8 Maj, uzurpimi me thonj i fitores
Heshtja kolektive përballë “fluturimit” spektakolar, apo “lajthitjes” së ndershmërisë, që përfaqëson zhvendosja e fletëve “jetime”, është një dramë shtetërore, një mallkim, që ngjan me një sëmundje të rëndë, sepse i ve vulën këputjes së shpresës në këtë vend.
Nga Artan Mullaj
Ndërsa Kolegji i kërkoi Komisionit Zgjedhor të qartësojë vullnetin e votuesve në Tiranë, duke i numuruar të gjitha votat e hedhura gabim, paqartësia e këtij vullneti, bashkuar paqartësisë së bazës ligjore të procesit, për të cilën folën edhe të huajt, po shndërohet në bindjen se dicka jo e zakontë është duke ndodhur. Në Shqipëri ku gjërat e mira nuk ndodhin, madje as që ëndërohen më, ngjarjet e pazakonta nuk mund të jenë vecse “të pashpjegueshme”, “të frikshme”ose “të tmerrshme”. Gjatë “njerrjes uje” të votave nga ana e Kolegji Zgjedhor, u gjetën tre fletë votimi, “jetime”. Në një kuti u gjetën vota që nuk duhet të ndodheshin aty, por në një kuti tjetër votimi të një qëndre tjetër votimi, larg të parës.
Si në një shpagim të vonuar, u qartësua lajthitja e votave, ikja, zhvendosja, zhdukja, fluturimi i tyre, nga një zonë votimi në një tjetër.
“Mungesa e fakteve” të manipulimit zgjedhor, për të cilën ngul këmbë mazhoranca, me krenari edhe dhimbje, sapo është rrëzuar me zhurmë dhe me pluhur, si një ngrehinë pa themele. Orëvajtja dinake e naive njëherësh e “profesionistëve”manipulatorë të mazhorancës, për të fshehur “futjen e duarve” dhe c’vlerësuar diferencën midis numrit të votuesve dhe votave në kuti, sapo ka rënë, bashkë me ngrehinën. Midis shumë parregullsive të tjera serioze, tre votat jetime në kutinë e huaj, që i takonin një zone tjetër, kanë sfiduar sigurine, kodet e sigurisë së komisionit zgjedhor, shtetin ligjor dhe në fund kushtetutën e vëndit.. Si vjedhësit e padukshëm të diamantëve, që asnjëherë nuk duken e nuk kapen nga kamerat dhe rezatimet, këto fletë kanë dalë prej kutive të tyre pa u kuptuar, për të “fluturuar” më pas në paqartësi drejt një kutie tjetër, të një zone tjetër.
Është një sfidë spektakolare, ndërsa me sigurinë e arratisë së tyre, vërtetuan jo vetëm moralin dhe sigurinë e paqënë të sistemit zgjedhor, por baltën, barbarinë, dhe kanibalizmin elektoral të këtij sistemi, për të cilat, sic duket, me të drejtë pretendon opozita.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor dhe kryetari i kësaj “ristanërie”, duket i papregatitur të shpjegojë mjeshtërinë e dalë në shesh të manipulimit. Habia e shtirur e tij, ndërkohë që asnjë mundësi tjetër përvec manipulimit, nuk le hapësirë të shpjegojë këtë dukuri, shndrohej në ironi, mu në mes të vëmendjes. Shumë e dinë që ironia është edhe një mjet që mëkatari përdor të fshehë hipokrizinë që mbështjell fajin e tij, për ta devijuar atë… Prandaj ironia dhemb nganjëherë më shumë se vetë faji. Të vjedh, të gënjën, të poshtëron, dhe në fund bën gojëhapurin, viktimën. Kërkesës së ligjshme të një vëzhguesi, përgjegjësi i imponuar dhe i importuar si bagazhet e turistëve i zgjedhjeve vendore, për shkak të befasimit që solli, ju përgjigj në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme. Me sarkazëm: “Kolegji nuk na ka urdhëruar të hetojmë, por të numërojmë dhe përcaktojmë votat e gabuara!” Është njëlloj si të thuash, në shtëpinë e vjedhur, nuk jemi për të kapur hajdutin, që zbulohet papritur, por jemi aty të evidentojmë dëmet dhe xhamat e thyer prej tij duke hyrë.
Të flasim për gjëra serioze. Do të mjaftonte një votë e vetme e gjetur në kuti të huaj, për të ngritur futunë mosbesimin. Një votë “jetime”, e gjetur në zonën e gabuar, përshkund pa fjalë gjithë besueshmërinë dhe ndershmërinë e procesit zgjedhor dhe sistemit në Shqipëri. Shpjegimi se është e pashpjegueshme, e pabesueshme dhe e papranueshme zhvendosja e një vote të vetme, con në arsyetimin se asgjë nuk përjashton mundësinë që këto zgjedhje të kenë qënë një eksperiencë e re dhe spektakël i ri në uzurpimin me thonj të pushtetit.
