E Harruam Piramidën
Hipokrizia e klanit ish-komunist, që aktron sot antikomunizmin, dhe sundon Shqipërinë, është fare e qartë. Ashtu si ndjeshmëria instiktive ndaj idealit të dikurshëm, është diçka që nuk mund të ndryshojë, njëlloj nuk mund të ndryshojë as bindja e tyre...
Artan Mullaj
Nga mënyra si bëhet debati për Piramidën, nuk është e vështirë të kuptosh se shkaku i përplasjes midis qeverisë (dhe mbështetësve të saj) nga njëra anë, dhe shoqërisë civile, nga ana tjetër, nuk është ai që duket e thuhet. Qeveria pretendon se me një gur të vogël, po vret dy zogj të mëdhenj. Duke e prishur Piramidën, do shkulë si një barishte të keqe një simbol komunizmi nga peizazhi kombëtar. Dhe më pas, duke ndërtuar një ndërtesë surealiste në vend të saj, do të zbukurojë sheshin e madh të Tiranës me një entuziazëm perëndimor, që do të jetë një frymëzim për shqiptarët e lindur dhe të palindur akoma. Kjo është si t’i mbyllësh syrin vetes, kur gënjen kollaj të tjerët dhe ata të besojnë. Edhe pse në makinën juridike të pushtetit janë gjallëruar juristë kamikazë, që dinë ta shndërrojnë mediokritetin e tyre dhe atë të të tjerëve në një pasion të pamposhtur, arsyet e vërteta të prishjes së Piramidës duken e dihen.
Nuk i plas fare as Saliut, as Shendëlliut, për simbolet e një doktrine, së cilës, të paktën ata të vjetrit, i kanë shërbyer me zell të madh qysh në adoleshencën e tyre. Nëse ka diçka që duhet shkulur, dihet se kjo është një gjë e pamundur dhe është fshirja e komunizmit si doktrinë nga mendjet e tyre. Saliu, Shendëlliu, Myftiu e shumë të tjerë me radhë, brezi i tyre që hëngrën e pinë, jetuan e u shkolluan në sofrën e kuqe të Enverit, të Nexhmijes dhe Ramizit, gjithë ata që rrudhin sot fytyrën si në ekstazë herë para imazhit të Perëndimit, herë para Lindjes, e kanë këtë doktrinë brenda tyre, si një piramidë prej mishi në shpirtin e thellë. Kjo doktrinë nuk mund të shkulet as duke kaluar ylberin! Të ndryshosh prirjen ideologjike që ka motivuar qenien tënde dhe ka frymëzuar karrierën tënde, por edhe krenarinë, është si të ndryshosh drejtimin e erës, (diçka të tillë e ka thënë edhe Saliu).
Hipokrizia e klanit ish-komunist, që aktron sot antikomunizmin, dhe sundon Shqipërinë, është fare e qartë. Ashtu si ndjeshmëria instiktive ndaj idealit të dikurshëm, është diçka që nuk mund të ndryshojë, njëlloj nuk mund të ndryshojë as bindja e tyre, sipas së cilës, edhe po prishën Piramidën në mes të Tiranës, mijëra piramida të tjera, si kulte të së shkuarës, do të mbeten madje edhe në zemrat e tyre përjetë.
Së dyti, për Piramidën nuk i plas fare as salinjve të vegjël, që u rritën dhe arritën për shkak të talentit të “lëpirjes” së duarve. Sot ata shkulin flokët për të treguar se sa vuajnë për të mirën e kombit dhe për të ardhmen e ndritur, në të cilën nuk duhet të ketë piramida diktatorësh, dhe të gjithë e dinë se kjo është një hipokrizi naive e spektakolare njëherësh. Shumë nga këta të rinjtë demokratë, nuk kanë as fantazinë e nevojshme të kuptojnë ç’ishte kjo gjë dhe kjo gjëmë që mallkoi Shqipërinë për katër dekada, që quhej komunizëm. Si ndodh gjithmonë kur mungon fantazia dhe ndjeshmëria civile, kureshtja e pushtetarëve të rinj të markës “alibeaj”, dhe shpjegimet bolshevike të analistëve pro sundimit të prerjes “zheji”, përbëjnë një zhvillim krejt të pavlerë, që të kujton degët e thata, apo kleçkat në zhavor.
