Home | Opinion | Këndvështrim

Këndvështrim

image
Paradoksi është liria e tepërt, në lindjen e saj prometeane, në ambicjen e saj gjithpërfshirëse, e privon qytetarin e thjeshtë nga racioni i vet i bukës dhe, në fund, edhe nga liria e tij. 

 


Nga Steven Laurence Kaplan,

Historian, Profesor në Cornell University, New York.

 

 

 

 

QE NGA 1789 E DERI TEK INTIFADA EGJIPTIANE, BUKA MBETET SIMBOLI I PROTESTES SHOQERORE

Objekt nevojshmërie absolute për një pakicë të vogël Francezësh, qoftë dhe në periudha krize, buka vazhdon sidoqoftë të ketë lidhje me ta, madje t’i shqetësojë. Çmimi i grurit është dyfishuar që prej një viti, mullixhinjtë, mjaft të turbulluar, i kapërcejnë prirjet e tyre liberale për t’i bërë thirrje rregullimit të tregut të lëndës së parë (kërkesë që presidenti Sarkozy e ka përmendur gjatë konferencës së shtypit të para ca ditëve), dhe bukëpjekësit po fillojnë ta rrisin çmimin e bukës, edhe pse mielli përfaqëson vetëm 15% të kostos së prodhimit të bukës.
Publiku s’e ka pranuar kurrë idenë se çmimi i bukës të mund të ngrihet pavarësisht kushteve ekonomike, ashtu si bukëpjekësit, të nënshtruar ndaj një çmimi të përcaktuar penalizues nga autoritetet publike deri në fund të 1986-ës, s’mund ta pranojnë kurrë që çmimet të mund të zbresin. Trashëgimtar i princit ushqyes, ligjshmëria e të cilit varej kryesisht nga aftësia e tij për t’iu siguruar të gjithëve një bukë me cilësi të pranueshme, shteti është ende sot i shtrënguar nga rritja e çmimit të bukës. Ai mbetet i verbuar nga « mistika » e bukës, në sytë e bukëpjekësve të cilët e shohin këtë mistikë si vizion demagogjik dhe anakronik në një botë ku buka nuk peshon më kushedi çfarë në shportën e konsumimit familjar.

Por rëndësia e kësaj « mistike » është krejt shpërthyese në Egjipt, ku ajo ka çelur këto ditë në lulëzim të plotë. Ashtu si në Tunizi, ku, në manifestimet e revolucioni të ashtuquajtur të jasminës, njerëzit tundnin bukë – një shenjë kjo e përhershme e një qortimit të rreptë shoqërore –, në Egjipt buka është tejet e pranishme në repertorin e veprimit kolektiv. Në vendin e Faraonëve, ky s’është ndonjë fakt i ri. Më 1977, si dhe më 2008, trazirat e bukës e kanë tronditur fuqishëm regjimin.
I shpëtuar nga subvencione të rëndësishme amerikane, raisi ka pjekur dhe shpërndarë bukë nëpërmjet një ushtrie tashmë mjaft pranë halleve të popullit. Megjithatë, asnjëra prej këtyre qindra trazirave të urisë të ndodhura pak a shumë gjithandej nëpër botë, më 2007-2008, nuk ka përfunduar në një lëvizje proteste politike kaq të gjatë. Sot, në këtë orë që po flasim, buka ia beh në Egjipt me një kërkesë po aq të mprehtë dhe të ngutshme : liria. Le Monde e 28 janarit njofton manifestime të banorëve të Kajros që brohorisnin « Bukë ! Liri ! ». Tre ditë më pas, e njëjta gazetë tregon se, gjatë natës në sheshin Tahrir, i ashtuquajtur i Çlirimit, epiqendër e revoltës egjiptiane, u bënë aty për aty disa ndeshje futbolli : « U formuan dy ekipe : ajo e Bukës dhe ajo e Lirisë. Të dielën, fitoi ekipi i Bukës. »

Si historian i revolucioneve dhe i bukës që jam, nuk mund të jem ndryshe veçse i mahnitur nga lindja e këtij çifti bukë-liri, të mirënjohur në retorikën e luftës popullore në Francë që prej Revolucionit të 1789-1795 deri tek Fronti popullor, pastaj tek Çlirimi. « I varfëri do më shumë bukën se lirinë », vërente Rousseau. Një prirje kjo e kuptuar mirë nga Romakët dhe madje Bourbonët, e teorizuar në mënyrë më moderne nga Montesquieu dhe sidomos (jo pa njëfarë keqardhje) nga Tocqueville, prirje e cila ka përfunduar tek shteti-providencë : kërkesa e së drejtës për ekzistencë ka qenë shpesh më e rëndësishme se kërkesat e tjera, në luftën e njerëzve të zakonshëm.

