Shkopi Magjik i Lulëzim Bashës
Do të bëhen të gjithë pronarë, mbasi të gjithë të marrin kredi dhe taksat të shuhen në këtë vend, që meriton parajsën qiellore, sa kohë ky vend fsheh surpriza qiellore si ky kandidat me natyrë të dyfishtë.
Nga Artan Mullaj
Gjatë fushatave elektorale, publiku bombardohet fort me ide dhe programe të hartuara nga stafe të specializuara mashtrimesh, aq sa nuk vonojnë perceptimet se mashtrimet e supozuara mund të mos jenë të tilla, por premtime politikanësh që synojnë të luftojnë sinqerisht për t’i bërë ato realitet. Prandaj, me një koeficient të lartë “morali elektoral" dhe ndjeshmërie, ekipi i kandidatit të Aleancës për Qytetarin po kujdeset që fraza “Unë jam ndryshe” e Lulëzim Bashës , të perceptohet nga qytetarët e Tiranës si një etalon ndershmërie.
Por në Tiranë, civilizimi qytetar nuk është në shkallën e ëndëruar të shumicës së politikanëve shqiptarë, që edhe mbas 20 vjet tranzicioni e shpresojnë këtë nivel të jetë në kufirin e brishtë të mediokritetit që përfaqësojnë ata vetë: në Tiranë, premtimet, mashtrimet, spekullimet nuk janë më si dikur një cështje aq e thjeshtë. Parimi, premto dhe mashtro sa më shumë se dicka do të mbetet, ngjan sot i vjetëruar, i kote dhe i pavlefshëm. Lajmi është se kryeqytetasit përbëjnë një komision të vështirë qytetarie për këdo që do guxojë të shitet si “njeriu ndryshe”, kur nuk është i tillë, dhe kjo është e natyrshme pas rutinës psikologjike dhe mosbesimit kolektiv që politika ka sjellë majtas e djathtas gjithë këta vjet. Cfarë po ndodh këto ditë? Përpara këtij publiku, kandidati i gjatë dhe i bukur i demokratëve, ka marrë shkopin e Krishtit në dorë, për të befasuar dhe fituar vëmendjen popullore, por edhe përshtypjet. Në tribuna, në arena, në fjalime, në rrëfime, në profetime, në betime, buzëqeshja e tij rezaton magjinë profetike të njeriut hyjnor, të ndjerë rrishtas si një shenjt, mes tokësorëve të zhurritur prej varfërisë, për t’u zgjidhur atyre hallet e mëdha, por edhe për të bërë mbrekullitë dhe thavmatë e rralla, si bëri në kohën e tij, Jezu Krishti..
Sy në sy, rrugicë në rrugicë, rrahje zemre pas rrahjesh, mësim pas mësimi, shpresë pas shprese, Krishti blu i aleancës së “shenjtë”, ka marrë përsipër të lumturojë papritur me dritën e shpirtit dhe forcën e ideve që ka, qytetarët e Tiranës. Do t’i punësojë njerëzit me një ngritje të dorës, sapo shkëndijat e para të ndezin atmosferën shpërthyese rreth shkopit të tij magjik. Do t’u japë shtëpi, me shpejtësinë e frikshme të lëvizjes së stacionit “MIR” në hapësirë dhe do t’u pastrojë mushkëritë prej blozës së makinave sakaq. Do t’i veshë me rroba firmato, por edhe do ti zhveshë prej iluzioneve që rrobërojnë shpirtrat e tyre këtu e një mot, nga mundësitë e munguara. Do të pastrojë teritorin nga plerat, dhe politikën nga mentalitetet. Do t’u gjallërojë shtresave me rradhë hormonet e fshehta, dhe seksi, dhe orgazmat, do jenë më të plota. Do të ndihen krenarë, për herë të parë që janë shqiptarë dhe do ndihen të cliruar prej mallkimit të inferioritetit që përfaqësojnë, mes fqinjëve të tyre.
