Latest News
Përjetime të hidhura
Shoqëria shqiptare, brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, i ka të gjithë potencialët e nevojshëm për ta futur vendin në rrugën e mbarë të zhvillimit. Në institucionet ligjbërës e ekzekutivë ka individualitete që nuk u mungon morali i shëndoshë njerëzor e autoriteti Professional, që u dhimbset vendi.
Nga Ramazan Sula
Gjatë njëzet viteve të një demokracie larg të së vërtetës, “kupa” e fajeve të politikanëve (në dëm të Shqipërisë e të qytetarëve të saj) që kanë qenë e vazhdojnë të jenë në kupolën e strukturave të shtetit post diktatorial, është “mbushur” disa herë. Teprica e këtyre mbushjeve edhe pse është derdhur, ajo ka mbetur përsëri e mbushur deri në buzë. Madje edhe kur është “derdhur”, populli është “djegur”. Madje, madje kjo shpurë politikanësh (që, pikërisht në kthesën e madhe historike që ndërmori një popull i tërë në fillim vitet ’90 të shek. të kaluar, rrëmbyen flamurin e fitimtarit “popull”), me kupën e helmit të tejmbushur në dorë, e nisën rrugën e tyre të mbrapshtë. Tepricat e kësaj kupe helmi genocid, nisën ti derdhnin në mënyrat më të sofistikuara në dëm të Shqipërisë e të qytetarëve të saj në veçanti. Memoria popullore nuk mund të harrojë shkatërrimet vandale (të organizuara) të ekonomisë të ndërtuar për 45 vite me radhë me djersën e gjakun e një populli të tërë. Nuk mund të harrojë vrastarët e vërtetë të 2 prillit 1991. Nuk mund të harrojë vrasjet e tjera politike mafioze që vijuan. Nuk mund të harrojë mashtrimin e madh të grabitjes të pasurisë nëpër mjet të “shpërndarjes” të letrave me “vlerë”. Nuk mund të harrojë grabitjen me dhunë të votave në zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit 1996 dhe dhunën fashiste të ushtruar nga grabitësit e votave mbi qytetarët protestues dy ditë pas grabitjes madhe. Nuk mund të harrojë grabitjen e parave të shqiptarëve të varfër në përmjet “piramidave” mashtruese. Nuk mund të harrojë instalimin e një pushteti të korruptuar e mafioz për të lënë në varfëri pjesën më të madhe të popullit. Nuk mund të harrojë vitin 1997 kur, nga një dorë e dukshme dhe disa të padukshme, u shkatërruan strukturat e sapondërtuara të shtetit, me pasoja tragjike për popullin, i cili shkoi në pragun e një vëllavrasje masive.
Nuk mund të harrojë vrasjen mafioze politike të Azem Hajdarit me paramendim për organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. (Ishte deklarata e DASH në pasditen e asaj date që shfuqizoi “fitoren spektakolare” të organizatorëve të atij grushti shteti me skenar të importuar…). Nuk mund të harrojë gatishmërinë e zellshme të presidentit “shqiptar” (1992-1997) për të “ushqyer” me “lëndë të parë” vrasësin e popujve ballkanikë, veçanërisht atë shqiptar të Kosovës, Sllobodan Millosheviç. (Nuk mund të harrohen as qëndrime të tjera sabotuese e anti kombëtare të ish presidentit “shqiptar” të atyre viteve, kur populli shqiptar i Kosovës luftonte për liri e pavarësi. Rekomandimi i tij “dashamirës” atëhere, për delegacionin e Kosovës, përfaqësuar kryesisht nga luftëtarët e UÇK-së, për të mos firmosur “Marrëveshjen e Rambujesë”, është më shumë se dëshmi e një “thike pas shpine” në dëm të “vllazënve të tij kosovarë” për të cilët nuk “lodhet” së përgjëruari edhe sot e kësaj dite). Memoria popullore edhe pse e përgjumur, nuk mund të harrojë as pelivanlliqet e qeverisjen e pandershme të disa liderëve të “majtë” kur ishin në pushtet (1997-2005).
