Home | Opinion | I Nderuar Zoti Aleksander Arvizu!

I Nderuar Zoti Aleksander Arvizu!

image
Aludimet, deklaratat shumëkuptimshme, ose asnjëkuptimshme, diplomacia e rafinuar në një vend të vështirë si Shqipëria, ku diplomacia e diplomacisë nuk është e nevojshme, nganjëherë edhe mungesa e transparencës, të gjitha këto janë bërë pjesë e performancës së ambasadave perëndimore, apo e përfaqësuesve vizitorë. 

 

 

Artan Mullaj

 

 

 


Midis mafies dhe ndotjes akustike
Së fundmi, ju keni përmendur në një intervistë krijimin e një celule antiamerikane, e cila, për shkak të ndjeshmërisë së lartë të shqiptarëve, do të ishte e dobishme të qartësohej publikisht. Një celulë e tillë, që ju thoni se përfaqëson 4% të shqiptarëve, e krijuar në mes të një tradite popullore, ku miqësia është më tepër se kaq, natyrisht, është e brishtë për nga rëndësia, por është e rëndësishme për nga mënyra se si ju e perceptoni dhe publikoni.

Nga momenti që ju e publikuat këtë gjë si “një lajm që nuk mund të publikohej ndryshe veçse duke mos përmendur asnjë dhe asgjë”, ky publikim gjysmak e bën edhe më serioze ekzistencën e kësaj celule, ashtu si aludimet, në vend që të ndihmojnë qytetarët e këtij vendi të kuptojnë dhe më pas të pozicionohen, ju shtojnë atyre edhe më shumë paqartësinë…

Dhe paqartësia, në këtë rast, si një mjegull e papritur në mes të kureshtjes së publikut, duke mos qenë e dëmshme për të, duke mos qenë e dhimbshme, nuk është as e këshillueshme, aq më shumë për një diplomat serioz të një vendi të madh mik të shqiptarëve.

Duke qenë se ju jeni një arsye më shumë për popullin shqiptar, që ai të vazhdojë të besojë te vlerat e shtetit që ju përfaqësoni, te liria dhe demokracia, e këshillueshme është përkundrazi, jo mjegulla por qartësia dhe konstruktiviteti në gjithë sa deklaroni publikisht për çdo gjë dhe për gjithkënd..

Si një nga shtyllat e civilizimit, kritika në tërësi dhe kritika mediatike në veçanti, nuk mund të trajtohej ndryshe nga ju, përveçse në mënyrë të përgjithshme: E mirëpritur, gjithë përkujdesje për të mos lejuar gjallërim sedre të lënduar apo për të mos shkaktuar zhgënjim apo xhelozi fëmijënore, për palët. Çdo kritikë, sidomos çdo kritikë e bërë pa takt dhe pa kujdes profesional, rrezikon të trazojë egon instiktive të çdo njeriu, të çdo komuniteti, për pasojë, pasojat e saj mund të mos jenë ato që do duhej të ishin. Prandaj jeni i mirëpritur, që, ndërsa keni qenë në shënjestrën e kritikës së disa analistëve shqiptarë, ndërsa nuk keni paragjykuar vullnetin e tyre të mirë, e keni menaxhuar mrekullisht atë, duke afruar relaksim për të gjithë: Si qytetar shqiptar, si analist në media, unë ndihem mirë që ju shfrytëzuat rastin të jepni një leksion etike ndërsa sinqeriteti juaj la hapësira plot për të kuptuar se ju silleni komod ndaj kritikave të disa kolegëve të mi, paçka se, disa prej tyre, me gjithë thelbin e mirë, mund të kenë pasur jo të njëjtin komoditet apo kujdes profesional në kritikat e tyre.

E mrekullueshme në këtë leksion të etikës është që ju dilni njëherazi mbi ngutjen e disave që ju të bënit gabimin bolshevik të futjes në të njëjtin thes të atyre që kritikojnë me ata që janë sipas jush antiamerikanë, kundërshtarë, që sponsorizohen për të qenë të tillë, që ju e dini kush janë dhe ata e dinë gjithashtu se kush janë e çfarë synimesh kanë…

(Kjo ju interferon ju, si një personalitet i merituar, me nivelin tuaj të përfaqësimit…).

