Qou vadis Don Kishoti i Mançës-Shqiptare?
“Dulqinja” jonë e shkretë, ka mbetur pa kalorës, sepse « Don Kishoti ynë i Mançës » s’do të dorëzohet, e lufton me mullinjtë e erës në kokë të tij, tashmë me Pançon diku në fundin e një fijeje të padukëshme, e s’do as t’i dorëzojë e as t’i ndajë çelsat e kalorësisë-opozitare.
Nga Nimfa Hakani
Për një kohë të gjatë Edi Rama po e turbullon psikologjinë në masën e njerëzve që ndjekin Partinë Socialiste dhe votojnë për të, si alternativa e vetme e një Shqipërie të lirë, nga korrupsioni dhe shitja e kombit, nga degradimi i përgjithshëm shoqëror, politik dhe ekonomik, që po ndodh me Shqipërinë, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Njerëzit për një kohë të gjatë krijuan besim dhe shpresuan se PS-ja ishte e vetmja alternative që do të realizonte atë që shumica e shqiptarëve dëshironte për kombin. Kjo shpresë arriti pikun e saj më të lartë mbas ndodhive të 21 Janarit, ku shpresa u rrit, njerëzit pothuaj menduan se kaq ishte dhe gjithcka më në fund, me pak përpjekje dhe guxim, e me një udhëheqje të vendosur, do të kthehej në realitet. Atyre ju bënë premtime për demostrata masive paqësore, dhe shpirti i shpresës u rrit akoma më shumë. Datat për këto demonstrata pak nga pak u shtynë, dhe pas një farë kohe u lanë në harresë. Shpresat e njerëzve filluan të vaniten e tulaten duke pritur për një veprim konkret. Në këtë atmosferë, Edi Rama, kur vendi ziente, e pranvera arabe po krijonte shpresa, u “zhduk nga syri publik” dhe askush nuk e dinte se ku ishte e ç’po bënte. Dhe papritur, kur çdo njeri bënte hamendje se ku mund të ishte Edi Rama, na doli me një “kurban- gjysym”( fjalë e sajuar), dhe na brodhi botën duke promovuar librin e tij, sikur të ishte një letrar, që s’kishte shkruar për vite dhe papritur i erdhi muza në grykë e donte të shprehte çfarë ndjente brënda, dhe jo udhëheqësi i më shumë se gjysmës së kombit, nga i cili pritej një lëvizje e fortë dhe e konsoliduar opozitare për ta nxjerrë vëndin nga e gjithë kjo “katran-mahurë” (e sajuar përsëri).
Por ç’bëri Edi Rama? Krijoi një lojë psikologjike të qartë por dhe të sofistikuar që fashiti të gjitha shpresat e lindura në shumë njerëz pas 21 Janarit. Por ajo çka është më e rëndësishme, fashiti GUXIMIN e njerëzve që ishin gati të dilnin në krah të tij dhe të përkrahnin çfarëdo aksioni që Edi Rama do të ndërmerrte. Njerëzit u ndjenë të pashpresë! Dhe s’ka veprim më kriminal nga ana e një udhëheqësi se sa të vrasë shpresat tek njerëzit që e pasojnë. Por shumë vazhduan të shpresojnë se Edi diku do ta “nxirrte Kokën” e do bënte atë që duhej bërë. Pati dhe nga ata që menduan se Edi po luante një lojë të rafinuar për të fituar në finale të çfarëdo gjëje që ai kishte në mëndje( e ndërsa Edi luante e luan atë “skenar” të marrë hua në ndonjë planet një mijë vjet drite larg, sistemi në fuqi vazhdon të shkatërrojë e shesë çfarëdo që ka mbetur). Ndërkohë, njerëzit pritën me ditë, muaj, kaloi viti dhe asgjë nuk ndodhi. Edi u soll më shumë si i ngarkuari me politikën e jashtme shqiptare brënda Partisë Socialiste, dhe ambasador i promovimit të librit të tij “Kurbani”, se sa si udhëheqësi opozitar i një kombi. Njerëzit krejtësisht të çoroditur, nuk dinin çfarë të mendonin dhe ranë në apati. Shumë ngritën zërin dhe thanë dicka, por zëri i tyre humbi në hapësirat boshe të krijuara nga Edi Rama dhe atyre rreth e qark tij që duhet t’i thoshin Edit, “Mjaft! Ne duhet të veprojmë!” Por fatkeqësisht, psikollogjia, thuaja “të tëndin” mos a përflit jasht “shtëpisë”, filloi t’i shuajë edhe ato pak zëra që patën kurajon të flasin. Fatkeqësisht, është kjo psikollogji që na ka dëmtuar e na dëmton duke i mbajtur gjërat "brënda mureve të shtëpisë" duke i lënë gjërat të zmadhohen në pikën që nuk është e mundur t’i rregullosh dot më.
Është bërë një praktikë e keqe tradicionale në Shqipëri që aplikohet sot në të dyja kampet: Njerëzit nuk flasin kur shohin se gjërat nuk janë ashtu siç duhet të jenë, se kanë frikë se mund të akuzohen për “mosbesnikëri ndaj fisit”, mentalitet që po e dëmton shumë demokracinë tonë, e që po e mban procesin demokratik në vënd numëro për njëzet vjet me rradhë në fazën e tranzicionit.
