Home | Opinion | Ambasadori Arvizu, mes rezultatit të paqartë

Ambasadori Arvizu, mes rezultatit të paqartë

image
Polarizimi është mprehur frikshëm në këtë vend. Kjo ishte dhe është një formulë të cilën politika jonë e zbaton kaq mjeshtërisht, falë përvojës vagabonde të tranzicionit, saqë mund të supozohet se kjo gjë bën diferencën e imazhit elektoral të shqiptarëve, me atë të popujve të tjerë.

 

 

Artan Mullaj

 

 

 

 

I zhytur ende në paqartësi disa ditë pas zgjedhjeve vendore, rezultati i 8 majit nxiton të provojë edhe një herë se politika shqiptare ka po atë profil të veçantë e mbresëlënës në arrogancën e saj të papërsëritshme. Shumëkush fantazoi ndryshkjen e qartë dhe të lartë të moralit të klasës politike gjatë orëve të vështira të garës, ku fitorja u synua me babëzi, pandershmëri dhe dhunë. Të tjerë, veçantinë e profilit befasues të politikës në vend e gjetën vrazhdë në gënjeshtra spektakolare dhe elektorale, para dhe pas zgjedhjeve, që nuk guxon tjetërkush, tjetërkund, t’i bëjë në planet. Pjesa tjetër, një bashkësi njerëzish që nuk i kanë si fishekzjarrë emocionet e tyre, mbetën edhe ata gojëhapur me stërmundimin zgjedhor që kalon shoqëria jonë. Është e qartë: Vështirë të gjendet në planet një komb tjetër të pjellë pushtet me dhimbje kaq të mëdha gjatë një procesi zgjedhor, apo gjatë një lindje demokracie, sa Shqipëria.

Mund të themi se e veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte fakti se asgjë të veçantë as këtë herë nuk pati në strategjitë e palëve. Njëlloj si më parë, formula e përbashkët se dy janë fuqitë e mëdha të palëve në betejën elektorale, pushteti dhe mjerimi, funksionoi me saktësi. Edhe këtë herë, forcat politike i përdorën këto fuqi për të mbushur zemrat e votuesve të thjeshtë me energji dhe urrejtje për palën tjetër, dhe patën sukses. Polarizimi është mprehur frikshëm në këtë vend. Kjo ishte dhe është një formulë të cilën politika jonë e zbaton kaq mjeshtërisht, falë përvojës vagabonde të tranzicionit, saqë mund të supozohet se kjo gjë bën diferencën e imazhit elektoral të shqiptarëve, me atë të popujve të tjerë. Në këtë mënyrë, gara elektorale në Shqipëri ka pasur gjithmonë dhe ka një përthyerje iluzive për shkak të pabarazisë: mazhoranca përdor dhe shpërdoron shtetin dhe pushtetin që ka për të fituar pushtet të ri, nëpërmjet administratës së fryrë, nëpërmjet presionit të ushtruar mbi të; opozitës i mbetet dhe i duhet të luajë në fushë të vështirë, përballë fuqisë së shtetit dhe furisë së pushtetit: shfrytëzon pasojat e këtij shpërdorimi, mjerimin popullor, për të fituar vëmendje popullore.

Kjo gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 8 majit. Beteja e pabarabartë mes pushtetit dhe varfërisë, përplasja e këtyre fuqive, në sfond të babëzisë tradicionale për të qenë përjetësisht në pushtet, prodhon sot jo vetëm polarizim, por edhe ankth, padrejtësinë dhe paqartësinë e rezultatit zgjedhor.

