Home | Opinion | Historitë me fund të lumtur nuk kanë mbaruar

Historitë me fund të lumtur nuk kanë mbaruar

image
Vështirë të fantazosh një fuqi devijuese të këtij orteku triumfi, që mund të shkatërrojë me sa duket gjithçka ka të ndershme e të pandershme përpara.

 

 

 

 

Artan Mullaj

 


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, me një natyrshmëri despotike, që të kujton kënaqësitë e shenjta të fundjavave me borë, me aromë gështenjash të pjekura, pranë një oxhaku ku digjen flakë kërcunjtë e lisave veriorë. Vetë fitimtari, zoti Lulzim Basha, u shfaq i qeshur dhe mëngëpërveshur për të shfaqur lumturinë prekëse të fitores së vështirë me fjalë e me gjeste, sa ndjellëse e premtuese për njërën palë, aq shëmtuese për tjetrën. Megjithëqë i mallëngjyer, fitimtari ishte i vendosur “të presë” deri në fund mbylljen e kotë të procesit: Vështirë të fantazosh një fuqi devijuese të këtij orteku triumfi, që mund të shkatërrojë me sa duket gjithçka ka të ndershme e të pandershme përpara.

Në mos e kotë, mbyllja e procesit tani është rutinë, si pizhamet, ashtu si rutinë e mërzitshme ishte të parashikoje fituesin e paracaktuar në fillim dhe në vazhdim të zgjedhjeve lokale.

Ishte brenda logjikës që dhjetë votat që nxorën paraprakisht fitues Edi Ramën, menjëherë mbas numërimit të parë, të elektrizonin rëndom vëmendjen publike jo aq për rezultatin e ngushtë sa për befasimin dhe çoroditjen e “sulltanërisë” së pushtetit që solli ky rezultat. Edhe këtë e dinin të gjithë. Vetëm pak shqiptarë nuk e kanë kuptuar shkulmin kryeministror për të pasur kosheren e Tiranës, mjaltin e saj. Mobilizimi i pazakontë nuk ishte më pak se një makineri lufte gjigante pa zhurmë, ndërsa gjeneralët e dalë në teren, me strategji vetëvrasëse, luanin me gjithçka e çdo gjë për të nxjerrë jashtë loje dhe jashtë politike kundërshtarin e madh, Edi Rama. Para lumë, presione, shpenzime, zhvendosje, premtime, avionë, femra nëpër zyra me minifunde, lista, mllefe, tradhti, kërcënime, të shpërndara me një babëzi që vetë ata mezi e duronin, për të ndryshuar ngjyrën e Tiranës dhe bashkë me të edhe ngjyrën e qiellit. Si përfundim? Mbas gjithë kësaj kamikazërie, fitorja poshtëruese me 10 vota e kundërshtarit, nuk ishte vetëm një poshtërim. Ishin thuajse një shkatërrim pushteti, a thua mbi të kishin rënë 10 bomba të NATO-s, si ato që patën rënë në Irak dhe Serbi. Humbja befasuese e Bashës, ishte një pështjellim psikologjik i pushtetit. Edhe kjo pritej. Paskësh pasur në këtë botë dhimbje që kalonin tej vdekjes: ishte pikërisht kjo gjë, humbja e Tiranës, gjunjëzimi i pushtetit jo me dhunë, jo me forcë, por me ironinë e tmerrshme e më të madhe të ndershmërisë që mund të imagjinohej: gjunjëzim shtetëror përballë 10 votave!

Dihej nga të gjithë edhe tjetra. Duke qenë një rezultat i brishtë, fillestar, por i papranueshëm për mazhorancën, u hodh në lojë mundësia e fundit, për ta përmbysur patjetër atë, me çdo çmim, me çdo marifet: u hodh në lojë jo babëzia tradicionale e pushtetit, për të fituar pushtet, por fantazia e terrtë e kësaj babëzie, për të rrëmbyer pushtet.

Prandaj menjëherë u shfaq si një makth nevoja për një plan të ri dhe një strategji të re. Kjo strategji u krijua sakaq në zyrat e fshehta të inteligjencës qeveritare (“qeveriut”). Strategji lufte të tillë nuk mund të gjeje askund, asnjëherë. Kur kjo strategji doli në dritë, kruzmat e xhelozisë u shfaqën sakaq nga thellësia e historisë njerëzore, nga legjendat e luftërave, nga diktaturat e hershme dhe tiranitë. Nuk kishte pasur kurrë një të tillë më parë. Shndrimi pa luftë i një humbjeje në fitore është diçka që synohej shumë rrallë, madje, as rrallë. Kjo gjë ka qenë e pamundur edhe për shpikësit e parë të betejave dhe armiqësive. As Akili në antikitet, as Bonaparti, as Aleksi i Rusisë, as sulltanët me radhë kundër Skënderbeut, as Stalini më vonë, (ndoshta as Enveri), nuk e kishin guxuar në përballjet e tyre një të pabërë të tillë.

