Koalicioni në Garë
Aq më shumë që as Eklipsi i Korrupsionit që solli natë në vendin e tij, nuk mundi të errësojë sukseset politike në mendjen e tij, edhe pse në fakt këto suksese nuk janë po aq të mëdha ...
Nga Artan Mullaj
Krerët e LSI-së shpërthejnë optimizmin në tribuna dhe ekrane bashkë me ndjekësit e tyre në fushatën e zgjedhjeve vendore dhe mirë bëjnë. Për më shumë që as ata, as vetë kreu i tyre nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë se çdo të ndodhë me forcën politike që përfaqësojnë dhe me koalicionin në pushtet, në të ardhmen e afërt që fillon më 9 maj. Në këtë mënyrë, i ndodhur përpara një provimi të fortë elektoral dhe përpara gjykimit popullor, ka pak gjasa që Ilir Meta të jetë pranë vrasjes së përfolur të ndërgjegjes për tradhtinë historike që i ka bërë në radhë të parë të shkuarës së tij, fjalimeve të tij, vizionit të tij, kauzave dhe karrierës së tij dhe pastaj shkulmit socialist të integrimit e më gjerë". Përkundrazi!
Madje, në mes të frymëzimit elektoral të radhës, duket se Ilir Meta ka fituar imunitet ndaj tradhtisë që thuhet se ai i bëri së majtës, por edhe ndaj namit të keq që u hap në publik prej qasjes së tij në zyrën e Dritan Priftit me “bllok në dorë”. Rastësisht, por publiku e pa, e gjykoi, madje dhe e mëshiroi për furinë barbare të fatit të keq, të cilin askush nuk do të donte ta kishte. Por, lajmi i mirë është se si çdo politikan tranzicioni, është aq aktor i talentuar dhe është aq i përvojshëm sa të shpërfillë pëshpërimat e skandalit të videos së shëmtuar me para dhe pazare, që mirë ose keq, po harrohet. Buzëqeshja në ekrane, krenaria me pupla dhe pendë në tubime me të njëjtat fytyra dhe zhurma, deklaratat krokodilë dhe qetësia e vrarë e sigurisë se ia hodhi të keqes së madhe, që shpalos ai, por edhe të tijtë, në mes dhe mbas gjithë sa thotë Saliu dhe të Saliut, të gjitha këto vërtetojnë këtë përvojë dhe tregojnë se bindja e tij për pafajësinë e tij, ndonëse jo e sinqertë, është fuqia e vetme e tij.
Në njëfarë mënyrë, këto zgjedhje do të jenë një provë dashurie për koalicionin e “Pasurimit të shpejtë” apo “koalicionin e turpit” që përmend opozita. Si gjithë çiftet që martohen me mblesëri, por pa dashuri, disa kohë pas martese, të dy me Sali Berishën, kujdesen hapur dhe pa u shtirur për shpresën se dashuria mes tyre, nëse ende nuk ekziston, dhe sidomos nëse dihet që nuk do të ekzistojë as në të ardhmen, të paktën nuk do të kthehet në hasmëri, e ca më pak në një tradhti të re.
Dhe kjo gjë, kjo besnikëri shpëtimtare, ky shpërthim i pabërë dashurie të paqenë, mes pabesisë kolektive për vetveten, si thuhet, ka gjasa të ndodhë vërtet, madje ka filluar të ndodhë. Palët e koalicionit janë më të lidhura se kurrë njëra me tjetrën, pikërisht tani para parazgjedhjeve, ashtu si pjesëtarët e një familje shtrëngojnë duart e njëri-tjetrit, para një gjëme të paralajmëruar.
Sepse zgjedhjet përpara mund të jenë një gjëmë e paralajmëruar për koalicionin e vështirë. Frika se 8 maji mund të jetë data e skadencës në ditën e gjykimit për ta, është reale. Mbas një liste të gjatë me dëshmi dhe akuza të rënda për pushtetin që menaxhojnë, kjo frikë e mazhorancës vërteton se koalicioni i LSI-së me demokratët, logjikisht ka nevojë për më shumë hekur dhe më shumë beton. Për më tepër që të dy palët e kanë kuptuar domosdoshmërinë e sakrificave të mëdha që duhet të bëjnë për të sistemuar një ortakëri aq të fuqishme sa duhet për t’i shpëtuar gjykimit dhe për të sfiduar pa mëshirë kundërshtarin e tyre, problemin e tyre, pengesën e tyre, kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo duket qartazi në pasionin elektoral që ka pushtuar shpirtrat e tyre. Prandaj, bindja e LSI-së për nevojën urgjente të nxjerrjes nga loja të Edi Ramës, njëlloj si prej kohësh, e shndërruar në babëzi edhe për demokratët, është sot, sa histeri, aq e sinqertë.