* * *

Por ndërkohë, ka një shqetësim. Duket se shqetësuese për të gjithë është që ju nuk jeni i qartë dhe konkret në vullnetin tuaj si ambasador, për të bërë transparente këtë gjë, celulën, ndërsa jeni të sigurt për diçka që shumë shqiptarë, pavarësisht sigurisë suaj, me të drejtë e hamendësojnë dhe supozojnë, në ndonjë rast edhe e dyshojnë. Pyetja që shtrohet i nderuar zoti ambasador i Shteteve të Amerikës, në këtë rast, ka të bëjë me synimin tuaj: Mendoni ju se publiku shqiptar, i tronditur për këtë gërvishtje të tradicionalitetit (të miqësisë me Amerikën), e ka marrë mesazhin që duhet, nga aq sa ju thatë, apo ju thatë pikërisht aq sa nevojitet për të testuar dashurinë kolektive të një komuniteti që në shumicën absolute, krahasuar me popujt e të tjerëve të rajonit, është me tepri proamerikan? Akoma më konkrete është pyetja që rrjedh prej së parës. Mendoni ju i dashur zoti ambasador se kjo “celulë antiamerikane” që keni konstatuar, është kaq serioze dhe kaq shqetësuese sa të rrezikojë edhe cilësinë e autoritetit amerikan te ne, duke gjeneruar mosbesim ndaj jush dhe ndaj shtetit që ju përfaqësoni?

Këto janë dy pyetje të bëra pa kujdes për shkak të nevojës të të thënit troç të gjërave. Ju zoti ambasador ndërkaq duhet ta keni vënë re se pakujdesia, si një zakon instiktiv në Shqipëri, sot është në logjikën e gjërave. Pakujdesia e politikës, që shpesh degjeneron në papërgjegjshmëri, ka qenë e pranishme, sa në mënyrën si qeveriset ky vend, aq edhe në mënyrën si palët komunikojnë midis tyre. Edhe kujdesi i tepruar i ndërkombëtarëve për të qenë “të paanshëm”, në një farë mënyre, është gjithashtu pakujdesi. Pakujdesi që jo rrallë degjeneron në paqartësi. Jo rrallë paqartësia sundon në deklaratat e tyre. Aludimet, deklaratat shumëkuptimshme, ose asnjëkuptimshme, diplomacia e rafinuar në një vend të vështirë si Shqipëria, ku diplomacia e diplomacisë nuk është e nevojshme, nganjëherë edhe mungesa e transparencës, të gjitha këto janë bërë pjesë e performancës së ambasadave perëndimore, apo e përfaqësuesve vizitorë. Të gjithë ne e dimë se në ç’lloj ujëvare është shndërruar interpretimi nga palët i gjithë sa thoni ju, kolegët tuaj europianë dhe në përgjithësi autoritetet e Perëndimit. Të gjithë e dimë që ka realisht një lloj shqetësimi publik ndaj këtyre qëndrimeve, megjithëqë pranohet që ky qëndrim motivohet me nevojën për të qenë korrekt me strategjinë e diplomacive që ju përfaqësoni. Pa dyshim, detyra juaj është kujdesi për të mos qenë palë. Por më duhet t’ju them hapur dhe sërish, se pikërisht ky kujdes i tepruar për paanësi, është një pakujdesi që ka sjellë në vazhdim një perceptim popullor, sipas të cilit, ju jeni palë me qeverinë, që ju bën ju palë me qeverinë. Dhe ky është problemi. Dhe kjo është e vërteta.

