Home | Opinion | Kriza botërore dhe Greenspan-i

Kriza botërore dhe Greenspan-i

image
Cila është karakteristika e kësaj krize, vorbulla e së cilës lindi në Amerikë dhe fshikulloi gjithë planetin? Është bujaria ekstreme e bankave amerikane, e shndërruar në bamirësi, sipas strategjisë së Greenspan-it, këshilltarit të Clinton, i cili pra, mund të supozohet edhe si përgjegjës kryesor i këtij kolapsi financiar. 

 

 

 

Artan Mullaj

 

 


Krisjet planetare të ekonomisë nuk shfaqen gjithmonë në të njëjtën mënyrë, por të gjitha ato kanë një veçori të përbashkët: shfaqen papritur. Mund të ndryshojnë në madhësi dhe shkaqet apo efektet në ekonominë globale mund të ndryshojnë në varësi të faktorëve të ndryshëm, por befasia e shpërthimit të tyre është e pranishme në çdo rast. Opinioni publik dhe qeveritë mbeten të shokuara me kërcënimet e papritura të vështirësive që sjellin zakonisht këto shpërthime shkatërruese, por dhe me kërcënimet e trishta që sjell paaftësia e vetë këtyre qeverive për t’i nuhatur dhe për t’i parandaluar krizat në kohën e duhur.

Si shpërthimet e befta vullkanike, krizat e botës i gjunjëzojnë njëlloj qeveritë, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse luftojnë si të munden, shpesh pa sukses, pasojat e tyre. Përveç befasisë, krizat kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: flluskën e tregut të aksioneve të të ashtuquajturës bursë, që do të thotë se krizat botërore paraprihen gjithmonë me rritjen e paarsyeshme dhe të parregullt të çmimeve të aksioneve në bursa. Edhe pse mund të quhen paralajmërime të krizave, jo çdo flluskë tregu çon doemos në krizë. Porse çdo krizë ekonomike botërore është pararendur nga rritja e madhe e aksioneve në bursë. Sidoqoftë, këto rritje aksionesh nuk korrespondojnë me fitimet reale të kompanive dhe për këtë arsye, ndryshe nga ajo për të cilën janë krijuar, nuk kanë të bëjnë me aftësitë financiare të firmave, dhe nuk përfaqësojnë potencialin real ekonomik të tyre. Në çdo rast, qeveritë vazhdojnë të tregohen të paafta të krijojnë struktura juridiko-financiare që do të mund të shmangnin krijimin e këtyre flluskave, të cilat mund të quhen edhe kambana të krizës.

