* * *
Keynes do t'iu thoshte sot politikanëve që të përgatiten për krizën e ardhshme...
Përkthyer nga Urim Nerguti
Teoria e përgjithshme e punësimit, interesit dhe monedhës, vepra madhore e ekonomistit britanik John Maynard Keynes (1883-1946), ka qenë botuar më 4 shkurt 1936. Shtatëdhjetëepesë vjet më vonë, ekonomisti Jean-Marc Daniel, profesor i jashtëm në Shkollën superiore të tregtisë në Paris (ESCP), rikujton ndikimin e njërës prej veprave më të rëndësishme të shekullit të XX-të.
Le Monde : Cilat janë idetë kyçe të Teorisë së përgjithshme të Keynes ?
Jean-Marc Daniel : Keynes zhvillon tre ide thelbësore. E para : njeriu e realizon veten nëpërmjet konsumimit. Ekonomistët liberalë klasikë interesoheshin më tepër rreth kursimit sepse ai kushtëzon investimin. Pastaj, Keynes pohon se monedha nuk është asnjanëse : njerëzit pëlqejnë më tepër të kenë para të thata në dorë, për të mundur t’i përdorin në çdo çast dhe nuk do t’i kthehen kursimit përveç nëse ky i fundit sjell goxha fitim. Ideja e tretë e fortë, është se shteti ka aftësinë të veprojë mbi prodhimin. Duke financuar për shembull punime të mëdha, ai krijon vende pune, nxit konsumimin, dhe kjo krijon vende të tjera pune. Ky është shumëzuesi keynesian.
Si ka qenë pritur vepra në atë kohë ?
Asokohe kanë reaguar dy tip personash : ekonomistët dhe politikanët. Për kolegët e vet, vepra e Keynes ishte thjesht një provokim shtesë nga ana e një njeriu që i pëlqente të dukej. Nuk ishte një rrufe në qiell të pastër : këto ide qarkullonin që prej njëfarë kohe, por Keynes ishte i pari për t’i shfaqur.
Kurse politikanët kanë parë aty ca zgjidhje të prekshme ndaj krizës së 1929-ës. Gjatë viteve të para të krizës, ata shpresonin se forcat e tregut do ta zgjidhnin vetë krizën. Kjo është zbuluar si e pavlefshme dhe popullatat janë kthyer drejt ekstremizmit. Politikanët e asaj kohe, si Fronti Popullor, shpesh kanë ndërmarrë nisma punimesh të mëdha apo investimi. Keynes iu ka dhënë një themel teorik praktikave të tyre empirike.
Kush ka fituar në politikat ekonomike ? Liberalët klasikë apo keynesianët ?
Pas Keynes, për ekonomistët, kishte dy zgjidhje : të kërkohej fitorja e kampit të tyre ose të përpiqeshin për të kryer sintezën e ideve keynesiane dhe liberale klasike. Disa ekonomistë si John Hicks apo Paul Samuelson e kanë kryer këtë dhe janë këta që kanë fituar. Është folur për rikthim të Keynes gjatë krizës, por skemat liberale mbeten të forta. Nëse politika e sotme ekonomike është një përzierje, pjesa më e madhe është liberale klasike dhe mbetja është keynesiane.
Ç’do t’iu thoshte Keynes politikanëve të sotëm ?
Do t’iu thoshte të jenë pragmatikë por edhe të qëndrueshëm në përpjekje. Mos vështroni treguesit tremujorë, mos e lini veten të hutoheni nga agjencitë e notacionit. Por gjithashtu, përgatituni për krizën tjetër. Dhe në fund do t’iu thoshte se gjërat duhen shpjeguar ndaj popullsisë. Ai do të ishte më tepër nga krahu i David Cameron i cili iu premton Britanikëve lot dhe gjak, sesa nga krahu i atyre që nuk ecin përpara në rritjen e taksave.
Bisedoi : Andy David
Le Monde, 5 Shkurt 2011




del.icio.us
Digg

Post your comment