Por nëse është teprim të quhet “histeri”, padurimi i shefave të mëdhenj të mazhorancës për të shpëtuar, shkatërruar dhe fituar pafundësisht, euforia elektorale në shpërthimet e tyre të paktën ngjan me një makth, në dritën e diellit. Shkulmi i shpirtrave të tyre për pushtet, shfaqet sot si një tufë instinktesh të shëmtuara liderësh që nuk mund të mos jenë liderë, edhe kur e kuptojnë se nuk ju takon të jenë të tillë… Incidentet përditë të fushatës, ku zakonisht e pësojnë militantët e majtë, ndihmojnë qartë në këtë përfundim. Përkundër qasjes për të mbuluar këtë të vërtetë babëzie, shkumëzimi i makthtë, i dukshëm, që vërteton se instinkti i pushtetit sundon madje edhe jetët e tyre, lexohet qartë në formën një rebelimi të ndrydhur, që kur shpërthen, nuk mund ta fshehë me të qeshura dhe krenari, as kryetari i LSI-së, dhe as shefi i vjetër i PD-së, me fjalime të reja..
Por, pavarësisht ambicies për të qenë përjetësisht në pushtet dhe pavarësisht sigurisë së paqenë të fitores, për të cilën Ilir Meta shqyhet në ekrane dhe tribuna bashkë me të tijtë, ai dhe të tijtë nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë se ç’do të ndodhë me forcën e tij politike, me këtë koalicion, me këtë mblesëri, me këtë babëzi, me këtë lakuriqësi të ndriçuar së brendshmi, por edhe së jashtmi, me pamjen e trishtë me zë, me figurë dhe me bllok në dorë, që panë gjithë shqiptarët. Duke kërkuar mbrojtje nga koalicioni, nga martesa, nga tradhtia historike e shndërruar në institucion, por edhe në një simbol të vrazhdë pabesie, që mbas zgjedhjeve të shkuara u quajt “Gomari i Trojës, për të shkatërruar të majtën, tek kërkon shpresë dhe shpëtim te PD-ja, LSI-ja të kujton gjuhën e plagosur që shkon në dhëmbin e sëmurë.
Mund të supozojmë se ky koalicion i përfolur mëkatarësh, që ka në dorë një pushtet që sundon, ka në themel jo vetëm babëzinë, por edhe ndotjen e moralit. Shqipëria sundohet sot nga një pushtet i etur për pushtet. Babëzia për para dhe lavdi është projektuar për të gjitha gjallesat njerëzore qysh në ligjet e krijimit, por babëzia e këtij koalicioni shkon edhe më larg: nuk është thjesht një ves, por një shkulm instiktiv. Në ekran, në publik, në terren, politikanët e guximit më të vështirë, siç qe kjo martesë, siç është ky koalicion, që vjedh përditë edhe vret, vërteton pikërisht këtë gjë. E duan fitoren pa kushte me çdo kusht, përtej kushteve, ju takon ose jo! E duan deri në fund! E duan patjetër! Ky është një kapërcim i rrezikshëm i instinkteve të taksura njerëzore, ndërkohë që, babëzinë për pushtet dhe para, e kanë jo vetëm mision, por edhe vizion në jetën e tyre.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha nuk duket të jetë gati për besimin në fitoren e lumtur përpara...
Nëse ka një ndalim lumturie, midis tij dhe Ilir Metës, ndryshimi vjen jo nga dyshimet e sundimtarit për lajthitjet e shpeshta të fatit, por sepse Kryeministri ynë e ka kuptuar që lumturia më e madhe iu afrua në një kohë të gabuar. Shpirti i tij nuk mund të durojë fitore kaq të mëdha, mbas shumë të tillave, gjatë jetës së mbetur. Gjunjëzoi Nanon, skllavëroi Metën njëherë e mirë, ndërsa ky tani e ndjek pas, si një kec mamadhinë dhe ja tek është gati me maskën e Pilatit në dorë, të kryqëzojë si Krishtin edhe kryetarin e opozitës.
Një fitore e tillë e re, kaq e madhe, që është më shumë se një ëndërr, në prag të pleqërisë, është baras me një lajthitje mbas një orgazme. Megjithatë, përkrah Ilir Metës, "Lideri historik" i demokratëve, duket se ka filluar të besojë seriozisht se është i tillë, ëndërrprekës dhe legjendar, qysh kur ka filluar të fantazojë, madje edhe të besojë fitoren e artë më 8 maj. Ndërkohë, askush nuk mund të thotë që në orët e vona të meditimeve, ai nuk ëndërron vetëm shkatërrimin e kryetarit aktual të bashkisë, kryqëzimin e tij, hakmarrjen e plotë që guxoi t’i ngrejë barrikadë sundimit të tij. Ndërkohë, askush nuk mund të thotë se pas fitores, ai nuk do të sjellë në përfytyrime shtatoren e ardhshme të tij në sheshin "Skënderbej", pranë heroit tjetër, që luftoi pengesën tjetër, Turqinë, pasi vetë ky shkoi më larg se ai, luftoi dhe sundoi vetë Shqipërinë.
Aq më shumë që as Eklipsi i Korrupsionit që solli natë në vendin e tij, nuk mundi të errësojë sukseset politike në mendjen e tij, edhe pse në fakt këto suksese nuk janë po aq të mëdha sa edhe miqësia e tij me Fazlliçin, dhe nuk janë po aq të sigurta sa shpërthimi i Gërdecit apo sa shpërthimi më 21 janar i marrëzisë.




del.icio.us
Digg

Post your comment