Home | Opinion | Forca e verbër e masës

Forca e verbër e masës

image
Është koha që populli me rininë më të madhe në Evropë më në fund ta shfaq energjinë: të mos dorëzohet, të jetë kritik, ta shprehë pakënaqësinë, të gjurmojë, ta luftojë padrejtësinë deri në ...

 

 

 

 

Fisnik Basha

 

 


“Only puny secrets need protection. Big discoveries are protected by public incredulity”- Marshall Mcluhan

Mbetemi peng i masës konformiste. Gjykimi i saj është i verbër, i pazotueshëm dhe me gjasë i destinuar për humbje. Askush nuk kursehet, pos të privilegjuarve. Çdo i dorëzuar është një dhëmbzorë i vogël në makinën e stilit politik që e ka përcjellë Kosovën dhjetë vitet e fundit. Dhe më në fund, aktorët drejtues, me sukses i shpërlanë duart në laramaninë e mediave dhe konfuzionin e krijuar. Kështu që i kanë “të pastra”, siç bekoi z. Dell. Unë shtoj, duart e pastra të Pilatit... Populli i habitur pas senzacionalizmit medial, reagon, por edhe pranon. E vërteta është në shesh, kundërthëniet palohen, i humb fija drejtësisë. Ajo që s’e mbyt të keqen, e bën më të fortë.

Pyetem se çka mendojnë anëtarët e rëndomtë të PDK-së dhe AKR-së në lidhje me këtë që ndodhi? Dhe përgjigjja e parë që më vije është se një apo më shumë prej zyrtarëve të lartë të këtyre partive, me gjasë duhet të jenë të implikuar në një agjendë më të madhe e të fshehtë që, në mendimin e tyre suprem, ua justifikon aktet. Ndërsa tjerët janë konformistë të cilëve nuk u shkon mendja se një lojë e tillë mund të ekzistojë. S'kam shpresa në të parët ngase janë 'mbi ligjin', porse kam shpresë në vetëkritikën e këtyre të fundit, duke e filluar këtë me pyetjen: sipas jush, çka është ajo që e justifikoi shkeljen e procesit demokratik nga krerët e partive tuaja?

S’është vështirë të parashihet... sa herë që mendimi kritik vepron, zëra nga masa konformiste përgjigjen me njollosje, duke përvetësuar vlerat e përbashkëta. As shpirti i vërtetë i luftës Kosovare për liri nuk lihet i qetë e as gjaku i derdhur i idealistëve luftëtarë që dikur e insipiruan popullin, nuk lejohet të peshojë njëjtë për të gjithë. Siç është zakon, në kohë të duhura mobilizohen fantazmat e një ushtrie çlirimtare të monopolizuar me një imazh ekskluziv të ushtruar në mendjen e popullit, nga parti hipokrite që meritat e UÇK-së i bëjnë të vetat. Kështu e gjymtuan të drejtën kolektive të Kosovarëve që heronjtë dhe luftën për liri t’i konsiderojnë si të përbashkëta. Kështu ia zbehen rëndësinë dekadave të rezistencës civile ndaj regjimit shovinist të Serbisë. Kështu kontributi historik i qytetarit të rëndomtë u harrua, ndërsa përmirësimi i gjendjes së tij sot po zvarritet:

Për profesorë qe u detyruan ta shkollojnë gjeneratën tonë në gjendje të mjerueshme dhe pa mjete, mbetet i paarsyetuar fakti që në fushën e arsimit, mësuesve, arsimtarëve e profesorëve nuk po u shpaguhet sakrifica. Për gjeneratën tonë të nxënësve e studentëve që kryen shkollat në shtëpi private, duke studiuar skripta të diktuara, mbetet i paarsyetuar fakti që standardi i shkollimit mbetet i ulët dhe që sektorët ku do të shpresonim të punësoheshim mbeten të shterura. Për intelektualet profesionistë që i braktisën postet e punës për ta parë një ditë një Kosovë tonën të ri-ndërtuar, mbetet i paarsyetuar fakti që hovi i privatizimit të egër, shitja e pronës publike dhe mungesa e prodhimtarisë ende nuk po lë vend në Kosovë për ekspertë.

Kjo liste nuk ka fund. Qeveria është jo-llogaridhënëse. Populli ka pësuar amnezion, duke u sulmuar çdo ditë psikologjikisht me marrëzirat e interesave të ngushta. Dhe pothuajse e gjithë historia e Kosovës implodoi në një pikë në vitin 1999 the prej aty një supernova e shpalosi universin e premtuar të partive klanore. Emri i z. Thaçi është bërë sinonim me Kosovën. Patriotët e markës tjetër, paksa të dyshimtë nga perspektiva e tij e ngushtë, vazhdimisht shtyhen me bërryla jashtë privilegjit të identifikimit me idealin e “vërtetë” Kosovar.

Destinacioni i arritur: prej pseudo-demokracisë me të cilën ishim mësuar, në një totalitarizëm eksplicit. Masa jo-kritike kurdo e gatshme që më parë ta pranojë korrupsionin sesa betejën destabilizuese për drejtësi. Ajo i dëbon ata që ia duan të mirën vendit dhe si e tillë është armë e fuqishme në duart e drejtuesve që vepruan në mënyrë arbitrare dhe haptas kundër ligjit dhe të cilët edhe më tej e paralizuan kontrollin e popullit mbi atë që po ndodh me Kosovën.

Populli e kupton se ç’po ndodh po edhe nuk e kupton. I di fshehtësitë, por edhe nuk i di. E di edhe zgjidhjen, por nuk e implementon. Është në cep të grykës, por megjithatë këtë rrugëtim e vazhdon. Në fjalët e teoristit të famshëm të komunikimit, Marshall McLuhan: “Vetëm fshehtësitë e imëta kërkojnë të ruhen. Zbulimet e mëdha janë të ruajtura në mosbesimin e publikut”.

Është koha për një rilindje dhe braktisje të apatisë. Është koha që populli me rininë më të madhe në Evropë më në fund ta shfaq energjinë: të mos dorëzohet, të jetë kritik, ta shprehë pakënaqësinë, të gjurmojë, ta luftojë padrejtësinë deri në fund dhe të mos bie pre e retorikave diskriminuese. Kosova është e masës së lirë e të pavarur, jo e pakicës së dirigjuar.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00