Ndërsa pushteti dhe babëzia e politikanëve për ta ripasur atë, prodhuan dhe deleguan ankthin e pritjes për rezultatin zgjedhor tek qytetarët, sot ne shohim turma të emocionuara nga perceptimi se rezultati zgjedhor mund të jetë i pasaktë dhe i pandershëm. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Turbullira civile, mjegulla, paqartësia, zakonisht shkojnë në dobi të pushtetit që ka mazhoranca. Prandaj pabarazia në këtë garë, në total, duket në dritën e diellit: Sundimit të mazhorancës i shërben sot edhe ky emocion, edhe rrezatimi blu i Ristanit, edhe lojërat fëmijënore të KQZ-së, edhe deklaratat e pandershme, andej e këtej, edhe çoroditja e ndërsjellë në administrimin zgjedhor, të cilat vulosin të vërtetën se te ne, në votime, në zgjedhje, në përballje, ka pasur e me sa duket do të ketë për shumë kohë ndotje morali për të ndotur qartësinë.

Mbase këtë kanë kuptuar ndërkombëtarët, ndërsa duhet thënë me mirënjohje që kanë qenë në rolin e një mamie në lindjen e vështirë të demokracisë nga trupi i vuajtur i Shqipërisë së lënduar rëndë prej tranzicionit dhe kusarisë.

Midis ndërkombëtarëve të tjerë, por edhe përballë kësaj ndotje dhe paqartësie, ambasadori amerikan Arvizu, është sot personazhi elegant i ditës zgjedhore. Trupvogël si paraardhësi i tij, por me të njëjtin imazh ku së fundmi rrezatohet e njëjta mirësi inteligjente, diplomati amerikan ka qenë gjithashtu një surprizë elektorale te ne. Nuk kishte ndodhur më parë që një përfaqësues diplomatik i ndërkombëtarëve të fuste duart në brumin e punëve tona, të njohura për koeficientin e lartë të vështirësisë dhe rrezikshmërisë, pa u paragjykuar nga askush. Njeriu që jo shumë kohë larg nuk e shoi aspak buzëqeshjen këmbëngulëse të autoritetit për të marrë pjesë, apo për të ndikuar natyrshëm dhe ndjeshmërisht, duket se sapo e ka fituar betejën me pëshpërimat e “anësisë” për të cilat u akuzua. Pa fshirë nga kujtesa e tyre frazën “Burrë shteti” që ky diplomat shteti nuk kurseu për Kryeministrin shqiptar, pikërisht në kulmin e paburrërisë së tij politike, ndërsa shteti vrau njerëz të pafajshëm në shesh, shumë njerëz u befasuan kur vunë re modestinë me të cilën ky diplomat shpalosi cilësinë e demokracisë së madhe që ai përfaqëson.

Ndërsa i bënte pikërisht brishtësisë së demokracisë shqiptare një shërbim, të gjithë e panë profesionalitetin dashamirës të ambasadorit amerikan, që sfidoi etikën protokollare të bërjes së gjërave, duke hyrë në qendrën e numërimit të votave si një vëzhgues i thjeshtë. Askujt nuk i shpëtoi finesa me të cilën ky ambasador hiqte kollaren për t’u ambientuar me vrazhdësinë e realitetit dhe ambientit zgjedhor, me zhurmë, tym, ambicie, kundërshti, mosbesim, urrejtje dhe shqiptarizëm. Habia u shndërrua sakaq në një ngazëllim kolektiv, kur pas vullnetit të Arvizu, u vu re se vëmendja e dy palëve të politikës interferoi në të njëjtin perceptimin: në perceptimin se në Shqipëri ekziston realisht mundësia për të pasur ura lidhëse mes tyre, edhe kur palët nuk mund apo nuk duan t’i shohin ato. Edhe për këtë shkak, për të gjithë ishte befasues vullneti i Arvizu për të duruar dhe mirëkuptuar paradoksin gjëmues që shoqëron temperamentin shqiptar. I qetë, i kujdesshëm dhe dashamirës, njëshi i ambasadës amerikane mori përsipër të ndikojë, por edhe të drejtojë ndershmërinë e një procesi të zhytur në konfliktualitet. “Urime për kapërcimin e vijës së finishit”, tha Arvizu për lindjen e vështirë të Shqipërisë, duke synuar të lërë të nënkuptuar ngushëllimin e përcjellë për shqiptarët, se shpresa për normalitet ekziston realisht edhe në këtë vend.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00