Në rastin egjiptian, ku skamja rëndon shumë, por ku të varfërve dhe të lëçiturve të gjithfarëllojshëm iu janë bashkuar të diplomuarit, të punësuarit e shtypur, viktimat e të privilegjuarve dhe të korrupsionit, duket qartë se liria ka dalë mbi bukën. « Nuk do t’ua lypim lirinë të tjerëve », shkruante Ignazio Silone. Lirinë, duhet ta fitosh. » Buka, është e nevojshme, është mbijetesë ; të kërkosh bukë, është gjithashtu të kundërshtosh pabarazitë e skajshme, papunësinë e përhapur, dinjitetin e shkelur të njeriut të përditshëm. Por buka s’mjafton në vetvete, sepse me t’u bërë e bollshme dhe e lirë, ajo rrezikon të fshehë thelbin, përjetësimin e strukturave të padrejtësisë dhe nënshtrimit. Nga ku rrjedh lidhja tashmë e pathyeshme me lirinë ; denoncimi i shtypjes, i tiranisë, i diktaturës së pleqve në emër të një rinie të tërë, që kërkon bukë me kusht që kjo të mos jetë rikthim në metodën e lashtë të lojërave të cirkut.
Kjo është disi liria në parulla (jo në stërhollimet e juristëve) të 1789-ës që dukeshin se lajmëronin ripërtëritjen e një kombi të tërë : ska më të drejta pastërtisht formale, por zbatim real të lirisë së shprehjes dhe të përfaqësimit, si shoqëror ashtu dhe politik. Kjo është liria si parakusht dhe garanci për një barazi të mundshme garuese (dhe jo vetëm për një barazi përpara ligjit).

Pa e pushtuar këtë liri themelore, buka s’do të jetë kurrë ajo e vetë Egjiptianëve ; dhe buka e tjetrit është gjithmonë e hidhur. Por pak më tej, le të shpresojmë se ekipi i lirisë nuk do ta dërrmojë ekipin e bukës në fushën e veprimit shoqëror dhe ekonomik. Sepse nëse bashkimi i të dyve është dehës në prag të një epoke të re, le të rikujtojmë se me kalimin e kohës, lidhja liri dhe bukë bëhet gjithnjë e më problematike.
Paradoksi është liria e tepërt, në lindjen e saj prometeane, në ambicjen e saj gjithpërfshirëse, e privon qytetarin e thjeshtë nga racioni i vet i bukës dhe, në fund, edhe nga liria e tij. I tillë ka qenë mësimi i vështirë me liberalizimin ekonomik të Francës së Dritave (1763-1776), pastaj të Francës revolucionare, dhe në fund të një France të copëtuar vazhdimisht mes lirisë dhe bukës (domethënë barazisë). Nëse liria ekonomike s’është e formatuar dhe e rregulluar, ajo mund t’i shkallmojë bazat (dhe premtimet) e lirisë politike.


Një treg i ashtuquajtur i lirë, dhe pra detyrimisht darwinian, rrezikon t’i bëjë njerëzit që ta kujtojnë me keqardhje bukën e raisit. Nëse modeli i bukës së barazisë pjell tepër shtrëngime dhe iu zë frymën nismave vetjake, liberalizmi i shfrenuar shkakton, nën emërtime të reja, të njëjtin lloj pabarazish dhe sundimi të fshikulluar në regjimin e vjetër. Një shenjë e mirë (nëse ajo nuk do të thotë thjesht « Largohuni ju që të vij unë ») : tashmë ka disa intelektualë dhe një pjesë të klasave të mesme egjiptiane që duket se e kanë ndjerë rrezikun duke iu kundërvënë ithtarëve të doktrinës ultraliberale, shpesh të mveshur ndaj Gamal Moubarak, birit të rrëzuar. « Ç’të mbjellësh, do të korrësh. »

 

Le Monde, 8 Shkurt 2011

 

Përkthyer nga Urim Nerguti

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00