“Të Hirtët”
Natyrshëm “të hirtëve” ju bëhet presion nga pushteti që ata t’i bashkohen shpurës së tyre, për t’u konsoliduar më tej.
Artan Mullaj
Moralin e një shoqërie të polarizuar ashpër e përcakton morali i pjesës gri të saj. Por, jo vetëm moralin. Cilësia e lirisë së një vendi kushtëzohet drejtpërdrejt nga ajo.
Pjesa gri, apo “të hirtët”, janë grupimi i njerëzve të një vendi që kanë humbur besimin tek politika. Mund t’i quajmë pesimistët publikë, për shkak se shpresëhumbur ata shpërfillin qeverisjen, drejtësinë dhe rotacionin, nganjëherë edhe lirinë e tyre. Duke mos kuptuar se mosmarrja pjesë apo qenia jashtë pushtetit dhe interesave politike dhe publike është pikërisht një lloj pushteti, por negativ, këta rrinë në hije dhe nuk interferojnë me klasifikime të tjera. Nuk janë as më të talentuarit dhe as më intelektualët krahasuar me grupimet apo bastionet politike dhe as grupet politike nuk janë më të civilizuara apo më të epërme se ato. Përfshirë në konturet e tranzicionit shqiptar, “të hirtët” sillen si një plazmë mbështjellëse e dy grupimeve politike, “të majtëve” dhe “të djathtëve”. Kjo plazmë përbëhet nga të pavendosurit, indiferentët, pesimistët, të zhgënjyerit, por jo vetëm. Elita e emigracionit dhe emigrantët në tërësi, që ikën nga Shqipëria për shkaqe ekonomike dhe nuk kthehen në vendin e tyre edhe për shkaqe politike për shkak se e kanë humbur besimin tek ardhmëria që afron vendi i tyre, bëjnë pjesë këtu.
Shoqëria jonë nuk mund të gjykohet veçse e tillë, e ndarë në dy pole të mëdhenj, rreth të cilëve shtresa gri është e lëngshme, e papushtetshme, e paqëndrueshme, një plazmë lëvizëse, që mund të supozohet si poli i të papolarizuarve, meqë asnjëherë nuk është në pushtet.
Dy polet politike janë komunitete në të cilat spikat qartë “vullneti për të qeverisur bashkë”. Për të përdorur një metaforë, mes kusisë së nxehtë të tranzicionit, këto i ngjajnë vezëve të strucit në lëngun gri të “të hirtëve” (struci është përdorur për të krijuar perceptimin e madhësisë). Për analogji krahasimi, “e verdha” e vezëve janë liderët dhe “e bardha”, shpura besnike rreth tyre e përbërë nga masa njerëzore ku e mundura shpesh bëhet e pamundur dhe është e pamundur të mos gjesh në to edhe speciet më të veçanta: intelektualë, mediokër, romë, veriorë, vorio-epirotë, turkofonë, hajdutë, biznesmenë, pederastë, gjithë ai miksim shpirtrash, që duke përbërë një befasim për politikën, janë në të njëjtën kohë një kushtëzim, pra edhe një detyrim për atë.
Të dyja vezët polare (elektorale) sillen në hapësirë e në kohë, bien ose ngrihen, përplasen njëra me tjetrën ose zhyten në masën viskoze të polit të tretë, që duke mos qenë siç u tha realisht i tillë, pra një skajim politik, luan megjithatë rolin e tij: pavarësisht lëvizjeve të tyre, ata ndikojnë në të.
Çfarë i bashkon vezët e strucit? E përbashkëta midis dy poleve politike nuk ka qenë vetëm mungesa e moralit, dhe nuk është as vetëm furia e mbrapshtë e militantizmit apo mbështetja e verbër e tyre ndaj liderëve. Dy polet kanë të përbashkët edhe diçka gati të pashpjegueshme, të paqartë, që nuk shquhet, por ndihet serioze, në formën e një komunikimi të pashpallur mes tyre. Çfarë është? Vullneti i heshtur për paqe mes liderëve të tranzicionit, pikërisht kur, mbasi kishin qenë me thika në duar, shkumëzonin babëzinë feudale për të qenë në pushtet. Pajtimi i papritur mes Nanos dhe Berishës, madje edhe i fundmit mes Berishës me Metën, nuk janë të vetmet prova që vërtetojnë këtë gjë: vullnetin e fshehtë të armiqve për t’u bërë edhe miq.
Duket sikur ky komunikim fsheh një unitet të krijuar midis tyre kundër diçkaje që përbën një rrezik të përbashkët shumë herë më të madh se rreziku që ato paraqesin për njëra-tjetrën. Diçka që e kalon shkulmin instiktiv për pushtet brenda garës dhe rrezikon polet vetë me gjithë rreziqet e tyre, ato që mbartin për gjithë shoqërinë.