Lul Basha do të hapë punë për të gjithë qytetarët dhe do të mbjellë për të gjithë farën e shpresës në shkretëtirën pa fund të ndërgjegjies së tyre. Punë për ata që kanë nevojë të punojnë, por edhe për ata që s’kanë nevojë ta bëjnë këtë gjë. Do hipotekojë shtëpitë e atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Do bëjë parqe dhe tenda sportive. Do fshijë me sfyngjer taksat dhe vuajtjet e kujtesës që ato kanë sjellë. Do kujdeset për fëmijët dhe pleqtë, por edhe për grarinë. Vullneti i hapësirës dhe fuqia e misterit do të jenë aleatë me kandidatin e shenjtë në magjitë e bamirësisë që do bëjë sapo froni i kryebashkiakut të jetë nën peshën e tij. Do të punojë për dashurinë dhe dashuritë, duke i kursyer politikën trazimeve dhe duke i shtuar trazim të fshehtë politikës së re. Por do të pajtojë edhe dashnorët e zemëruar dhe besimtarët, deri sa kjo gjë, në vesh të perëndisë, të jetë shkëndija e pajtimit të vetë besimeve konkurente në gjithësi, në hava. Punët tokësore do të jenë prioritet i tij, gjithsesi. Do të bëhen të gjithë pronarë, mbasi të gjithë të marrin kredi dhe taksat të shuhen në këtë vend, që meriton parajsën qiellore, sa kohë ky vend fsheh surpriza qiellore si ky kandidat me natyrë të dyfishtë. Do shërojë dhe ndihmojë dhe do marrë seriozisht tatraplegjikët , pa qënë nevoja ata kurrën e kurrës të hyjnë më në greva urie. Do kenë të gjithë kopshte, fusha lirie dhe hapësira pa përjashtim, vetura lluksoze dhe parkime nentokësore dhe ajrore për to, sa hap e mbyll sytë.
Për një javë, për një muaj, për tre apo për gjashtë, lumturia e qytetarëve do të jetë e shtruar në tryezën e shenjtë të bukuroshit shpëtimtar, si një picë gjigande vegjetariane, ku copë do ketë për të gjitha gjallesat e kombit. Do të ketë natyrisht shpërblime për ndjekësit apo besnikët e tij, që ndryshe nga nxënësit e urtë të Krishtit, dashurinë e kanë të vecantë, e shprehin egër dhe dhunshëm me gurë shkopinj, flamuj, thika dhe fishekë. Dhurata perëndie do të ketë për trashëgimtarët e parë, të dytë dhe të tretë, por edhe për kundërshtarët. Picë dhe paqe për të gjithë, nëse të gjithë, duke e ndjekur nga pas, me lugën në brez, do të luftojnë dhe votojnë për atë.
Të gjitha. Shumë shpejt gjithë cka premton ky burrë, do të jetë realitet. Në këtë pikë të planetit, shqiptarët do të jenë të vetmuar në një etiketim të ri, të pashlyeshëm. Pasi të jenë bërë realitet të gjitha endrrat falë këtij burri, falë dëshirave të sinqerta të këtij njeriu surprizë, që zoti ka dërguar në tokë për shqiptarët, shumë shpejt shqiptarët do të jenë të vetmit në dynja, pa ëndrra dhe qëllime. Sepse ëndrrat sakaq do të jenë bërrë realitet, nga kandidati demokrat i Bashkisë, nëse ky kandidat do të jetë kryetari i ardhshëm i saj, Krishti ynë mysliman. Por ndryshe nga marangozi i Nazaretit thellë viteve, Basha nuk do të vijë dhe nuk do të jetë në pushtet që të vuajë për mëkatet e njerëzve dhe askush nuk do ta kryqëzojë për asgjë. Sepse, kjo bukuri, është thirur nga vizioni i të ardhmes, jo për të shëmbëllyer, por për të sfiduar hyjninë dhe hyjnoren, të padukshmen, por edhe të dukshmen, qielloren, tokësoren, gjithcka. Gara me Krishtin, do të jetë më e qartë kur kjo dritësi mashkullore, të shkrihet pikërisht me pushtetin në fron. Vetëm atëhere do mund të sjellë dritën e syve të verbërve, si bëri 2000 vjet më parë konkurenti i tij, Jezui. Nga froni, nga lavdia, me shkopin magjik në dorë, mbrekullitë do vijojnë pa ndalur, ashtu si i premton dhe parashikon vetë ai këto ditë shqiptarëve në kryeqytet. Të gjitha premtimet e ditës do të bëhen sakaq realitet, si drita e diellit dhe shpërthimi i barutit. Mbase, ashtu si Krishti ngjalli Llazarin, edhe ky do të përpiqet të ngjallë një ditë, me shkopin magjik të premtimeve, të vrarët me plumba në shesh. A do të ketë ndryshime mes tij dhe Krishtit pas kësaj? Kushedi. Krishti kish at shpirtëror perëndinë, ky ka dhe do të ketë përgjithmonë, at Salinë. Të dy ishin dhe janë të fituar.
Në emër të atit dhe birit të shenjtë. AMIN!




del.icio.us
Digg

Post your comment