* * *

E hënë, 28 tetor 1929. Në ditarin ekonomik të botës, kjo do të njihet si “E HËNA E ZEZË”. Pak përpara fillimit të transaksioneve në bursën e Nju Jorkut, gazetarët e “Wall Street” vunë re diçka të pazakontë. Lustruesit e këpucëve në rrugën e bursës më të madhe të botës, ata që zakonisht nuk arrinin t’i shërbenin klientelës së tyre eklektike, atë ditë mbetën pa punë. Operatorët e bursës vraponin të hynin në "tempullin e dollarit" pa shikuar fare rreth e rrotull. Ata ishin të shqetësuar, për shkak të së enjtes së shkuar, kur aksionet kishin rënë ndjeshëm dhe në mënyrë të papritur. Një rënie e tillë ishte diçka e pazakontë për bursën e “Wall Street”, ku çmimet e aksioneve ishin rritur për dhjetë vjet rresht. Brenda 48 orëve aksionet ranë, duke shënuar një humbje prej 25%. Në atë kohë kjo humbje përkthehej në 8 000 000$, e cila në mes të nëntorit shkoi në rreth 30 000 000$. Në numra absolutë, këto vlera sot mund të duken modeste edhe si pasuri të futbollistëve titullarë të kampionatit botëror, por në krahasim me ekonominë e SHBA-së në atë kohë ishin tepër të larta. Ato përfaqësonin gati dyfishin e borxhit shtetëror të SHBA-së, në atë kohë. Kjo krizë shpërtheu kur investitorët në “Wall Street” shisnin aksionet e tyre me ritme marramendëse, duke shkaktuar panik. Brenda tre muajve, shumica e aksioneve humbën gjysmën e vlerës së tyre. Kaq mjaftoi që kriza të zhvendosej menjëherë në sistemin bankar. Bankat kishin huazuar (kredituar) shuma të mëdha parash në kompanitë e aksioneve, të cilat mbas të “Hënës së Zezë”, shumë shpejt ndodheshin në prag të falimentimit. Induktivisht goditet edhe industria amerikane, e cila deri në atë kohë ishte gjallëruar në sajë të normës së ulët të interesit bankar dhe të investimeve të shfrenuara. Kjo rënie industriale solli një reduktim drastik të fitimeve të kompanive, e cila, nga ana e saj, përfshiu për herë të dytë rënien e mëtejshme të tregut të aksioneve në bursë. Rrethi u mbyll. Disa muaj pas krakut të “Wall Street”-it, prodhimi industrial amerikan ra në 20%. Brenda një viti, papunësia arriti në 25%. Në 1931, vlera e fitimeve të firmave në Nju Jork kishte rënë dhjetë herë në krahasim me atë të shtatorit 1929. 
Cilat ishin shkaqet e krakut të madh të së “Hënës së Zezë”? Nga analiza e atëhershme u supozua se jo vetëm paniku i investitorëve ishte shkaku i kolapsit ekonomik. Kishte shkaqe të tjera. Spekulimi i bankave ishte njëri prej tyre, por edhe roli i munguar i shtetit, gjithashtu. Qeveria amerikane nuk kishte ndërhyrë në momentin e duhur për të ndaluar këto spekulime, ose se ishte e paaftë, ose sepse i kishte munguar guximi të bënte këtë gjë, për arsye që nuk diheshin dhe nuk dihen ende. “E Hëna e Zezë” do të përsëritej shumë vjet më vonë, me përpjesëtime të tjera, pra edhe me pasoja të tjera. Më 19 tetor 1987, kur në “Wall Street”, brenda 7 orëve treguesi i bursës së aksioneve ra në 22%, kjo në vlerë monetare përbënte një shumë prej 550 000 000$.

Kjo shumë përfaqësonte rënien më të madhe të shënuar deri atëherë, në një kohë kur treguesi i bursës, qysh nga fillimi i vitit deri në verë, kishte shënuar një rritje të shfrenuar deri në masën 44%. Më 30 janar të vitit 1995, kur bankierët më të mëdhenj të botës ndodheshin në Davos të Zvicrës, ku zhvillohej Konferenca Ekonomike Botërore e radhës, diskutohej për krizën e monedhës meksikane (pesos), e cila kishte humbur 40% të vlerës së saj në lidhje me dollarin amerikan brenda 1 muaji, për shkak të largimit të kapitalit nga vendi. Sapo njëri nga të pranishmit deklaroi se rezervat monetare të Meksikës ishin më pak se 5 miliardë dollarë, bankierët amerikanë braktisën gjithë zhurmë konferencën. Meksika duhej t’u kthente mbrapsht brenda pak ditëve 18 miliardë dollarë, që ajo nuk i kishte. Kjo situatë rrezikonte Meksikën, por trazonte edhe Amerikën, prandaj më 3 shkurt, Presidenti amerikan u detyrua t’i ofronte një kredi 50 miliardë dollarësh Meksikës. Kjo lëvizje parandaloi shpërthimin e një krize globale, por, megjithatë, rënia në bursat respektive të bursave shënuan /një rënie rekord prej 10 miliardë dollarësh. Kjo hyri në historinë e krizave si fenomeni “Tekila”. Në vitin 1998 do të kemi “Krizën Nervore të Tigrit”, një krizë tjetër kjo që pështjelloi “Wall Street”-in nga një fenomen në juglindje të Azisë. Vendet si Tailanda, Filipinet, Malajzia dhe Indonezia, lulëzonin atë kohë nga një zhvillim bumerang si rrjedhojë e shumave astronomike që kishin investuar bankat japoneze dhe agjencitë amerikane. Këta investitorë të huaj nuk shqetësoheshin për fitimet e tyre, sepse monedhat vendase ishin të bashkangjitura në vlerë me dollarin. Por qeveritë e vendeve aziatike nuk mundën të ruajnë më njëvlefshmërinë me dollarin për arsye të ritmeve marramendëse të investimeve nga njëra anë dhe të rritjes së deficiteve në buxhetet e tyre. Vendimi i tyre për braktisjen e njëvlefshmërisë me dollarin shkaktoi rënie të bursave dhe të aksioneve të firmave ndërtimore që kishin qenë të begata. Investitorët amerikanë u shqetësuan, sepse testimi ekonomik i Tigrave do të përfshinte në krizë edhe bankat japoneze, te të cilat vetë amerikanët kishin investuar, çka edhe ndodhi.

