Home | Opinion | Krizë-krim-korrupsion, “trekëndëshi shqiptar i Bermudës”

Krizë-krim-korrupsion, “trekëndëshi shqiptar i Bermudës”

image
Ligjin e bën megakorrupsioni. Kjo është kriza më e rëndë që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Plus krizës së brendshme, vala e krizës europiane e bën dhe më “thithëse” vorbullën e rrënimit social të shqiptarëve. Berisha edhe vetë e di mirë se frazat që broçkullit nëpër Europë, s’i beson askush.
 
 
 

Nga Noel Hajdini
 
 
 
 


Pas shumë vitesh emigrim në Greqi, një familje shqiptare u kthye këto ditë në Shqipëri, e detyruar nga gjendja e rëndë e krijuar atje, shkaktuar nga protestat e demonstratat e dhunshme. Ky vend, dihet tashmë që në këto momente po përjeton krizën më të thellë ekonomike në gjithë historinë e vet. “Herët e tjera jam kthyer në Shqipëri zakonisht vetëm për pushimet e verës, kurse këtë herë... Ëhë, më duket se kjo është një ardhje pa kthim... Kur kalova kufirin grek dhe u futa në tokën shqiptare, më shkuan lotë. Nuk po e merrja vesh... nuk e dija as vetë se ku po shkoja... Mendova: “Si do jetë i shkruar fati im, tani e tutje?”. Sërish mendoj: “A do arrij dot të mbijetoj në Shqipëri? Them, mos kam gabuar që erdha në Shqipëri dhe nuk shkova në ndonjë vend tjetër të Perëndimit?”. Ja, këto tha gruaja 42-vjeçare, nënë e 3 fëmijëve, teksa e sapoardhur nga Athina, u prononcua këto ditë për mediat. Më tej, ajo shtoi se ndjehej krejtësisht e pasigurt në Shqipëri, pasi sipas saj, “këtu gjërat paskan ecur shumë shpejt, por edhe shumë rrëmujshëm; o Zot, sa shumë qenkan varfëruar një pjesë e madhe shqiptarësh dhe sa shumë qenkan pasuruar një pakicë tjetër. Papunësi e madhe”... Në fakt, konstatimit të zonjës, nuk mund t’i heqësh as pikën, as presjen. Të urosh një familje që të largohet nga Greqia në këtë kohë krize ekstreme atje, kjo është gjë normale.
 
Por t’u thuash këtyre familjarëve se “po bëni mirë që po vini në Shqipëri pikërisht tani”, është njëlloj si t’u thuash: “Mirësevini në... trekëndëshin shqiptar të Bermudës”. Shqipëria është sot vendi me depresionin më të thellë në historinë e postkomunizmit. E njejtë me atë të viteve 1988-1990. Trinomi i saj fatal sot formulohet “krizë-krim-korruspion”. Ky është vendi me pensionistët më të rrënuar, se në të gjithë vendet e Europës dhe rajonit. Me ish minatorë e ish naftëtarë të flakur në rrugë të madhe, në mizerje të plotë. Me ish ushtarakë e ish policë të diskriminuar totalisht. Sikur ata të kishin bërë ndonjë krim dhe jo detyrën ndaj Atdheut. Me “ushtrinë” më të madhe të të papunëve. Mungon jetesa normale në mijëra familje të varfëra dhe ekstremisht të varfëra, nga jugu në veri. Me një brez të ri, që njëlloj si prindërit e tyre kanë filluar ta quajnë veten “brezi i humbur”. Janë mijëra e mijëra djem e vajza të pajisur me diploma, por që nuk ju hyjnë në punë, pasi vendet e punës janë monopol i njerëzve me pushtet...
 
Spiralja e krizave, 1992-2012
Fjala “krizë” ka qenë më e përdorura në fjalorin politik 20 viteve 1992-2012 në Shqipëri. Kriza e “presidentit të fortë” në 1996, pasuar me një ceremoni të verbër rizgjedhjeje të Berishës-president, kur vendi po digjej flakë. “Kriza e firmave piramidale 1997”, më e rënda në gjithë historinë e Shqipërisë, të vjetër e të re. Mijëra të vrarë, shteti i rënë përtokë, institucione të shkrumbëzuara, ushtria e policia të shpërbëra totalisht. “Kriza e vjedhjes së votës përmes skenarëve të Berishës në zgjedhjet e 2009-tës”, e përsëritur kjo më pas me vjedhjen e mandatit të kryebashkiakut të Tiranës në votimet e 2011-tës për pushtetin vendor. Tani sërish në krizë. Ajo tashmë është shumëplanëshe: politike, ekonomike, sociale, shoqërore... 
 
