Home | Opinion | Pushteti në Rrugë

Pushteti në Rrugë

image
Kjo mërzi dora-dorës po shndërrohet në një urrejtje civile, që rritet aq më shumë sa më shumë shtohen postblloqet në rrugë dhe barrierat psikologjike në jetën e tyre.?Por nuk është vetëm babëzia dhe vetëm mediokriteti. Kjo pjesë e konsiderueshme e njësive të policisë rrugore, që ka çmeritur edhe përshtypjet e të huajve dhe të emigrantëve tanë, është vetë shkelëse e kodit ndërkombëtar rrugor.

 

 

Artan Mullaj

 

 


Shqipëria nuk është as më shumë e as më pak se një peizazh i trishtë, me pyje të shkatërruara, me masive plehrash në çdo kilometër dhe me fytyra të ngrira nga mungesa e brishtësisë në komunikim. Një vizitori të huaj, që kalon në kufirin shqiptar, i nevojitet shumë energji të përballojë habinë, por edhe burokracinë poshtëruese që ky vend afron nga fillimi në fund: I huaji do të filtrohet nga doganierë “historikë e histerikë” dhe nga policë shpesh pa përvojë dhe pa autoritet, sapo të shkelë. Në hyrje, në kufi, për një gjallërim të këtij perceptimi, plehrat, makina të parkuara keq, zyra sigurimesh e qebaptore, ngjitur njëra me tjetrën, janë të afta njëlloj sa luginat e shëmtuara prej shkatërrimit të pyjeve, të stisin një furi dëshpërimi te çdo vizitor. Peizazhi kufitar ngjan si i prerë me thikë. Turistit do t’i duhet të elektrizojë vetëdijen që t’i bëjë ballë përshtypjes shokuese se ndryshimi është tërësor. Duke hyrë në Shqipëri, kufiri që ndan dhimbshëm parajsën ekologjike të vendit të huaj me mallkimin e gjelbër që ndien sapo shkel në tokën shqiptare, ku sundon pisllëku, shërbimi i vrazhdë i autoriteteve, gjeografia e thatë, natyra e sakatuar dhe mizerja, është i dukshëm, i dhimbshëm, i vrazhdë. ?Udhëtimi pastaj në rrugën kombëtare të Shqipërisë, që është një rrugë e re dhe e mirëmbajtur vetëm në statistika, i afrojnë vizitorit imazhe nga fshatra kufitarë mesjetarë me vrazhdësi feudale, ndërsa edhe klima, edhe atmosfera, edhe pështjellimi i jetës në ambiente, të gjitha vijnë erë varfëri, megjithëse makina luksoze me shoferë gladiatorë fishkëllejnë rrotat e tyre në të gjitha drejtimet.?

Në këto peizazhe, pemët anësore janë prerë prej kohësh, plehrat shoqërojnë udhëtarët komfortësisht, me një këmbëngulje tradicionale, ndërsa postblloqet e policëve rrugorë, si një stres, por jo si një përjashtim, janë aty, në këmbë, në çdo kohë, në çdo km.?Një vizitor perëndimor që hyn nga Dogana e Kapshticës apo nga çdo doganë historimadhe e vendit, dhe udhëton drejt kryeqytetit, e ka të pamundur të shpjegojë jo vetëm maskaradën ekologjike dhe masivët e plehrave në këtë vend, (ku njerëzit ende nuk e kanë kuptuar ç’gjë është e mirë për fëmijët e tyre), por edhe mënyrën se si funksionojnë në detyrë policët që përfaqësojnë shërbimin rrugor shtetëror. Vizitori do të përballet me kundërlogjikën e detyrës së tyre: Një pjesë e mirë e policëve rrugorë, thjesht, qartë, shkoqur, natyrshëm, por edhe paturpësisht, vjedhin e abuzojnë në rrugë, pa u kujdesur fare të fshehin babëzinë profesionale të fitimit që edukon zakonisht të qenët në pushtet te ne.?Shumë nga këta policë janë barkmëdhenj ose mendjemëdhenj dhe postbllokojnë nëpër rrugët shqiptare, në hyrje dhe në dalje të çdo qyteti, duke ecur me koketerinë e grave me barrë, ndërsa tunden me harqe të rrezikshme për shtyllën kurrizore, për të rrezatuar egër pushtetin e detyrës rrugore që u është ngarkuar.

