Home | Opinion | Të ndërtosh apo të shkatërrosh

Të ndërtosh apo të shkatërrosh

image
 Politikanët e mirë parandalojnë situatat që dëmtojnë zhvillimin e vendit. Në anën tjetër konformizmi me shkelësit e ligjit është tradhti ndaj vendit.

 

 

 

 


Liri Loshi

 

 

Tani kur po kërkohet konstatimi i ligjshmërisë së zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president dhe të shkeljes së Kushtetutës nga ana e tij, është mirë t’i rikujtojmë efektet dhe kundër-efektet e projektit “Rrustemi – Tali” që të mos përsëriten skenarë të njëjtë.

Kur Gjyqi Kushtetues i Kosovës kishte konstatuar shkeljen e rëndë që ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i kishte bërë Kushtetutës, disa politikanë dhe analistë dorëheqjen e tij e shihnin si një akt moral dhe si një ngritje të re të figurës së tij politike! Pra, ai ishte para një akti të kryer, por mendësia komuniste e tij dhe e shumë të tjerëve si ai, e bënte të vështirë pajtimin e tyre me rezultatet e zhvillimeve demokratike. Mirëpo para se t’i hyhej projektit për konstatimin e fajit të presidentit dhe eventualisht shkarkimin e tij, duket sikur nuk ishin analizuar të gjitha rrethanat që kushtëzonin arritjen e objektives kryesore që gjithsesi duhej të lidhej me interesin e përgjithshëm nacional. Tani, kur shikojmë prapa, cilat janë efektet dhe kundër-efektet e projektit “Rrustemi – Tali”?

Efekt gjithsesi pozitiv ishte se në shtetin e ri të Kosovës, një lideri të një partie politike e përmes kësaj edhe të gjithë liderëve tjerë iu bë e qartë se në shoqërinë demokratike, Kushtetuta dhe ligjet kanë fuqinë e përmbysjes së ambicieve personale kur ato janë në kundërshtim me normat kushtetuese. Por, a i duhej Kosovës një kosto aq e lartë vetëm që ajo të dukej si vend më demokratik? Dhe, a do ta bënte kjo dukje shoqërinë tonë më demokratike në të vërtetë?

Kjo iniciativë që pastaj u shndërrua në proces prodhoi më shumë efekte negative. Vendi u zhyt në krizë institucionale dhe partitë politike që ishin në pushtet, PDK dhe LDK zunë të vepronin ngutshëm gjatë kohës së kufizuar për të marrë përsëri sa më shumë pushtet në zgjedhjet e radhës. Kështu, ish lideri i LDK-së duke parë se po humbte të gjithë penjtë e pushtetit, vendosi të tërhiqte ministrat e vet duke imponuar krizën institucionale si opsion të vetëm, ndërkohë që nxitonte ta zinte trenin e fundit për t’u legjitimuar si lider i LDK-së. PDK, në anën tjetër, krijimin e rrethanave të reja e shihte si një rast ideal për ta shpejtuar kohën e rimarrjes së pushtetit.

Pas zhvillimeve të fundit, Kosova duket si një vend që për një çast ka kaluar një krizë formale institucionale dhe që bëhet gati për të hyrë në një krizë të re politike. Qeveria e re, si strumbullar i stabilitetit të shoqërisë, është më pak legjitime se sa qeveria paraprake qoftë për shkak të një procesi të komprometuar zgjedhor, qoftë për shkak të strukturës më të ulët kuantitative të elementit shqiptar. Që nga dita e parë e punës qeveria është e shantazhuar nga të gjitha anët. Kryeministri në vend të dy grupimeve politike sa kishte më parë, tani ka disa grupe dhe individë, të cilët vështirë se do t’i fus nën kontrollin e domosdoshëm. Pakica serbe, duke qenë në pushtet i ka duart e lira për të shantazhuar edhe për interesat meskine të saj. LDK si parti e parë opozitare mund ta krijojë relativisht lehtë konsensusin me partitë tjera për ta bllokuar dhe eventualisht përmbysur qeverinë. Vetëvendosja pritet të jetë një opozitë më e papërshtatshme dhe e paparashikueshme nga që ishin AKR dhe LDD. Kurse, AAK e frustruar për lojën e dobët politike ku ajo humbi rastin për ta pasur nën drejtim presidencën dhe pothuaj gjysmën e pushtetit ekzekutiv, do të përpiqet që ta rikthejë këtë shans me të gjitha mjetet e saj. Në anën tjetër, një pjesë e PDK-së e frustruar për lënie pasdore nga tabori i Hashim Thaçit që përbën shumicën, mund të oscilojë mes partisë së vet dhe të ndonjë aleance joparimore kundër qeverisë. E tërë kjo bën që qeveria aktuale e së këndejmi edhe shteti të jenë gjithnjë të rrezikuar nga jo stabiliteti politik.

Projekti “Rrustemi - Tali” ka kontribuar edhe në destabilitetin presidencial. Zoti Behgjet Pacolli nga një pjesë e konsiderueshme e klasës politike dhe e shoqërisë së gjerë kosovare cilësohet si inkompetent dhe ilegjitim. Që në ditët e para ai është shantazhuar me lajme të këqija. Vendosja e bombës në shtëpinë e tij që ky planifikon ta shndërrojë në rezidencë, kundërshtimi i veteranëve të luftës për pozitën që ai mban dhe ankesa e AAK-së për shkeljen e Kushtetutës, janë vetëm tri lajmet e para gjatë muajit të mjaltit që nuk parashikojnë ditë të lumtura për presidentin e ri. Kriza presidenciale në mënyrë ta pashmangshme llogaritet se do të sjellte krizën qeveritare.

Projekti “Rrustemi – Tali” ka prodhuar edhe një efekt tjetër të kundërt: ai ka shkurtuar mandatin e vetë këtyre dy deputetëve. Ata nuk kanë fituar në garat për deputetë. Në vend që të shpërbleheshin me votën e popullit për rolin e veçantë, ata pothuaj janë defaktorizuar politikisht!

Pra cila është fatura përfundimtare këtij projekti? Nëse ke hequr nga qeveria një forcë të vërtetë politike dhe ke sjellë në vend të saj një organizëm partiak pa kokë e pa bisht; nëse ke hequr një president kompetent dhe ke sjellë një tjetër me kompetencë të dyshimtë; nëse qeverinë Thaçi e ke komplementuar me pakicën serbe; nëse ke sakrifikuar ulësen e deputetit të pavarur për uniformën partiake... A nuk është ky një dështim?

Tani kur po kërkohet konstatimi i ligjshmërisë së zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president dhe të shkeljes së Kushtetutës nga ana e tij menjëherë pas betimit, është mirë t’i rikujtojmë efektet dhe kundër efektet e projektit “Rrustemi – Tali” që të mos përsëriten skenarë të njëjtë. Politikanët e mirë parandalojnë situatat që dëmtojnë zhvillimin e vendit. Në anën tjetër konformizmi me shkelësit e ligjit është tradhti ndaj vendit. Kjo pra është arsyeja pse na duhen politikanë syçelë që dinë të veprojnë duke mbajtur vendin stabil në vend se ta fusin atë nga një situatë ligjore paradoksale në një labirint pa dalje.

Të ndërtosh apo shkatërrosh është çështja!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0