Home | Opinion | Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë

Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë

image
Kriza politike në Shqipëri sot po prodhon një ndjeshmëri të pazakontë, për shkak se kjo është transformuar në një krizë besimi. Frymëmarja e kombit është ndalur në vendimin e ardhshëm të Kolegjit Zgjedhor.

 

 

 


Nga Artan Mullaj

 


 
Është e qartë që pushteti ka zbatuar një strategji  të shëmtuar gjatë tranzicionit. Vit pas viti, kjo strategji  ka synuar  të shkatërojë  normalitetin. Një vend normal nuk mund të sundohet lehtë:  Ky është një perceptim i njohur për  sundimtarët, sipas të cilëve mënyra më e mirë për të vrarë shpresën, është vrasja e drejtësisë, që do të thotë, pesimizwm kolektiv e rrjedhimisht, c’normalizim. Prandaj banditët pushtetarë  të tranzicionit  kanë sulmuar  pikërisht drejtësinë, kalimthi  edhe moralin, dhe në fund edhe vlerat, për të  qënë në pushtet sa më gjatë.
Po të kthejmë kokën pas, konfliktet më të qarta në horizontin e së shkuarës, janë ato midis pushtetit dhe institucioneve të drejtësisë, dhe kjo gjë nuk është një rastësi. Edhe më hutaqët dhe haraqët e këtij vendi, e dinë këtë gjë:  makthi më i madh i mazhorancës së Berishës nuk ka qënë aq ardhja në pushtet sa ka qënë mbajtja nën kontroll e organeve të drejtësisë. Në do të sundosh një popull sa më gjatë, vraji shpresën duke i vrarë drejtësinë. Sepse vetëm një vend në të cilin nuk funksionon drejtësia, sundimi është i kollajtë. .. Prandaj lufta e pandalur  kundër prokurorëve rebelë, kur këta  kanë  dalë rrishtazi nga kontrolli i mazhorancës, ka qënë motoja e përhershme e pushtetit të kryeministrit Sali.

Kriza politike në Shqipëri sot po prodhon një ndjeshmëri të pazakontë, për shkak se kjo është transformuar në një krizë besimi. Frymëmarja e kombit është ndalur në vendimin e ardhshëm të Kolegjit Zgjedhor. Kush do të jetë vendimi për Bashkinë e Tiranës në gjykimin e tij? Ka një ngarkesë ngazëllimi publik vendimi final i këtij  Kolegji që historia sot e ka vënë në provë integrale të provojë drejtësinë në këtë vend.  Kjo është një kurth iluzioni, me përshpirtje besimi: A do të shkojnë gjerat në vendin e duhur dhe a do të triumfojë normaliteti? A do të votohet një herë të vetme drejtësia, apo sundimi,  dhe a do të ketë më në fund një hapësirë të re për një besim të ri ndaj organeve të saj në këtë vend?
Edhe për shkak të kësaj, situata paszgjedhore i ka dhënë Kolegjit  Zgjedhor  një autoritet të pazakontë:? Shumëkush i ka lejuar hapësirë përfytyrimeve të ndaluara: C’po ndodh me shpirtrat e gjykatësve që mbajnë në dorë vulat e rënda të gjykimit, shpresës dhe ardhmërisë?

Vështirë të fantazosh të kundërtën e faktit që ndërgjegjiet e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor  sot janë të trazuara. Ëngjëj të shqetësuar patjetër që vijnë rrotull tyre e flatrojnë nervozë këto ditë, në familjet e tyre, në dhomat e gjumit, në ambjentet ku rrinë, pijnë kafe dhe bisedojnë kushedi cfarë. Perëndim i zi, atje tej, me re të zeza horizonti matanë, ju ka pushtuar me siguri pejsazhet e brendshme …C’mallkim për historinë sikur në koshiencën e tyre mos ketë shpërthyer vullkani përvëlues i një përgjegjësie të madhe! Mesazhi i qartë gjëmon për të gjithë, dhe vjen nga qielli edhe për veshët e tyre: Këta gjyqtarë, të cilët e kanë ose jo në kontroll ndjeshmërinë apo autoritetin e tyre, ftohen  të jenë shenjtorët e parë të lirisë, nëse do mund dhe do duan të vendosin drejtësinë, ose do të jenë si të tjerët, parardhësit e tranzicionit, djajtë e një epoke të vjetër, mbyllur përgjithmonë në shishet e pushtetit.  Natyrshëm, pyetja vjen për furinë e presionit që politika i bën Kolegjit Zgjedhor:  A ka arsye të mjaftueshme që njerëzit të mendojnë se “rasot e zeza të fatit njerëzr”, që quhen gjykatës të këtij Kolegji, sido që të gjykojnë, do të kenë lartësinë profesionale që kërkon situata , për të dalë mbi kercënimet, presionin  dhe mbi frikën civile që gjeneron sundimi, pushteti, për të vulosur drejtësi të shëndetshme? Pyetje e vështirë. Bazuar në inercinë që ka patur dhe ka babëzia e mazhorancës për të qeverisur, përgjigjia është jo. Edhe murgjërit e manastireve të malit të Shenjtë e dinë që pasioni i pamposhtur i kryeministrit shqiptar për të qënë në pushtet dhe për të kontrolluar cdo nyje pushteti, nuk është thjesht një dëshirë, është babëzi. Është dashuri me lëngje dhe orgazëm! Përballë këtij shkulmi, asnjëherë drejtësia deri më sot nuk ka fituar qoftë edhe një betejë të vetme. Përse duhet të ndodhë tani? Por, mund të ndodhë, kushedi. Bazuar në supozimin se këtë herë, mbase nuk do të kemi  thjesht një gjykim, por një sfidë, madje nuk do të kemi thjesht një sfidë, por  një epokë  drejtësie dhe ndershmërie për  shqiptarët, përgjigjia le hapësirë për të besuar tjetër gjë.

