Latest News
A është i qëndrueshëm kapitalizmi modern
Kapitalizmi kontinental europian, që kombinon benificionet e mëdha sociale me orë të arsyeshme të punës, periudha më të gjata pushimi, pensionim të hershëm dhe shpërndarje relativisht të barabartë të të ardhurave, duket se i ka të gjitha elementet që mund të rekomandohen – me përjashtim të qëndrueshmërisë.
Kenneth Rogoff
Derisa ndotja, jostabiliteti financiar, problemet në shëndetësi dhe pabarazia vazhdojnë të rriten dhe derisa sistemet politike mbesin të paralizuara, e ardhmja e kapitalizmit nuk duket edhe aq e sigurt.
Cambridge – Shpesh më pyesin nëse kriza globale financiare e shënon fillimin e fundit të kapitalizmit modern. Është kjo një pyetje që zgjon kureshtjen e të gjithëve, për shkak se duket që ngërthen presupozimin se ekziston një zëvendësim funksional i kapitalizmit, që mezi po pret të vihet në jetë. E vërteta e tërë kësaj është se të vetmet alternativa serioze të paradigmës dominante anglo-amerikane janë format e tjera të kapitalizmit.
Kapitalizmi kontinental europian, që kombinon benificionet e mëdha sociale me orë të arsyeshme të punës, periudha më të gjata pushimi, pensionim të hershëm dhe shpërndarje relativisht të barabartë të të ardhurave, duket se i ka të gjitha elementet që mund të rekomandohen – me përjashtim të qëndrueshmërisë. Kapitalizmi Darvinian i Kinës, me konkurrencën e vet të ashpër midis firmave të eksportit, një rrjet të dobët të sigurisë sociale dhe ndërhyrje të madhe të Qeverisë, është duke u përmendur me të madhe si pasuesja e pashmangshme e kapitalizmit perëndimor, mbase vetëm për shkak të rritjes së jashtëzakonshme ekonomike në Kinë. Megjithatë, sistemi ekonomik i Kinës është duke evoluar vazhdimisht. Në të vërtetë, ende është e paqartë se si strukturat politike, ekonomike dhe financiare të Kinës do ta vazhdojnë transformimin dhe nëse Kina do të shndërrohet në fund në ekzemplarin e ri të kapitalizmit. Pa marrë parasysh këtë, Kina vazhdon të ketë problemet sociale, ekonomike dhe financiare të një shteti me të ardhura të pakta, që po përjeton rritje rapide.
Mbase esenca e tërë kësaj është se, shikuar nga këndvështrimi historik, të gjitha format aktuale të kapitalizmit janë transitore. Kapitalizmi modern ka pasur një rrjedhë të jashtëzakonshme që nga fillimi i Revolucionit industrial, dy shekuj më parë, duke eliminuar varfërinë e skajshme te miliarda njerëz të zakonshëm. Marksizmi dhe socializmi kanë pasur rezultate katastrofike, në anën tjetër. Mirëpo, me përhapjen në Azi, e më pas në Afrikë, të industrializimit dhe progresit teknologjik, një ditë beteja për qëndrueshmëri nuk do të jetë kushti kryesor, derisa mangësitë e shumta të kapitalizmit bashkëkohor do të bien në sy gjithnjë e më shumë.
Së pari, madje edhe ekonomitë kryesore kapitaliste nuk kanë arritur t’i çmojnë të mirat publike, si ajri i pastër dhe uji. Shembull i kësaj është dështimi i përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje të re globale kundër ndryshimeve klimatike.
Së dyti, krahas pasurisë së madhe, kapitalizmi ka prodhuar nivele të jashtëzakonshme të pabarazisë. Hendeku në rritje është pjesërisht produkt anësor i novacioneve dhe ndërmarrësisë. Njerëzit nuk ankohen rreth suksesit të Steve Jobsit, kontributi i tij është evident. Mirëpo, kjo nuk ndodh gjithnjë: pasuritë e mëdha u mundësojnë grupeve dhe individëve që të blejnë pushtet politik dhe ndikim, gjë kjo e cila, në anën tjetër, mundëson që të sigurohet edhe më shumë pasuri. Vetëm një numër i paktë shtetesh – Suedia për shembull – kanë qenë në gjendje që ta pengonin këtë qark vicioz, pa e vënë në rrezik rritjen.
