Home | Opinion | Qytetarët e varfër, të vendit të “pasur”!

Qytetarët e varfër, të vendit të “pasur”!

image
Kriza, gjithashtu nuk ekziston as në ecejaket e politikanëve nëpër botë, për të sjellë gjoja investitorë në Shqipëri, që kohët e fundit po vërshojnë “lumë”! “Ekonomia jonë ecën me ritme të shpejta, aq sa ka lënë mbrapa shumë vende të Europës”... 





Nga Pandeli Bardhi 

 
 
 
 

Duket sikur edhe natyrës ju sos durimi. Ajo u tregua shumë “dorëlëshuar” me ne shqiptarët. Na fali fusha pjellore, pyje të mrekullueshëm, lumenj e dete, pasuri nëntokësore e mbitokësore. Asgjë nuk na la mangët... Ankohemi, se dje na i “grabiti” diktatura dhe na la të varfër... Edhe në demokraci, ankohemi edhe më shumë!. Disa thonë se po na i grabisin të huajt... Të tjerë thonë, se po na i grabisin tanët dhe qytetarët vazhdojnë të varfërohen. Pavarësisht se kush na i grabit, një gjë është e vërtetë. Sa më shumë koha kalon, aq më tepër thellohet hendeku i varfërisë. Numri i atyre që jetojnë me një asistencë ekonomike rritet. Armata e pensionistëve e ka shumë të vështirë të përballojë muajin vetëm me ushqimin e përditshëm, pa bërë fjalë për ilaçe, qiratë që vetëm rriten... Numri i madh i të papunëve, e mbyllin ciklin e kësaj varfërie. Ky është realiteti i jetës së përditshme. Nga ana tjetër, kemi vetëm deklarata bombastike, të atyre që kanë vënë “festen” mbi sy. Vetëm në mendjen e disa politikanëve, Shqipëria nuk njeh krizë. Qytetarëve shqiptarë u hidhet “hi” syve, sikur ekonomia jonë të jetë një nga “mrekullitë” e botës. Të huajt medoemos që do të binden, jo vetëm nga deklaratat por edhe nga vepra konkrete. Si të mos “binden” të huajt, kur shohin që kryeministri ynë paguan 360 mijë dollarë, vetëm për t’i rënë Gongut në NASDAQ, e për t’u mburrur ky njeri i “çudirave” ekonomike? Kriza, gjithashtu nuk ekziston as në ecejaket e politikanëve nëpër botë, për të sjellë gjoja investitorë në Shqipëri, që kohët e fundit po vërshojnë “lumë”! “Ekonomia jonë ecën me ritme të shpejta, aq sa ka lënë mbrapa shumë vende të Europës”... 
Politikanët e të dy krahëve, të majtë e të djathtë, kërkojnë t’i mbushin mendjen popullit se nuk janë kaq, por janë kaq të papunë... Luajnë lojën e “kungulleshkës”. Ata nuk shohin që nuk ka asnjë dallim midis shtresave në nevojë të popullsisë, të të papunëve e pensionistëve, por i “shqetëson” ajo që janë njëqind mijë më pak apo më shumë, të papunë! Klasën tonë politike nuk e shqetëson gjendja e mjerueshme ekonomike, por problemet anësore, sikur ne me të vërtetë të ishim ekonomia, që e përcakton një i “fantaksur”!. 
 
Do të ishte një gjest human i kësaj klase politike, sikur të ngrinte një komision hetimor për të “hetuar” se ku është gjendja ekonomike e shtresave të ndryshme të popullsisë. Por, klasa jonë politike preokupohet më tepër me problemet, “emergjente” që kanë të bëjnë me “fatet” e Kombit. Ato ç’ka nuk presin në këto “emergjenca” janë psh, ngritja e një komisioni hetimor nga Parlamenti, për të verifikuar nëse ngjarjet e 21 Janarit ishin “grusht shteti” apo jo!. “Emergjente” është gjithashtu, nëse ka kryer vepër penale Kreshnik Spahiu, apo jo!. A thua vallë, të jetë më e rëndësishme shkarkimi dhe ndëshkimi i Spahiut, se sa lufta kundër varfërisë, që është ulur këmbëkryq pothuaj në çdo familje? Kaq shumë i rrezikshëm të jetë “tradhtari” i interesave të Kombit, Spahiu?! Mirë bëni zotërinj politikanë që, interesoheni se me çfarë fondesh ka bërë fushatë Kreshnik Spahiu, dhe vëreni me shpatulla pas muri!. Por, nga ana tjetër bëjini mirë llogaritë, se ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe sa para janë bërë “rrush e kumbulla” nga ana juaj!. 
 
