Latest News
Drejtësi, vetëm mbrapa “mburojës” amerikane!
Drejtësia akoma nuk është bindur se morali i kësaj politike, është të mbrojë krimin, të fshehë kriminelët e t’i stimulojë ata. Si për të balancuar “goditjet” që mund ti bëhen prokurorisë nga të dy krahët, kërkoi edhe heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë!...
Nga Pandeli Bardhi
Tek kujtoj rrjedhën dhe intensitetin në të cilën po zhvillohen ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar, vetvetiu më lindin shumë pyetje e dilema. Që në fillim, dua të them se nuk jam dakord me ata që mendojnë se “Më në fund, drejtësia filloi të veprojë”!... Mos vallë, Prokuroria nuk e kishte seriozisht, kur nxori gjashtë fletë-arreste për gardistët që vranë më 21 janar të vitit të kaluar dhe mbas një viti e mori “seriozisht”? Mos vallë, kjo lidhet me atë që vitin e kaluar, kur “hekuri ishte i nxehtë”, argani i akuzës nuk ishte i besueshëm pa praninë e z. Arvizu dhe që tani, kur “hekuri u ftoh”, prania e tij në krah ë Kryeprokurores e bën të “besueshme” drejtësinë? Pse është e domosdoshme vetëm prania e tij dhe jo e ndonjë ambasadori tjetër europian? Pse “mburoja” amerikane është më “rezistente”, ndaj “dhëmbëve” të “gogolit” Berisha? A do e besonte Berisha, Kryeprokuroren, sikur ajo të dilte e vetme në Konferencë për shtyp? Për këtë të fundit më vjen në ndihmë vetë Berisha, kur thotë se nuk u beson atyre që “nxitën puçin”, por besonte vetëm prokurorin e FBI. Edhe Çim Pekën, ai e la me “gojë hapur” kur tha se nuk ishte njohur me ekspertizën e FBI! A thua të jetë e vërtetë kjo, kur ky kryeministër, më 21 Janar të vitit të kaluar u njoh brenda pak sekondave me “ekspertizën” e mjekut Ali Koçeku të Spitalit Ushtarak, kur ai tha se demonstruesit u goditën me njëri tjetrin, me armë që nuk i disponon as Garda dhe as Policia. Duke qenë se në Shqipëri, tashmë asgjë nuk përbën çudi, le ta quajmë edhe këtë ngjarje, një ngjarje e rëndomtë ashtu si të tjerat. Edhe kur këto ngjarje ndodhën, pra më 21 janar të vitit të kaluar, ku humbën jetën katër jetë njerëzish dhe shumë të tjerë u plagosën, nuk u bë kaq zhurmë sa po bëhet sot. Të gjithë akuzonin, të gjithë bërtisnin e ulërinin, edhe të majtët, edhe të djathtët, edhe institucionet e (pa) varura, gjykata, prokuroria, policia e ku ta di unë. Fajtorët, që ishin përgjegjës direktë për vrasjen e protestuesve, hakërroheshin dhe kërcënonin më shumë se të pafajshmit. Është kjo, edhe një argument më shumë, se në këtë vend, tashmë asgjë nuk përbën çudi, madje edhe atëhere kur nuk i kalon tre ditët! Në këto çudira, nuk do të zgjatem shumë mbasi tjetër kund e kam hallin...
Që znj. Ina Rama doli me z. Arvizu, kjo nuk ka asgjë të keqe. Gjëja e parë që mendoj, është ajo që sivjet kemi 100 Vjetorin e Pavarësisë, 100 vjetorin e mëvetësisë...Themi që jemi 100 vjet të pavarur dhe akoma mbas 100 vjetësh e kemi të pamundur të veprojmë pa patur edhe një “arbitër”! E thënë më shqip, mburremi me... ato, të të tjerëve. Herë mburremi sikur jemi kompetentë, herë u bëhemi “shapkë” të tjerëve, herë bëhemi servilë se kush e kush të fitojë simpatinë e “të fuqishmit”, qofshin këta të majtë apo të djathtë. Për t’u mburrur, themi që jemi shtet 100-vjeçar dhe nga ana tjetër veprojmë si “foshnje” duke na mbajtur për dore të tjerët... Pse e them këtë? Ja përse... Qysh ditën e 21 Janarit, Prokuroria, si i vetmi organ kompetent i akuzës, nxori edhe urdhrat e arrestit për personat përgjegjës, për vrasjet e katër njerëzve të pafajshëm. Kishte, apo nuk kishte të drejtë, këtë e di vetëm Prokuroria, vetëm ajo do të përgjigjej, nëse kishte të drejtë apo jo. Por urdhrat e saj nuk u zbatuan, jo se nuk ishin të drejta, por se nuk i desh qejfi kryeministrit!... Ç’është ky kryeministër, që “komandon” organin e akuzës? Kush ja jep këtë të drejtë këtij njeriu të papërgjegjshëm dhe që flet përçart se “unë dhashë urdhrin për të mos u marrë në akuzë krerët e Gardës, sepse nuk doja të lija Kryeministrinë, në dorën e banditëve” dhe më tej...