Problemi i tretë janë sigurimi dhe shpërndarja e kujdesit mjekësor, një treg ky që nuk po arrin të përmbushë disa kushte themelore, të domosdoshme që mekanizmi i çmimit të prodhojë efikasitet ekonomik, duke filluar me vështirësinë që e kanë konsumatorët për vlerësimin e cilësisë së trajtimit të tyre.
Problemi vetëm sa do të përkeqësohet: përqindja në të ardhura e kostove të kujdesit shëndetësor pritet që të rritet, derisa shoqëritë po pasurohen dhe po plaken. Këto kosto ka gjasa që të arrijnë në 30 për qind të GDP-së brenda disa dhjetëvjeçarëve. Në shëndetësi, mbase më shumë sesa në secilin treg tjetër, shumë shtete po përballen me dilemën morale se si të ruhet motivimi për prodhim dhe konsumim me efikasitet, pa bërë dallime jashtëzakonisht të mëdha, sa i përket qasjes në kujdesin shëndetësor.
Është ironike se shoqëritë moderne kapitaliste janë të përfshira në fushata publike për nxitjen e individëve që të përkujdesen më shumë për shëndetin e tyre, duke shtyrë përpara në të njëjtën kohë një ekosistem ekonomik që i josh shumë konsumatorë të konsumojnë ushqim jo të shëndoshë. Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Epidemive, 34 për qind të amerikanëve janë me mbipeshë.
Së katërti, sistemet e sotme kapitaliste janë duke e nënvlerësuar me të madhe mirëqenien e gjeneratave të palindura. Gjatë periudhës më të madhe që nga Revolucioni industrial, një gjë e tillë nuk ka pasur rëndësi, derisa avancimi i vazhdueshëm teknologjik ka lënë në plan të dytë politikat shkurtpamëse. Deri më tani, secila gjeneratë ka bërë një jetë më të mirë sesa ajo e kaluara. Mirëpo, derisa numri i popullatës në botë ka shkuar në mbi shtatë miliardë dhe pamjaftueshmëria e burimeve po bëhet gjithnjë e më e dukshme, nuk ka garanci se kjo trajektore do të shkojë në të njëjtën mënyrë.
Krizat financiare natyrisht se janë problemi i pestë, mbase ato kanë shkaktuar më së shumti debat. Në botën e financave, inovacioni i vazhdueshëm teknologjik nuk i ka ulur rreziqet dhe ka gjasa që edhe t’i ketë rritur ato.
Në parim, secili prej problemeve të kapitalizmit është i tejkalueshëm dhe ekonomistët kanë ofruar zgjidhje të shumta. Një rritje e çmimit në botë për emetim të dyoksidit të karbonit do të shtynte firmat dhe individët që të marrin parasysh koston e aktivitetit të tyre të ndotjes. Sistemet tatimore mund të dizajnohen për të siguruar rishpërndarje më të mirë të të ardhurave. Caktimi i çmimeve në shëndetësi, përfshirë çmimin për kohën e pritjes, mund të inkurajojë një balancë më të mirë midis barazisë dhe efikasitetit. Sistemet financiare mund të rregullohen më mirë, duke i kushtuar vëmendje më strikte grumbullimit të tepruar të borxheve.
A do të jetë kapitalizmi viktimë e suksesit që ka pasur në prodhimin e pasurisë masive? Tani për tani, ndonëse është në modë tema për rënien e kapitalizmit, mundësitë duken të pakta. Sidoqoftë, derisa ndotja, jostabiliteti financiar, problemet në shëndetësi dhe pabarazia vazhdojnë të rriten dhe derisa sistemet politike mbesin të paralizuara, e ardhmja e kapitalizmit nuk duket edhe aq e sigurt pas disa dhjetëvjeçarëve.
Rate this article




del.icio.us
Digg

Post your comment