimin e përvojave pozitive që i ka arritur Europa, e që sot kapitalizmi i egër dhe politikat jo fort të mençura në frontin tonë të brendshëm i injorojnë gati tërësisht.

 

 

 


Shkëlzen Maliqi

 

 


 

 

 
A është përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë vetëm një akt formal që nuk do të ndryshojë asgjë në raportet e Kosovës me faktorët ndërkombëtarë? Dhe çfarë mendohet kur thuhet “akt formal”? Se Kosova edhe më tej do të mbetet nën mbikëqyrje? Kjo ilustrohet me faktin se edhe më tej do të mbetet EULEX-i, madje edhe UNMIK-u me atë stafin e reduktuar. Për më shumë, këtu nuk bëhet fjalë fare për tërheqjen e KFOR-it nga Kosova në afatet më të gjata, përkundrazi, aktualisht po përmendet sjellja e fuqive shtesë speciale që duhet të përballen me sfidat e mundshme në veri të Kosovës. Por, instrumenti kryesor i mbikëqyrjes, ai i Misionit Civil Ndërkombëtar, i cili kishte disa kompetenca të rezervuara nga sovraniteti i Kosovës, nuk do të jetë më fare prezent, dhe me këtë të gjitha kompetencat barten te institucionet e Kosovës.  Sa i përket EULEX-it, ai do të ketë funksionet e njëjta ndihmesë për gjyqësinë dhe Policinë e Kosovës, por me një mandat tjetër që nuk buron më nga pakoja e Ahtisarit, por bazohet në ftesën e institucioneve të Kosovës.  UNMIK-u, ndërkaq, në këto vite prejse është shpallur pavarësia, e ka pas rolin e institucioni xhuxh, praktikisht pa ndonjë funksion tjetër pos që përgatiste raportet tremujore për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. UNMIK-u mbase edhe do të vazhdojë të funksionojë si zyrë raportuese, dhe nuk mund të zhbëhet për shkak se akti final ose vulosja e sovranitetit të Kosovës, në instancën e fundit duhet të ndodhë në Kombet e Bashkuara, ku Kosova aspiron që të bëhet shtet anëtar. As sot nuk ka aspak dyshim se ky fat final i sovranizmit të shtetit të Kosovës varet nga Këshilli i Sigurimit, ku kërcënimi me veto i Rusisë, që është anëtare e përhershme e KS, e bllokon njohjen universale të pavarësisë. Vetëm se raporti i forcave në pesëshën e fuqive të mëdha që e kanë drejtën e vetos është më e favorshme për Kosovën, sesa për Serbinë që përfaqësohet nga Rusia. Pavarësia e Kosovës nuk ka kthim sepse e përkrahin tri anëtare më të fuqishme, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, kurse Kina nuk ka qëndrim aktiv, dhe nëse Rusia një ditë do të ndryshonte qëndrimin, Kina nuk do të jetë problem.
 Por, heqja e mbikëqyrjes assesi nuk është vetëm akti simbolik ose një lojë që shërben për të maskuar varësinë substanciale të Kosovës nga faktorët ndërkombëtarë, siç e interpretojnë aktin e sotëm ata që problemin e Kosovës e shohin si një lojë meskine, ku fuqitë perëndimore e ndihmojnë Kosovën me sherr dhe paramendim, sepse me aktet e tyre mashtruese po e pamundësojnë realizmin imediat të sovranitetit të Kosovës përmes plebishitit ose referendumit. Problemi, pra, prezantohet si një tendencë e fuqive perëndimore, që nga njëra ana e suportojnë pavarësinë e gjymtë, por, nga ana tjetër, punojnë në varësinë substanciale të Kosovës nga Perëndimi, pasi që përmes procesit të privatizimit dhe kontrollit të partive në pushtet, e shndërrojnë Kosovën në një lloj kolonie të re, duke eksploatuar pamëshirshëm të gjitha resurset e saj vitale.
 Kur shkohet kështu, gjendja e Kosovës paraqitet si e pashpresë, sepse jo vetëm Rusia dhe deri diku Kina janë pengesa, por një robëri edhe me e rrezikshme i kërcënohet Kosovës nga mbrojtësit e saj, që vijnë këtu nën petkun e demokracisë dhe zhvillimit, por nuk janë të sinqertë.
 Për dallim nga ky pozicion defetist, që apelon për një koncept të shtetit të vetëmjaftueshëm dhe të izoluar nga bota, mendoj se Kosova, e as Shqipëria dhe rajoni, nuk kanë alternativë tjetër pos që të mbajnë aleancën me shtetet demokratike perëndimore, duke ndjekur modelet e saja të zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë, që gjithsesi nuk është sistem i përsosur dhe pa kontradikta, por pos tendencave neokoloniale në politikë dhe ekonomi, që janë prezente dhe nuk duhet të nënçmohen, kanë ndërtuar edhe alternativat që fuqizojnë shoqërinë, mendimin kritik dhe të instrumentet e shumta të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, si dhe distribuimin e pasurisë kombëtare jo vetëm te kompanitë e mëdha monopoliste, elitat vetjake dhe qendrat e vendosjes politike dhe ekonomike, por edhe në shtresat e gjëra të popullsisë. Modeli i shtetit social, që tani po përjeton një krizë, por që ende është funksional dhe rezistentë në shumë shtete perëndimore, është po ashtu një fuqi e madhe dhe inspiruese, që po na vjen edhe në Kosovë me misionet e huaja. Ato nuk kanë ardhur këtu për të na eksploatuar dhe robëruar, por kanë investuar që të çlirohemi nga Serbia, dhe kanë investuar edhe në siguri, shëndetësi, sistemin arsimor, administrimin publik eficientë, zhvillimin e shoqërisë civile etj. Edhe ndihmat në sferën e politikës dhe demokratizimit, që ndonjëherë keqkuptohen si ndërhyrje jodemokratike të ambasadorëve të gjithëfuqishëm, shpesh janë më se të domosdoshme kur kihet parasysh fakti se Kosova nuk ka përvoja në demokraci dhe i mungojnë praktikat e mira dhe resurset njerëzore. Këto ndihma në instancën e fundit duhet ta krijojnë atë fuqinë e brendshme të Kosovës së pavarur dhe sovrane, në ditët jo fort të largëta kur procesi do të avancojnë më tej. Duke synuar Europën Bashkuar, synojmë edhe fuqizimin e përvojave pozitive që i ka arritur Europa, e që sot kapitalizmi i egër dhe politikat jo fort të mençura në frontin tonë të brendshëm i injorojnë gati tërësisht.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00