Do të mjaftonte një votë “turiste” që lëviz lart e poshtë nëpër kutitë magjike të votimit, për të përligjur, sa këmbënguljen e Edi Ramës për kasapanën zgjedhore, aq edhe për të djegur mullarin me bar të kritikave të analistëve që papritur qënkan dëshpëruar e përlotur për opozitën shqiptare, jo sepse kjo opozitë ka përballë një shkulm djallëzor hajdutërie dhe sundimi, por sepse kjo opozitë paska në krye një kryetar që ka humbur magjinë. Jo vetëm për ata të përditshmit, por edhe për opinionistët që mezi arrijnë të botojnë artikujt e tyre në gazetat e vogla, një votë e vetme në listën e shtuar të kundërshtive, llogjikisht duhet të mjaftonte që ata të rrishikojnë pasionet e tyre: Në vend që të sulmojnë kreun e opozitës, do duhej t’i thërasin mëndjes, duke marrë seriozisht jo babëzinë për të kritikuar, por verbërinë e tyre:“Fluturimi” misterioz i votave nga “Xhamlliku” në “Tufinë”, apo nga “Blloku”, në “Tiranën e re”, ka ndodhur në ditën me diell.
Si ëngjëj mëkatesh, në errësirë, në qetësi, në pafajësi, fletët e votimit u kthyekan në qënie të shpirtshme, të padukshme e të urdhëruara nga kushedi c’vullnet njerëzor!.
Përshtypja se pushteti është një bashkim misterioz interesash, shndrohet në bindje, kur, duke sfiduar ligjet e materializmit, vullneti shndrohet në fletë, dhe fleta shndrohet pastaj në pushtet. Sa fluturime vullnetesh të tilla janë persekutuar në orientime të tjera, për të arritur rezultatin e shpallur zgjedhor? Përgjigjia është e thjeshtë: Aq sa duheshin dhe duhen për ta ndryshuar këtë rezultat, me cdo kusht.
Dëshpërimit që sjell fyerja intelektuale e një pacipësie të tillë, ku pushteti mbjell, kor edhe shin fitoren në tavolinë, pavarësisht vullnetit të qytetarëve, i shtohet si një dhimbje dhëmballe, ironia tjetër se, vështirë Shqipëria jonë të ketë krahë ndonjëherë, vec hipokrizisë. Filozofia primitive e të kënaqurit me lugë bosh, është një sukses, të cilin, duke e përdorur si kurth interesash meskine, pushteti e përdor për të sunduar, në rradhë të parë, atë që quhet elitë. “Elitë moj, kënaqu ti me kënaqësinë që të sjell afëria servile më ne, pushtetarët!
Nuk ka gjë më të kobshme për një vend sa, pasi me manipulimin elektoral manilpulohet perceptimi i lirisë, që fillon tek zgjedhjet e lira, manipulohet edhe elita e saj. Një elitë e kapur dhe e katapultuar sic është elita shqiptare, është shumë herë më e dëmshme se mungesa e saj. Sepse duke mos ekzistuar ajo(elita), do kishte së paku përpjekje në bazën e njerëzve për të krijuar një të tillë, të re, por duke ekzistuar, qënia e saj është një pengesë që një elitë e shëndetshem bri saj të marrë frymë, për të zëvendësuar një rol të munguar.
Edhe intelektualët e shitur në interest e saj, pjesë e kësaj elite, edhe të tjerët, budallenjtë, që kushedi për cfarë besojnë se duke qënë në pushtet, qënia në elitë ju takon sic ju takojnë fronet trashëgimtarëve, aty ku pritet të jenë një shpresë, përbëjnë një zhgënjim. Heshtja kolektive përballë “fluturimit” spektakolar, apo “lajthitjes” së ndershmërisë, që përfaqëson zhvendosja e fletëve “jetime”, është një dramë shtetërore, një mallkim, që ngjan me një sëmundje të rëndë, sepse i ve vulën këputjes së shpresës në këtë vend.
Ku janë artistët e mëdhenj me gjithë ndjeshmëritë e mëdha të krijimit? Ku janë shkencëtarët e diplomuar anembanë botës, aq shumë të merakosur për projektet planetare për kryeqytetin, që kandidati i mazhorancës ju prezantonte në fushatë përmes euforisë delirante të fitores së paralajmëruar? Ku janë misionarët, “të Hirtët”, shoqëria civile, që, mbyllur në derllëkun e saj, hesht dhe bën sehir cukitjen e kazmave që po varrosin lirinë? Ku është zëri i atyre që shoqëria i ka vecuar për të thjeshtuar shurdhërinë e të tjerëve, ndërkohë që vec shurdhër vetë, qënkan edhe të verbër? Ku janë analistët egoistë që synojnë epokë drejtësie duke i bërë opozitë sentimentale opozitës, madje vetë drejtësisë, ndërkohë që pa kuptuar edhe ata vetë, bashkë me opozitën, janë vetë viktima? Ndërsa e para rrezikon të jetë edhe më në opozitë, të dytët rrezikojnë të mbeten edhe më në mediokritet! Ku janë ndërkombëtarët, që me flamurin e drejtësisë dhe shtetit ligjor në dorë, me heshtjen e tyre dhe paqartësinë e tyre, janë shumë pranë vendimit për ta braktisur këtë vend përgjithmonë?
Askund!




del.icio.us
Digg

Post your comment