Home | Opinion | Një fitore e rrejshme

Një fitore e rrejshme

image
Rrjedha e mëtejme e ngjarjeve është lehtë e parashikueshme: ka pak gjasa të jetë e mirë për Kosovën. Hapësira negociatore me Serbinë do të jetë edhe më e ngushtuar, pozicioni brenda Bashkimit Europian gjithnjë ...

 

 

 


Veton Surroi

 

 

Kosova ka pse të brengoset, me gjithë propagandën e zyrtarëve të vet: në shtator, Prishtina po hyn me të dy këmbët në negociata të thella politike që kanë të bëjnë me territorin e Kosovës, me rregullimin kushtetues të saj


1.

Kryeministri i Kosovës e quajti suksesin më të madh pas shpalljes së pavarësisë. Një përshkrim të këtillë do ta meritonte një ngjarje shumë e madhe, posaçërisht duke marrë parasysh faktin se shpallja e pavarësisë u bë në një koreografi të detajuar deri në imtësi nga sponsorët e pavarësisë së Kosovës: edhe fjalët e thata të belbëzuara nga përfaqësuesit institucionalë atë ditë ishin të shkruara gjetiu (testi për të gjithë lexuesit: kush mban në mend ndonjë fjali të shqiptuar në Kuvendin e Kosovës atë ditë, cila fjali do të citohet në një të ardhme në mbamendjen tonë kolektive?)

Për fat të keq, jo vetëm për kryeministrin e vendit, por më shumë për qytetarët e vendit, marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe komandantit të KFOR-it (pasi që ky kishte mbërritur marrëveshje me përfaqësues të Serbisë) nuk është sukses i përmasave historike pas shpalljes së pavarësisë. Brenda një fjalori ushtarak, aplikuar në zhvillimet paraushtarake të dhjetë ditëve të fundit, komandanti i KFOR-it ka arritur një armëpushim që do të zgjasë fillimisht deri në gjysmën e shtatorit.

Për Prishtinën zyrtare ky armëpushim përmban në vete tri lajme të mira. Së pari, sepse, duke mos qenë në gjendje të marrë vetë kontrollin e pikave doganore në Jarinje dhe Bërnjak dhe e detyruar të tërhiqet fizikisht nga aty, Prishtina zyrtare del nga një situatë e pakëndshme, një si rrugë qorre. Së dyti, mbërrin që duke i shpallur zonë ushtarake, këto dy pika doganore rrjedhimisht, të mos lejojnë qarkullimin normal të mallrave, pra edhe të krijohet përshtypja se po zbatohen masat e reciprocitetit të proklamuara nga Qeveria e Kosovës. Së treti, çështja e dy pikave doganore që nuk kontrollohen nga institucionet e vendit nxirren nga dosja e çështjeve të harruara dhe vendosen në atë të çështjeve aktuale, duke e pasur KFOR-i nën kontroll të përkohshëm.

 

2.

Për Beogradin zyrtar, ky armëpushim po ashtu ka lajme të mira. Së pari, nëpërmjet të organizimit të barrikadave e pastaj edhe djegies së pikës doganore, u neutralizua avantazhi fillestar i Prishtinës i fituar me njësitin ROSU që dëshmoi se pikat kufitare mund të mbahen, qoftë edhe për disa orë. Me barrikada e djegie objektesh, Beogradi sërish u vendos si palë negociatore. Së dyti, duke e përjashtuar Prishtinën zyrtare nga prania fizike në kufi, e me arritje të marrëveshjes me NATO-n, kufiri i Kosovës mes Serbinë prapë e ka cilësimin e dyfishtë të fjalorit status neutral “kufi-vijë administrative”, gjegjësisht nuk është as mish, as peshk. Së treti, prej një situate ku me praninë e doganierëve dhe policëve kufitarë kosovarë në pikat 1 dhe 31 ka mundur të krijohet një realitet i ri, gjithsesi i pakëndshëm për Beogradin, tash kjo çështje shkon për t’u trajtuar në Bruksel, një terren bukur i përshtatshëm për Beogradin zyrtar, gjykuar nga avantazhet e krijuara deri tani në negociata me Kosovën.

Dhe, lajmi gjithsesi i mirë për Beogradin: e tërë marrëveshja u arrit me NATO-n, duke u konfrontuar me të (bllokuar rrugët), duke djegur pikën doganore dhe duke vrarë një polic kosovar - në vend të ndëshkimit u arrit një shpërblim.