A mund të urresh një epokë, një doktrinë, një ideologji, pa e jetuar atë? Përgjigjja është “Po!”. Është e mundur. Mund ta urresh komunizmin si doktrinë, vetëm nëse kjo doktrinë, ky shëmbëllim, kjo epokë, përafrohet me perceptimin e një sundimi, pjesë e së cilës je vetë. Nëse salinjtë e vegjël sot frymëzohen ekstremisht kundër doktrinës në të cilën vetë ata nuk jetuan, kundër komunizmit, kundër së shkuarës, kjo vërteton se fantazia e tyre, ndërsa janë edhe vetë sundimtarë, ka krijuar një perceptim real të sundimit të dikurshëm, bazuar në perceptimin e pushtetit me të cilin kontrollojnë vendin... “Komunizmi është njëlloj, me këtë sundimin tonë, ndërsa jemi ne në pushtet. Luftë klasash atëherë, urrejtje klasash tani. Sundim atëherë, uzurpim tani. Pushkatime fshehur mesnatave atëherë, vrasje në bulevard, në dritën me diell, tani. Qejfe për paraardhësit tanë atëherë, orgji edhe për ne tani. Skllavëri për shqiptarët atëherë, përbuzje e poshtërim tani. Abuzime atëherë, thithje e palcës popullit tani. Izolim atëherë, degradim tani…”.
Duke përjashtuar shkuljen e flokëve pra për ideal, për antikomunizëm, nga ata që janë gati të shkelin me këmbë edhe të shkuarën e tyre, mbetet si varg i ngrehur, arsyeja përse salinjtë (mbështetësit e Kryeministrit) duan ta prishin doemos Piramidën. Për këdo që gjendet jashtë kësaj zhurme turpi, për shkatërrime e ndërtime rishtas, ka një shpjegim. Saliu dhe salinjtë vërtet me një gur duan të vrasin dy zogj, por jo ata që thonë. Duan të qëllojnë “shpendë të tjerë”. Së pari, ata duan të prishin Piramidën jo se shqetësohen prej kujtimit, kultit, simbolit, shëmtisë dhe nostalgjisë që ajo gjeneron te të majtët, siç thonë, por sepse duan të ndërtojnë diçka tjetër. Duan të ndërtojnë, jo sepse këta shijthartët merakosen për etikën arkitekturore apo për festën shekullore të pavarësisë, ndërkohë që e kanë katandisur territorin e Republikës në një kosh mbeturinash dhe në një arenë krimesh, realitetesh dhe shkulmesh të shëmtuara. Pasi të prishin, duan të ndërtojnë, sepse fare thjesht dhe fare lumtur, janë firmosur disa kontrata për t’u bërë doemos ky ndërtim, pas të cilave do të ketë disa fatura, prej të cilave do të teprojnë për xhepat e tyre, disa miliona euro shpërblim për fantazinë që kanë. Por thesari i vërtetë nuk qëndron këtu se sa te diçka shumë më fine. Historia e Piramidës është një hallkë floriri në zinxhirin fantastik të debateve të kota të hapura për të tërhequr vëmendjen nga histori të mëdha, nga probleme të mëdha kombëtare, që ka sjellë mbretërimi i Saliut gjithë këto vjet: depozitimi ekstrem i pushtetit në duart e një njeriu që e ka ndërtuar karrierën e tij duke shkatërruar piramidën e besimit popullor në tërësi, është njëri prej tyre.