Mbase do të ishte më efikase që, që sot e tutje të ndiqnim psikollogjinë, “Të tëndit, haja mishtë, po ruaja kockat”, se mbase në këtë mënyrë do të kishim më shumë rezultate, dhe udhëheqësit tonë nuk do të kalonin vaun pa u lagur për çdo gjë që bëjnë.
Ndërkohë, ndërsa PS filloi të flejë “gjumë”, e të sillet nga parti opozitare në parti elitare, zëra nga udhëheqës të tjerë të opozitës u ngritën e folën. Spartak Ngjela foli disa herë dhe duket sikur po hesht i lodhur nga pasiviteti i PS. Gjinushi e të tjerë folën gjithashtu. Opozita në minorancë fillojë të lëvizë kur masa e pasuesve socialistë po bëhej «amorfe» si rezultat i kësaj vije të pakristalizuar të E. Ramës. Ndërkohë, AKQ fillojë të krijohej diku në hapësirën shqiptare dhe u rrit dalëngadalë dhe ringjalli shpresat në shumë njerëz, megjithëse ka shumë nga ata që s’janë të sigurtë se çfarë në të vërtetë përfaqson K. Spahiu. Por njerëzit janë kaq të uritur pas « sofrës » bosh që po u ofron tërë këtë kohe PS, sa u drejtuan tek sofra që po mbushej dalëngadalë me diçka që jepte shpresë. Në të njëjtën kohë, demokratë brënda PD, që gjithmonë e më shumë s’ishin dakort me kursin e ndjekur të S. Berishës, formuan grupin e tyre opozitar. Zëra individualë dhe zëra të partive të vogla u ngritën dhe kërkuan aksion. Një opozitë e shumëngjyrëshme u rrit dalëngadalë përballë « opozitës » së E. Ramës. U duk se një pranverë shqipëtare po ngrihej lehtazi në horizontin shqipëtar. Kjo opozitë e ardhur nga shumë drejtime tregoi gatishmëri për veprim dhe bashkëpunim dhe i zgjati dorën në mënyrën e saj Ramës. Por siç duket është e vështirë të marrësh çelsat e opozitës që për shumë arësye kanë qënë për një kohë të gjatë në duart e këtij « kalorësi » që s’ka më as edhe kalin për për titullin që mban. Duket sikur titulli i kalorësisë nga « Don Kishoti » Edi Rama, po kalon tek të tjerë, por « don Kishoti » ynë as nuk pranon të dorëzojë çelësat, as nuk bën gjë të meritojë titullin e kalorësit që ju dha de bruto nga njerëzit. Në të kundërtën, në vënd të rishikojë veprimet e tij dhe të reagojë, shkon e gjen Sanço Pançën shqiptar, Ilirin e Metës, dhe seç katranosin bashkë në tavernën e Mançës(Gjiri i Lazrit).
“Dulqinja” jonë e shkretë, ka mbetur pa kalorës, sepse « Don Kishoti ynë i Mançës » s’do të dorëzohet, e lufton me mullinjtë e erës në kokë të tij, tashmë me Pançon diku në fundin e një fijeje të padukëshme, e s’do as t’i dorëzojë e as t’i ndajë çelsat e kalorësisë-opozitare. Ndërkohë, « Dulqinja » por zhvishet e xhvatet për ditë pak e nga pak nga grabitësit, e po i dalin të gjithë pjesët e trupit lakuriq përpara tërë syve të botës, me të tëra dregëzat që i janë krijuar nga plagët e marra në vite, e po bëhet qesharake dhe po e tallin të gjithë m’u atje në mes të sheshit të Euro-Mançës; ai “Don Kishoti” i Mançës, i pazoti ta mbrojë, Atë Dulqinjën e tij të bukur, vazhdon të tundë pallën e tij qesharake që thyhet edhe po të tentojë të presë edhe bar, e jeton me lavdinë e shkuar, duke dëmtuar këdo që pati shpresë tek ky kalorës donkishotian pa kalë, por më parë duke dëmtuar «Dulqinjën» tonë të shkretë të cilën pretendon që e do.
Dhe na mbetet utopia që FRD të krijojë një grup parlamentar me aq deputetë që të votojë kundra kandidatit të propozuar nga PD. Në këtë mënyrë rezultati i votimit të mos rezultojë në favor të këtij kandidati dhe automatikisht vëndi të përfundojë në zgjedhje të parakohshme. Pra, duket sikur shpresa e vetme tashti na mbetet tek fakti sa e madhe është “dashuria” që grupi Topi-Oketa ka për “Dylqinjën tonë”, dhe të shpresojmë që numri i deputetëve të grupit të tyre të “rritet” aq sa të krijojë votën e duhur në parlament para se të vijë dita për votimin e presidentit të ardhshëm. Sa për deputetët e Ilir Metës, nuk ka “mocion” besimi në popull.




del.icio.us
Digg

Post your comment