Pasojë e të cilëve është riardhja në pushtet e një njeriu të cilin “sovrani” e kishte përzënë me “shkop b...e” tetë vite më parë. Ndërsa bëmat e viteve të fundit të një pushteti plotësisht të inkriminuar, janë mbërthyer në këtë memorie për të mos u shqitur deri në vendosjen e një demokracie reale, deri në vendosjen e shtetit ligjor ku të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para tij. Si mund të harrohet “Gërdeci 2008” dhe përpjekjet e segmenteve të caktuara të pushtetit të inkriminuar, shoqëruar me presione, ndaj organeve të drejtësisë, për t’ia lënë harresës atë tragjedi tronditëse të shkaktuar pikërisht nga përfaqësues eksponentë të pushtetit të zhytur thellë në llumin e një korrupsioni të shfrenuar e të pa shpirt. Memoria popullore e ka të freskët deformimin e të vërtetës së rezultatit të votimit të 28 qershorit 2009. Ky deformim u pa qartë vetëm pas pak ditëve të përfundimit të këtij procesi të rëndësishëm për progresin e vendit... Mjafton të kujtojmë kapërcimin prej kllouni të një lideri të “majtë” (që përfaqësonte vetëm katër vota të dyshimta të marra nga votuesit opozitarë), nën këmbët e thyera të një njeriu që zvarritej me shpirt nën dhëmbë pas pushtetit të zhytur në padrejtësi e korrupsion, duke u bërë një patericë e vlerë për të, por duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm interesave të vendit, në emër të të cilit ai pretendoi se e bëri këtë akt “sublim”! Djegia e fletëve të votimit siç digjej literatura progresive në mesjetën obskurantiste dhe “burgosja” e materialeve të tjerë të votimit të asaj date, me urdhër të një njeriu që s’di gjë tjetër veçse të shkeli me të dy këmbët mbi të drejtën, duke varrosur të vërtetën e rezultatit të atyre zgjedhjeve, janë treguesit më të qartë të një deformimi flagrant të dëshirës dhe të së drejtës të një populli për të zgjedhur, nëpërmjet votës të lirë, ata që i do ti ketë në krye të rrugës të përparimit, mirëqenies e integrimit evropian...
...Sot shqiptarëve të varfër, shumica e të cilëve i kanë emrat si borxhlinj në defterët e tregtarëve të “bukës e kripës”, u shfaqen duke i tronditur në gjumin e natës, skenat e prapa skenave të vjedhjes tyre nga eksponentë të lartë të qeverisjes aktuale. Dhe kur kupa e helmit e tej mbushur në duart e një grushti pushtetarësh të inkriminuar, zbrazet herë pas here në gjithë qenien e një populli, për ta vënë në gjumë atë, që ai ta ndjejë veten të ngopur edhe pse me “lugë bosh” por dhe për ta kriminalizuar në të gjitha mënyrat e mundshme, ndodh që të mbushet kazani i urrejtjes popullore.
...Dhe kazani i urrejtjes 20-vjeçare të një populli të tërë u zbraz pjesërisht me 21 janar 2011. Mijëra qytetarë të Shqipërisë të varfër që u shkelen me këmbë të drejtat më elementare nga një regjim i dukshëm neo diktatorial, u derdhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kundërshtuar këtë realitet të pa pranueshëm. Përballë tyre ishin rreshtuar forca të shumta e të armatosura “deri në dhëmbë” në mbrojtje të “Rendit Kushtetues”. Ironi! Asnjë rend, asnjë regjim, asnjë pushtet (pavarësisht nga emri) nuk mund të jetë kushtetues kur grabit e varfëron pa ndërprerë popullin e vet! Në kulmin e këtij acarimi antagonist ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte. Populli i varfër që i ka ardhur ,,shpirti në majë të hundës’’ përleshet me policinë. Përleshet me bijtë e vet që janë vënë në shërbim të pushtetit të korruptuar (por jo në shërbim të shtetit) për të mbajtur gjallë familjet e tyre. Se kush e hodhi shkrepësen “i pari” për të ndezur “zjarrin” e vëlla vrasjes atë ditë të kobshme, unë nuk marr për sipër ta përcaktoj. Ndërsa pamjet filmike të çastit, kur mbi demonstruesit paqësorë, nga makinat e zeza të qeverisë nisi të zbrazet uji i ftohtë e me presion, kur mbi protestuesit u hodhën bomba irrituese, janë një tregues i qartë se kush e hodhi “shkrepësen''… Organet përkatëse, nëse udhëhiqen nga profesionalizmi dhe pa anshmëria, nuk e kanë as pak të vështirë ta përcaktojnë të vërtetën. Për mua (dhe jo vetëm për mua) që i ndiqja me shumë shqetësim ato zhvillime të asaj të premteje tronditëse, kishte disa të vërteta të qarta si drita e diellit.