Të mos harrojmë dhe nënvleftësojmë edhe një arsye tjetër, që ngre po aq ujin në hava. Instinktin e kundërshtisë. Filozofia e bërjes politikë në Shqipëri bazohet sot në kundërshtinë verbale, sipas së cilës, e mirë është vetëm ajo që nuk bën dhe nuk thotë kundërshtari. Kjo është një sëmundje që vjen prej polarizimit, egërsia e të cilit përcakton edhe shkallën e lartë të primitivitetit social. “Nuk doni ju ta prishim piramidën? Epo ne do ta prishim. Nuk doni ju Çilieta të bëhet deputete? Kaq ta bëni dhëmbin, ne do ta bëjmë. Nuk doni të ndërtojmë një Parlament të ri? Punë e madhe, do ta kemi për 100-vjetor. Doni të protestoni? Puna tuaj. Garda është gati atje, po ju pret, me fishekët në gojë…”.
Kjo është një strategji cinike shqiptarësh, që ka ndihmuar në konsolidimin e së keqes, në tërësi. Në këtë kurth bie çdo situatë. Dhe në vijim të kësaj logjike, vështirë të ketë një dëshpërim të sinqertë nga ana tjetër. Edhe në krahun tjetër, instinkti i kundërshtisë funksionon njëlloj. Doni ta prishni ju Piramidën? Ne do bëjmë atje barrikadë, me trupat tona.
Qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se edhe në grupin e atyre që kundërshtojnë prishjen e Piramidës, nuk ka aq ndjeshmëri sistematike, sa thuhet. E thënë ndryshe, nuk ka sinqeritet. Edhe ata përballë, me një gur të vockël, duan të vrasin dy zogj të mëdhenj. Nuk kundërshtojnë thjesht prishjen e një ndërtese me formë piramide, por kundërshtojnë sundimin e sundimit të absurdit që përfaqësojnë salinjtë përballë, dhe mirë bëjnë. Së dyti, synojnë të rrisin aksionet e komunitetit që përfaqësojnë. Duke kundërshtuar, duke akuzuar, duke folur, duke protestuar, ata ftojnë të gjithë shqiptarët që të shkunden nga matufepsja dardane dhe të kërkojnë më shumë nga pushteti, për të mirën e tyre. Ky frymëzim popullor, ky reaksion, ky gjallërim, ky rebelim i nevojshëm dhe i shëndetshëm, nëse arrihet është diçka që vlen shumë më shumë se Piramida e Tiranës, e Parisit dhe Piramidat e Keopsit, të marra së bashku.
Por gjasat që të ndodhë një elektrizim mbarëqytetar kundër shkatërrimit, janë të pakta. Duket se shumë pak qytetarë ndihen shpirtërisht të gërvishtur prej faktit se Piramida, shumë shpejt nuk do të jetë më. Prej faktit, ka apo nuk ka vlerë arkitektonike, historike dhe simbolike Piramida. Prej faktit që sigurisht që ka vlerë. Prej faktit që nëse ka, prishja e saj, do të thotë prishje vlerash.
Shqiptarët kanë para tyre një shkatërrim të ri, të madh, të dhimbshëm. Nuk është i pari. Nuk do të jetë as i fundit..
Por, të jemi dashamirës: Mbase, kushedi, duke ndërtuar një Parlament të ri mbi varrin e Piramidës, mbase krijohen vlera të tjera dhe simbole të tjera, që brezave të ardhshme do t’ju vlejnë njësoj. Nëse prishet simboli i Enver Hoxhës, duke fshirë Piramidën nga faqja e dheut, do të ngrihet mbi të një ndërtesë fantastike, simbol i një diktature të re. Simboli i sundimit të salinjve. Kush mund ta thotë që pas 200 vitesh, Sali Berisha nuk do të provokojë më shumë vëmendje dhe më shumë interes se Enver Hoxha, Stalini, apo Lui le Peni? Askush. Historia do t’i ndajë perceptimet e së ardhmes, jo ne.




del.icio.us
Digg

Post your comment