Shumëkush ka nxituar në përfundimin se komunikimet apo paktet e fshehta mes politikanëve kundërshtarë të tranzicionit, më shumë se aktrime apo dëshira liderësh të mëdhenj për t’u vlerësuar si personazhe që s’mund t’i krijonte veçse fantazia e Eskilit, Shekspirit apo pse jo, edhe e Kadaresë, çka do t’i fuste ata në histori dhe në kujtesën e vështirë të shqiptarëve, pra më shumë se delire donkishotësh, kanë qenë marrëveshje apo koalicione për të synuar dobësimin e një lideri tjetër, kur vihej re se tjetri fuqizohej deri në shqetësim. Me pak fjalë, mendimi se brenda pushtetit (çka nënkuptohej se pikërisht brenda mungesës së moralit, me të cilën etiketohet qartazi klasa politike tek ne), ka një dozë morali, ka një shkarkim ndershmërie, për shkak se synohej krijimi i ekuilibrave mes të pushtetshmëve, qëndron gjithashtu. Të synosh një ekuilibër, një rotacion, është një normë pozitive. Përpjekja mes liderëve të poleve për të ndarë në mënyrë të ekuilibruar pushtetin që kanë (bëhet fjalë po për këta udhëheqës, që janë po ata të fillimit dhe me sa duket do të jenë po këta të vazhdimit), edhe pse ndodh nga duar të zeza, është së paku një lloj emancipim i së keqes, një fije drite mes natës së saj. Nano dhe Berisha takuan duart për të shkatërruar ngritjen e Ramës, dhe kur ky u ngrit edhe më, furisë magjike të liderit të opozitës, të tjerët i kundërvunë “Kalin e Trojës”, që u shndërrua në “Gomar Troje” për shkak të tradhtisë së lirë që Ilir Meta i bëri të majtës.
Por më e mundshmja mund të jetë tjetër gjë. Ka mendime se e përbashkëta e fshehtë e poleve elektorale është diçka që nuk ka të bëjë me to, me polet vetë, me frikën që sjell njëra tek tjetra, por me diçka jashtë tyre: Diçka që rrezikon pushtetin e tyre, ndërkohë që rrotacioni, si një vorbull dashamirëse, këtu e 20 vjet tranzicion i ka shpërblyer paq liderët në ambiciet e tyre, këta dhe ata, duke i kënaqur ata në intervale pasurimi sinusoidal, gjatë të cilave pushteti ju është dhënë, por edhe marrë në kohën e duhur…
Pra, dihet që ata janë baronë financiarë dhe pushteti iu është afruar si një ekstazë që vjen dhe ikën pikërisht mbas një përpjekjeje të gjatë. Ashtu si mbas një akti të egër seksual, me dhimbje dhe ofshama, kënaqësia vjen e ikën papritur, ajo që është më e mundshmja, frika për ta humbur këtë kënaqësi përgjithmonë, frika se ekstaza nuk do të përsëritet më, pra, e thënë ndryshe, lumturia e munguar, gara e munguar, fushata e munguar, pasioni i munguar, janë ato çka më shumë se çdo gjë i njëtrajtëson liderët e poleve. Duke qenë më e mundshmja, është edhe më e pabesueshmja, sepse ndryshe nga ç’duket e ç’mund të supozohet prej shumicës, jo pushtetet e mëdha të njëra-tjetrës, të konsoliduara në të gjitha pikëpamjet, por diçka tjetër, jashtë tyre, pa nerv, pa ndikim, ju rrezikon pushtetin atyre.
Bëhet fjalë për polin e tretë, për gritë, për “të hirtët”
Jo materialisht “poli gri i indiferentëve”, por perceptimi që njerëzit e këtij grupi kanë për lirinë apo do të kenë për lirinë, një ndryshim i mundshëm i këtij perceptimi, përbën një rrezik për dy polet e tjera, për pushtetin.
Në kohën e diktaturës koncepti i lirisë, përkundër supozimeve se nuk ekzistonte, ndërsa ekzistonte virtualisht, ishte tjetër gjë. Në kushtet e një shoqërie moniste, dhe sidomos në kushtet e mungesës së polit gri, mungesa polare kish sjellë lehtësisht perceptimin se liria nuk ishte gjë tjetër veçse mungesa e saj. Filozofia e tjetërsimit të nocioneve duke synuar materializimin psikologjik të diçkaje që përfaqësonte të kundërtën e saj, në rastin tonë, robërinë të stisur si liri, ishte mjeti i diktaturës për të shkatërruar objektivitetin me objektivitet, sipas thënies: ”nuk ka rëndësi e vërteta, rëndësi ka ajo çka besohet si e tillë”. Krahasimisht, bindjes së shqiptarëve në komunizëm se të vetmit ata ishin të lumtur e të lirë në planet, mund t’i përshtatim për një analogji, bindjes së poleve sot, që i quajtëm “e bardha e vezës”, sipas të cilëve liderët e tyre, “të verdhat”, janë motive shpëtimi, ngushëllimi, janë shpresa, punësimi, tenderimi, përfitimi, kreditimi në jetën e tyre, pra dhe kushte lirie...Në njëfarë mënyre kemi një copëzim të perceptimit të lirisë së munguar, ku bastionet e politikës së dy palëve, poleve, besojnë njëlloj si besohej në kohën e diktaturës nga shumica e shumicës. Liria e tranzicionit nuk është ajo që afronte diktatori në komunizëm, por nuk është as ajo që afron lideri i polit tjetër dhe alternativa përballë. Përkundrazi. Liria e vërtetë rrjedh për shkak të madhështisë dhe legjendës që përfaqëson për njërën palë Sali Berisha, dha anasjelltas, liria është pasojë e magjisë dhe autoritaritetit që përfaqëson njëri nga liderët përballë në periudha të ndryshme të së majtës.