* * *

Unë jam një shkrimtar shqiptar, i kthyer nga Perëndimi, i kthyer jo për të ndjekur ëndrrën, por për ta ndjellë atë, në vendin tim. Dhe shoh se si pas shumë vitesh, në vendin tim, të ëndërrosh është e kotë, si është e kotë të presësh papritur, UFO-t të zbresin nga qielli. Unë shoh atë që shikoni edhe ju: një vend të pushtuar nga terrori i mungesës së shpresës. Unë konstatoj atë që nuk e dyshoni aspak edhe ju: Në Shqipëri ka një klasë politike të infektuar dyfish, nga korrupsioni dhe nga paaftësia për ta luftuar atë; Nga paaftësia për ta shndërruar këtë rrëmujë qeverisëse, nga një shtet privat të tranzicionit, në një shtet publik; Nga paaftësia për të motivuar sërish këta njerëz, që këta të ndjejnë të gjallëruar në shpirtrat e tyre, dëshirën për të pasur sukses, dëshirën për të jetuar më mirë. Unë mendoj njëlloj si shumë të tjerë se shumica e shqiptarëve, të cilët sot mbahen peng prej babëzisë primitive të disa personazheve politikë publikë në vend, nuk kanë perceptimin real të qeverisjes publike, si një mjet, si një vullnet kolektiv, si një marrëveshje për të garantuar liri, barazi, ndershmëri, siguri dhe mundësi për të gjithë. Këto janë disa nga arsyet se përse shoqëritë njerëzore ekzistojnë dhe funksionojnë të organizuara në këtë mënyrë. Shqyrtimi i këtyre arsyeve e bën lehtësisht të kuptueshme të vërtetën se motorët e demokracisë në Shqipëri janë shuar. Ju e dini, ashtu si të gjithë e dimë se liria, ose më saktë, cenimi i saj, është një problem serioz në Shqipëri. Stuhisë së lirisë, që e sjell Amerikën si një simbol të saj, në sytë tanë, këtu i është bërë barrikadë. Në Shqipëri, qeverisja është kthyer në një sundim. Ju e dini këtë, ashtu si ne e dimë që nuk është nevoja ta thoni hapur këtë gjë. Ju e dini se engjëjt e shpresës, tremben dhe zhduken në qiell, sa herë buzëqesh Kryeministri i vendit, sepse poshtë maskës së tij, është një fytyrë tjetër, një standard tjetër: Fytyra e një njeriu që sundon dhe kërkon të sundojë pafundësisht në këtë vend, ku nuk ka liri, nuk ka drejtësi, nuk ka të ardhme. Këtë gjë sjell imagjinata jonë para jush! Ne jetojmë në një vend ku barazia është si një ëndërr e parë në ëndërr. Padrejtësia, apo më saktë, mungesa e saj, është më shumë se një dhimbje. Përzier me stres, makth, zhgënjim, frikë, kjo mungesë është mallkimi vetë. Mallkim i përzotshëm për njerëzit e thjeshtë, zoti ambasador! Favorizohen besnikët e pushtetit dhe në çdo rast, ndëshkohen ashpër, kundërshtarët e tij. Raste keni dhe kemi dhe ka dhe do të ketë sa të doni. Ndershmëria në Shqipëri është diçka më e rrallë se fantazmat. Ju e konstatoni, së bashku e pranojmë, por vetëm disa nga ne njerëzit e medias e themi hapur që ky pushtet autoritar nuk ka ndjeshmëri civile dhe kur një pushtet nuk ka ndjeshmëri, nuk mund të ketë as integritet.

