Udha jonë intelektuale
Udhëtimi ynë drejt të mirës së përgjithshme lidhet me njohjen, ndërsa njohja me arsyen, ndërkaq arsyeja me përvojën shkencore. E mira e përgjithshme është natyra e përsosur e jona e krijuar nga edukimi estetik i shpirtit, që realisht mundëson një vullnet të prirur për të vepruar në mënyrë intelektuale brenda lirisë shpirtërore.
Bujar Plloshtani
Ne duhet të zgjedhim një udhë racionale që na shpie në pikëpamjen e ideve universale, të cilat janë të gatshme të ndryshojnë ekzistencën tonë në të mirën individuale dhe kolektive, pra që na orienton drejt njohjes së vërtetë.
Së pari, ne duhet të udhëhiqemi pas traktatit mbi arsyen e mendimit racional, ku mendimi i vetëdijshëm do të na detyrojë sistemin tonë psikik të priret ndaj njohjes së vërtetë nëpërmjet mendimit që do e bartim në shqisa për të verifikuar njohjen e drejtë, kështu duke na u paraqitur idetë e reja të cilat shërbejnë për ndryshimin e gjendjes shpirtërore dhe morale, ku jetën tonë do ta vë në shërbim intelektual. Përmes arsyes së mendimit racional, vihen idetë tona në ecuri progresive të cilët synojnë drejt ndryshimit reformues, ku më lehtë mund të kthjellojë imagjinatën për ta shquar me ndijim të veçuar njohjen e vërtetë, e cila kjo njohje është ndriçimi i shpirtit. Mendimi i formuar nga një shije klasike, dhe njëherit mendimi i dalë nga eksperienca e arsyes njerëzore rrit ndikimin e intelektit, që të ketë lidhje të vullnetshme me sistemin inteligjent të të menduarit për njohje intuitive. Me siguri, që njohja intuitive është shprehje e një njeriu të edukuar nga plani estetik shpirtëror, si dhe nga kohëzgjatja e ndjenjave. Kjo njohje intuitive rrit vëllimin e ndikimit të pjesërishëm të njohurive të mjaftueshme, dhe njëkohësosht i hap udhë arsyes sonë për të menduar dhe shqyrtuar botën përmes mendimit racional, të udhëhequr nga plani intelektual. Pa arsye dhe ide racionale njohja do të ishte e mangët, dhe nuk do të kishte jetëgjatësi progresive për të vepruar sistematikisht.
Prandaj, filozofia racionaliste që në thelb nënkupton të menduarit me arsye të pastër, mundohet sa më shumë që të jetë e mundur t’i përkushtohet njohjes së natyrës njerëzore nëpërmjet arsyes së kulluar, ku njeriu duhet të mendojë racionalisht, me të vetmin qëllim për të ardhur deri te kriteri i vlerësimit të ligjësive të botës. Që mendimi i arsyeshëm të jetë funksion i përgjithshëm i domosdoshmërisë shpirtërore, më parë duhet të bartet nëpër shqisa, sepse mendimet e sistematizuara nga shkaku i arsyes mund të lexohen më shkoqur e më qartë nëpërmjet shqisës. Shqisat i mundësojnë arsyes të shquajë mendimin njerëzor deri në njohje të vërtetë duke ia shtuar pjesën e verifikuar, pra pjesën logjike të të prekurit, të të ndierit, etj. Organet e shqisës na mundësojnë ta ndjejmë formën dhe përbërjen e një sendi në natyrë, duke formuar kështu kuptimin e vërtetë të formës, shijes, madhësisë, për të cilën psikika jonë përmes të vërejturit të vëmendshëm do të na diktojë ta njohim më lehtë sendin në natyrë.
