Home | Opinion | Anti-amerikanizmi i pro-korrupsionit

Anti-amerikanizmi i pro-korrupsionit

image
Qytetari shqiptar e di më mirë se çdo kush tjetër se sa i përhapur është korrupsioni në vend, në radhët e pushtetit qendror e vendor, në radhët e partive politike, në drejtësi, në polici...

 

 

 

Frank Shkreli

 


Kohët e fundit, Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Aleksander Arvizu, i dha një intervistë Zërit të Amerikës, gjatë së cilës ai komentoi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen aktuale në Shqipëri. Duke folur për korrupsionin në Shqipëri, ai tha: “Diçka tjetër që desha të vë në dukje është se korrupsioni është një problem shqiptar; nuk është (vetëm) një problem i qeverisë shqiptare – është një element i përhapur i shoqërisë…”. Pas reagimeve dhe keqkuptimeve ndaj kësaj deklarate në shtypin shqiptar dhe nga disa analistë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë qartësojë deklaratën e mësipërme duke theksuar se siç ka thënë edhe më parë Ambasadori Arvizu se korrupsioni është një problem që ka pushtuar gurët e themelit të shoqërisë shqiptare – qeverisjen, biznesin, arsimin, shëndetësinë, dhe të tjera. Populli shqiptar meriton më shumë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t‘u bëjnë thirrje udhëheqësve shqiptarë të marrin hapa vendimtare kundër korrupsionit, përfundon deklarata sqaruese e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Deklarata e Ambasadorit te ri amerikan në Tiranë, nuk është as e re dhe as e papritur. Gjatë 20 vjetëve të fundit, ky fenomen i shoqërisë shqiptare është venë në dukje nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, nga zyrtarë amerikanë, si edhe nga organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht kanë bërë thirrje për më shumë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit në vend. Këto thirrje i janë drejtuar qeverive të ndryshme shqiptare (demokrate dhe socialiste), të 20-vjetëve të kaluara, prokurorisë dhe gjyqësorit, pa dallim, duke inkurajuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një hap i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për përparimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë, dhe si hap i nevojshëm për integrimin e saj në organizmat euroatlantike.

Ambasadori amerikan ka të drejtë se korrupsioni është një sfidë e përbashkët që duhet të luftohet nga të gjithë. Një shoqëri nuk vlerësohet vetëm nga fakti nëse ka ose jo korrupsion – pasi në çdo shoqëri ka korrupsion, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Por, çdo vend e shoqëri vlerësohet nga mënyra se si ajo lufton dukuritë e korrupsionit. Ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Arvizu, me deklaratën e tij kundër korrupsionit në Shqipëri, është vetëm duke projektuar dhe zbatuar politikën e vendit që ai përfaqëson, në luftën kundër korrupsionit anë e mbanë botës, një politikë kjo për të cilën është angazhuar edhe vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, zoti Barack Obama, i cili, nga fundi i vitit që kaloi tha se “asnjë vend nuk mund të krijojë pasuri në qoftë se udhëheqësit e saj shfrytëzojnë ekonominë për tu pasuruar vetë, ose në qoftë se polici mund të blihet nga trafikantët e drogave. Njerëzit kudo duhet të kenë të drejtën të fillojnë një biznes ose të arsimohen pa u detyruar të paguajnë ryshfet. Ne kemi përgjegjësinë të përkrahim ata që veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe për të izoluar ata që nuk veprojnë përgjegjësisht, dhe kjo është tamam ajo që do të bëjë Amerika”, përfundoi Presidenti Obama.

Qytetari shqiptar e di më mirë se çdo kush tjetër se sa i përhapur është korrupsioni në vend, në radhët e pushtetit qendror e vendor, në radhët e partive politike, në drejtësi, në polici, në shkolla e në sport, e në fusha të ndryshme të jetës së përditshme. Në të njëjtën kohë, ky problem nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por është një murtajë globale e cila në qoftë se nuk luftohet nga të gjitha shtresat e shoqërisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, do të minojë zhvillimin ekonomik dhe do të zhdukë shpresat për drejtësi më të madhe shoqërore, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan.