-E para: Mbrojtësit e rendit “kushtetues” ishin të armatosur në mënyrën më të egër. (kundër kujt?!).
-E dyta: Në turmën dhjetra mijëshe të njerëzve me shpirt në “majë të hundës”, rezultoi dhe një “kontingjent” i “armatosur” me shkopinj dhe gurë. (pretendimet për praninë e armëve luftarake, pakot e dinamitit apo armë të tjera të sofistikuara në duar të demonstruesve, deri tani janë fantazi e trillime kompensuese prej atyre që insistojnë të shtrembërojnë të vërtetën).
- E treta: Përfundimi i “betejës” midis palëve “ndërluftuese” ishte tragjik: tre të vrarë dhe dhjetra të plagosur nga ana e demonstruesve si edhe disa të gjakosur nga ana e mbrojtësve të “rendit kushtetues”. Ndërsa të plagosurit nga ana e mbrojtësve të “rendit kushtetues” ishin nga goditjet e demonstruesve me gurë, shkopinj dhe me… çadra(!), tre të vrarët dhe dhjetra të plagosurit nga ana e demonstruesve, ishin goditur me armët automatike e moderne të shkrepura nga duart e mbrojtësve të rendit, jashtë “oborrit kushtetues”! U derdh gjak mes shqiptarësh të pafajshëm! Njëra palë në kërkim të të drejtave të saj, tjetra palë e pozicionuar në mbrojtje të shkaktarëve të pa drejtësive.
- E katërta: Nga dritaret e “pallatit mbretëror”, diktatori i kohëve moderne ndiqte zhvillimet e fushë betejës. Nuk e di saktësisht se ç’ndjenja e kanë shoqëruar atë në zhvillimet e asaj dite kob zezë. Por me qenë se forcat “mbrojtëse” të tij dolën “fitimtare” (ç’ka e pohoi disa herë “pos mortum”), pa dyshim që e ka ndjerë veten në apogjeun e triumfit! Pas këtyre të vërtetave tejet të hidhura që kanë tronditur shpirtin e zemrën jo vetëm të familjarëve të viktimave por të një populli të tërë, renditen disa pasoja edhe më të rënda në kurrizin e hallexhinjve shqiptarë: Humbja e shpresës për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë; Dëmtimi i më tejshëm i imazhit të Shqipërisë në “sytë” e Botës, për rrjedhojë dhe humbja e shanseve dhe të drejtës të integrimit evropian dhe pasoja të tjera të kushtueshme.