Njohja e vërtetë është parafytyrimi i lidhshmërisë së vullnetit të ideve të hershme me çfarëdo ideje racionale në pajtueshmëri me intelektin. Ajo mund të fitohet nga eksperienca e arsyes njerëzore, e cila kalon nëpërmjet shqisave tona duke i akumuluar teoritë shkencore nga arsyeja e qartë në përvojën e mendimit intelektual. Njohja dhe e mira ekzistojnë në një pikë, këtu në këtë horizont të pafund, por që t’i ndjejmë brenda nesh, në rend të parë duhet kuptuar vetveten si art i shprehjes së lirë, e aftë për t’i shqyrtuar ligjësitë e natyrës. Ne duhet të shkojmë përtej intelektit tonë, se kështu në fakt, ne do të kuptojmë njohjen dhe të mirën, si pjesë e vlefshme e udhës sonë intelektuale. Njohja dhe e mira janë brenda nesh, mirëpo, njeriu nëpërmjet veprimit të sjelljeve drejtohet kah e mira, ndërsa nëpërmjet intelektit drejtohet kah shqyrtimet e njohjes shkencore. Gjithçka është brenda nesh, e mira, e keqja, por dhe urtësia për të vepruar sipas një paramendimi të vëmendshëm, prandaj ne duhet të kërkojmë njohjen që të priremi drejt edukimit të vërtetë, e cila na shpie në njohje. Njohja ka veti të lartë morale, ngase ajo pasuron mendjen me njohuri të mjaftueshme sa për t’i diktuar lëvizjet e natyrës, dhe njohur disa fshehtësi të universit, duke e ndriçuar shpirtin njerëzor kah e mira e përhershme.
Në të kundërt, mosnjohja e natyrës, pra, injoranca mund të dëmtojë intelektin tonë shpirtëror dhe mendor duke e errësuar vetëdijen njerëzore të orientohet kah e keqja. Udha jonë intelektuale është vetëm njohja, pastaj nga njohja përfitohen sjelljet, diturtë, mirësitë, e keqja, vullneti apo dhe dashuria. Ne do të shkojmë drejt një udhe të gjatë, ekzaktësisht ku përfitohet njohja ndaj sendeve, dhe më pas të frymëzuar do të veprojmë mbi paraqitjen dhe vullnetin e kësaj bote të squllët me pikëpamjet për të vazhduar synimin drejt të mirës së përgjithshme. E mira e përgjithshme është një kusht i ekzistencës sonë që s’mund t’i shmangemi dot, sepse nëpërmjet të mirës ne mund të orientojmë planin e të vepruarit kah idetë progresive që vihen në shërbim të shoqërisë. Udhëtimi ynë drejt të mirës së përgjithshme lidhet me njohjen, ndërsa njohja me arsyen, ndërkaq arsyeja me përvojën shkencore. E mira e përgjithshme është natyra e përsosur e jona e krijuar nga edukimi estetik i shpirtit, që realisht mundëson një vullnet të prirur për të vepruar në mënyrë intelektuale brenda lirisë shpirtërore. E mira duhet të sjell lirinë e mendimit dhe ambicieve tona për ta ndryshuar botën, të paktën duhet ta bëjë të përshtatshme për hir të interesave të përgjithshme, që nga këndvështrimi ynë të duket sa më racionale. Burimi i së mirës është një ide e Zotit që krijon një rregull inteligjent për t’i perceptuar, dhe njohur sendet në natyrë duke qenë të përshtatura për të mirën e tij. Ky shkak i domosdoshëm i së mirës lind nga arsyeja e kulluar, që njeriu i ditur e ka të lindur në etikën shpirtërore, por që me eksperiencën njerëzore do ta përsosë, që më pas e mira të shërbejë për të vështruar apo njohur thelbësisht ligjet e natyrës dhe njeriun.
Duhet kuptuar se ligjet e natyrës vlejnë për sistemin intelektual të njeriut, që ai t’i vrojtojë dhe shqyrtojë përmes mendjes së shëndoshë të gjitha lëvizjet e natyrës fizike, që janë të ngjashme drejtpërdrejt me vullnetin njerëzor, për të cilën njeriu më parë duhet të njohë gjer në thelb funksionin e brendshëm të rregullit të natyrës, me qëllim që ta çojë atë deri te ndryshimi për të mirën e gjendjes së tij shoqërore. Ndryshimi i gjendjes shoqërore bëhet sipas një plani të intelektit hulumtues, duke e vënë dijen e fituar në shërbim publik. Ky hulumtim i njeriut është një shtytje drejt shkencës dhe zbërthimit të natyrës për të përfituar sa më shumë njohje korrekte, e cila është në të mirën njerëzore, e që më pas nxit arsyen të diktojë rregullat për orientimin e jetës së tij shoqërore duke e shndërruar në mjet intelektual.
Shkëputur nga "Traktati mbi arsyen e mendimit"




del.icio.us
Digg

Post your comment