Por këtë arritën ta bëjnë pushtetarët shqiptarë. Lavdia u takon atyre.. “Qeveriu”, pasi “qeveriu” humbi me dhjetë vota, ndezi motorët reaktivë të fantazisë për ta shndërruar humbjen e vogël në një fitore të denjë dhe ia doli. Kjo strategji e mazhorancës ishte kalimi në planin B, i cili e la gojëthatë opozitën, por la gojëhapur edhe të huajt: Plani B i “pagëzimit berishian”, që shndërroi fituesin në humbës sa hap e mbyll sytë, me frymën e shenjtë në tavolinën ku mungonte beteja. Ky plan kishte sfiduar jo thjesht kundërshtarin opozitar, jo vetëm fitoren e tij, duke e zhbërë atë në ditën me diell, por krejt historinë njerëzore: vështirë të gjendet rast tjetër ku fitorja të shndërrohet në humbje jo me luftë, jo me armë, jo me vota, por me imagjinatë pagëzimi dhe me frymë, në tavolinë…

Ka ndodhur pikërisht kjo gjë: Dhënia pushtet kësaj imagjinate, për të cilën edhe shqiptarët më të zhgënjyer do duhej të ishin krenarë.(nuk është e paktë që Kryeministri yt, uratë dhe pagëzor, të sfidojë Bonapartin dhe Aleksandrin e Maqedonisë),. Duke pagëzuar kryebashkiakun e ri, duke mbajtur në duar edhe rrufetë, ditë pas dite, hap pas hapi, ai dhe “qeveriu” paralajmëruan saktësisht përfundimin: “E pamundur Luli i Xhelalit të mos jetë fitimtar!” Dhe Luli fitoi.

Fitorja nuk ishte thjesht një fitore. Ishte një mbarsje. Fitore të vogla do pilleshin pas. Përveçse i shkulën me vinç fitoren tjetrit nga duart në momentin e fundit, paralajmëruan të tjera. Përçanë opozitën duke i vrarë besimin e saj që do mund të ketë ndonjëherë ndershmëri zgjedhore ky vend. Shkatërruan imazhin imunitar të lidershipit opozitar, me dritën e Hënës, duke ndriçuar jo paaftësinë për të qeverisur, por mosqenien gati të tyre për të ruajtur fitoren. Zbuluan konsumimin e tyre që prodhon përsëritja: Nxorën në shesh, jo aq gabimet e mëdha që kjo opozita ka bërë në rrugën e saj, por talentin e pushtetit për t’i shfrytëzuar dobësitë e saj sa më mirë.

Ishin të shumtë ata që profetuan se Basha do të ishte kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, menjëherë pas votimit, por para numërimit dhe nuk u gabuan. Kjo dihej prej kohësh madje kish një siguri poshtëruese jo vetëm për ata që shpresonin tjetër gjë,(sa të marrë!), por edhe për vetë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e sidomos për Kolegjin Zgjedhor. Këto institucione harxhuan kot një kohë rivlerësimi, ndërkohë që përfundimi ishte shpallur para “ndershmërisë” së tyre, sepse ky përfundim ishte gatuar tjetërkund. Në vend të hipokrizisë së rinumërimit, gjatë së cilës nxinë moralin e tyre, komisionerët dhe gjykatësit do kishin bërë mirë që midis dy nxirjeve, të zgjidhnin nxirjen në diell, të shkonin e të shijonin rrezet e pastra të diellit në Gjirin e Lalzit, ku kanë mundur ose jo akoma të kenë atje një banesë..

Sepse Basha ishte shpallur fitues para odisesë së tyre, që nga origjina e pushtetit, pavarësisht nga ata…

Fund i ngazëllyer, histori e mbaruar. Afër mbarimit të kësaj historie, që ulërin prej lumturisë së arritjes, Kryeministri shqiptar duhet të mendojë edhe ai për “nxirjen” e vet. Por, në vend që të harxhojë energjitë e frikshme që ka duke notuar gjatë në Himarë apo Dhërmi, për të ribërë paqen e radhës me pleqërinë, apo për të sfiduar kundërshtarët e tij politikë, mund të provojë tjetër gjë. Mbase për verim, Sali Berisha duhet të zgjedhë turizmin malor këtë herë, një oxhak me dru lisi, në veriun e tij me male të ashpra, të ftohta. Duke fërkuar duart në flakën e kënaqësisë për fitoren e radhës, është koha të meditojë për fitore të tjera. Të meditojë për fitoret e reja, për afrime të reja, për plane të reja. Pasi e shtrydhi si një portokall Perëndimin, Perëndimi nuk ka më asnjë vlerë për atë. Ftohja me ndërkombëtarët përtej bregut, ka sjellë pulëbardhat e para. Asnjë ftesë, asnjë vizitë, asnjë vlerësim nga ata. Kohët ndryshojnë, dhe bashkë me të edhe aleancat, meditimet, preferencat dhe ortakëritë. Është koha të vështrojë nga Lindja, nga islami, nga Azia, Kina e Rusia, për të arritur “lindje të reja” e për të gjetur miq të rinj, bujarë Arabie dhe dashamirës otomanë. (madje ka gjetur plot të tillë). Duhet ta bëjë këtë gjë, sepse nëse ka diçka që i rrezikon fitoren e bekuar, kjo është vetmia. Për t’i shpëtuar trokitjes së vetmisë, e cila, përveçse Bashkinë, i kërcënon edhe lavdinë, duhet të gjejë aleatë të rinj potencialë…Historitë me fund të lumtur, zakonisht janë historitë që ende nuk kanë mbaruar…

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0