Home | Opinion | "Ushqimi" i tiranisë

"Ushqimi" i tiranisë

image
- Krijimi i klasës së zyrtarëve mbi ligjin (shtim hap pas hapi i grupit të njerëzve pranë "bosit" apo prijësit, nuk e përfillin ligjin dhe sistemin rregullator).

 

 

 

Rexhep Meidani

 


Në terminologjinë politike, tirania nënkupton një qeverisje mizore (përgjithësisht të një personi) të shoqëruar me probleme serioze legjitimiteti. Ajo synon krijimin e një varësie të gabuar midis kryepushtetarit, kryetarit apo prijësit (tiranit) si "baba kombi" dhe qytetarëve si gjoja "çiliminj" të tij. Në këtë mënyrë ushqehen gradualisht situata shqetësuese e helmuese, deri dhe patologjike, që çojnë në veprime jo demokratike apo vendimmarrje të një cilësie të ulët. Për më tepër, një e tillë, në vazhdimësi, i bën situatat qeverisëse akoma më të rënda, duke favorizuar një spirale keqësimi e përplasjeje, që nëse nuk ndërpritet në kohë, mund të çojë në një shkatërrim apo thyerje totale. Ndërsa në psikiatri, një sindromë e tillë drejtim-komandimi konsiderohet edhe si "çrregullim personaliteti" apo, në gjuhë më të thjeshtë, si "mungesë kontrolli"...

"Metodologjia" e instalimit të tiranisë

Sot njihen mirë metodat e përdorura për të rrëzuar një rend kushtetues dhe për të instaluar tiraninë. Kjo, edhe pse në jo pak raste, emocioni e entuziazmi fillestar ishte për të kundërtën. Kështu, në mjaft raste është kaluar në tirani, edhe pse qëllimet fillestare kishin qenë të drejta. Në raste të tjera, tirani, duke "budallepsur" vetveten ka "budallepsur" dhe të tjerët. Kjo është arsyeja që rekomandohet vigjilencë maksimale dhe reagim politik e qytetar për të mos lejuar instalimin e tiranisë. Mbi të gjitha, nuk duhet lejuar në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë dhunimi i Kushtetutës! Por po aq e rëndësishme është dhe lufta kundër dhunimeve të tjera që dëmtojnë demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare. Ndër to mund të radhiten këto çështje:

-Kontrolli i informimit dhe opinionit publik (fshehje fillestare informacioni, bllokim i atij të vërtetë dhe shpërndarje gënjeshtrash, në mjaft raste shkohet deri aty sa të krijohet zyra apo ministria e propagandës për ta deformuar e shmangur në maksimum informimin publik).

- Manipulimi i votës (bllokime tipike, pengesa kryesore e manipulime vote ndaj personave me integritet, dinjitet e pikëpamje reformatore, ndërkohë që dhe një pjesë e konsiderueshme e manipulimit është dhe ajo e numërimit të votave).

- Ndikimi zyrtar mbi prokurorinë dhe gjykatat (ushtrim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i trysnisë politike- institucionale, ekonomike-financiare e mediatike mbi këto organe të pavarura).

- Uzurpimi i fuqive të padeleguara (nëpërmjet turmave, mbështetjes militante e popullore, të shoqëruar me favorizime financiare, shpërndarje fondesh, etj.; të tilla janë edhe sulmet apo privimet mbi pakicat politike, minoritetet dhe individët).

- Monopoli qeverisës dhe përdorimi i forcave të armatosura (krahas monopolizimit të fuqisë politike e ekonomike, fuqizohen në vazhdimësi përpjekjet antidemokratike për monopolizimin e forcave të armatosura, përdorimin abuziv të tyre).

- "Militarizimi" i detyrimeve ligjore (nisur me deklarime pompoze të "luftës ndaj krimit", për shndërrim të saj më tej në një luftë jodemokratike ndaj lirive civile, dhe për këtë qëllim krijohen, përgatiten apo organizohen dhe njësi ushtarake për këto "detyra" të brendshme).

- Infiltrimi dhe subversioni (si ndaj opozitës politike, rezistencës qytetare e reformatorëve, spiunimit të brendshëm dhe survejimit, ushqimit të tyre, për të vazhduar më tej me persekutimin e padrejtë të kundërshtarëve kryesorë).

- Bllokimi (supresioni) i investigimit sidomos kur korrupsioni qeveritar e administrativ dhe i mbështetësve politikë, kalon një prag të dhënë, tepër diskriminues, gjë që e shndërron qeverisjen e deformuar shumë afër asaj të një tiranie tepër të korruptuar dhe mjaft aktive).

- Përdorimi i ligjit për të shtypur konkurrencën (mbështetje jo ligjore të militantëve apo simpatizantëve, shtypje e pengim të gjithë të tjerëve, gjë që në një mënyrë apo tjetrën i detyron dhe i angazhon zyrtarët publikë në veprimtari ilegale; këtu futen dhe trafikime të ndryshme, përfshirë dhe atë të narkotikëve).

- Goditja e drejtpërdrejtë e mekanizmave të kontroll-balancimit (emërim politik, nepotik e klanor i personave në pozicione kyçe për kontrollin e kufizimin demokratik e pushtetit ekzekutiv, gjë që po ashtu i implikon edhe ata në veprimtari ilegale; po aq i rrezikshëm është miratimi e emërimi i gjykatësve, përfshirë dhe ata të Gjykatës Kushtetuese, që më tej do të justifikojnë ligje apo akte jo kushtetuese të pushtetit).

- Krijimi i klasës së zyrtarëve mbi ligjin (shtim hap pas hapi i grupit të njerëzve pranë "bosit" apo prijësit, nuk e përfillin ligjin dhe sistemin rregullator).

- Shndërrimi i të drejtave në privilegje (në marrjen e licencave, lejeve të ndryshme apo për veprimtari ku pushteti në vetvete nuk ka ndonjë fuqi ligjore të deleguar në kufizimin e tyre).

- Kërkesa për gatishmëri apo "korrektesë" politike ("regjistrim" pozitiv për ata që shfaqin gatishmëri në "thirrjet" e prijësit; nxitje e aksione represive, bllokime dhe përjashtime kundër pikëpamjeve, sjelljeve e pozicionimeve të pafavorshme, që çojnë hap pas hapi në dominim të qeverisë tiranike).

- Shtimi i varësisë së njerëzve nga qeveria (që arrihet nëpërmjet përafrimit klasik të dominimit të njerëzve, duke u marrë atyre gjithçka dhe më tej duke iu dhënë atyre aq sa gjykohet nga "prijësi" e qeveritarët e tij).

- Rritja e paditurisë publike mbi detyrat e tyre civile (për minimizim apo zero-im të pjesëmarrjes qytetare, reagimit qytetar).

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00