Në vijim të këtyre përjetimeve të hidhura për çka ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në vendin tonë kur pretendojmë se kemi një rend demokratik, natyrshëm lindin pyetjet: Pse ndodh kështu? Cilët janë shkaqet? A kanë emra të përveçëm këta shkaqe? Çfarë qëndrimi duhet të mbajë shoqëria dhe ligji ndaj shkaktarëve të traumave me përmasa të mëdha? Çfarë qëndrimi kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë organizmat ndërkombëtarë që na kreditojnë financiarisht e politikisht? Dhe shumë e shumë pyetje të tjera…
Përgjigjet janë më përmbledhëse. Këto situata të padëshiruara, me pasoja shpeshherë tragjike dhe të përsëritura, shkaktohen nga politika (politikanët); nga keq qeverisja (qeveritarët sa po hipin në pushtet, e shpërdorojnë atë). Lufta për pushtet është motivi kryesor që shkakton dramat e tragjeditë. Dhe kur kjo luftë për pushtet motivohet më së pari nga interesa të ngushtë, jashtë dhe larg interesave të vendit e të mbarë shoqërisë, ajo bëhet e egër, e pandalshme, dhunuese duke marrë karakteristikat e një diktature tipike duke valëvitur flamurin e demokracisë… * * *
… Shkaqet e tronditjeve të thella që vazhdojnë ti kanosen vendit, kanë shkaktarë. Shkaktarët janë disa. Ata kanë emër e mbiemër. Përvoja e hidhur e njëzet viteve të rendit të ri ka treguar se në vendin tonë kanë drejtuar e vazhdojnë të drejtojnë politikanë të papërgjegjshëm e të pandreqshëm. Tashmë, prej tyre nuk pritet asnjë ndryshim për “bon sens”. Madje këta politikanë të pandreqshëm i kanë shtuar “rradhët” e tyre. E ky realitet bëhet potencialisht i rrezikshëm për të ardhmen e afërt e perspektive të vendit. Këtë realitet e shohim dhe e prekim për çdo ditë e për çdo çast që hedhim vështrimin mbi situatën e përgjithshme të vendit tonë. Kush duhet të angazhohet dhe në ç'mënyrë, për çmontimin një herë e mirë të kësaj situate të rëndë? Shoqëria shqiptare, brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, i ka të gjithë potencialët e nevojshëm për ta futur vendin në rrugën e mbarë të zhvillimit. Në institucionet ligjbërës e ekzekutivë ka individualitete që nuk u mungon morali i shëndoshë njerëzor e autoriteti Professional, që u dhimbset vendi. Është koha kur këta individë të dalin mbi veten dhe me kurajo e trimërinë që kërkon interesi madhor i vendit, të venë gishtin mbi plagë…
Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të pavarura, me profesionalizëm e me kurajo në mbrojtje të ligjit e të interesave të mbarë shoqërisë, duhet të vihen më shumë se kurrë ndonjë herë tjetër në krye të misionit të tyre. Presidenti, me atributet e Kryetarit të Shtetit, duhet të veprojë energjikisht në mbrojtje të kushtetutës e të interesit të mbarë qytetarëve. Presidenti të mos druhet se po “kapërcen kompetencat” në rast se vepron në mbrojtje të tyre, që të mos dhunohen nga politikanë e qeveritarë xhahilë… Përfaqësuesit më në zë të inteligjencës shqiptare, brenda e jashtë vendit, të flakin tej indiferencën dhe me përgjegjësinë morale e atributet që gëzojnë, të vihen në pararojë të luftës kundër të keqes që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë tonë. Përfaqësuesit më në zë të medias audio- vizive e asaj të shkruar, të flakin tej çdo interes të ngushtë dhe me kurajo të ngrenë zërin kundër autorëve konkretë të gjenerimit të tragjedive që vazhdon të përjetojë vendi ynë. Udhëheqësit shpirtërorë të besimeve fetarë duhet të bëjnë detyrën ashtu siç ua ngarkon Ungjilli e Kur'ani i shenjtë…
Duhet të na udhëheqë sedra kombëtare e dashuria për vendin për të luftuar, pa u tërhequr, ndaj çdo të keqeje që i kanoset shoqërisë tonë, pavarësisht se nga cili drejtim vijnë këto të këqija. T’u ndalet dora e mendja keqbërëse cilitdo politikani të veshur me pushtet e imunitet që veprojnë në dëm të interesave kombëtare e në dobi të dashakeqësve të kombit shqiptar! Përfaqësuesit kryesorë të komunitetit ndërkombëtar që janë të interesuar drejtpërsëdrejti për vendin tonë, duhet ta shohin me maksimumin e seriozitetit realitetin politik shqiptar, duke vënë dorë (pa dorashka) mbi të keqen- gangrenë dhe shkaktarët e saj.
Rate this article




del.icio.us
Digg

Post your comment