E natyrisht ky është një aktrim i nevojshëm për të synuar fitime ngazëllyese çdo ditë, me ndihmën e “hijes së rëndë” të detyrës.?Megjithatë, udhëtarët, të huaj ose jo, të cilët përballen shpesh me naivitetin dhe me egoizmin e tyre provincial, nuk e kanë të vështirë të kuptojnë se si është ndërtuar ekuacioni korruptiv i vjedhjes: në këta shpirtra zë fill modeli i abuzimit, që i amplifikuar, zbatohet më me finesë në rangjet e larta, në ministri, në institucione, në tenderë, në marifete vjedhjesh të mëdha. Ky modelim është shpërdorimi brutal i pushtetit të madh e të vogël, ndërsa, babëzia e të vegjëlve për përfitime është aq më e madhe sa më e vogël është mundësia e tyre. E thënë shkoqur, jo pak nëpunës në terren të policisë sonë rrugore, dje me 2000 lekëshat, sot me 10000 lekëshat që u rrëmbejnë shoferëve me dashamirësi hajdutësh, i kërcënojnë viktimat e rrugës (shkelësit, por edhe të tjerët), duke u shpjeguar se krahasuar me gjobat e ligjshme ndaj shkeljeve të bëra, të cilat shkojnë në llogari të shtetit, dhuratat nën dorë për xhepat e tyre janë dyfish ose trefish më të ulëta... ?

Lëkundin trupat pa muskuj dhe ecin ngadalë, me një autoritet të neveritshëm, që buron nga terrori spontan i pesëmijë lekëshave që ata grumbullojnë përditë me shumicë nga qytetarët e thjeshtë. Edhe pse të grabisin në dritën e diellit, të vështrojnë shpërfillshëm, me sy naivë, me fytyra të lyrosura nga gostitë dhe pijet shpërblyese, pushtetarë të vërtetë, skënderbenj dhe bajramcurrër të gjithë, pa përjashtim.?Gjithsesi janë fytyra e shtetit, fytyra e rebeluar e një pushteti të mlleftë, menaxhimi i tij, autoriteti i shpifur dhe kultura ekskluzive dhe ekzekutive në teren. Këta njerëz janë stres psikologjik në çdo km, po aq sa janë shkelës të dinjitetit civil, duke u shndërruar në një emocion të zi, për të gjithë, për shumicën.?Kush ka jetuar e udhëtuar në Europë, por edhe në Ballkan, krahasuar me ta, e di se policisë sonë rrugore i mungon jo vetëm ndershmëria, ndjeshmëria dhe autoriteti profesional, që të tjerët e kanë moton e detyrës publike që bëjnë. Diferenca është kaq e shqartër dhe kaq zhgënjyese, sa qetësisht gjithkush mund të supozojë se në Shqipëri, ruajtësit e ligjit në rrugë janë shndërruar në hajdutë ordinerë xhepash njerëzish të varfër, të mërzitur nga shteti i tyre.

Kjo mërzi dora-dorës po shndërrohet në një urrejtje civile, që rritet aq më shumë sa më shumë shtohen postblloqet në rrugë dhe barrierat psikologjike në jetën e tyre.?Por nuk është vetëm babëzia dhe vetëm mediokriteti. Kjo pjesë e konsiderueshme e njësive të policisë rrugore, që ka çmeritur edhe përshtypjet e të huajve dhe të emigrantëve tanë, është vetë shkelëse e kodit ndërkombëtar rrugor. Ndodh që policët rrugorë tundin tabelat ndaluese për të provokuar shoferët që afrohen në postbllok, dhe shpesh, jashtë çdo rregulli, i ndalojnë ata në metrin e fundit. Duke sfiduar gjithashtu rregulloren, fshihen nëpër kthesa, për të kapur sa më shumë fajtorë, sepse shkelësit e rregullave janë në proporcion me 5-mijë lekëshat e mbledhura në xhepat e tyre.?Këta arinj polarë të pushtetit rrugor mbi qytetarët e thjeshtë, dhe mbi të huajt, kanë sakaq anën e errët të "hënës së tyre". Fodullëku i këtyre njerëzve shndërrohet sakaq në një servilizëm të mjerë, për një polarizim të rrezikshëm, pasi pafuqia dhe nënshtrimi ndaj shefave të tyre shndërrohet aq më shumë në egërsi hakmarrëse për të tjerët, rrugëtarët e thjeshtë.

Dhe shefat e tyre janë natyrisht oficerët institucionalë apo njerëz me imunitet politik, ose mediatik, të cilëve u tremben aq më shumë sa më shumë kartëmonedha kanë futur padrejtësisht në xhepat e tyre. Por shefat e shefave të rrugës mund të jenë edhe kriminelët e lirë që qarkullojnë me fuoristrada, të cilat askush nuk guxon t’i ndalojë, pasi me ndihmën e shtetit, policia rrugore është një çështje e fshirë nga lista e problemeve të tyre.?Me pak fjalë, policia rrugore është përfaqësuesja e parë e autoritetit të shtetit shqiptar, fytyra e rrudhur e pushtetit ekzekutiv në Shqipëri. Sepse, pa metaforë, pa anësim, pa ndjeshmëri, pa tendencë e natyrisht pa ndjeshmëri dhe pështjellim surreal, mund të supozohet që një pjesë e mirë e këtij shërbimi të shëmtuar, është shëmbëllimi i pastër dhe i derivuar i shtetit te ne.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00