Krime në... demokraci
Grabitja e Thesarit të Shtetit në kohën e qeverisjes së Ilir Metës ishte spektakli tragjik i radhës në shtetin e ri demokratik shqiptar, i cili në 1997-tën, në kohën e krizës së firmave rentiere, për pak sa nuk kaloi në luftë civile. Vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve bëri që vendi të ringrihej sërish. Pas ’97-tës, Thesari i Shtetit do merrte goditjen, përmes një vjedhjeje të komentuar nga mediat si “krim ordiner”(!). Kur bëhet krahasimi me floririn që vodhi mbreti Zog në vitin 1939, (bëhej fjalë për dy a tre valixhe), e kupton se sa e thellë ishte gropa ku kish rënë Shqipëria vetëm pak vite më parë: Edhe pse zyrtarisht u fol për “sasi të vogla ari të vjedhura”, burime jo zyrtare komentuan se grabitja ishte stërmadhe. Sot askush nuk flet më për këtë gjëmë kombëtare që i ngjau Shqipërisë. Politika jo e jo, por as opinioni publik. Ishin jo pak, por mbase një tonelatë e ca ar. Krimi tjetër serial: Shpërthimi i Gërdecit, 15 mars 2008. Me bilancin më dramatik në gjithë historinë shqiptare: 26 të vrarë e 30 të plagosur e të tjerë me sëmundje nervore që pasuan. Si dikur në Hiroshima. Një biçikletë fëmije e djegur nga flakët përvëluese të Gërdecit në 2008-tën në Shqipëri, ngjan si dy pika uji me një tjetër biçikletë fëmije të shkrumbuar nga bomba atomike e Hiroshimës në 1945-sën. Ajo ende ruhet sot në muzeun e qytetin japonez. Kurse ne s’kemi muze për Gërdecin. Sepse djallëzisht duam ta “harrojmë” atë. Duke shpërfillur në mënyrë fashiste dhimbjen e nënave, baballarëve, vëllezërve e motrave, për njerëzit e dashur që humbën në këtë tragjedi… Ishte një aferë korruptive prej miliarda dollarësh. Fabrikën e demontimit e ngritën fshehurazi politikanët e papërgjegjshëm, duke mos përfillur mendimin e ushtarakëve. Kontraktuesi aventurier i përtej detit, Efraim Diveroli, njeriu që guxoi të mashtrojë Kongresin Amerikan, sot ndodhet prapa hekurave në një burg të SHBA-ve.
Kurse tek ne në Shqipëri, kryearkitekti i Gërdecit, krekoset në majën e pushtetit. Ndërsa ish kreu i mbrojtjes Fatmir Mediu, akuzuar direkt nga familjarët, si përgjegjës kryesor i tragjedisë, pas “dorëheqjes”, shpërblehet nga kryeministri i vendit Berisha me një post të ri ministror, atë të Mjedisit... Krimi tjetër shtetëror: Katër qytetarë të pafajshëm vriten nga Garda e Republikës më 21 janar 2011, në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, përpara godinës së Kryeministrisë. Bashkë me mijëra demonstrues të tjerë po protestonin kundër korrupsionit qeveritar. Ilir Meta etiketohet deri edhe nga mediat e huaja si njeriu i korrupsionit qeveritar, i intrigave politike e elektorale për përfitime personale pasurore e pushtetore. 
 
Megakorrupsioni
 Kryeministri bën përditë mbledhje qeverie. Për të mbuluar diellin me shoshë. Edhe ai vetë duket se e di mirë që këtu me kohë e ka marrë ferra uratën. Ligjin e bën megakorrupsioni. Kjo është kriza më e rëndë që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Plus krizës së brendshme, vala e krizës europiane e bën dhe më “thithëse” vorbullën e rrënimit social të shqiptarëve. Berisha edhe vetë e di mirë se frazat që broçkullit nëpër Europë, s’i beson askush. Ose në të kundërt, është i vetësugjestionuar nga suksesi i tij si… mashtruesi më jetëgjatë politik në këtë vend, në postkomunizëm. Për të ka rëndësi vetëm që “të hyjë në histori”, por se si, kjo s’ka rëndësi për të. Dhe ja ka arritur qëllimit. Ka hyrë, vërtetë në histori… Ndoshta si një Bashar al Assad, që… nuk e di ende fundin e tij. Dhe që as nuk ka se si ta dijë…

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0