 

3.

Për Prishtinën zyrtare me këtë marrëveshje ka lajme të pakëndshme, të cilat po përpiqet t’i fshehë me një tepri formulimesh të rrejshme (të tipit “fitore historike”). Pikat 1 dhe 31 nga mesi i shtatorit do të jenë objekt shqyrtimi në negociatat e Brukselit. Ekziston një rrugë e shkurtër mes problemeve “praktike”, siç janë quajtur dhe tërë kompleksit politik të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e këtë rrugë të shkurtër e kanë kaluar të dyja palët për dhjetë ditë. Prej vulave doganore u kalua në pikat 1 dhe 31, e prej aty te tërë territori i veriut që nuk kontrollohet nga Prishtina, e prej aty te qëndrimi i Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës. Prishtina po hyn me të dyja këmbët në negociata të thella politike që kanë të bëjnë me territorin e Kosovës, rregullimin kushtetues të saj dhe natyrën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të papërcaktuar.

 

Një proces i këtillë negociator do të duhej të ndodhte herëdokurdo, por lajmi i keq për Kosovën është se po ndodh në një kornizë negative për Kosovën, gjegjësisht në një kornizë ku me natyrën e precedencës po ndërtohen parimet udhëheqëse, e parim udhëheqës i ndërtuar gjatë këtij viti është se Kosova dhe Serbia kanë sovranitet të përbashkët për disa (ende nuk e dimë as listën) e çështjeve problematike mes dy vendeve. Ashtu si u arrit pajtueshmëria që të dyja vendet të kenë legjitimitet pronësie mbi regjistrin civil të Kosovës, nuk do të ishte aspak e befasishme që të ndërtohet një sistem kontrolli të pikave 1 dhe 31 nëpërmjet “sovranitetit të ndarë” mes Kosovës dhe Serbisë.

Prishtina zyrtare, zaten, me mendjelehtësinë që e karakterizon prej kohësh, ka pranuar, as gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë, që çështja e pikave 1 dhe 31 të trajtohet brenda kontekstit të planit gjashtëpikësh të Ban Ki Moon-it, pra të përgjegjësisë së përbashkët të Prishtinës dhe të Beogradit për këto pika dhe për këto çështje.

Pa marrë parasysh se çka thonë zyrtarët e Prishtinës në këto ditë propagande, ata kanë pranuar që në korrikun e vitit 2008 që doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës do të vendosen në Jarinje e Bërnjak vetëm me pëlqimin e Beogradit. Ky qëndrim mbetet po i njëjti me marrëveshjen e negociuar nga komandanti i KFOR-it: ai ka krijuar një hapësirë sigurie në mënyrë që palët të merren vesh mes vete se çfarë do të jetë natyra e pikave 1 dhe 31, gjegjësisht se çfarë do të jetë regjimi civil i kontrollit pasi të skadojë regjimi i tanishëm ushtarak.

Për pozitën negociatore kosovare, ndërhyrja e 25 korrikut ishte një atu, ndonëse jo shumë e madhe, e vullnetit që Kosova të ushtrojë sovranitetin e vet, jashtë marrëveshjes me Serbinë. Me marrëveshjen e komandantit të KFOR-it, Kosova nuk ka më atu të këtillë - pikat 1 dhe 31 do të mund të jenë pjesë e sovranitetit të Kosovës vetëm nëpërmjet procesit negociator, assesi e ndërhyrjeve të Prishtinës, që do të quheshin të njëanshme, ani pse janë ushtrim i sovranitetit të vendit.

 

4.

Rrjedha e mëtejme e ngjarjeve është lehtë e parashikueshme: ka pak gjasa të jetë e mirë për Kosovën. Hapësira negociatore me Serbinë do të jetë edhe më e ngushtuar, pozicioni brenda Bashkimit Evropian gjithnjë e më i keqësuar edhe pas një Raporti negativ të progresit, hapësira ekonomike gjithnjë e më e keqësuar për shkak të keqmenaxhimit të parasë publike, deficitit buxhetor dhe këmbënguljes që ky të mos trajtohet tani me rebalanc.

Në rrafshin e praktikave qeverisëse, një spirale e përhershme keqësimi u konvenon vetëm regjimeve jodemokratike, të zhytura në korrupsion dhe krim. Duke e përkeqësuar gjendjen e sotme, mbërrijnë të zvetënojnë problemet e djeshme.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00