Fakti se vëmendja dhe nënshtrimi në polin e majtë janë copëzuar për shkak se krerët janë ndryshuar çdo kaq, shpjegon fanatizmin ekstrem në krahun tjetër, ku e “verdha“ e vetme, e pandryshuar, e fuqizuar ka qenë vetëm një dhe ky është Kryeministri aktual, Sali Berisha.
Kësaj përthyerjeje të trishtë të konceptit të lirisë ku janë zhytur fatalisht militantët dhe mitingashët e palëve, i ka shpëtuar për fat të mirë pjesa gri e shoqërisë, poli gri, poli i lëngshëm i të pavendosurve, “të hirtët”.
Por ndërsa dy poleve politike, konceptit të tyre të lirisë i bëhet presion nga pushteti i tyre, por edhe në njëfarë mënyre mbrohet prej tij, pjesa gri e shoqërisë gjendet në një presion të shumëfishtë.
Natyrshëm “të hirtëve” ju bëhet presion nga pushteti që ata t’i bashkohen shpurës së tyre, për t’u konsoliduar më tej. Kjo pjesë është e zbuluar edhe prej rrebesheve të historisë, nga ku në formën e nostalgjive, kujtimeve, ndodhive, krahasimeve, krijohet një ndikim që s’mund të shpërfillet. Koha dhe zhvillimi gjithashtu krijojnë pa kuptuar një diktat tinëzar në marrjen e vendimeve përcaktuese të kësaj mase përcaktuese. Pyetja se a është i lirë njeriu shqiptar nën pushtetin e Berishës, vjen po aq natyrshëm dhe konceptohet në mënyrë po aq të komplikuar si në rastin kur e njëjta pyetje bëhet për një kohë të shkuar: A kishte liri në kohën e Enver Hoxhës.
Në të dyja rastet pyetja krijon një stres mbi njerëzit, koncepti i lirisë prej të cilëve kërkohet sot. Dhe, ndërsa njerëzit e dy poleve do të japin përgjigje të ndryshme të paktën për njërën nga këto pyetje, “të hirtët” do të jenë edhe më të paqartë në përgjigjen e tyre. Pyetja mund të bëhej ndryshe. A jemi të lirë nëse jemi jashtë politike, ndërsa dihet që njëra palë beson se lirinë e ka me shumicë, edhe sikur jo (në këtë rast berishistët), dhe tjetra palë ndjen robëri, edhe sikur jo (në këtë rast opozitarët)? Vetiu të vjen në mendje një pyetje ndihmëse. A ka demokraci Shqipëria? Koncepti i lirisë së vërtetë nuk mund të vijë veçse në kohezion me të. Nëse pranojmë që liria është e kushtëzuar nga demokracia, a kemi ne një shtet demokratik?
Përgjigjja ju takon vetëm “të hirtëve”. Ata duhet të peshojnë. Ky është pushteti i tyre, që ata vetë nuk e njohin. Duhet të mendohen mirë përpara se të vendosin gjykimin e tyre, që s’mund të jetë veçse objektiv dhe përcaktues. U duhet të peshojnë rrugët dhe sukseset e vërteta të qeverisë, nëse ka të tilla, nga njëra anë, dhe krimet shtetërore, vrasjet shtetërore, korrupsionin shtetëror, nëse ka të tilla, në anën tjetër. Jo vetëm kaq. U duhet të peshojnë edhe opsionet e opozitës, strategjitë e saj, programet, frymëzimin që ajo ka për detyrë të ngjallë tek të pashpresët. Ky gjykim i nevojshëm mund të sjellë nevojën e përqendrimit, fuqizimit dhe ç’indiferentizmit të tyre. Poli gri i shqiptarëve duhet të zgjohet, të organizohet, të marrë pjesë, të çmojë lirinë dhe drejtësinë në vendin e tij. Për të mirën e tyre. Për të mirën e fëmijëve të tyre. Për të mirën e Shqipërisë.




del.icio.us
Digg

Post your comment