Siguria e jetës është një hap larg paradoksit. Jeta është e brishtë, nuk duhet ndëshkuar me moralitet të tepruar, por, a mund të quhet teprim të konstatosh se në këtë vend vriten disa njerëz të pafajshëm, në punë e në rrugë, vetëm sepse disa të tjerë, që kanë pushtet dhe para, duan të fitojnë dhe përfitojnë edhe më shumë? Ju e dini që në Shqipëri vriten njerëz të pafajshëm, si ata që u vranë në sheshin para Kryeministrisë, por edhe gjykatës. Shikoni çfarë ndodh pas vrasjes makabre në Vlorë, ku një gjykatës, një prind, një bashkëshort, u nda përgjithmonë nga kjo botë. Pasiguri, frikë, kujdes kolektiv për të mos rënë në sy të atyre që edhe vdekjen e kthejnë në spektakël. Demokracia jonë është peng i këtij perceptimi, i nderuar z. ambasador i Shteteve të Bashkuara.. Ne vetë jemi pengje të saj, ndërkohë që ajo duhej të ishte mjeti ynë për të vazhduar marshimin e ndershmërisë në rrugën ku ju keni marshuar. Filozofia e realitetit në Shqipëri është e kundërta e asaj që ju mësuan dhe na mësuan edhe ne “etërit tuaj”: Është filozofia e terrorit: Gjithkush duhet të ketë frikë, jo nga ligji, por nga zemërimi i paguar i banditëve, që janë në shërbim të banditëve të tjerë, me pushtet edhe pa.

Ju keni quajtur burrë shteti Kryeministrin e një vendi ku zgjedhjet vidhen ditën për diell, ju kujdeseni për statusin tuaj të paanësisë, në një vend ku kërcënohen gazetarë, vriten edhe deputetë dhe kriminelë nuk ka? Edhe ata pak që janë, lirohen në gjykata ku vendimet nuk janë asgjë më shumë se “ironia e një fati”. Ne që jetojmë në një vend ku, të jesh kritik apo kundër qeverisë është si të ecësh mbi një fushë të minuar, dhe e keqja, rreziku, dështimi, fshihen, të presin këtu edhe atje. Ç’të thuash pastaj për mundësitë, për dëshirat, për qëllimet e njerëzve tanë, për dashurinë, për netët me hënë dhe në fund për romanet e Heminguejit dhe poezinë?

Bindja se ju i dini apo të paktën e ndjeni trazimin popullor që shkaktojnë në këtë vend sundimi dhe padrejtësitë, bashkuar bindjes tjetër se ju duhet të bëni diçka ndryshe, për të ndihmuar këtë vend, janë arsyet që po ju drejtohem sot zoti Arvizu.

* * *

Si një intelektual i këtij vendi, si një artist, si një krijues, unë guxoj sot të protestoj ndaj kujdesit tuaj profesional për të qenë palë me asnjë. Nëse ju nuk keni besim te politikanët shqiptarë, kjo nuk është arsye që ju të braktisni dashurinë e njerëzve të thjeshtë, që besojnë te ju dhe te vlerat tuaja. Amerika ka qenë në krah të shqiptarëve, në ditët më të këqija të tyre, por edhe në ngjarjet më të mëdha. Kjo është e qartë dhe kjo mjafton për të fshirë çdo dyshim se në tokën tonë mund të mbijë urrejtja për shtetin e madh. Unë mendoj se shqetësimi juaj për “celula kundërshtare” është i kotë zoti ambasador. Dhe pyetja që bëjnë në vazhdim shqiptarët nuk është ka apo s’ka një celulë kundër Amerikës, sepse vështirë të ketë shqiptar normal ta marrë seriozisht këtë gjë. Shqetësimi nuk është as nëse jeni ju palë apo jo me pushtetin e Tiranës, si jo rrallë edhe thuhet, dhe bashkë me ju edhe kolegët tuaj europianë. Ata që dinë të kuptojnë, e dinë se përfaqësimi juaj është shumë më dinjitoz se pëshpërimat që thuhen për përkrahje nga ju të mazhorancës dhe Kryeministrit aktual. Pyetja, pra edhe shqetësimi i publikut shqiptar, besoj unë, është, a do të marrë fund ndonjëherë kjo hipokrizi, ky qëndrim mjegullor, kjo delikatesë diplomatike në kurriz të shqiptarëve? A do të flisni troç ndonjëherë? Nuk e shikoni? Shqipëria po rrëshqet si ortek në greminën fatale të fatit të saj. A do ta merrni ju seriozisht ndonjëherë këtë gjë, duke folur seriozisht jo me politikën, jo për politikën e politikanët, por me shqiptarët e thjeshtë, për vlerat e vërteta të jetës së tyre, fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre?

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00