Lajmi i mirë është se drejtësia e shqiptarëve, këtë herë, me sa duket, nuk do të jetë vetëm cështje e brendshme e tyre. Edhe pse të manipuluara mjeshtërisht nga kreu i qeverisë deri tani, opinionet e të huajve duket se kanë ndryshuar. Pasi kanë bërë paqe me dilemat e tyre, albitrat ndërkombëtarë e kanë lënë pas paqartësinë, me një sjellje të qartë: Nuk mund të paragjykosh shijen e ardhshme të kulacit, pa futur më parë duart  në brumin e tij. Nuk mund të njohësh mirë shqiptarët në pushtet dhe në opozitë, pa hedhur vetë vallen e tyre. Kjo ka ndodhur: Duke futur duart në brumin e fatit tonë, të huajt zere se po trokasin në pragjet e përditshmërisë sonë, për të kuptuar se sa i pazakontë është tradicionaliteti ynë për ata. Si partnerë, si albitra, ata kanë hequr dorë nga zakoni planetar i tyre, për të na dhënë nga larg mësime morali dhe demokracie. Për shkak të antikitetit dhe primitivitetit që kanë kuptuar në natyrën tone, ata kanë zgjedhur të jenë konstruktivë dhe instruktivë me ne, brenda nesh, sepse, sigurisht që tani e dinë që ne përbëjmë një rast unikal për ata. Dhe përfundimi është i qartë: C’surprizë deri në histeri përfaqësoka  kokëulja jonë gjenetike ndaj shtypjes dhe mungesës së drejtësisë! Deri dje, po këta që ishin sinonime të paqartësisë, që na këshillonin prej tribunave respektimin e ligjeve, kushtetutës dhe institucioneve të vendit dhe drejtësisë,  sot janë të shokuar tek shohin nga afër se jo vetëm pushteti por edhe drejtësia është pronë e duarve  të padrejta dhe si e tillë, rrezikon të mos ekzistojë.  Pasi vëzhguan me sytë e tyre dhe numuruan me gishtat e tyre një rezultat, në mes të shqiptarëve dhe në mes të habisë së tyre, ata u gdhinë dhe vetë të habitur nga një  rezultat i ndryshuar me shkop magjik nga Komisioni Ristanor i Zgjedhjeve.

Jo vetëm ata. Duket se ka një reagim cilësor ndaj ndryshimit të turpshëm që Komisioni Zgjedhor i bëri rezultatit delikat në Tiranë. Njerëzit e emancipuar, intelektualë dhe personazhe të shoqërisë civile, janë përfshirë në një valë proteste të heshtur ndaj shkeljes bajraktare të rregullave, sepse e kanë të vështirë të pranojnë fyerjen që vjen prej llogjikës: “Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”, të përdorur në një film për fëmijë të realizmit socialist. “Komisioni është i imi, rregullat i ndryshoj si të dua, zgjedhjet i fitoj vetë, kur të dua!”


Por edhe pala tjetër, që përfiton nga këto shkelje e ndryshime, është hedhur në barikadën e kundërshtisë së kotë, me një passion kokëfortë. Ditët e fundit, një numër jo i vogëi gërmashkruesish shkuan madje shumë larg,  me sulme mediokre kundër gjigandit të letrave shqipe, Kadare, i cili  hodhi dritë mbi ndershmërinë e munguar: “Shpërdorimi i demokracisë në emër të kualitetit të saj, përbën shpërdorim dinjiteti dhe poshtërim  për të gjithë”. Gjallesat e analizave proqeveritare atëhere u hodhën në korr, në shtypin qeveritar: “Le të jetë kush të dojë Ismail Kadare! Gjigandët e vërtetë jemi ne, talentet e mëdhenj jemi ne, këlyshët krenarë të pushtetit që na mban dhe e mbajmë me cdo kusht!” 
Prandaj ka një elektrizim në Shqipëri dhe sytë e kombit janë drejtuar mbi Kolegjin Zgjedhor.  Si kurrë ndonjëherë, drejtësia ka një pritshmëri therëse për të gjithë. Moralitet, pikë së pari, do të thotë, normalitet. Do të shkëlqejë një herë të vetme dielli i kaltër i moralitetit, dhe a do të hyjë vendi në normalitet, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, apo ky vendim do të sjellë daljen e një dhëmbi të ri në gojën e egër të sundimit të vjetër të Saliut, që shpresa për drejtësi   të humbë përgjithmonë.?  Këtë do ta shohim!
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00