Për më tepër, korrupsioni ka një efekt negativ edhe në stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit, e mund të ketë edhe pasoja rajonale. Për këtë arsye, edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në Ditën Ndërkombëtare të Anti-Korrupsionit vitin e kaluar, tha se “ndërsa punojmë së bashku për të zhdukur korrupsionin në vendet tona, në të njëjtën kohë duhet të kemi standardet më të larta të transparencës në projektet e zhvillimit anë e mbanë botës. Korrupsioni në vendet me demokraci të brishtë, minon dhe zhdukë besimin e qytetarëve dhe të investuesve të huaj”, tha Clinton.

Prandaj, Ambasadori Arvizu, si një përfaqësues i një vendi mik, ka të drejtë kur i bën thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare të luftojë këtë fenomen, pasi korrupsioni është një problem që prekë të gjithë, dhe si rrjedhim, qoftë shteti apo qoftë qytetari i thjeshtë, të rrijë duar kryq dhe në një apati indiferente, nuk është më një opsion, për asnjërin prej nesh që ia do të mirën familjes së vet, shoqërisë në të cilën jetojmë dhe kombit. Sepse pranimi i korrupsionit, në çfarëdo niveli dhe në cilën do fushë të jetës, krijon ambient dhe atmosferë në të cilën pandershmëria dhe batakçillëku lulëzojnë e përparojnë për gjithmonë, në dëm të shoqërisë.

Por duke ndjekur debatin në shtypin shqiptar mbi atë që tha ose nuk tha Ambasadori Arvizu, ajo që më habit dhe më shqetëson jashtëzakonisht shumë është fryma anti-amerikane që duket se po përcjellë këtë debat. A mos vallë gjendemi para një fushate shqiptare anti-amerikane të para 20-vjetëve të kaluar? A pasqyron kjo fushatë politiko-mediatike pikëpamjet e popullit “më pro-amerikan në botë” apo është një fenomen i përkohshëm, i një grupi apo segmenti të shoqërisë dhe nuk është përfaqësuese e shtresave të gjera të popullit? A është e mundur që përfaqësuesit e kësaj fushate nuk i shohin Shtetet e Bashkuara si një përkrahëse historike të interesave të kombit shqiptar? Zemra më thotë se jo, por mendja më thotë se historikisht ka ndodhur më parë dhe mund të ndodhë përsëri. Jam i sigurt se nga zbehja e miqësisë me Shtetet e Bashkuara humbasin vetëm interesat kombëtare të shqiptarëve dhe gëzohen armiqtë dhe kundërshtarët e kombit, në një kohë kur siç duket përpjekjet e tyre te lobingut kundër Kosovës dhe Shqipërisë, si edhe pretendimet territoriale nga jugu i Shqipërisë e veriu i Kosovës kanë arritur një nivel të lartë kohët e fundit.

Pse çohen nga gjumi elementët më anti-shqiptare në Ballkan, kur ka trazira në trojet shqiptare?. Në interesin e kujt është kjo? Mirëpo, sido që të interpretohet politika amerikane karshi Shqipërisë nga elementë të caktuar mediatiko-politik shqiptar, ajo ka qenë historikisht në favor të kombit shqiptar, duke filluar nga Presidenti Ëilson fillimin e shekullit të kaluar e këtej. Siç tha të mërkurën në Tiranë, edhe Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, se, për Shtetet e Bashkuara, si miq të Shqipërisë, “shqetësimi ynë është populli shqiptar dhe kushtetuta”, dhe shtoi se “shpresoj që populli shqiptar do të dëgjojë miqtë, dhe jo partitë politike. Ngjarjet në Shqipëri nuk janë unike. Shqipëria nuk është i vetmi vend me problem korrupsioni, me problem të zgjedhjeve të papërsosura, me protesta dhe me dhunë. Por të gjitha këto zgjidhen në një demokraci konstitucionale”, përfundoi zyrtari amerikan.

Amerika, si mike historike e kombit shqiptar, nuk do nga Shqipëria asgjë më tepër se trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të saj për të mirën e popullit të saj, siç tha edhe zoti Countryman, “mbi bazën e hapësirave kushtetuese”. Amerikës, siç thoshte Fan Noli, nuk mund t’i kthejmë borxhet për ato që ka bërë e vazhdon të bëjë për kombin shqiptar, por gjithnjë sipas Nolit, “në qoftë se bëjmë atë që na takon për kauzën e qytetërimit dhe të humanizmit, atëherë Amerika, në traditën më të mirë të saj bujare, do na e falë borxhin që i kemi dhe në këtë mënyrë do të na hiqet një barrë e rëndë morale dhe e padurueshme ndaj saj”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0