Home | Opinion | Lezha dhe largimi i Oketës

Lezha dhe largimi i Oketës

image
Duhet të ketë qenë një shqetësim, një zemërim i provokuar nga një akt i ndodhur tani, ai që duhet të ketë sjellë këtë incident protokollar joserioz në Lezhë. Dhe ky akt, me shumë gjasa ka qenë largimi i deputetit Oketa nga Grupi Parlamentar i PD-së. 



 
Mentor Nazarko

 
 
 
 
 
 
Incidenti i fundit protokollar me Presidentin e Republikës në Lezhë nuk duket e frymëzuar thjesht dhe vetëm nga padurimi i Kryeministrit të vendit për të shkelmuar çdo rend institucional dhe protokollar për pasojë. Megjithëse ai e ka shprehur këtë prirje në rrethana të tjera, një veprim i tillë mund të ishte kursyer në organizimin e aktivitetit, sepse Bashkia e Lezhës apo Protokolli i Shtetit, që në fillim mund të mos e kishin ftuar Presidentin. Duke mos e ftuar që në fillim dhe shqetësimi se nëpërmjet aktiviteteve për 100-vjetorin e pavarësisë, kreu i shtetit, Bamir Topi, do të promovohej në aktivitete që kanë në bosht ndjenjën kombëtare, mund të fashitej. Pra, mikpritësit, në bashkëpunim me Protokollin në varësi të Kryeministrit, mund ta shmangnin Presidentin nga lista e të ftuarve, ku automatikisht do të kishte vendin e parë dhe si folës.
 
Duhet të ketë qenë një shqetësim, një zemërim i provokuar nga një akt i ndodhur tani, ai që duhet të ketë sjellë këtë incident protokollar joserioz në Lezhë. Dhe ky akt, me shumë gjasa ka qenë largimi i deputetit Oketa nga Grupi Parlamentar i PD-së. Argumenti se Oketa nuk na dëmton, pasi ai kohët e fundit i shmangej jetës parlamentare apo politike brenda PD-së, nuk është real. Nëse do të ishte kështu, atëherë ai do të ishte sulmuar që atëherë dhe në vazhdimësi, pra dhe në ditët e fundit. Jo, largimi i Oketës ngjan se dhemb pikërisht për kohën e zgjedhur për t’u larguar. Koha e zgjedhur prej tij ndërkohë mbart brenda shumë mesazhe të tjera, që e kanë shtuar nervozizmin e kreut të shumicës, Berisha.
 
 Por, para se të flasim për rëndësinë e kohës së zgjedhur për largimin e tij, le të flasim pak për profilin e Oketës si deputet i PD-së, që ka peshën e vet në masën e zemërimit të PD-së me të dhe Presidentin Topi. Thuajse shumica e deputetëve të ftuar për të dhënë gjykimin e tyre për Oketën, e konsideruan atë si një zë civilizues brenda partisë së tyre. Dhe vërtet kështu është. Me përjashtim të incidentit të leximit të një deklarate të egër kundër Presidentit Moisiu, të shkruar nga kreu i kupolës demokratase, Oketa, i ardhur pas Gërdecit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ka mbajtur përgjithësisht qëndrime normale politike. Sigurisht, në një parti si ajo e Berishës, prej disa kohësh nuk ka qëndrime të tjera të spikatura veç të shefit dhe dacibaove të egra verbale lexuara nga numërorët e Kryeministrit dhe të shkruara po prej tij. Gazmend Oketa përfaqëson një figurë të respektuar në qytetin nga vjen, një qytet i rëndësishëm i borgjezisë shqiptare, ku përgjithësisht ndarja politike përjetohet në mënyrë të qetë dhe të ekuilibruar. Në atë qytet, kjo borgjezi, kryesisht tregtare, ka vendosur një paqe normale mes institucioneve lokale dhe qendrore, mes partive politike kryesore, duke votuar ndryshe për dy pushtetet. Oketa është dikush që ka histori personale, ka qenë student i Lëvizjes së Dhjetorit, ka profesion me të cilin mund të jetojë shumë mirë dhe pa politikën, dhe është një figurë e moderuar, e pëlqyer potencialisht nga të gjithë brezat e votuesve. Largimi i Oketës dhe kalimi te subjekti i ri politik që i referohet Presidentit Topi, humb shanset e PD-së për të rifituar Durrësin si bashki, apo për zgjedhjet parlamentare, duke kontrolluar kështu dhe jetën ekonomike dhe financiare të këtij qyteti.
 
Ky largim, ndërkohë, i bëri zero shanset e ndonjë kompromisi potencial midis PD-së dhe Presidentit për ndonjë kombinacion të minutës së fundit, siç u duk nga detanta e vendosur me emërimet e fundit në institucionet e pavarura. Ky largim e forcon subjektin e ri në një zonë të rëndësishme urbane me numër të madh votuesish, siç është Durrësi në Shqipërinë e Mesme. Ndërkohë, në pikëpamje të afishimit mediatik, ky largim e thyen pak monopolin e përfaqësimit nga dy disidentët e tjerë që vijnë nga Tropoja, megjithëse të respektuar në tërë Shqipërinë, si Besnik Mustafaj dhe Aleksandër Biberaj.
 Por, mbi të gjitha, largimi i Oketës ngjan i frikshëm për një arsye tjetër. Përveçse perceptohet si një shenjë dobësimi e Partisë Demokratike dhe shumicës së drejtuar prej saj në prag të zgjedhjes së Presidentit, ajo duket si shenjë paralajmërimi dhe për jetën e vetë shumicës parlamentare, pra për rrëzimin e qeverisë. Ngjan si teori konspiracioni, por ndërsa ndërkombëtarët në sintoni të plotë kërkojnë një President konsensual – lexo, President jo të PD-së -, Berisha po këmbëngulte dhe më me forcë në zgjedhjen e kreut të shtetit prej partisë së tij. Pikërisht kur Oketa u largua, u duk se PD zbuti pakëz qëndrimet dhe nëpërmjet disa zërave, si ai i zotit Selami Xhepa, një njeri i afërt me Kryeministrin Berisha, e la të hapur mundësinë e Presidentit konsensual. Pra frika nga humbja e shumicës edhe për qeverisje, është qartësisht pika e dobët ku mund të ushtrohet presion te Kryeministri për të hequr dorë dhe nga emërimi i Presidentit prej tij. E vetmja hapësirë për Berishën duket mundësia për t’u investuar tek emri i Nanos, me të cilin ndoshta gabimisht Berisha beson se mund të ketë marrëveshje afatgjatë për ndërrimin e krerëve të institucioneve sipas shijeve të tij. A kanë dorë ndërkombëtarët, apo ndonjë vend i caktuar në këtë largim, pikërisht tani, kjo mbetet për t’u parë. Zotërimi i të gjitha institucioneve prej Kryeministrit nëse do ta zgjidhte dhe Presidentin sipas shijeve të tij, është një hipotezë aq e frikshme, sa çdo kombinacion si ky apo me deputetë të tjerë të lëkundur të shumicës sipas këtij skenari, është legjitim.
 Pra, në incidentin e fundit protokollar të Lezhës, me shumë gjasë ka qenë përcaktues një ngjarje e re si ajo e largimit të zotit Oketa, dhe jo ajo e krijimit të një partie të re të së djathtës, që ishte paralajmëruar shumë kohë më parë. Zemërimi, nevoja për hakmarrje, mund të jetë në themel të këtij incidenti, i cili e bëri Skënderbeun të duket më modern se pasardhësit e tij.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0