Kur gazetari e pyet se a ka diçka që duhet të ridimensiononi, pas një viti nga informacionet që keni thënë, kryeministri u përgjigj: “Tani për tani hetimin në dorë e kanë ata të cilët ishin pjesë e këtij skenari...”, pra është e qartë, që këtij i “dhimbseshin” shkelësit e ligjit t’i dorëzonte në duart e “puçistëve”, por në fakt i dhimbsej më shumë karrigia e tij, përpara shumë më tepër jetëve njerëzore, siç edhe e ka treguar edhe herë të tjera!... Shqiptarët, që tashmë këtë e njohin mirë, me të tilla deklarata, nuk i mbetet gjë tjetër, por vetëm të qeshin!... Qeshjet shkojnë edhe më tej... Kur Çim Peka, e pyet se “Opozita ju akuzon juve, sikur keni dhënë urdhrin për të qëlluar”, përçartja e tij vazhdon... “As Komandanti i Gardës e as gardistët nuk marrin urdhër në asnjë rrethanë, as nga kryeministri e as...” Siç del edhe nga këto “broçkulla” na mbetet të themi që në Gardë, secili vepron në kokë të vet, dhe meqenëse truprojat, janë nën komandën e Komandantit të Gardës, edhe Kryeministri, duhet të jetë nën vartësinë e tij... Por, edhe sikur të jetë kështu, a ndjen përgjegjësi ky njeri, kur këta “besnikë” vrasin njerëz të pafajshëm?... Pse Prokuroria nuk e vë përpara fronit, qoftë për njërën apo për tjetrën? Prokuroria, nga ana e saj, pse nuk këmbënguli në urdhrin e saj, nëqoftëse pretendon se është e pavarur dhe se është i vetmi organ kompetent për të bërë akuzën? Pse ajo u tërhoq dhe nuk e vazhdoi më tej, por u “zgjua” pas një viti? Kemi apo nuk kemi shtet ligjor dhe para ligjit janë të gjithë njësoj? Ose, marrim edhe anën tjetër të medaljes. Lënia në mes e kësaj katrahure, që e ka emrin 21 Janar, të bën të dyshosh, se edhe prokuroria ishte pjesë e “puçit”!. Njerëzit nuk janë të bindur as se Prokuroria ishte pjesë e “puçit”, as se nuk ishte pjesë e tij. I vetmi argument që tregon se Prokuroria nuk ishte pjesë e “pucit” është ai, që këtë kryeministër nuk e beson më njeri dhe se është i vetmi i këtij lloji që flet vetëm “roma për toma”. Po të vazhdojmë me përçartjet e tij, ato nuk kanë të mbaruar, por le të marrim nja dy detaje nga kjo “magazinë zhgaravinash”. “
Në asnjë vend të botës, thotë ai, nuk ka ndodhur që të protestohet para dritares së kryeministrit”! Gjë shumë “domethënëse” kjo! Ç’kërkojnë këta protestues para dritares së këtij “farë burri”, të këtij “profeti” dhe të këtij “arkitekti” të ekonomisë botërore? Duhet parë mirë kjo punë për të cilën prokuroria rri e bën sehir, megjithëse ka kaluar mbi një vit... Nuk është nevoja këtu të zgjatemi se sa e sa protesta janë bërë në vendet me demokraci qindra vjeçare, sa e sa herë janë sulmuar, Parlamentet e Kryeministrit, e madje edhe janë pushtuar ato, sa e sa herë janë goditur policia me gurë, e me bomba molotov, por armët e zjarrit asnjëherë nuk janë përdorur. Të gjitha këto, kryeministri i di mirë, por ndryshimi i vetëm është se këtij i dhemb karrigia, më shumë se ç’do kryeministri në botë! Vetëm për atë karrige, ai shan, akuzon, fajëson e kërcënon dhe është i vendosur deri në fund për të mbrojtur krimin dhe për të shpërblyer fajtorët, siç edhe e ka treguar... Edhe një fakt tjetër... Midis të tjerave, ai tha se: “Urdhri ishte ky, që ta dish ti, ai që do të hynte brenda, ai nuk do të mund të dilte më...”