* * *

Fenomeni i investimeve të shfrenuara u shpërnda në të gjithë botën. Mania e investimeve dhe lehtësia e marrjes së kredive për këdo, solli një liberalizim perceptimi, në të cilin ishte e mundur që parajsa, nëpërmjet kredive bankare, ishte e mundur për këdo. Gjithkush mund të merrte një kredi për shtëpi, për biznes, për një makinë luksoze dhe kjo prishje e ekuilibrit mes dëshirës së njeriut për jetë të madhe dhe lehtësisë për ta pasur atë, solli një krizë të re në planet. Krizën e investimeve të shfrenuara. Kriza aktuale ekonomike e botës është dhuratë e disa filozofive të zhvillimit që nuk janë për fat të keq paraprirëse të tij, duke u shfaqur si një defekt serioz i sistemit kapitalist, por ajo përfaqësohet në çdo rast e ideuar nga Alan Greenspan, një muzikant (profesioni i tij i parë) që arriti të dirigjojë orkestrën e liberalizimit shkatërrues të botës financiare. I mbështetur nga qeveria amerikane e Bill Clinton-it qysh nga mesi i viteve ‘90, strategjia e parasë së lehtë që ideoi Greenspan-i, u shndërrua në një praktikë të financimit bankar që e aplikuan një numër të konsiderueshëm shtetesh të zhvilluara në botë. Me një fjalë, në ekonominë botërore pati një shpërthim të ri investimesh të shfrenuara dhe si përfundim, kjo solli një ripërtëritje të ciklit të krizës financiare historikisht të vërtetuar më parë. Kësaj radhe, sipas UBS-së, kriza u kushtoi bankave në botë një dëm prej 500 miliardë dollarësh. Kulmin kjo krizë e arriti në vitin 2009, kur bankat u asfiksuan më në fund nga dhëniet masive të pakontrolluara të kredive, dhe ekonomia botërore kaloi në recension, dhe pasojat e saj vazhdojnë edhe sot.

Si gjithmonë qeveritë, ekspertët dhe analistët u kapën përsëri në gjumë nga befasia e papritur e kërcënimit të regresit, për më shumë që vetë shkencat ekonomike janë sot në një krizë besimi, pasi asnjëherë krizat e kaluara nuk janë bërë mësim për askënd. Cila është karakteristika e kësaj krize, vorbulla e së cilës lindi në Amerikë dhe fshikulloi gjithë planetin? Është bujaria ekstreme e bankave amerikane, e shndërruar në bamirësi, sipas strategjisë së Greenspan-it, këshilltarit të Clinton, i cili pra, mund të supozohet edhe si përgjegjës kryesor i këtij kolapsi financiar. Është gatishmëria e bankave amerikane që edhe qytetari i fundit amerikan të ngrejë shtëpinë e tij të ëndërruar me kredi dhe të provojë po me kredi fatin si biznesmen, e të blejë ç’të dojë e sa të dojë. Ky entuziazëm rriti njëherazi aksionet në bursat kryesore të botës. Mirëpo mbas disa vitesh strategjia dështoi dhe bankat, por edhe klientët debitorë të tyre, u futën, dhe shumë prej tyre janë ende, në kolaps. Kjo krizë do të hyjë në histori si “Gabimi i Greenspan” i periudhës së parasë së lehtë. Pasojat e këtij gabimi parashikohet t’i kushtojnë shumë më tepër nga ç’duket ekonomisë botërore, e cila, vazhdon të jetë ende mjaft delikate.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00