Politikanët tanë merren akoma me ish komunistët e “pandreqshëm”. Merren akoma me “ish”-ët, dhe nuk merren me të sotmit, të cilët ia kanë kaluar shumë atyre të së djeshmes. Komunistët e djeshëm ishin ata që ishin, ata tashmë i përkasin të kaluarës, por me këta të sotmit, si do t’i vejë halli?! Komunistët e djeshëm kishin identitet. Ata nuk e ndërruan ngjyrën e kuqe, kurse këta të sotmit e ndërrojnë “ngjyrën” sipas interesit dhe është e vështirë të dallosh se çfarë “ngjyre” kanë. Sot janë të “kuq”, nesër bëhen “rozë”, nga “shartimi “kuq e blu” e anasjelltas, që nga maja e Piramidës, deputetët e politikanët, e deri poshtë!...
 
Kaluan mbi 20 vjet demokraci dhe akoma qytetari i thjeshtë e ka të vështirë të bëjë dallimin midis të sotmes dhe të djeshmes... Akoma “përpëlitemi” në një periudhë të “hallakatur” dhe askush nuk e merr vesh, se kur do të vijë dita të shijojmë frytet e demokracisë. E themi këtë, mbasi nuk po shohim deri më sot, epërsinë e sistemit demokratik, që më së shumti vetëm emrin ka të tillë. Nuk ekziston asnjë dallim midis shtresave të shoqërisë, që ashtu si dje, një pakicë nuk e ndjen krizën ekonomike dhe shumica, që nuk ka as mjetet më të domosdoshme të mbijetesës. E thënë më troç, jetojmë në një periudhë të tillë, ku 10% e shoqërisë “grabisin” 90% të tjerë!.. Në sistemin e djeshëm, kjo ishte e justifikuar, mbasi ishte ‘kasta’ e diktaturës, ajo që nuk e ndjente varfërinë ekonomike. Por ‘kasta’ e sotme, që ka lindur në këta 20 vjetët e fundit, është shumë herë më e privilegjuar nga ajo e djeshmja. I vetmi ndryshim është se ata të djeshmit, e kishin të “ligjëruar” dhe kurkush, nuk guxonte të kërkonte të drejtat e tij. Këta të sotmit, i krijojnë vehtes privilegje dhe pasuri të mëdha, në mënyrë “demokratike”. Ata e justifikojnë këtë, me atë që, demokracia, “ekonomia e tregut”, “insiativa e lirë” etj., sigurojnë hapësira të pafundme për “secilin”... Por, a janë njësoj në këtë periudhë hallakatjesh demokratike, pushtetari e biznesmeni, me qytetarin e thjeshtë, që punon në administratë, me pensionistin, e të papunin? A i bie radha të ‘shijojë’ sadopak, “tortën demokratike” ai qytetari apo fshatari që jeton vetëm me “erën” e një ndihme ekonomike? A ndihen të kënaqur ata pronarë, që nuk po marrin as tokat dhe as pronat që u takojnë, ndaj atyre pushtetarëve, apo të afërmve të tyre, që po marrin e po rrëmbejnë atë që nuk i takon? 
Shteti, si rregullator nuk po e luan aspak rrolin e tij dhe pothuaj, është inekzistent. Qytetarët me të drejtë flasin e ankohen, po kush i dëgjon? Ankesat e tyre, si në qeveri edhe në drejtësi bien në vesh të “shurdhër” dhe “mbulohen” nga jorgani i harresës, “kështu e ka demokracia, secili, ka të drejtën e vet”... Me veprimin apo mos veprimin e tij, shteti nxit krimin, pakënaqësinë, përbuzjen, etj., dhe tërë urrejtja e qytetarëve të thjeshtë, adresohet atje ku është burimi, tek Shteti. Duke mos e gjetur secili të drejtën e vet asgjëkundi, detyrohet të bëjë “zgjidhjen” sipas mënyrës së vet... Krimi po merr përmasa të frikshme. Kjo ka një bazë politike dhe ekonomike. Ka paaftësinë e shtetit, që prona t’i shkojë të zotit dhe jo “më të zotit”! Shteti “grabit” shtetasit e vet. “Të fortët” “grabisin” më të dobëtit. I dobëti, qytetari i thjeshtë, ndihet i kërcënuar nga lart e nga poshtë! 
 