. Ta marrim se është kështu, por që edhe nuk është, se varet se çfarë qëllime ka ai që hyn. Por ta marrim se është kështu. Ata që ranë, e që nuk u ngritën më, nuk u futën brenda, por u vranë jashtë gardhit, në bulevard dhe madje atëhere kur kish mbaruar “davaja”!... Ti, zotëri, çfarë përgjegjësie ndjen për këtë, që na flet për “gjurmët” dhe jo për “ujkun”, që le të tjerat, por as edhe një ngushëllim nuk u dërgove. Nuk i ngushëlluat ata, as ditën që u vranë por nuk e korrigjuat këtë as mbas një viti, por gjetët rastin dhe shkuat në Lushnjë, në një kohë që juve para 3 ditëve, e mësuat se ishte bërë një Kongres në Lushnjë, prandaj edhe e ngatërruat datën e Kongresit, me 21 Janarin.
Për të mos u zgjatur me të tilla donkishotizma, dua të theksoj atë ç’ka thashë në fillim. Pse Kryeprokurorja, duhesh të dilte në Konferencë shtypi me ambasadorin amerikan? Mos vallë, që të ishte më e besueshme dhe në të kundërt, ashtu si edhe më 21 janar, atë nuk do ta dëgjonte kush? A po mos vallë prokuroria është e paaftë për t’i bërë ballë sulmeve të kryeministrit dhe për këtë kërkon një “mburojë”?... Shumë pyetje mund të të lindin vetvetiu, por... e vërteta është se vetëm shtet ligjor nuk kemi, vetëm institucione të pavarura nuk kemi Institucionet e (pa)varura, janë ndarë më dysh. Nga njëra anë, “pjesët përbërëse të puçit”, Prokuroria, Presidenca e SHISHI, nga ana tjetër, Qeveria, Policia, Garda e Republikës dhe mazhoranca parlamentare!... Këta janë as më shumë e as më pak, precedentë të rrezikshëm... Shteti ligjor funksionon si një i tërë, secili në “pozicionin” e vet. Po t’i ndajmë në ca të “nënës” e ca të “njerkës” nuk kemi as shtet ligjor, nuk kemi as demokraci dhe është e kotë të flasim, se jemi gati të integrohemi në Bashkimin Europian... Me të drejtë qytetarët thonë se tek drejtësia nuk kanë më besim. E thonë këtë, mbasi institucionet, në këtë rast prokuroria dhe gjykatat nuk e kanë justifikuar besimin që kanë qytetarët. Se kush është fajtori, këtu drejtësia nuk ka vënë gishtin... Akoma, kjo drejtësi nuk po e kupton se kush është fajtori i kësaj politike, që “prodhon” vetëm sherre, grindje, ngërçe, shpërdorime, e vetëm mashtrime... Edhe në rastin konkret, Prokuroria e fillon nga “bishti, e jo nga “koka”. Kush është Komandanti që ka urdhëruar vrasjet? Kryeministri e shpjegon shumë mirë hierarkinë ushtarake dhe vetëm në ushtri, asnjë nuk vepron në kokë të vet, e aq më tepër kur vriten njerëz... Drejtësia akoma nuk është bindur se morali i kësaj politike, është të mbrojë krimin, të fshehë kriminelët e t’i stimulojë ata. Si për të balancuar “goditjet” që mund ti bëhen prokurorisë nga të dy krahët, kërkoi edhe heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë!... Për ta mbyllur, po them edhe nja dy detaje të vogla. Pse nuk ishin të besueshëm amerikanët që bënë ekspertizën e videos Meta-Prifti, kurse amerikanët që bënë ekspertizën e 21 janarit ishin të besueshëm? Mos vallë ata punojnë me dy standarde me ne?...
Rate this article




del.icio.us
Digg

Post your comment