Shteti dhe firmat “fantazmë”, “grabisin” me çmimet, me pasuritë tona nëntokësore, me taksat e prodhimeve tona, hajdutët, nga ana e tyre grabisin ç’të gjejnë. “Na duhet tani, të rrimë roje edhe në ahure, mbasi na vjedhin bagëtinë, na vjedhin edhe patatet e qepët në bodrume”, thotë një qytetar nga fshatrat e Korçës... Kudo vetëm “grabisin” sipas mënyrës së vet, sipas parimit “pakica grabit shumicën”... Edhe CEZ-i i famshëm grabit atë pakicë qytetarësh të ndershëm që e paguajnë energjinë elektrike. Them pakicën e ndershme, mbasi shumica nuk paguan... Përveç kësaj, duhet të paguash edhe TVSH-në! Atë televizion, që asnjë shqiptar, as e sheh dhe as e dëgjon... E pse ta shohin e ta dëgjojnë, përderisa ata i marrin me dhjetra herë në ditë lajmet, direkt nga “burimi” Berisha?!... Kësaj i thonë të të “mbijnë qepët nga fletët”!. Të paguash taksë, edhe për të dëgjuar “mbroçkulla” qeveritare!... Po kështu edhe UKT-ja, grabit sipas kësaj skeme. Grabisin sepse janë edhe të paaftë. Shumica e qytetarëve në periferi të kryeqytetit nuk paguajnë, as energji elektrike dhe as ujë. Nuk e ndjejnë “krizën” e energjisë ata që e vjedhin, por ajo pakicë e ndershme. Nuk e ndjejnë “krizën” e ujit, ata që kanë si burim të ardhurash lavazhot, por ata të mjerë që u dridhet dora të hapin rubinetin!... Sikur të mos mjaftonte kjo, tek paguan ujin i ndershmi, paguan edhe një taksë pastrimi. Edhe kjo është një “çudi” më vehte. Rritet çmimi i ujit, rritet edhe taksa e pastrimit. E veçanta e kësaj, është që të ecësh mbi plehra, të shkelësh mbi plehra, të jesh i rrethuar nga plehrat dhe të paguash taksë pastrimi, sikur të jetë çdo gjë pasqyrë!
 
Të marrim tani shërbimin shëndetësor. Me këtë shërbim janë të lidhur të gjitha shtresat pa përjashtim, që sapo lindin, e deri sa të kenë frymë. Shteti ka bërë edhe siguracione për atë shtresë, që tashmë dihet. Por çfarë siguracioni është ky, kjo nuk merret vesh. Ky siguracion është vetëm për të marrë një rekomandim, tek mjeku i lagjes. Qytetari shkon për vizitë mjekësore tek qendra shëndetësore, qendrore e kryeqytetit. Atje merr recetën e ilaçeve dhe asnjë prej tyre nuk rimbursohet. Jo vetëm kaq, por ato do t’i marrësh me çmime më të larta, nga muaji në muaj. Atëherë, përse është ky siguracion? Jo vetëm kaq, por aty, edhe një grafi e thjeshtë nuk kryhet, edhe një radioskopi, nuk bëhet... Mjekja të rekomandon që atë ta bëni tek privati, mbasi “në institucionin tonë, këto nuk bëhen”!. Edhe kjo një tjetër çudi, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës!. Dhe ku ndodh? Në vendin me ekonominë më të “zhvilluar”, që ka lënë prapa shumë vende të tjera të Europës...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00